SHEMBËLLTYRA IKU NË SHËTITJE.


Odise Kote

SHEMBËLLTYRA IKU NË SHËTITJE.

Tregim.


E goditi aq fort pasqyrën sa ajo u bë copë e thërrime. Erdhi vërtet Ftesa nga ajo vajza e mbrëmjes? Prej rrotullimit në shtrat flokët ishin ngatërruar aq keq sa ngjanin me një kaçubë përplot mistere. Fashitu pak, i foli përhumbshëm dhimbjes si frymëmarrje e gjatë dimri, që pas atij gjesti, sikur priste të nderej disi në tisin e mugët të qytetit. Midis nxitimit dhe asaj, këlthiti rrëzimi. A jam gati? Në heshtje, përbrenda, kur shpirti iku prej terrine, sytë iu bënë më të mprehtë, panë veten në lakuriqësinë shterpë, shqetësuese: shembëllimi nuk ngjau më me të vërtetin. Mos e kishte fajin copa e thyer e pasqyrës, thelbi i një ëndrre apo ishte thjesht ajo fabula imagjinare? E ndjeu, e mendoi vetëtimthi, pa pritur sqarim se diç e ndryshme, jashtë formave të arsyes po ndodhte. Ajo ishte aty, thuajse e varur në boshllëkun e asgjësë, në lidhjet e rreme, tek imazhet e copëtuara, të shpërbëra. Një hije e hollë ndarëse, e mezidukshme, kishte rënë midis unit dhe shembëlltyrës. Me një stërmundim të epërm uni që ndjeu kërcënim, kërkoi rikthimin, rifitimin e pamjes, vetëdijës normale, raportin lidhës me idetë, botën e prekshme. Por, ishte tepër vonë. Asgjëje s’mund t’ia kishte më besën. Ç’është kjo rrëmujë? Kjo poterë? Po kërleshen premtimet? A pandehmat po therren? Mbaj vesh, dëgjo sesi çapitet nata, o shpirt! Nga doli kjo? Marramendja, ose forma e palëndë e gjërave, nisi të rrotullohet me fuqi imagjinate si fugë ferrparajse. Cilën fytyrë të zgjedh për atje? Në çdo copëz pasqyre të thyer dilte një profil. Hundë e shëmtuar. Vesh i prerë. Fat që ajo nuk ishte aty! Gjysëm fytyre shenjt, gjysma tjetër djall. Ndërsa buzët, ah ato ishin përgjakur pa e vënë re guximin dhe frymën përtallëse të hijeve. Ishin prerë si mos më keq. Megjithatë buzët e prera ngjanin si të gatshme për faljen. S’më duhet fytyrë për të paraqitur jetën, por thjesht për një takim dashurie, e përplasi pyetjen: A njihni dikë që pas kësaj fjalie ta ketë pushtuar lumturia? Mbi vetëkënaqësinë, ti ambicioz, s’mund të ndërtosh qetësinë tënde, u krekos pa ditur përse. E di që je njeriu më fatkeq në botë, por a s’të nxitën të gjithë të jesh gjithnjë i pari? Duhej t'i gjente një zgjidhje egos. Në garderobë kishte tesha të shtrenjta. Maskat e ballove ishin në anën tjetër të dhomës. Mund të zgjaste dorën e t'i merrte. Ngurroi. Para tij si lypëse, shembëlltyra ishte thuajse lakuriq. Tek po e shihte, në vend të dhimbsurisë për të zhveshurën, ndjeu mahni dhe flakë. Dhe dehje. Megjithëse në shtrat, mbështjellë me kuvertë leshi, gjymtyrët e tij nuk ishin ngrohur dot. Lëviznin të trishtuara. Bërr, bërr, sa ftohtë! Çuditshëm, shembëlltyra lakuriq as dridhej, as mblidhte gjymtyrët dhe për më tepër buzëqeshte. Ndihej e lumtur. U ndje njeri fatkeq. Një brisk xhelozie ia përshkoi tej e tej ijën e majtë. Qetësia nuk ishte bërë tepër e thellë dhe ai guxoi: A këmbehemi bashkë? E kërkoi përgjigjen papritur, si të ishte xhind, me këmbëngulje kryeneçe. Nuk mundem, jo, jo, - belbëzoi shembëlltyra. Mbase në një kohë apo botë tjetër. Refuzimi i butë sikur e thërrmoi shpresën e fundit. Ki mëshirë - u përgjërua si fëmijë - po vjen mëngjesi e më gjen bosh, pa plehun e ngrohtë, ende të ndezur të ëndrrave të mia. Mëngjesi nuk është ngushëllim - xixëlloi sytë - as mbështjellë vazosh përmbushur me shpuzë ëndjesh. Mëngjesi është ajër, nisje, liri. Atëhere po ngrihem - fërshëlleu një melodi të njohur. Dushi është gati. Vesh këmishën e kaltër, xhaketën e bardhë dhe po dal. Po shkoj vetë në takim. Shoferi e ka bërë gati Land Roverin? Ajo ktheu kryet nga dritarja. Ti më the se erdhi Ftesa nga ajo vajza e re? Apo jo? Madje më the që takimi është lënë në lulishten e liqenit tek ai Bari me emrin e çuditshëm, Pikëlime Shiu… Jo, jo. Kjo gjë s’më kujtohet - e ndërpreu pasionin e beftë shembëlltyra. S’më kujtohet. Jam e sigurt. Dhe nuk mund të të kem thënë një gjë të tillë. E pamundur. Kujtohu! Ashtu? Atëherë ... Ti e di që ndjeshmëria është përgjakje dhe torturim. Dil dhe provoje njëherë … Pas kësaj, si t'i kishte shtënë me plumb në ballë, shembëlltyra u largua pa folur. Iku në shëtitjen e përditshme të mëngjesit të ri.

14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif