ADHUER Nr. 5. VITI 1940
SHËNIME MBI ÇAMËRINË
(Marrë nga: "Radhuer i luftës =n° 5.)
HISTORI
"Çamëria qysh prej kohëve të lashta ka qënë gjithmonë shqiptare dhe në historitë e vjetra çamërit quhen titanë kurse gegët quhen viganë (me pa Odisenë).Të gjithë shkrimtarët grekë i quanin barbarë, sikundër quanin barbaroglotë të gjithë të huajtë që fjaloseshin në gjuhëra të huaja.
Çamët kanë qënë gjithmonë muhamedanë deri në kohën e Ali Pashë Tepelenës, por edhe në periudhën e muslimanizmës ka eksistuar gjithmonë midis tyre një bashkëpunim i plotë për mprojtjen e interesave Kombëtare dhe për luftën kundra grekëve.
Në 1913, kur Çamëria e shkretë u detyrua të pranojë sundimin grek i u imponoj ushtrive zaptuese konditat që vijojnë:
1) Vetëm ushtria e rregullshme kishte të drejtë të zaptonte vëndin.
2) Respektimin e nderit dhe të zakoneve të vëndit.
3) Dorëzimin e armëve vullnetarisht.
Por me gjithë këtë fatkeqësisht grekërit me të hyrë në Çamëri filluan t'iu bëjnë të padurueshme jetesën popullsive duke u munduar t'a çkombësojnë.
Një vjedhje e parë në dëm të shqiptarëvet u paraqit nga plotë 25,000 kokë bagëti përveç të hollave dhe sendeve me vleftë; kryetarët më me rëndësi, ose shpëtuan duke hikur mal në mal ose pyll në pyll, ose u therrën.
Nuk është e mundur që të bëhet një listë e viktimave dhe ende sikur të bëhej kjo nuk do t'a pakësonte rëndësinë e tragjedisë së tmerrshme, sepse grekërit u suallën krejtë si barbarë edhe si njerëz pa pikë feje. Në prill të 1913-tës, me urdhër të kolonel Ebitis, u arrestuan dhe u vranë barbarisht Subhi bej Dino, Pronjo-ja nga Paramithia dhe Alush Gjyzeli nga Margëlliçi në Nemize, arrestime dhe vrasje q'u bënë pa akuzë, pa gjyq, por vetëm se ishin shqiptarë.
Me një herë pastaj, në një pusi (pritë-FD) të vetme, u masakruan 72 veta që qenë thirrur t'u paraqiten autoriteteve në Paramithi. Në mes tyre janë për t'u shënuar: Mehmet bej Kasiqani, Resul Çene, Sadush Dine, Adem Bedeleni, Fejzo Nazisi (ndofta duhet Nazifi-FD), Jusuf Bezhani, Malo Kasëmi, Beqo Kasëmi dhe Refik Tahiri.
Martirizimi i popullit çam harrijti kulmin në Mars të 1917-tës, aq sa 400 familje orthodhokse shqiptare, natyrisht, u çuan në këmbë me armë në duar, i prenë komunikatat me Janinën dhe ndaluan çdo marëdhënie me qeverinë Greke, duke u proklamuar indipendentë, gjë kjo që zgjati gjer në gusht po t'atij viti, d.m.th. gjer sa fuqitë italiane e pushtuan Janinën me të tërë Epirin. Atëhere sulmet kundra grekëve u bënë më të shpeshta dhe më t'egra.
Porse natyrish sproporcioni numerik dhe ay i mjeteve mprojtëse dhe sulmonjëse dolli në krye, dhe kështu Çamët, të mundur por të pa shtruar, u shtrënguan të mjaftohen me luftime çetash, luftime që mund të themi, vazhdojnë akoma sepse shqiptarët e Çamërisë, kur u paraqitet rasti, nuk mungojnë që të sulmojnë. Në vëndin e Nistës (fshat në Çamëri-FD), në vitin 1915, një kompani ushtarësh grekë, që kishte vajtur atje për të çarmatosur popullin, nën komandën e kapitenit Çiamakakos, meqënë se filloj t'i përdorë torturat dhe sharjet, u çarmatos me turp nga popullata dhe u vu në tallje të përgjthshme. Ndërkaqë shqiptarët e Çamërisë, që ndodheshin në vënde të huaja, filluan t'i mbysin kryeqytetet evropiane dhe sidomos Londrën, me protesta për mprojtjen e kombësisë së tyre dhe të drejtat njerëzore të shkelura nga grekët.
Mbas traktatit greko-turk, për shkëmbimin e popullsive, 10 mijë çamër u dërguan në Turqi me forcë, porse ky shkëmbim i poshtër u shtrëngua të ndalohet mbas protestës së qeverisë së Tiranës, i mbrojtur sidomos nga Italia. Ishte në atë kohë, më 1925, q'u bë instalimi në Shqipëri i 1500 vetave të hikur mbas atyre persekutimeve greke".
[Botim nën kujdesin e drejtorisë së përgjithshme të shtypit, propagandës e turizmit.Tiranë, 1940. XIX]
·······
Kaq shkruhet në këtë "Radhua", që sot mbushen 81 vjet nga botimi i tij.
Në dy muajt e kësaj verë, tepër të nxehtë, ku temperaturat u ngjitën deri në 42°C, qëndrova në Tiranë.
Ndryshe nga vitet e tjera, m'u desh ti përshtatesha dy kushteve të rënda: ruajtjes nga COVID-19 dhe nxehtësisë mbi normalen. Më e shumta, për të mos thënë se të gjitha ditët i kalova brenda shtëpisë. Për të zbutur pak "izolimin" shtëpiak, mbas disa vitesh fillova të merrem edhe me sistemimin dhe pastrimin e bibliotekës familjare. Mes tyre, mendova të njoh lexuesit me "Radhuerin e luftës" nr.5. Është një shkrim i botuar 81 vite më parë, vit kur Kosova, Shqipëria londineze dhe Çamëria ishin nën pushtetin e pushtuesit.
Siç vrehet në fillim të kësaj trajtese historike, paraqitet historia shumë shkurt e Çamërisë. Mesa duket ishte një dokument informues që i shërbente strukturave të caktuara të luftës të pushtuesit italian. Metoda që përdorin pushtuesin për të joshur me propagandë popullin e pushtuar!.
Qëllimi i publikimit të kësaj historie të shkurtër, mbas gati një shekulli, është për të kuptuar se mes shqiptarëve të Çamërisë, qeverive dhe kishës ortodokse greke, qendron permanent një ndarje e madhe pa pajtueshmërie. Kjo sepse nga fillimi i shekullit të kaluar, ka qënë dhe mbetet histori e agresivitetit, plaçkitjeve, padëshirueshmërisë, vrasjeve dhe dëbimit të dhunshëm të banorëve autoktonë të rajonit etnik shqiptar nga ithtarët e "megalloidhesë", me përdorimin e dy mjeteve mesjetare "shpatën dhe kryqin".
Nga ky "Radhuer" (është ruajtur origjinaliteti i shkrimit-FD), sado i shkurtër, hitorianët, studjuesit dhe sidomos të "fuqishmit" ligjvënës euro-atlantikë, duhet të kuptojnë se me veprimet e tyre kanë shkaktuar tragjedinë më të dhimshme njerëzore.
Ata, si dje dhe sot vazhdojnë të spekullojnë me sajesat e djallëzuara greke ndaj një komuniteti etnik me banim në trojet e veta më përpara edhe nga koha kur "Homeri do të shkruante Iliadën dhe Odisenë". Madje, siç dëshmohet nga kërkimet e sotme në kasafortat e errësirave dashakeqe të fshehjes, fshirjes, mashtrimeve, shpifjeve, gënjeshtrave, ai komunitet rezulton tepër i qartë pasardhës i drejtpërdrejtë nga pellazgët. Rajoni dhe banorët kanë gjalluar në atë hapësirë që nga koha kur nuk përmendej gjëkundi emri grek dhe Greqi.
Po. Historia ka filluar të flasë. Është koha kur inteligjenca e njeriut, me teknologjitë e arritura, vazhdon të zbulojë të vërtetat që na janë fshehur dhe zhdukur, në rastin tonë, nga shtetet fqinje por dhe nga "bismarkët" apo dhe "Ottot" e djeshëm dhe të sotëm.
Historia tashmë flet qartë. Ajo duhet të dëgjohet dhe të korigjohet për të filluar nga epoka e respektit reciprok mes popujve fqinjë dhe popujve në tërësi, pa e ndarë njerëzimin në turma sipas besimeve fetare, ngjyrave dhe racave. Vërtet janë ndarje të trashëguara, por kanë shkaktuar masakra, tragjedira, shkatërrime të tmerrshme, prandaj shoqëria njerëzore i cilëson të neveritshme dhe duhen korigjuar sa më shpejt.
Nga Fahri Dahri. 11/tetor/2021.-
top of page
Search
Shkrimet e fundit
bottom of page
Kommentare