Shënime për romanin e S. Athanasiut




Së pari më duhet të pohoj se nuk më ka ndodhur shpesh, që pasi të mbaroj një roman të një autori shqiptar, të mbaj frymën pezull, të meditoj apo të kërkoj hapësira zbutëse, të cilat të jetë ndërmjetëse mes realitetit dhe një situate krejt tjetër, të shkuar dhe servirur aq bukur në një vepër. Kjo qe ndjesia e parë kur mbylla kapakët e librit të shkrimtarit Sotir Athanasiu.

Ndjesia e dytë kishte të bënte me modestinë e autorit. I pa bujë, i heshtur në këndin e tij, prej një njohësi të mirë të letërsisë botërore, e sidomos të asaj antike, shkrimtari i romanit “Polen Gruaje, stafetë e dhimshme e një dashurie parisiene”, të josh me qetësinë e tij, të shtyn të gërmosh më thellë brenda botës së tij, për të zbuluar të thënat dhe të pathënat që fsheh një artist si ai. Sotir Athanasiu ka ndërtuar kështjellën e unit të vet artistik, por rreth e qark saj nuk ka as edhe një objekt tipik, i cili, ashtu siç sot po ndodh shpesh, të amplifikojë e të prodhojë tinguj të çjerrë e gërvishës, që të grishë e më pas të ç’orientojnë e zhgënjejë lexuesin e mirëfilltë.

Që në rreshtat e para, autori të imponohet vrullshëm dhe kërkon të tërheqë vëmendjen e të bindë se gracka e subjektit nuk mund të krahasohet me atë të stilit ekselent. Përballë lexuesit, si personazh vihet një poet i cili është njohës i frëngjishtes dhe në skajin tjetër të atij segmenti, nënë e bijë, të dyja franceze me një histori të dhimbshme, e cila e ka zanafillën tek vitet e shkuara të vendit tonë. Janë këto dy elementë, të cilat lexuesit do t’i duhet t’i përtypë këndshëm, sepse prej andej do të burojnë një sërë dialogjesh të cilat prodhojnë jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe ndërthurje figurash e mitesh të lashta, në ato dialogje të shfaqen emra dhe fenomene të zgjedhura prej kohëve, si argumente dhe kundër argumente të bashkëfolësve, duke e çuar komunikimin e personazheve në nivele shumë të kënaqshme.

Bruti e Petrarka, DEUX-Zoti, Çirçia, Odisea, ekuacioni Maxuell, shqisa e gjashtë, Masrejeza si himn e si emër, teoria e fijeve, Mary Kyri, apo lëvizja broviane, Xhafëzotaj e Perestrojka, Romeo dhe Xhulieta apo Desdemona e Shekspirit, Akteoni i miteve, Helena e Trojës Saharaja dhe Sokrati i vuajtur, sigurimi i shtetit dhe Zëri i Popullit, kompleksi i Edipit, Fronti qiellor, Saturni e Jupiteri, Volteri, Hygoi dhe Floberi, kompleksi i Elektrës, kutia e Pandorës, janë një majë e vogël ajsbergu, me të cilët lexuesit do t'i duhet të përballet në roman. Përdorimi i gjithë këtij arsenali prej autorit është i lavdërueshëm, i këndshëm dhe shpesh herë, eviton shpjegime të gjata të cilat e bëjnë tekstin të rëndë e të mërzitshëm. Në këtë kontekst duhet thënë se stili i Athanasiut vjen unik, e i papërsëritshëm dhe disa ndikime të lehta prej autorëve të vjetër, nuk e cenojnë aspak atë.

Në roman shfaqen dy linja kryesore; ajo e poetit me Julietën si dhe ajo e Luan Majlindit me Marsejezën.

Linja e parë vjen e gjallë, nëpërmjet dialogjeve të spikatura e plot elegancë, nëpërmjet batutave me humor e domethënie, si dhe mes përshkrimeve plot jetë e dritë, të cilat autori, falë talentit të tij, i lëshon pa kursim. Dashuria e dy të rinjve mban në këmbë pjesën më të madhe të emocioneve, ajo shpërndan shtyllat e saj nëpër rrëfim e kësisoj, vepra e Athanasiut, ndihet e fortë, e aftë të përballë dëshirën e lexuesit për të ecur nëpër rrëfim me atë etje, që zakonisht jemi mësuar të përjetojmë kur bëhet fjalë për pena të dashura. Një takim i rastësisëm i poetit me babanë e Julietës, ngre akoma më lart “temperatuart” e ndjenjave të tyre dhe në roman ajo sa vjen e lartësohet, duke mbushur me kolorit kapitujt e tij.

Linja e dytë vjen nëpërmjet një rrëfimi “post factum” (teknika e rrëfimit retrospektiv) të dy personazhëve, të cilët fati i bashkoi diku, afër Kullës Ejfel, për t’i ndarë më pas prej një akuze absurde të sajuar nga dora e hekurt dhe e pamëshirshme e diktaturës. Realiteti tragjik i cili mishërohet në figurën e Luan Majlindit, është e vendosur në një situatë krejt absurde, por mbi të autori vendos kujdesshëm projektorë të fuqishëm, me qëllim që personazhi i tij të shpërndajë dritë nëpër subjekt. Detaje të vogla në dukje e bëjnë figurën e Luanit jo vetëm mistike, të dhimbshme, të adhurueshme, por e shndërrojnë atë në një akuzë të fuqishme e cila me gishtin e saj tregues, si një heshtë e mprehtë godet pamëshirshëm çmenduritë e sistemit që kaloi. Për ta çliruar prej stresit dhe kënetës bastardhe të fjalorit plebè, dialogjet e asketit të Athanasiut janë të pajisur me një ironi të hollë, e cila kërkon të asgjësojë në dykuptimësinë e fjalëve realitetin bastardh dhe kur ai ndeshet me poetin, rrëfimet e tij shndërrohen në një oqean të paqtë dijesh, në hambare të vërteta njohjesh, të cilat e xhveshin prej çmendurisë, që autoritetet e atij vendi të humbur ia kishin veshur si mantel. Duke përshkruar me delikatesë ritmin ekzistencial të personazhit, Athanasiu na krijon një figurë të rrallë në botën e letrave shqipe, një njeri me të cilin dashurohesh, një personazh, fatin e të cilit lexuesi e ndjek me ankth, me drojë, me llahtarë.

Në roman endet edhe një linjë e tretë, e cila kulmon me kapitullin Kompleksi i Edipit, ku autori zbulon një prej fenomeneve më të përfolura të shoqërisë; Ortep-shqiptimi mbrapsht i emrit Petro, ose djali i paligjshëm i kumbarit të një çifti, pre e një skene vogëlie, bëhet viktimë e komleksit të Edipit. Ai urren të atin dhe për një kohë të gjatë nuk flet. Këtu, Athanasiu na përgatit për lindjen e një përbindëshi, i cili ashtu si babai i tij i paligjshëm, do të përfundojë nëpër kanalet e sigurimit të shtetit, si një njeri pa zemër, si një i përbuzur, shpirti i të cilit është i nxirë prej hakmarrjes. Në këtë histori del në pah edhe një dyshe doktorësh. Ëtshtë fjala për duelin Kreshtan-Fation, i pari diplomuar në perëndim dhe i dyti produkt i dalë prej të ashtuquajturit “njeriu i ri”. Duket krejt natyrshëm që ky duel, është personifikimi e luftës mes të mirës dhe të keqes. Terreni i ashpër, i pagdhendur e satanik, gjatë viteve kur romani kthehet nëpërmjet protagonistëve në të shkuarën e tij, favorizon ndjeshëm preferencat e të parit. Shpesh humanizmi i Kreshtanit humbet në përrallisjet keqëdashëse të të dytit. Ky antagonizëm mendoj se vjen me nivele të larta artistike në bisedën mes tyre në ditët që zhvillohet eksodi “biblik” i shqiptarëve. Me një sarkazëm të pështirë, e keqja, nëpërmjet Fationit shfaq madhërishëm brirët e saj, duke e renditur atë si një prej figurave më të neveritshme e më frikshme të rrëfimit të autorit.

Në një vlerë të veçantë në roman vjen edhe raporti mes reales dhe fantazisë. Borhes thotë:”…në fantastiken e vërtetë, shpëton gjithmonë mundësia e jashtme dhe formale e një shpjegimi të thjeshtë të fenomeneve, por në të njëjtën kohë, ky shpjegim është shumë larg mundësive të brendëshme. Të gjitha veçanësitë duhet të kenë një karakter të përditshëm, por duke i marrë të gjitha së bashku duhet të kenë një rastësi të ndryshme”.

Athanasiu, bën pothuajse këtë! Edhe pse romani kryesisht është i ndërtuar në vetën e tretë ai di t’i “largohet” vetes, ndërton një vete të dytë, të pajisur me cilësi prej shpirtit të vet. Shkrimtari di të pasqyrojë në roman edhe diverguesin e tij, negativin e njeriut të ndershëm, ta pajisë atë me elementë të besueshëm, me elementë real, si ata që gjendeshin me shumicë në kohën kur autori shëtit me eksperiencën e vet. Imagjinata e tij mbërrin të kopsisë gati në mënyrë perfekte të gjitha hallkat e romanit, në mënyrë të besueshme, duke mos cënuar askurrkund ecurinë e subjektit.

Por a është romani i Athanasiut thjesht një angazhim shpirtëror, apo detyrim intelektual i autorit?

Sartri na lë këtë këshillë: .”…ne shkruajmë për bashkëkohësit, nuk duam të shikojmë botën tonë me sytë e të ardhmes, do të ishte mjeti më i sigurt për ta vrarë, por me sytë tanë prej mishi, me sytë tanë të vdekshëm”.

Parë me këtë sy, mendoj se barra shpirtërore e shkrimtarit, është ajo që nis anijen e tij të ndjenjave drejt brigjeve të së panjohurës. Thelbi intelektual, për të pasqyruar një realitet të shkuar, i cili në kohën tonë po vdes dalëngadalë, i bashkohet rrugës, duke i dhënë një shtysë akoma më të fortë veprës, e cila tashmë nuk ka vetëm misonin e parë. Duke vendosur këmbët e prozës së tij artistike në dykohësi, Sotir Athanasiu zgjeron gamën e personazheve dhe të ngjarjeve, zgjeron hapësirat e konflikteve të romanit, të kulmeve të tij, por njëkohësisht dëshmon se sa i zoti është që t’i a dalë në krye për t’i vendosur të gjitha ato linja tek ai bosht, të cilin e kërkon detyrimisht, si mjet të fuqishëm në integritetin e veprës.

Sidoqoftë, do të thoja se në roman ndihet mungesa e një dore të mirëfilltë redaktori, i cili, si një kopështar i mirë do të kishte detyrën e tij të bukur që të largonte nga kopshti i mrekullueshëm artistitk i Athanasiut, ca barëra të tepërta, ca kulpra mbytëse që i kacavirren metaforave të tij, e që autori, i prirur të ecë drejt ngjarjeve dhe kumteve, nuk ka mbërritur t’i shohë. Disa përsëritje të shpeshta, edhe pse të pakta, aty këtu duket sikur e tejngopin veprën, duke ulur në mënyrë të pavetëdijshme nivelin e saj.

Megjithë atë, do të thosha pa frikë, se romani “POLEN GRUAJE, Stafetë e dhimbshme e një dashurie Parisiene” është një vepër që lexohet me një frymë, është një vepër e arrirë. Proza e Athanasiut, është ngjizur mrekullisht, duke na dhënë një roman, i cili duhet të marrë vëmendjen e merituar, e të zerë një vend të mirë në arkivin e letërsisë së post diktaturës. I bindur se kritika letrare në vendin tonë, ashtu si në shumë fusha të tjera, nuk është në nivelin e saj të dëshirueshëm, mora mundimin të nxjerr në pah vlera, që sipas mendimit tim, vazhdojnë të lihen në harresë prej vetëdijes së një kombi.

Leon Lekaj

Athinë 27/11/2020

135 views2 comments

Shkrimet e fundit