Shënime pa datë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 16, 2021
- 2 min read

Adriana Myrtaj
(fragment nga libri)
E kemi të natyrshme dashurinë. Na duhet veç të mësojmë si të ecim ngadalë, t’i lëmë kohë natyrës sonë të brendshme origjinale të dalë e bëhet pjesë e jona. Të ngadalësuarit sjell përfitim në shumë aspekte. Duhet mësuar si të mos u bëjmë presion fëmijëve e shtyjmë ata në dëshira egoiste. Le të bëhemi të mençur për veten, të mësojmë për veten, si të ulim ritmin e punëve ku gjendemi të përfshirë. Fëmijët kanë nevojë për hapësirë të ecin në udhën e jetës së tyre të drejtuar, udhëzuar dhe frymëzuar prej Mjeshtërve të Urtësisë dhe Zotit.
Njeriu e ka gjenetike kapacitetin të shprehë dhembshuri. Secili individ vjen nga farë e mirë, ka nevojë vetëm të kultivohet, të çelë e lulëzojë në dhembshuri të madhe universale, në ndihmë njëri tjetrit. Nuk mund të kuptojmë njëri tjetrin pa kuptuar ndjenjat tona.
Si arrihet? Lutja është ilaç i zemrës e shpirtit. Meditimi është si të shtrihesh në sallën e kirurgjisë ku kirurgët janë engjëj.
Dalai Lama e vë besimin e vet në inteligjencën që ka qenia njerëzore, në aftësinë për të arsyetuar. Dhembshuria dhe falja nuk janë çështje të ndonjë besimi fetar, janë të vetë njeriut, i sjellin atij gëzim e lumturi, krijojnë plot mundësi të mira për ne së bashku.

... U ktheva përsëri te "fjala". Fjala është dhuratë e bukur, fjala dhe fjalitë mbushur me të, bisedat midis nesh, të shprehurit e vetvetes.
Ç’do ishte njeriu dhe jeta jonë pa fjalën, komunikimin, të shprehurit?
Sa e domosdoshme që është të bashkëpunojmë me të tjerët, të shkëmbejmë ide e mendime, gjendje e ndjenja. Bëhet detyrë, të praktikuarit në komunikim. Në këtë kuptim, duhet t’i krijojmë vetes dhe të tjerëve mundësinë të shprehemi lirisht, pa e paragjykuar askënd, pa e ndëshkuar për idetë, ato provohen në kursin e jetës. Për këtë po, duhet të mësojmë njëri tjetrin. Bëhet me praktikë, me disiplinë e respekt reciprok.
Secili është i rëndësishëm, në mënyrë të barabartë i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për shkëmbim idesh e opinionesh. Besoj fuqishëm, se fati si shoqëri është tepër i ndërvarur nga shkalla e emancipimit dhe qytetarisë së të shprehurit. Të krijuarit e mundësive për një ambient gjithë përfshirës në debat, do ishte rritje ideale, perfekte e shoqërisë.
Problem madhor është gjithçka që na shqetëson dhe lë natën zgjuar, qofshin ato në familje, në ambientet ku punojmë, apo probleme të tjera shoqërore që na shqetësojnë dhe preokupojnë të gjithëve. Liria e fjalës për secilin, të madh a të vogël, të mençur a jo aq të mençur, të mund të krijohej nga një ambient dëshirë mirë edhe për të dëgjuar, jo vetëm të flasim. Dëshirë për të mësuar nga njëri tjetri.
Përparimin dhe transformimin i shoh të fshehura në të.
Comments