
Sefulla KATA
Kisha dalë shëtitje si përherë, pasi kisha fjetur diku pranë ca kazanëve të mbushur plot me ushqim. Njerëzit sapo kishin shkarkuar në ata kazanë gjithë ushqimin e gatuar me tepricë në natën e Vitit të Ri. Për herë të parë nuk m'u desh të grindesha me miqtë e mi pasi ushqimi dilte dhe tepronte për të gjithë. Gjatë gjithë rrugës shihja të përgjumur bashkëvuajtësit e mi, të cilët për herë të parë ashtu si dhe unë, nuk ishin aspak agresivë. Me siguri ishte efekti i ngopjes. Kur e ke dendur stomakun me ushqim nuk ke kurrfarë arsyeje të grindesh me të tjerët.
Duke ecur ashtu si pa e kuptuar, kisha arritur pranë parkut të lodrave të qytetit. Atë vend në fakt e vizitoja shpesh, jo se fëmijët më donin shumë, por ngaqë shumica e tyre janë tekanjozë. Ata hedhin mbi bar, - më të edukuarit edhe në kosha, - ushqimin e blerë nga gjyshërit që i shoqërojnë në shëtitjet e tyre. Në fakt, asnjëherë nuk e kam ditur me saktësi se kush e ka nxjerrë tjetrin shëtitje. Gjyshërit thonë se do i nxjerrin ata shëtitje të vegjlit, por mbase nuk janë shumë të sinqertë tani që janë plakur. Më duket se është e kundërta: ata shëtisin veten dhe në vetminë e tyre, marrin si shoqërues fëmijët. Sidoqoftë ky është një arsyetim që nuk i përket botës të cilës i përkas unë, ndaj kuptohet që është i gabuar. E rëndësishme është që nga kjo lojë, kush përfiton nga kush, unë dhe shokët e mi përfitojmë ushqim, dhe në pamundësi për të shkuar në restorante si disa që e kanë tradhtuar vëllazërinë tonë, hamë edhe ne diçka më të mirë në fundjavë.
Kur po i afrohesha parkut, përballë meje po vinte një goxha burrë, me kostum e kravatë dhe një pallto të zezë, a thua se ishte ngjallur komisari Megre. I mungonte vetëm borsalina. Pas tij, duke tërhequr fillin e një balone gjithë ngjyra, ecte ose më saktë hidhej pupthi një vogëlushe diku tek pesë a gjashtë vjeç, e mbuluar krejtësisht nga ca kaçurrela të verdha që e bënin të dukej si një kukull që ecte. Të them të drejtën u bëra shumë xheloz. Kushedi sa herë kisha menduar të gjeja një partnere besnike, (gjë shumë e rrallë në komunitetin tonë, ku fjala buçë, e përdorur nga humanët, nuk ka kuptimin femër si tek gratë, por një kuptim krejt tjetër, shumë përçmues), të kisha një familje me shumë fëmijë dhe pastaj edhe me nipër e mbesa, por nuk e kisha bërë dhe kisha arsyet e mia të forta. Dikush mund të mendojë se kjo është e pamundur për ne kafshët por jua them që në fillim se e keni gabim. Jini pak më të vëmendshëm kur shihni ata emisionet e famshme që flasin për ne dhe do të bindeni. Ka plot të ndershëm e të ndershme mes nesh, kafshë serioze që ëndërrojnë gjëra që ju njerëzit as që i çoni nëpër mend. Ju e lini gruan tuaj të shkojë më kë të dojë e t’jua çojë dëm gjithë atë banket me qindra të ftuar e me tortën me shtatë kate. Kurse ne, po e dhamë fjalën, ndonëse nuk shkojmë në kishë e xhami si ju, vdesim në dyluftim, pa na bërë syri tërr nëse dikush i vërdalloset partneres sonë.
Arsyeja e parë që nuk e krijova familjen time është se jetojmë në një botë ku kriza na ka zënë të gjithëve për gryke. Jo vetëm ushqimi nuk na del por jemi gati të hamë edhe njëri-tjetrin. Dhe mos kujtoni se e ekzagjeroj. Po ju them vetëm të vërtetën. Kam parë plot nga miqtë e mi që u turrën këlyshëve të njëri-tjetrit pa pikë turpi e mëshire. Dikur kjo nuk ndodhte mes nesh. Ne jemi mishngrënës por jo kanibalë. Por ajo që ma ka shtënë frikën në palcë është fakti se dhe ju njerëzit po silleni njëlloj. Kam parë plot gjahtarë nëpër rrugët e qytetit që vrasin çdo qen që u del përpara. Thonë që i nxjerr bashkia. Mund të jetë e vërtetë. Në hall për të ushqyer njerëzit që ka në inventar, ne kafshët jemi vërtet një barrë e madhe për të. Por edhe këtu abuzimi ka plasur sheshit. Kemi kërkuar të gjejmë vendin ku i kanë varrosur të vrarët, që të mund t’i qajmë ashtu siç bëni dhe ju, por nuk i kemi gjetur asgjëkund. Një miku ynë na tha se të gjithë të vrarët përfundojnë në restorante ku bëhen qofte dhe biftekë. Nuk e besuam por e verifikuam dhe na doli se ishte e vërtetë. Dhe na erdhi keq, jo për ne, se ne të vdekur se të vdekur jemi në këtë kohë krize, por ju të paktën nuk duhet të kishit rënë kaq poshtë. Turp! Turp për ju, turp edhe për racën tonë, për qentë që tani banojnë në shtëpitë tuaja luksoze, në divane e krevate të bërë enkas për ta, që lahen në banja të shtrenjta ku shumica e racës suaj ende s’kanë mundur të lahen se vazhdojnë të bëjnë dush me kanoçe ose nuk kanë fare ujë dhe lahen si në vakt, të shtunë në të shtunë. Ata, ish vëllezërit tanë, të paktën duhej ta kishin ngritur zërin, të hungërinin sa fuqi të kishin që zëri i tyre të mund të dëgjohej e të paktën bashkia të jepte leje për një varrezë si ajo e racës tjetër. E di që bashkia është në hall për të gjetur tokë edhe për bashkëqytetarët e saj, por ne nuk kemi shumë pretendime, ne nuk kërkojmë luks, kërkojmë thjesht një gropë ku të mos na trazojë kurrkush deri sa të tretemi përjetësisht. Por ish- vëllezërit tanë nuk e bëjnë. Kanë marrë huqet e të zotëve të cilët nuk revoltohen kurrë. Nuk dalin asnjëherë në protesta. Nuk i shkruajnë më letra udhëheqësit të tyre si dikur. Dalin vetëm në mitingje kur i fton partia e tyre dhe aq. Këtë në fakt duhej ta kisha kuptuar me kohë se siç e thoni dhe ju njerëzorët: “Më thuaj me kë rri, të të them se kush je.” Ne e kemi ndryshe. Kur nuk na pëlqen një gjë revoltohemi, hungërijmë, përleshemi, derisa e drejta të shkojë në vend. E dimë që ka dhe pasoja. Por pasojat tek ne janë më të rënda. Juve thjesht mund t’ju heqin nga puna ose nga posti i drejtorit. Ju ulet ekonomia, ju ulet edhe prestigji. Nganjëherë nuk ju thotë më njeri “mirëmëngjesi” në rrugë sepse kur e kishit punën dhe postin jeni sjellë shumë keq, harruat se nga vinit dhe ju përfshiu babëzia. Doja të thoja lukunia po kjo fjalë i përket botës sonë. Kështu pra. Por tek ne, është krejt ndryshe. Që të fitosh atë që të mungon e për të cilën ke nevojë të domosdoshme duhet të përleshesh gjer në vdekje me atë që ta ka marrë apo nuk ta jep. Nejse ju keni metodat tuaja dhe s’keni përse të bëni si ne. Se pastaj do t’ju thonë: " U bëtë si qentë."
Gjyshi me mbesën që hidhej pupthi, vazhdonin të qetë shëtitjen. Njëherë mendova t'u qepem pas e t’ia prish mendjen vogëlushes me përkëdheli, që ajo pastaj t’i lutej gjyshit që të më merrnin në shtëpi e të mund të jetoja edhe unë ca ditë të mira. Por nuk e bëra. Do më vinte turp nga raca ime. Do më dukej sikur po e tradhtoja. Por jo vetëm kaq. Ju njerëzorët jeni prishur kaq shumë sa nuk u zihet besë më. Aty të merrni e aty të flakni tutje për një tekë të vogëlushëve tuaj biondë e brunë apo për ndonjë gabim tonin, se bëjmë edhe ne ndonjë gabim ndonjëherë. Ndaj u ktheva nga ana tjetër dhe vazhdova mendueshëm shëtitjen në park. Të paktën sot nuk isha i uritur që të mendoni se mendimet më vinin nga stomaku bosh. E di që pas kësaj ju do vazhdoni të thoni: " Mendime qeni, gjykim qeni, jetë qeni, etj, etj." Fajtor nuk jemi ne, po ju, që sa herë që nuk ju pëlqen jeta juaj, e krahasoni atë me tonën. Ju këshilloj të mos e bëni më këtë, pasi tashmë, disa nga ne jetojnë më mirë se ju, mendojnë më mirë se ju.
Comments