top of page

SFIDAT E EMIGRANTIT


Nga Fiqri Shahinllari

-Daiu im Teki R. Bekolli-

"Fiqiri, o bir i daiut, po kur të vdes unë kush do t'i mbajë lidhjet me fëmijët e mi në Buenos Aires? Ata nuk dinë shqip dhe ju nuk dini spanjisht…" Ky ishte një nga shqetësimet e mëdha të Teki Ramadan Bekollit, daiut tim të madh. Ai si shumë emigrantë të tjerë kur u largua nga Shqipëria për në Argjentinë kishte përpara dy sfida të mëdha: Të gjente punë dhe të pë rshtatej me mënyrën e jetesës së njerëzve të vendit bujtës. Sfida e dytë ishte përballimi i mallit përvëlues për familjarët dhe Atdheun e lënë pas. Jeta është e çuditeshme. Po shkruaj për daiun tim kur rrethanat bënë që sot të jem vetë emigrant. Më shkoi në çast mendja te kënga Rroftë e qoftë lala Gjoni me ndryshimin se dajo Andoni nuk ndodhet në Shqipëri për ta ndihmuar lala Gjoni nga Uashingtoni. Ha,haaa. Nga Shqipëria deri në Argjentinë udhëtimi u bë me anije. Rrugë e gjatë dy a tre mujore në për dete e Oqeane. Kaq kohë duhej edhe për rrugën që bënin letrat që shkëmbenin familjarët midis tyre ku flitej për gjëra të gëzuara po edhe për gjëra të trishta. M'u kujtua tani një episod që ma ka treguar e ndjera në na ime. Vjehrra e saj, Hyrija ishte duke mjele lopën në oborr. Në ato momente ajo mori lajmin e kobshëm nga dikush që djali i saj i madh, Bahtjari, emigrant në Argjentinë kishte vdekur. Hyrijes, gjyshes sime i kishte rë në kusia e qumështit nga dora. Lajmin sapo e mori por ai lajm kishte bere dy a tre muaj deri sa mbrriti në oborrin e shtëpisë . Në varrimin e xhaxhait tim kishte marë pjesë edhe daiu im Tekiu. Kështu më tha kur ishte në Tiranë .Tani në kohën moderrne kur mbizotëron teknologjia e lartë e komunikimit mer vesh allaminutë se çfarë ndodh në çast në cdo skaj të botës…

Tekiu emigroi në Argjentinë në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit 20-të. Punoi si brigadier në një kompani ndërtimi në Buenos Aires. Gjatë drejtimit të punimeve për kanalizimin e kryeqytetit argjentinas i kish rënë në kërbishte kova prej çeliku e vinçit që e la sakat për tërë jetën. Ish martuar me Purën, një spanjolle e respektuar që e donte shumë me të cilën lindën tre djem dhe një vajzë. Nipër e mbesa që kanë në damarë gjak Floqi në Argjentinë la mbi 20 e ca. Na tregonte fotot e fisit të tij floqaro-argjentinas kur erdhi dy herë në Shqipëri me cilësinë e Kryetarit të Shoqërisë Patriotike “Skënderbeu” për shqiptarët e Argjentinës. Herën e parë erdhi në vitin 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe të dytën here më 1982. Herën e parë bëri vizitë në gazetën “Bashkimi” ku mua më kishin premtuar për të më emëruar aty në punë si gazetar për problemet e fshatit e të bujqësisë.

Tekiu erdhi me gjithë delegacionin që kryesonte. Kur u kthye në Argjentinë mori një grusht dhe’ nga varri i s’ëmës, Haxhiresë, në Floq. Kështu kish bërë edhe te varri i t’et në Pogradec. Tekiu la pas tre djem: Horacion, Huanin, Luisin dhe vajzën Lola. Të gjithë këta të martuar e me fëmijë. Me një mbesë të tij, Maria Ines Ramadanin,bijën e Horacios dhe Emas, djali im, Andi ka biseduar me telefon në anglisht. Për mbajtjen gjallë të kontakteve me kushërinjtë tanë në Argjentinë, pas vdekjes së Tekiut, jam bërë sebep unë po për këtë do të flasim kur të vijë radha. Tekiu më tregoi këtë histori lidhur me babanë e vet, Ramadanin i cili kish shkuar te djali i tij më i madh për ta parë po edhe për të punuar aty. Nuk kish qëndruar gjatë. Një ditë, nga dritarja e shtëpisë ku jetonte me të birin në Buenos Aires, Ramadani kish vënë re një lypës që rëmonte nëpër kazanët e plehrave. Menjëherë ishte zhgënjyer. Nuk e kish imagjinuar kështu kurbetin. Eh, ku ta dinte gjyshi im i gjorë se në këtë botë i varfëri, i poshtëruari është viktimë. Ai i ngjet të uriturit në shkretëtirë i cili nuk di ç’bën, arrin deri aty sa për të mbijetuar thith edhe gjakun e trupit të vet për të lagur buzën me lëngje. Ramadani nuk donte që djali i tij, Tekiu dhe pasardhësit e tij të rriteshin në këtë llum, në erën e thartë të djersës së tjetrit që lëshojnë rraqet e kazanëve, në pluhurin e rrugës. Fëmijët e djalit nuk duhej të mësonin “gjuhën” e kazanëve të plehrave e të kanaleve,trupat e tyre nuk duhej të vishnin leckat e hedhura. Jo, ata kishin ikur nga sytë këmbët prej Floqi e kishin ardhur deri “prapa diellit” që fëmijët e tyre të ngriheshin në nivelin e jetës normale. Ramadani nuk mund ta duronte këtë pamje. E kish urdhëruar të birin t’i priste “navllën” e kthimit në Floq. E mbaj mënd mirë gjyshin Ramadan. Ishte burrë simpatik, me mustaqe të bardha në pleqërinë e thellë, me autoritet absolut në familje. Vdiq në Pogradec te i biri, Aliu. Rreth një muaj para se të vdiste shkoi e qëndroi për disa ditë te të bijat:Refka (Refian) në Kamenicë, te Zepja (Zenepe) në Korçë dhe në Floq te Likja (Salija). Sikur i tregohej që do të ikte së shpejti nga kjo botë. I biri i tij, Tekiu nuk u kthye tok me t’anë. Qëndroi në Buenos Aires ku u martua me spanjollen Pura dhe lindën fëmijë. Pas disa vitesh pune të ndershme u rregulluan mirë nga ana ekonomike. Deri vonë ai vetë punonte në një dyqan me artikuj të përzier kinkalerie që e kish pronë të vet. Atij si të gjithë shqiptarëve të Argjentinës që banonin në Buenos Aires, La Plata, Mar del Plata, Rosario e, në mos gaboj në Santa Rosa, u fluturonte zemra nga gëzimi kur u hap Ambasada Shqiptare në atë shtet të largët të Amerikës Latine. Lajmin e kishin marë disa ditë më parë dhe, “për inat të disa ballkanasve të tjerë,” që jetonin e punonin aty, festuan para kohe. Kishin patur të drejtë. Ballkanasit e tjerë, kur shqiptarët u thoshin se “edhe ne do të kemi ambasadën tonë këtu” ata, me djallëzi, mblidhnin grushtin e njërës dorë duke mbajtur gishtin e madh lart e me gishtin tregues të dorës tjetër “trokisnin” mbi gishtin e madh të dorës grusht duke thënë: “Hipni këtu, të shihni Stambollin!” Sakatllëku e mundonte shumë Tekiun. Vite më vonë për shkak të këtij sakatllëku, të vdekjes së Purës, bashkeshortes dhe të një sëmundjeje tjetër që e kish detyruar të shtrohej në spital, e kishin bërë atë pesimist e të pyeste veten: “Përse të jetoj?” Kishte qënë i biri, Horacioja, që ia kish hequr revolen që e mbante poshtë jastëkut të spitalit, me anën e së cilës donte t’i jepte fund jetës. -Si kështu more dai?-e pyeta kur më tregoi këtë moment të vështirë të jetës së tij në ditët që qëndroi te unë në Tiranë më 1982. -Perke, perke-mu përgjigj dhe më pyeti njëkohësisht ai spanjisht dhe, menjëherë u kujtua të më fliste shqip-Përse të jetoja më në atë gjëndje? Në rraste të tilla dëshpërimi, njeriut i duket sikur jeta e ka mbaruar qëllimin e vet. Jeta, sidomos kur është e shtyrë dhe pleqëria ka shkuar në “mykë,” nuk ka pikë kuptimi, sepse nuk ka qëllim për të arritur e, si e tillë, ajo nuk të hyn fare në sy. Në pleqëri plus edhe i sëmurë i bëhesh barrë vetes tënde jo më të tjerëve po e po. Këto mendime e mundonin mjaft dai Tekiun. Merak të madh kishte ai lidhjen e fëmijëve dhe, siç thosh ai, “të nipkave e mbeskave” të tij në Argjentinë me të afërmit e tij në Shqipëri. Më 1982, me kërkesën e tij, me që shtëpinë e kisha te shkolla “Petro Nini,” afër Liqenit Artificial, e nxora për shëtitje. Ashtu, avash avash, duke e mbajtur për krahu e ai duke u mbështetur mbi bostun, çlodhu këtu çlodhu atje,arritëm te stolat afër kishës së Shën Prokopit. Hoqi kapelën republike,vuri mjekrën mbi dorezën e bostunit dhe më tha: -Fiqiri, bir i daiut, po kur të vdes unë kush do t’i mbajë lidhjet me fëmijët e mij në Buenos Aires? Ata nuk dinë shqip dhe ju nuk dini spanjisht. Unë dua që njerëzit e gjakut tim të komunikojnë me ju. Fjalorin shqip-spanjisht që të dhashë e kam bërë vetë me ndihmën e një shoku të Ambasadës Shqiptare në Buenos Aires. A mund ta mësoni nga një çikë e nga një çikë? Tha këto e zëri e buza i dridhej si purtekë, sytë iu mbushën me lot. Ai ishte tepër i ndjeshëm. -Ke kohë akoma për të jetuar, dai-iu përgjigja. Deri atëhere kush e di ç’ndodh. Pastaj ka mënyra të tjera komunikimi. Do Teki Ramadani më 1977, me bashkëshorten e vet, dy nga djemtë e nuset e tyre, me vajzën e dhëndrin e me plot nipa e mbesa. Komunikojmë në anglisht me ndihmën e fëmijëve tanë-e qetësova. Djali im, Andi mëson në shkollë gjuhën angleze.-Mirë thua-e mori përsëri fjalën Tekiu-Edhe mbesa ime,Maria Ines Ramadani e di gjuhën angleze.Shqetësimin e dai Tekiut unë e konsiderova si një amanet që ai më la. Pas disa vitesh i shkrova letër Marie Ines Ramadanit dhe ajo më këthevi letrën e mëposhtëme të datës 16 Maj 2005 . * * * * * * *

“Oh çfarë mesazh i mirë! është mënyra më e mirë për të qënë në kontakt me njëri-tjetrin. Është shumë mirë që mundësisht t’u përgjigjemi sa më shpejt mesazheve, që të njohim më mirë jetët tona: (jo çdo 8 vjet, të lutem). Për fat të keq, kur të shkruaj nuk kam habere të mira....(*) Kjo do të thotë se jeta ka momentet e saj të hidhura e të lumtura. I dashur Fiqiri. Nga letra e fundit e jotja e Erises dhe e Andit, mora vesh që Andi ishte duke studiuar për juridik, Erisa letersi dhe ti po punoje në Ministri në Shqipëri. Tani çfarë je duke bërë në Amerikë? Me që ra fjala, urime për Erisën, ajo ishte martuar gjithashtu. Sa lajm i mirë! Unë i dërgova asaj një leter kur ishte 21 vjeç. Koha vrapon kaq shpejt. Të lutem më sqaro, ajo jeton në Amerike apo jo? Ti a e ke trungun e familjes tonë, apo jo? Unë mund të ta dërgoj atë përsëri. Unë i kam të gjitha letrat e tua të fundit por jo atë. Të lutem më dërgo ti ato të tuat, por në gërma kapitale se është më e lehtë për t’i kuptuar emrat. Ka dy anëtarë të rinj, një nga ata është mbesa ime Tatjana (vajza e Robertos), dhe tjetri i dyti, është nipi i Lolës (djali i Rubenit). Lola dhe familja e saj janë shumë mirë dhe na vizitojnë të paktën një herë në javë. Shpresoj që do të më kuptosh që u bë një kohë e gjatë që nuk kam shkruar në anglisht. Më shkruaj dhe unë do të të shkruaj për familjen dhe veten time. Unë do të kem mundësi që t’i lexoj emailat vetëm një herë në javë sepse nuk kam mundësi që t’i lexoj më shpejt. Urimet më të mira për ty dhe familjen tënde. U gëzova shumë që jemi në kontakt përsëri. Nëse e merr këtë email, të lutem më kthe përgjigje.” (*fjala është për vdekjen e Horacios që ishte babai i Maries dhe djali i madh i Tekiut) Letra është e gjatë . Ka gjëra që tregojnë se koha ka një peshore të pagabueshme. Ka njoftime edhe për divorcin e saj. Eh, dreqi ta hajë këtë punën e divorcit kudo në botë . Zinxhiri i martesës është i rëndë , shpesh nuk duhen vetëm dy veta për ta mbajtur por ndonjë herë edhe tre..


Foto1: Teki Ramadani (në mes) dhe Haxhi D. Liboniku ne Varrezat e Deshmoreve ne Tirane, shkurt 1968.


Foto2: Teki Ramadani më 1977, me bashkeshorten e vet , dy nga djemte e nuset e tyre, me vajzën e dhëndrin e me plot nipa e mbesa.



216 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page