top of page

Shefqet Meko: Përsiatje  për novelën e  shkrimtarit Qebir Hoxha



“FSHATI I REVE”-NJË DASHURI POETIKE PËR VENDLINDJEN


-Përsiatje  për novelën e  shkrimtarit pogradecar, Qebir Hoxha-


Një “musht” dashurie për vendlindjen.Një prozë poetike për fshatin që  të rriti në baltë dhe nën re. Simpati, dramë dhe arratisje e frikshme me shpresë  për t’u kthyer. Befasi disaorëshe në 80 faqe novelë.Karaktere që krijon koha në relievet e veta. Me këto  fjali do ta përkufizoja  shkurt këtë novelë shkruar me plot  përmallje dhe përkujdesje krijuese nga Qebir Hoxha (Hoxhallari).

Kam palosur faqen e fundit, dhe me kanë ngelur “gozhdë” përshkrimet, karakteret, kroi i fshatit, shamanat, rrëpirat me emrin e vet, frazeologjia gjuhësore, larmia tingëlluese e fjalës dhe pasuria letrare, zhargonet krahinore  e plot e plot prurje gjuhësore  që bart novela “Fshati i reve”. Autori ka në qëndër të rrëfimit të vet intrigues, kthimin në fshat të heroit kryesor Veizit, që fati e ndihmoi të vinte “shëndoshë e gjallë”, pas dekadash arratisje nga vendlindja. Rreth  kroit të fshatit, kroit të madh, siç e quan autori, si ajo gurgullimë uji që  mbajtur jetën gjallë, që ka shërbyer në  dasma, lindje dhe përcjellje, si symbol i pashterësisë së jetës dhe qëndresës, rrëfehen shtëllungat e trubullta të jetës, nën një kontroll   absolut të “pushtetit lart”.

Përmes një vizite të papritur në qëndër të fshatit,  mjeshtërisht në një kohë të kufizuar, Qebir Hoxha sjell të gjitha “rrebeshet” dhe qëndresën e “Fshatit të reve”, jo thjesht si  triumf ideologjik, por si triumf  dashurie për jetën,  dhe rastësinë e saj si domosdoshmëri.

Ka një tension  tregues mes kohës që iku, dhe çastit të një vizite, që si një pllakë të filmave bardhë e zi, sjell me ngjyrat e fjalës të shkuarën si një mbijetesë falë njeriut. Të depërtosh në vallzimin poetik të fjalës së  Qebir Hoxhës (Hoxhallarit), të “udhëtosh” përmes fantazisë dhe realitetit të tij në dramat që ka kaluar “Fshati i reve” bën një “kërcim hëne”,  plot emocione, detaje të jetës, cikërrima dhe gabime ideologjike apo tradhëti  për një “bukë të fshehur”  për të shuar urinë e fëmijve. Zhargone tipike të zonës, dhe mbi të gjitha vizatime brilante të asaj pllaje të Malit të Thatë ku përfytyron vendlindjen reale të autorit, fshatin Alarup. Si në rrëfimet e përrallave arabe, Qebir Hoxha,(Hoxhallari), në novelën në fjalë na sjell  “çorbën” e së shkuarës, pa shijen e sotme, pa larminë dhe mundësinë e lirisë së sotme, por një “bardhe e zi” me ngjyrat e dhimbjes që i gjen vetëm në botën shpirtërore të bashkëfshatarëve që janë një galeri pafund karakteresh dhe emrash ku bashkohen myslimane e të krishterë,  komunistë dhe ateistë, mësues dhe jabanxhinj, çobenë dhe bridagierë,  sakatë dhe  fatlumë, nxënës dhe mësues deri edhe  “të huaj” që  i lidh  me  “Fshatin e Reve” mrekullia që sjell rastësia. Me mjeshtëri të gjithë këta lloj njerëzish, jetojnë në këtë fshat, në “prehër” të Malit të Xhveshur, që për mua është Mali i Thatë, i pari mal i lartë dhe enigmatik që kam parë qysh në fëmijërinë e hershme dhe përherë e kam dashur se më është dukur sikur “më sillte” diellin edhe pse planeti përvëlues  vinte dhe vjen vetë, siç vjen jeta dhe vdekja.


Mund të futem në shumë detaje për të zgjuar kureshtjen tuaj ta lexoni këtë novelëz dashurie për venbdlindjen, por le të ilustroj me një  prurje të thjesht se si autori përshkruan krastën e madhe  e veçanta e së cilës ishte “…kolovajza, pak a shumë një lloj udhëze guriçkash-vezë, që qenë derdhur nga furriku i përbashkët i të gjithë zogjve, madje edhe nga ato vezë që shqiponjat i çanin mëngjesrave…Kolovazja zbriste si vijë gjoksi njerëzish…” Mënyra si autori  “skuq” në tiganin krijues natyrën, njeriun,  bimët, gurët, releiven nën shpatullat e një mali gjigand, rrugëzat dhe  fatet fshatare, të rrëmbejnë në një peisazh shpirtëror ku gjen edhe Kipkën e Alarupit, edhe Dulen e Ballit Kombëtar, edhe sekretarin e partisë, edhe brigadierin apo njeriun e vogël që “mban shënime” dhe përcjell informacione. Novela të rrëmben në detaje interesante të fshatit që duke qënë përherë “nën re”, sikur kërkon diellin, i cili “rrëshqet” nga shpatet e Malit të Xhveshur për t’u ngrysur tej Lenijes.

Qebir Hoxha (Hoxhallari), me këtë novelë qëndis me aftësinë krijuese, një prozë poetike për fshatin, vendlindjen e vet që ka qënë sa e sa herë si referencë në fëmijërinë dhe adoleshencën time. Kur lexoj këtë krijim të një poeti të shkolluar pas ushtrie, me mundim këmbëngulës  për Gjuhë Letërsi, sikur më afrohet “me dylbi” krijuese një fshat që ishte aq afër dhe aq larg edhe për mua. Pjesë e së njëjtës kooperativë, por edhe strukur nënë re, emgima  dhe rrëpira. Kujtoj se vetëm një hërë kam vizituar  Fshatin e Reve, që shpesh për ne ishte një “re e pakapshme” sepse duhej “vizë” për të shkuar në Alarup, çka do të thoshte që vetëm me një lejë speciale nga Dega e Brendshme mund të shkoje  mysafir në vendlindjen e  autorit Qebir Hoxha. Vizita ime e parë dhe e fundit ishte një shëtitje në galeritë e minierës së qymygurit, pa mundur të shuaja etjen tek kroi i madh i fshatit. Ato kohë, nën  rrethim dhe “plot armiq” pyesja veten: Pse Alarupi ështe “shtet tjetër” kur duket si fshati im? Nuk dija të përgjigjesha sepse isha  nën bunkerin e kohës ku “fliste udhëheqja”. Ne ishim “ushtarë” që veç bindjes, nuk kishim shans tjetër veç arratisjen ose burgun.E, kjo novelë, shkruar mallshëm, të rrëfen aq shumë për “shekullin e ngrysur”.

Unë mirëkuptoj habinë e brezit të ri me këtë që them, sepse, kur sot në këtë kohë lirie djali i “fshatit të reve” jeton në  bregun lindor të Amerikës, unë në mesin e saj, dhe shumë  të tjerë në cepa të këtij kontinenti, kjo që shkruaj duket si lajthitje. Është kjo habi që kjo novelë duhet lexuar, jo thjesht nga ne që  jetuam ato vite të kufizimit dhe kontrollit të shtetit në  “mendjet tona” dhe “sinoret tona”, por veçmas nga brezi i ri për të kuptuar të shkuarën që edhe pse është “varrosur”, nuk duhet harruar kurrë si një referencë që bën të çmosh  dhe shijosh më mirë lirinë e sotme.

“Fshati i reve” është një botim i shtëpisë botuese  “Dija-Poradeci”  me një kopertinë  figurplote konceputar nga Albi Yzo dhe korrektim letrar nga Afroviti Gusho. Mendoj se novela në fjalë  do kishte  një vlerë të rritshme nëse do kishte kaluar edhe nëpër “laboratorin” e redaktimit që me sa duket këtë radhë autori e ka anashkaluar, duke i tejbesuar vetes, si zgjidhja e tij që unë nuk do ta bëja sepse “shumë mendje bëjnë një mendje”.

Gjithsesi libra të tillë, sjellin realitete që duhet të njihen dhe  debatohen sot dhe në të ardhmen. Qebir Hoxha (Hoxhallari) me këtë novelë kontribuon në pasqyrimin e një kohë  që edhe në të ardhmen letërsia do t’i kthehet si një domosdoshmëri për të kuptuar shumë enigma të varrosura që nuk duhet lënë të treten.


Shefqet Meko

18 Gusht 2024

44 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page