top of page

“Shëndet pastë shoku...!”


Shëndet pastë shoku...!”

Ishte i shenjës së Bricjapit

Fatmir Terziu


I përskuquri, i pakbaltosur nga lluca e “Rrugës së Intrigave” flaku tej xhamadanin e tij të OJQ-ës dhe ia ndehu një parmaku ku vareshin zorë e planca dhish të therura me urdhër ‘komercial’. Pllakosi heshtjen e tij nën kollare dhe ia ktheu një thithje ajrit të balgëzuar në atë cep ku vetëm dhitë kalonin të sigurta në udhën e tyre ngrekryeneçur. Pastaj u kollit, tështiu me sa fuqi i dha brendësia e ftohur dhe i tha me kujdes e me përkulje vetes: “Shëndet pastë shoku...!”. Jo se iu kujtua se kishte kollitur ‘shoku...’, por nuk ia falte vetes të mos thithte një përshëndetje shëndeti në rast të tillë ku me të ishte vetëm hija gjysmake që i kacavirrej si kollare e varur nga një majë plepi. Sidoqoftë pasi u vetëshëndet, gabimin e nënshkroi heshtazi me një përskuqje në ikje e sipër.

Ishte i shenjës së Bricjapit, por zërin e tij qaraman e sponsor e kishte lëshuar ditën e parë që hynë në fuqi Peshqit. Dhe si një peshkatar i zoti nën këtë shenjë të mirënjohur zodiake, ka kohë që qan e qesh për atdheun, nacionalizmin, patriotizmin, edukimin, shkollimin, investimin.... Kjo e fundit madje e ka bërë që të flejë me një tabelë të vjetër logaritmike, dhe me një Trigonometri tek koka. Ndonjëherë e vendos poshtë jastëkut të tij të lehtë dhe ndonjëherë nën sqetull. Kjo e bën atë akoma më të vendosur në udhëtimin e tij dashamirës për të mos lënë bosh një torbë të vogël që e mban varur në qafë.

Ky është njëri nga ata në shumë lista, në shumë vepra të pabëra, në shumë mitingje, në shumë bindje. Është shumë e shumë, pra me shumë shumash. Shuma që sjellin zhurmë, shuma që pjellin shuma. Shuma është si muzika e sotme. Shukoset, zhubroset dhe tingëll-palloset. Kur në fakt gomari bëhet dirigjent, dhe kori interpreton palljet e tij, çfarë ka mbetur tjetër të thuhet e të mos thuhet për muzikën e dirigjuar turmave të pafajshme. Por këtë herë Fjalori i Oksfordit për Gjuhën Shqipe, natyrisht na bën me dije se ka edhe një emërtesë që sapo është gjetur. Ajo lidhet me shumëlarushinë e tij. Dhe si i tillë ky quhet i riu Larash, pra një lloj fajkoi me trup të larmë që ushqehet me kërma.

Të tjerët hamendësojnë. Dhe kanë të drejtë të bëjnë hamendësinë. Thua ti ky dhe ai ‘shoku...’ janë binjakë që i ka lindur historia? Thua se u ka bërë qeskë nëna kur i lindi të pështynin aty se shkuma ishte melhem në çdo hapje goje? Thua se tërë këto pastrohen me shkumën e tyre? Thua se ..., eh, këto le tu a lëmë hamendësve. Ajo që na ndjek në shenjë-ntërimin zodiak të tij mbetet mes erës. Fryn era dhe ai shkul fatin e tij e bën parcelë ku mbjell.

E mbjell, e mbjell ai.

E shkul, e shkul ai.

Kështu thuhet lart e poshtë e poshtë e lart. Ai është shkulamani dhe mbjellamani. I gjithi dhe i tëri në një varg me speca djegëse kineze. A thua se mund ta gjeni këtë miqtë e mi? Unë do të ju sjell ngapak e përditë nga një të tillë ‘milet’ që ju të mos viheni në siklet. Në siklet, xhanëm, për ta gjetur atë që jeton në këtë Rruzull... Po, po është në jetë ende dhe qan e qesh si atdheu, se qan e qesh vetë atdheu prej tij së paku vetë zodiaku.

48 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page