SHËRBIM ARTISTI NDAJ ATDHEUT, KOMBIT E TRADITAVE




Nga Hamdi Hysuka

(Kryetar i klubit letrar “Pjetër Budi”Mat)


Këto ditë pranvere të vitit 2021 serisë së veprave poetike të anëtarëve të Klubit Letrar “Pjetër Budit” Mat iu shtua vëllimi “Lule Shqipërie”, i autorit emigrant Xhavit Gasa, i cili edhe pse jeton në Londër, shpirtin e zemrën i ka në Shqipëri. Janë njëqind poezi të shkruara me dhimbje e mall, me varg të butë, herë klasik e herë të lirë, me strofa të thjeshta dhe figura letrare të pa sforcuara me kode e metafora. Duke i lexuar ato shohim se poeti ka marrë me vete në Tamis të Londrës muzën poetike budiane, bashkë me mençurinë e rrethit familjar e shoqëror. Nëpërmjet fjalës artistike ka shpalosur krenarinë për vendin, ngrohtësinë e diellit, bukurinë e luleve... Vargje të tilla e bëjnë poetin human, i japin forcën e shpirtit për të mbetur i përjetshëm.

Udhëtimin poetik të Gasës e kemi ndjekur përmes vëllimeve “Jehonat e dhimbjes” 2009, “Trokëllima e poetit” 2012, “Të fala nga Londra” 2015 dhe “Shpirt e zemër në vendlindje” 2016, të cilët trajtojnë atdhedashuri, plagët e emigrimi, mallin për vendlindjen etj. Te rrëfimi i sinqertë shpirtëror takojmë realitetin e përditshëm bashkëkohor, me etje për të rregulluar binarët e jetës. Në të gjitha poezitë e librit, i pesti me radhë, ka mesazhe atdhedashurie, respekt e mirënjohje ndaj mërgimtarëve, dashuri ndaj prindërve etj. Jo rastësisht vëllimi nis me poezinë simbolike “Pararojë pranvere”, kushtuar fëmijëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, në të cilën lexojmë:

Mos ua numëroni vitet kur janë lindur,

mos pyesni për çertifikatë a pasaportë,

dëgjoni sa bukur flasin gjuhën shqipe,

sa bukur recitojnë e si shqiponja vallëzojnë...



Për të vazhduar me “Lule Shqipërie”, kushtuar emigrantëve tanë të shumtë kudo nëpër botë, pjesës më kontribuese në krijimin e vlerave materiale e shpirtërore të shoqërisë, të cilët kanë dhënë gjithçka, djerën, mundin, pasionin dhe ëndrrën që vendi ynë të jetë i denjë në familjen e madhe europiane:

Shkojnë e vijnë dallëndyshet,

fluturojnë pa pushim qiellit të kaltër,

brenda tyre plot petale, degë, sythe,

me vargjet e Filip Shirokës në krahë.


Që nga Austria e largët,

te Amerika simbol lirie,

në çdo cep të botës së madhe,

sot lindin, çelin petale lule Shqipërie.


Në çdo cep të planetit të tokës,

pranverat shqiptare çelin hareshëm,

i këndohet me gjuhën e Shqiponjës

atdheut të Skënderbeut dhe Nënë Terezes.


Krijimtaria letrare i thotë poetit emigrant që mos t’i mënjanojë pranverat e jetës, as detyrimet e rrethit shoqëror e familjar. Te ky poet dashuria e jetës është kthyer në ëndrra për liri dhe forcë shpirtërore, për të drejta njerëzore...

Duke jetuar me ëndrrat e brezave të rinj, poeti Gasa i është përkushtuar botës së fëmijëve, duke skalitur vargje për vlerat e edukimit të tyre:

Sot dua t’i ul një nga një yjet e qiellit kaltërosh,

dhe të stolis germat shqip këtu në Londër,

letrës së bardhë të qendis të bukrat vargje,

për filizat që atdheut kaq bukur i këndojnë!


Të ngjitem për ju dhe mbi ré t’i them diellit,

mos i kurse të lutem rrezet, plot me dritë,