-Tregim satiro-humoristik -
-Nga Shkëlqim HAJNO -
( Nga rrëfimi i Kanan Ragnoit )
Kanani është trompist shqiptar në një nga orkestrat e Greqisë. Madje, ka qenë edhe në orkestrën e Evanthia Rebucikas.Istrumentin e ka mësuar në shkollë artistike në Shqipëri. Punoi vite në një institucion kulturor në vendlindje dhe si mijëra të tjerë, sot ndodhet në vendin helen. Por disa here kur takohesh me të, nuk lë pa kujtur me humor atë gjendje ekonomike që kaloi fëmijëria e brezi të tij si të tjerë breza para dhe më pas.
Ne ishim disa fëmijë. Nëna ime që unë do t'i them siç e thërrisnim: Mëma, ishte punëtore në komunale por kishte edhe fantazi. Madje një talent në kompozimin e jorganëve:
- Jorganëve?
-Po, po. Jorganëve.
-Si i kompozonte? Si partiturat e tua?
- I kompozonte nga hiçi. Nuk kishim të ardhura të majftueshme për blerje të sendeve kryesore për jetesë por Mëma tregohej origjinale. Shfrytëzonte dy mundësi. Kur era e famshme e qytetit tonë frynte me tërbim, nuk kishte rast pa prishur e marrë me vete e flakur në tokë edhe parrulla të ndryshme, kryesisht politike, siç i kishte koha.
-Ç'bënte me parrullat?
-Me copat, basmat e bezet e parrullave, thuaj më mirë. Ngrihej ende pa gdhirë dhe 'patrullonte' rrugët publike. Shihte parrulla të rëna në tokë me gjithe ristelat prej druri. Ç'montonte bezen nga ristelat e drurit, i paloste dhe i sillte në shtëpi.
-Nuk të besohet? Për shembull. Parrullën: "Ç'do populli bën Partia dhe ç'thotë Partia bën Populli," e bënte një jorgan dopjo me te cilin mbuloheshim ne fëmijët në dimër. Madje dy jorganë. Fëmijët me të mëdhenj mbuloheshin me tjetër jorgan. Duke qenë 'novatore' nga halli, Mëma kujtoj se kishte fantazi. Te i dyti ajo bëri një shtesë, domethënë e ngjiti me një parrullë tjetër: "Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet!"
Sa për mbushjen e cipave të jorganit nga brenda, nuk bohej fjalë për pambuk. Mëma shkonte te rrobaqepësia e shef Thanasit dhe mblidhte nga thesi lecka të imta të ngelura nga prerjet e kostumeve, fustaneve, bluzave, etj,. Thanasi i mbante në një thes të madh beze ose zhake dhe kur thesi mbushej deri ne grykë, Mëma e dinte afërsisht kohën dhe kalonte nga rrobaqepsia e Thanasit që ishte vërtet një mastora mjeshtër në Ndërmarrjen e Artizantit.
Vëllai i madh, Hamzai, që i binte trompës dhe fisarmonikës në estradën e qytetit kur unë i bija maces me lugë, më kujtoi një ditë, si një sekret, se jorgani i parë me lecka kishte mbi vete disa parrulla politike.
Sipas kësaj 'tekonologjie' të punuar me copat e qepura me gjilpërë dore, jorgani nga sipër shkruante: "Rr0ftë Partia Komuniste e Shqipërisë ! Poshtë Titua! dhe "Proletarë të të gjitha vendeve, Bashkohuni!"
Hamzai i tha një ditë tjetër se kur isha i vogël, Mëma kishte 'prodhuar' një jorgan me cipën sipër ku shkruhej: "Rroftë Bashkimi i Madh Sovjetik! " dhe kur ky u gris, e ricikloi në një tjetër jorgan kur unë isha në klasë të tretë dhe ku shkruhej: "Poshte revizinizmi sovjetik dhe imperializmi amerikan!"
Por Mëma ishte vigjilente si regjimi i kohës. Madje, edhe më vigjilente. Ajo na e kish ndaluar në mënyrë kategorike të flisnim për jorganët jashtë shtëpisë.
Rrobat e palara nuk i tregohen mikut!-thosh Mëma. Kur unë njeherë i thash se jorganët e shtëpisë sonë janë me ngjyra të forta nga sipër, si ato të parrullave, ajo ma preu me limon: Hesht! Qepe! U bë bitha jote të zëç në gojë jorganët e shtëpisë që të bëhemi gazi i botës, pa le!
Gjithmonë sipas Hamzait, jorgani i dytë, dopjo, pasqyronte kronikën politike të kohës dhe marrdhëniet ndershtetërore të Shqipërisë:
"Rroftë Kina e madhe e Mao Ce Dunit! ishte ngjitur me gjilpërë dore me: "Marks, Engeles, Lenin, Stalin, Enver, Mao Ce Dun! ".
Anash, kujtonte Hamzai ishte ngjitur parrulla tjetër, po me sfond të kuq: "Dy luanë ka sot bota, një Azia një Evropa!
Nga festivali folklorik lokal ruante në jeshile: "Mao Ce Duni në Kinë./Në Tiranë Enveri ynë!).
Një parrullë, që si beze nuk i vlente më se ishte bërë fërtele, kujtonte Hamzai, e bëri copa-copa për të larë çimenton dhe pluhurat e orendive të shtëpisë në lagjen tonë, Hajbik.
Atje shkruhej: "Me kazma e me lopatë, jemi gati për në fshat!"
Vetëm një ditë, rrëfen miku im bëmë sherr për jorganët. Ishte janar dhe strehët e çative kishin ngrirë në çdo lagje. Të ftohtit të hynte në palcë edhe brenda në shtëpi. Vëllai i madh Hamzai ishte zbuluar dhe pa dashur kishte ndukur me dorë përgjumësh për ta tërhequr e për t'u mbuluar me jorganin tim. Cipë jorgani ishte parrulla : "Bar do të hamë dhe idealet nuk i tradhëtojmë!"
I them Mëmës në mëngjes pasi mbaruam së ngrëni trahananë në tase alumini:
-Mëmo, Hamzai më mori jorganin me bar dhe u plevitosa...
Mëma i hodhi një vështrim qortues vëllait:
-Lipësmu!1)(kup. dialektor: hiqmu qafe!) Kështu do ta mbrosh vëllain e vogël ti? Jezit!Mavie.! 2) (kup: shejtan)
Më pas teknologjia e Mëmës u përhap e mori dhenë në lagje të tjera. Kadrija ,mamaja e Zaimit, shokut tim të klasës në fillore, rrëfen Kamani, nisi ta kopjojë Mëmën ndryshe. Me tre shami aksionesh i bëri këmishë Zaimit dhe dukej fringo e re me hekurin mbi të.
Ndërsa nënë Refua, me tetë fëmijët njeri pas tjetrit, doli një ditë në bregun mbi fushën e futbollit për të thirrur fëmijët ta linin futbollin me top llastiku se erdhi ora e bukës.
Refo vuri pëllëmbët mbi buzë në trajtë honie dhe bërtiti me sa kishte në kokë për të thirrur fëmijët për drekë:
-Pilo, Cife, Todhe, Lea, Maro, Peçi, Goni, Noke, hajde të hani se ka bërë mamaja byrek dhe t'u veshë brekët e reja të plazhit për lumë.
Edhe ne fëmijët e mësuam se nënë Refos i kishte rënë në dorë parrulla e kohës varur e grisur më pas nga era te pallati gjashtë katësh i MAPO-s: "LART FRYMËN REVOLUCIONARE! "dhe "GRUAJA-FORCË E MADHE LËVIZËSE E SHOQËRISË SONË!
Plot tetë palë brekë, fringo të reja për banjo në lumin e Corrodolit.
Comments