top of page

Shënime rreth librit "Lis në shkëmb"


Shënime rreth librit "Lis në shkëmb" të gazetarit Fiqri Shahinllari

Nga Ziko Ll. Kapurani

Lisin shekullor në hyrje të fshatit, i cili hapte krahët për zogj e miq, që mblidhte nën degët e tij kuvëndarët e tre mëhallave, një ditë e gjetën të shtrirë përdhe. E kishte ngrënë gjatë natës era e Qarrit. Papritur. Fshati ndjeu një boshllëk në përmbajtjen e tij: i iku plaku ogurmirë, më i moçmi në jetën e tij, i njësuar me një dërgesë Zoti.Të krishterë e myslimanë, një gërshetë shëmbëllore e harmonisë midis dy feve, i faleshin, secilët me mënyrat e tyre. Fëmijët e shkollës u munduan ta ringjallin me një filiz të ri, por i riu, siç duket, nuk e zvëndësonte dot dhe u tha. Atëhere këtë Lis shënjtor, e zvëndësoi një Lis- libër, të cilin nuk mund ta rrëzojë asnjë erë e fortë. Dhe prapë mblodhi kuvëndarët, prapë priti miqtë e zogjtë. Prapë pamë në këmbë vetë trupin prej kocke, guri e fisnikërie të fshatit, pamë fytyrën e tij, gjurmët historike. Dhe ç'është më simpatike, më tërheqëse: Libri flet me gjuhën e lisit, me shpirtin floqar, i sintetizuar tek njëri nga djemtë e mirë të fshatit, nga gazetari i njohur i së përditëshmes "Bashkimi" të gjysmës së dytë të shekullit njëzetë në Shqipëri, Fiqri Shahinllari. "Vjen nga një fshat me histori të madhe", më thosh shpesh shkrimtari historian, mallakastrioti Bujar Muçaj, "shkruaj një libër për 'të". Megjithëse më zjente përbrenda për një libër të tillë, më dukej shumë e përpjetë për këllqet e penës sime. Mbase do t'i jipja artin e të shkruarit, por kjo do të ish vrima e fundit e fyellit. Duhej që në gusht nga një grusht, gjë që nuk e kisha bërë. Ndërsa prisja që poeti Agron Elezi ta kryente këtë borxh ndaj atij fshati magjik, ai ma dërgoi Lisin në Selanik, lis të rritur nga Shahinllari, një Lis me gjethet- shkronja, me trung prej shpirti të blertë, me rrënjë të hapura gjer në kodrat për rreth. E dini se gjeta atje dhe aromën e çajit, dhe rendjet e mia pas aromës së zhumbricës, të cilën e kishte veshur një vajzë fshati? O, sa u kënaqa! Pashë se autori e njihte historinë e Floqit më mirë se Lisi erërat, që e rrihnin. Ai ka hyrë thellë nëpër tunelet e arkivave, vite me radhë me forcën e një pasioni të çuditshëm. Atë çka nuk ka gjetur nëpër arshiva, e ka gjetur tek arshivat e gjalla, tek "intervista" me pleqtë e moçëm si Xha Nevruzi, xha Sule, xha Hyseni... E ç'mekulli gazetari! Fjalë e flori! Autori nuk e fsheh dot mallin e tij, dhimbjen për atë jetë zbatharake drejt së arthmes së tij. Por kjo nuk ia turbullon ujin historisë. Përkundrazi, guri i mallit sado i rëndë, thërmohet në guriçka për ta pastruar rrjedhën e së vërtetës historike. Dhe kemi ujë të pijshëm gjithë shëndet. Të vjen të përkulesh mbi 'të, ta puthësh. Njëlloj si mbi Burimin e Sules, mbi Izvorin, mbi Toplecin. Thonë se ai ujë, ai ajër i pastër, i mban gjallë e u shton jetën atyre njerëzve. "Ujë femër", më thosh xha Llambro. E ç'doni më shumë?! Përveç duarve të arta të floqarëve, të gjoksit të tyre të zbërthyer, të shkalafitur nga djersa, edhe vetë zoti e ka ngritur Floqin amfiteeatër ku zbresin engjët, ulen nëpër gjelbërimet për rreth dhe soditidin relievin e këndshëm, krenarinë e këtyre fiseve. Ata njerëz të mënçur e të urtë i veshën brigjet me tufa të bardha. Këtu veruan dhe vllehët nëpër mote. Jo vetëm për barin e ëmbël që rriste shqerra briflakë, jo vetë kullota që mbushte gjirin e deleve, por dhe mikpritja e banorëve vëndas, i uli vllehët nën strehëza floqare. Përpara na del një fshat me histori e legjendë të përzjerë, ku bujku duke lëruar, plori i nxjerr sipër gëzhoja lufte. Shekuj të trazuar në një libër Lis. Pleq pranë oxhakut ku thurrin cigaren dhe historinë. Dhe po t'i pyesësh për prejardhjen e emrit të fshatit, ata stopojnë pak, por nuk i gjen të papregatitur. Ndoshta nga flokët e borës, ndoshta nga "fllok", të cilit në latinisht, i thonë flokut të leshit, pse jo edhe në shqip. Fshati Floq, ashtu siç është lidhur me misrin e ëmbël, që gjithë vëndi i ka dhënë emrin e tij, ashtu siç është lidhur me mikpritjen, besën, natyrën, është lidhur me letërsinë. Shkrimtari i njohur i viteve '30, Foqion Postoli, e vendos romanin e tij pikërisht këtu, në shtëpitë dykatshe të këtyre mëhallave. Pse? Këtu ai gjeti traditën patriotike, njeriun e bredhur e të lëçitur, ku myslimanë e të krishterë jetonin në një paqe të vërtetë, pa qënë nevoja për pakte. Veç kësaj, Floqi është fshati i dy prej figurave letrare e shoqërore më të mëdha shqiptare: të elitarëve me aktivitet të rëndësishëm jashtë e brenda vendit, të Kristo dhe Thanas Floqit. Eshte sa domethënëse, po aq prekëse, që Kristo Floqi, si shumë intelektuale shqiptarë, që nuk u larguan nga vendi, i hëngri Enver Hoxha. Mbas shtatë vjet burgim, ai dha shpirt në qelitë e komunizmit. I vëllai i tij, Thanasi, është një nga nënshkruesit e Pavarësisë së Shqipërisë, pranë mjekërbardhit I. Qemali. Për më tej, shkojmë në një figurë tjetër, e cila flet për gjakun aristokrat të këtij fshati, tek Rushan Beu, i cili ishte mik shtëpie me Qemal Ataturkun. Libri Lis na e fakton këtë me një foto ku e motra e Rushanit, Myzejeni, danson në një mbëmje dëfrimi, me vetë themeluesin e shtetit të ri turk. Paçka se shkruhet për një fshat, libri i kalon këto caqe. Ai ka vlerë kombëtare për faktin se vetë figurat që lindën këtu, kanë peshën e kombit. Ato lidhen me fatin historik të vendit. Mandej, vetë pleqësia e fshatit, mënçurisë së saj, i hapen dyert më të larta shtetërore. Floqi ish fshat bejlerësh. Kjo të mos ngatërrohet me atë kuptimin fyes, që diktatura u dha njerëzve të mëdhenj të kombit. Kemi të bëjmë me fise të lëvduara, me emra kapedanësh, si ai i Sotir Kapedanit. Patrioti Sali Butka, i kish shpatulla të ngrohta floqarët. Lodhja hulumtuese, mjaft serioze, e futin Fiqri Shahinllarin në elitën e figurave madhore të fshatit dhe, pa nguruar, përtej tij. Këta nikoqirë të zotë, nuk ngurruan të blenë çifligje për rreth Korçës, të hapin dyqane në qytet, të bëhen tregëtarë të zotë. Kur këta, hipur mbi kuaj, u hapej rruga me respekt, u zbritën nga diktatura e kuqe, mbetën më këmbë, të vegjël, të padukshëm, hije. Eshtë shumë domethënëse thënia e një floqari: "Më muarën edhe atë copë tokë, për të cilën hoqa dhe varësen e zonjës nga qafa për ta bletrë". Të pakënaqur banorët e Floqit, të shtërnguar nga politika grabitëse, u arratisën në Greqi, prej andej në Amerikë.Veçse, asnjëri prej tyre nuk bëri veprimtari antikombëtare. Të le përshtypje statuti i shoqatës së floqarëve në mërgim, "Bashkimi i Floqit", shoqatë e drejtuar nga aktivistë të mëdhenj si Kristo Floqi, Faik Konica, Laze Mehmeti, ku thotë: "Çdo mall që ka një floqar afër kufijve të fshatrave të tjerë fqinjë, të mos shitet tek i huaji, por ta marrë atë një tjetër floqar, me pëlqimin e fshatit". Ata nuk donin të zvogëlohej teritori i fshatit. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Nuk dëmton askënd. Ai mbron vetvehten. Të mbetet ai që është. Shëmbull interesant për bashkimin e fshatit është "Berihai i Floqit", i cili ishte tmerri i ngacmuesve, qoftë edhe të një fëmije floqari. Po të dëgjohej thirrja "Berihai, o fshat," të gjithë lini

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page