Sfidë ndaj gjakmarrjes së trashëguar


    Irena Toçi

    Sfidë ndaj gjakmarrjes së trashëguar


    Irena Toçi


    Romani “Zonja me karafila të bardhë” i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj. Botues është shtëpia botuese “Toena” me redaktor Prof. Dr. Adriatik Kallulli, korrektore letrare Dorina Talo, përkujdesja grafike Elida Stafa, kopertina Ivo Lek Spathari. Romani nis me një mbishkrim dhuratë nga i shoqi i saj Fitimi: “E dashur Vili! Prano si dhuratë për 65 vjetorin tënd, boimin e këtij libri, i cili jeton në përjetësi. Bashkëshorti dhe miku i halleve!”

    Dashuria sublime, sfidë ndaj gjakmarrjes së trashëguar, spikat në romanin “Zonja me karafila të bardhë” të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj)

    Vilhelme Vranari (Haxhiraj) është pasardhëse e një prej familjeve më të njohura e më të kamura të Kaninës. Por ky fakt nuk e ndihmoi atë për të pasur një jetë më të mirë e më komode. Vetëm pas viteve 90-të, pas ndryshimit të sistemeve, ajo mundi të ushtrojë profesionin e mësueses dhe të shpalosë talentin e saj në letërsi dhe të botojë një seri libras,thuajse në të gjitha gjinitë..

    Prezantimin e parë të autores Vilhelme Haxhiraj, në Shtëpinë Botuese “Toena” e ka bërë shkrimtari Odhise Grillo. I vëmendshëm dhe dashamirës, por edhe inkurajues ndaj dorëshkrimeve të autorëve të rinj, atij i kishin bërë përshtypje të veçantë krijimet letrare të saj, qysh në fillim.

    E kështu u botuan për herë të parë me siglën e Toena-s romani “Dhembje nëne”, novela “Mamaja” dhe vëllimi me poezi “Të pres”. Më pas me radhë botoi skica letrare, tregime, novela, fabula, poezi, sidomos romane,gjini, të cilën e lëvron më shumë.

    Gjatë gjithë këtyre viteve, lexuesit dhe kritika si brenda vendit dhe jashtë kufijëve tanë, kanë bërë komente nga më pozitivet për punën e saj, kanë vlerësuar kurajën e saj intelektuale, talentin por edhe vullnetin gati të pazakontë për një femër,sidomos në moshën e saj. Me botimin e mbi 20 librave në gjini e zhanre të ndryshme ajo u bë pjesë e shumë bibliotekave kudo ku jetojnë shqiptarë. Për t’u veçuar mes krijimtarisë së saj të botuar tashmë, më të arrirë është trilogjia “Vështroni Meduzën”,e cila është një sagë, që merr në analizë dhe i bënë autopsinë realitetin real të shoqërisë shqiptare.

    Romani “Zonja me karafila të bardhë”, që po botohet në 65-vjetorin e saj të lindjes, është romani i saj i dhjetë.

    Gjithë subjekti i këtij romani është një rrëfim linear, në retrospektivë. Një histori e dhimbshme njerëzore që nis me kalvarin e dhimbjeve e të vuajtjeve të një familjeje që ngelet pa baba për shkak të kontekstit absurd të kohës dhe vazhdon me historinë e njërës prej vajzave të familjes.

    E parë në këtë këndvështrim duket se kjo nuk është një histori aspak e jashtëzakonshme për vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri. Nëse do të paraqitej vetëm fati i familjes gjatë asaj periudhe, nuk do të përbënte ndonjë risi trajtimi artistik i saj, aq më shumë, që për fatin e familjeve të tilla janë shkruar romane dhe tregime këto 20 vitet e fundit. E reja që sjell autorja është tema e gjaksisë, ku ajo ngrihet kundër hakmarrjes, e cila po nisi nuk i dihet fundi. Në roman bashkohen dy kohë;e djeshmja dhe e sotmja, ku e reja ngihet kundër së vjetrës me rregullat morale mesjetare. Dimë se gjakmarrja kur nuk ka njohur limite, ka arritur deri në shuarjen e fiseve. Shkrimtarja, pa rënë në përsëritje e monotoni idesh dhe tematikash, ka zgjedhur për të vënë në qendër të rrëfimit të saj një familje me fat të tillë, e cila nuk mundi t’i bëjë ballë së keqes duke qëndruar e bashkuar. Pikërisht kjo shpërbërje, ky mohim, kjo mëri e pakuptimtë midis anëtarëve të familjes, e problematizon autoren e këtij romani. Ndjenjat e dy të rinjëve nga dy familje hasme, në vend që të shuanin mëritë dhe gjakmarrjet, në këtë rast lindi një hasmëri e re mes pjesëtarve të së njëjtës familje. Nuk ishte aspak çudi që një ditë mund të përfundonte në një tragjedi.

    Shkaku i këtij mosaprovimi ndaj ndjenjave të të dy të rinjëve, është hasmëria e hershme e parardhësve të tyre. Autorja ngrihet në një kohë kur problemi i gjaksisë, ka marrë përmasat e një problemi social, që e dëmton shoqërinë shqiptare. Hakmarrja nuk sjellë asgjë të mirë, veç përçarjes dhe urrejtjes mes komunitetit.. Gjakmarrja mund të falet më lehtë kur mes tyre hynë një ndjenjë e bukur, dashuria. Do të ishte e mirëkuptuar ndjenja e mërisë së kësaj familjeje ndaj asaj pjese të shoqërisë që ishte përgjegjëse për rrjedhën që mori jeta e saj, por duket e pakuptimtë mëria ndaj pjellës së vet. Aq më shumë, që kjo mëri ushqehet e mbahet e gjallë deri në frymën e fundit. Të përçarë në jetë, të ndarë e të përçarë edhe në vdekje. Ky fakt, kjo mëri e përjetshme, e shqetëson autoren,ndaj ajo me të drejtë pyet:” Kujt i shërben apo ç’të mirë sjellë urrejtja, mëria dhe të parit vëngër?”

    Romani është një përpjekje për të kuptuar, analizuar, shpjeguar këtë mëri të gjatë si pasojë e mllefeve dhe urrejtjeve shekullore, që ndanë një familje. Mungesa e tolerancës, mirëkuptimit dhe faljes, ndau vajzën nga nëna, motrën nga vëllai, dhe sidomos motrën nga motra, gjë që duket e pabesueshme. Në këtë roman vërehet dhe dënohet absurditeti i mohimit fizik të njeriut në një kohë moderne. Mëria e tejzgjatur prishi përgjithmonë harmoninë e natyrshme të brezit pasardhës , ndaj ajo shkruan një roman që shumë mirë mund të cilësohej si një testament i hartuar për t’i tërhequr vëmendjen Njeriut, cilido njeriu, se pasuria më e madhe që ka në këtë botë është jeta me të gjitha dukuritë, të mirat dhe të këqijat e saj. Kurse dashuria, kjo ndjenjë sublime, pa të cilën jeta do të ishte e pakuptimtë, qëndron më lart se ndërgjeja e njerëzve mediokër,që ruajnë si shabllon ligjet e errëta të mesjetës. Dashuria është një sfidë ndaj së keqes, që kërkon ta shmangë atë.Pa dashurinë jeta do të përngjante e zbërdhylët, e pakuptimtë, do të humbiste ngjyrat dhe tingujt e saj më të bukur, më real.

    Vlera tjetër e romanit që i jep jetës kuptim, është akti i faljes, i të kërkuarit falje por edhe i faljes së gabimeve të të tjerëve. Njeriu duhet të di të falë dhe ta pranojnë faljen e tjetrit si normë qytetarie dhe zhvillimi. Pikërisht duke pasur parasysh shkallën e zhvillimit të përgjithshëm kulturor të shoqërisë sonë, autorja thekson se njeriu apo një shoqëri që nuk e njeh ndjenjën e pendimit, nuk ka sa se si të falë. Është vlerë morale të dish të falësh për ta bërë çastin, ditën dhe jetën tënde më të bukur. Sipas Vilhelmes, të mohosh një dashuri është krim. Krim nuk quhet vetëm kur vret apo i merr jetën dikujt. Krim është edhe kur i mohon të drejtat për të pasur një jetë të qetë, apo kur të mohojnë të duash. Kur vetë Zoti është i mëshirshëm, përse njerëzit duhet të jenë kaq të ashpër me njëri-tjetrin?! Po nuk fale, nuk ke si ta duash jetën.

    Personazhi i romanit, Arianita, apo “Zonja me karafila të bardhë” edhe pse zgjodhi një rrugë jo të lehtë për të nisur jetën bashkëshortore, duke u martuar me djalin e hasmit të familjes së nënës, do të gjejë në familjen që do të ndërtojë, motivin, mbështetjen dhe frymëzimin për t’u realizuar dhe në anën e saj profesionale, duke dëshmuar vlerat e saj individuale. E aftë për të gjetur të bukurën për ta evidentuar atë dhe për ta kthyer në kult, ajo me ndërgjegje ngrihet kundër ligjeve të pashkruara të shoqërisë, të cilat e shkatërrojnë atë. Me riaftësimin, me arritjet e saj, Arianita duke gjetur veten, ngrihet kundër paragjykimeve të kohëve të errëta që për fat të keq trashëgohen edhe sot tek ne. Në një farë mase, arritjet e personazhit janë si analogji e arritjeve të autores në letërsi. Të gjithë jemi dëshmitarë të ngujimit të sa e sa familjeve që janë në gjakësi me njëra-tjetrën.

    Për t’u shënuar është stili i rrëfimit të autores në këtë roman stil i drejtpërdrejtë, që e bën shumë tërheqës shijimin e leximit; dialogu i pranishëm gati në çdo faqe rrjedh me zhdërvjelltësi, me ritëm të brendshëm; monologu meditativ që zë një pjesë të rëndësishme të rrëfimit i bën personazhet edhe më realë e të prekshëm.

    Romani “Zonja me karafila të bardhë” që mbart një problem social të prekshëm,të përditësisë, është një vijim logjik në gjithë krijimtarinë e saj të deritanishme. Ky libër plotëson mozaikun jetik të veprës së saj, duke e zbukuruar edhe më atë, por në një këndvështrim tjetër.

    Libri shoqërohet me këtë poezi:

    JEMI LARG

    Jemi larg

    Shumë larg, motërza ime.

    Po një ditë

    do të trokasim te porta

    e fëmijërisë sonë.

    .

    Atje...

    Ku luajtëm sylla- mbylla

    do të ndiejmë disa zëra të huaj

    Ndërsa zërat e dashur,

    Do të na vijnë...

    Si e largëta jehonë.

    E lotët do të rrokullisen

    nga pritja e gjatë

    e takimit të vonuar

    Prej mallit zhuritur

    u thinjëm ti dhe unë.

    Prej brengës u rreshkëm

    si shtrati i lumit malor

    Kur të trokasim prapë tek ajo portë,

    do të dëgjojmë

    zërat tanë fëmijënorë,

    si një jehonë e largët

    që na thotë:

    “Është tepër vonë, motërz,

    është tepër vonë...


    #vilhelme #vranari #irena #toci

    4 views

    Shkrimet e fundit