top of page

Sefulla Kata: Ti lumturohu! Unë do të revoltohem.



 

Unë nuk jam ndonjë njeri i fuqishëm sa të mund ta ndryshoj fatin tim, ta bëj më të mirë jo vetëm jetën time por edhe atë të të tjerëve, se përndryshe do të isha edhe unë në vendin ku merren vendime, në të mirë a në të keq të këtij populli. Gjithsesi, fati im prej njeriu të thjeshtë nuk më pengon aspak të ngrej zërin e të kërkoj ato pak të drejta që më takojnë si qytetar i vendit tim.

Dua një trotuar të lirë, - ka vite që e kërkoj, - ku të mund të ec pa u penguar, ku të mund të shëtis me karocën e mbesës dhe nipit, ku të mos rrëzohem e të thyej brinjët. Atij që parkon sa gjerë gjatë ku t’ia ketë kokrra e qejfit, unë nuk ia kam takatin se jam burrë në moshë dhe nuk paguhem si polic. Në fakt, po të isha polic, nuk do t’i shkelja syrin shkelësit të rendit, por do t’i vija një gjobë të mirë që ta mbante mend gjatë. E nëse gjoba nuk do t’i bënte derman, - individë të tillë i kan xhepat plot, - do ia bëja kurrizin më të butë se barkun. Me edukim, - do të thoshte dikush, - edhe mund t’ia dalim. Ta fillojmë që herët në shkollë. Nuk jam kundra, por edhe pas këtij procesi edukues dhe informues, ligji duhet zbatuar sepse shkelës të këtij kallëpi ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.

Dua një vend të pastër, me gjelbërim dhe të sigurt, ku të mund të shëtis me time shoqe se kemi nevojë të ecim por dhe të mund t’i mbushim mushkëritë me pak oksigjen. Po ku ndodhet një i tillë? E ka Tirana një të vetëm. Është shumë i bukur por nuk banojmë të gjithë pranë liqenit. Derisa të mbërrijmë atje, na ka dalë llapa një pashë e na ka mbuluar djersa. Ne duam një vend të vogël në lagjet ku banojmë. I kishim dikur mes blloqeve të pallateve ca stola ku uleshin pleqtë e ca lulishte ku luanin fëmijët por na i zunë me pallate shumëkatëshe. Tani nuk kemi më nevojë të shkojmë për vizitë te komshiu. Dalim secili në dritaren e vet dhe jo vetëm që mund t’i japim dorën njëri-tjetrit, por edhe të përqafohemi. Kaq afër i kemi shtëpitë. Po të na bjerë zjarr ose të sëmuremi, ndihmën e presim nga helikopteri ose nga Zoti se zjarrfikësja dhe ambulanca nuk kanë nga të futen. Edhe mobiljet e shtëpisë i ngrejmë me vinç nga oborri i pallatit fqinj. Natyrisht me autorizim dhe me pagesë. Zot na ruaj! Na kanë paketuar sikur do të na transportojnë kushedi se për ku.

Dua një pension që  të më përmbushë nevojat e përditshme, jo që të më kufizojë në çdo hap. Ngelëm duke bërë llogari për çdo gjë. Nuk kemi nevojë për makinë llogaritëse se i dimë çmimet përmendësh por jemi bërë të pabesueshëm për njëri-tjetrin. Nuk na del hesapi kurkund. Ç’u bënë lekët? Ç’u bënë lekët? Ky është refreni i këngës tonë më të re. Tregëtarët i vendosin çmimet si të duan. I ndërrojnë tre herë në ditë. Mjaftojnë një copë karton dhe një stilolaps dhe u bë. Ia rrëmbejnë fshatarit domaten për 30 lekë dhe na e shesin neve për 150 lekë. Nuk po merret vesh kush është i zoti i tokës: fshatari apo tregëtari?! Janë tregëtarë të vegjël, - përpiqet të na mbushë mendjen qeveria. Janë zhvatës dhe  abuzues të mëdhenj, - mendoj unë. Fshatarit nuk i japin asnjë dokument për blerjen, ne blerësve na i bëjnë llogaritë në një copë letre dhe nuk na japin asnjë faturë ku të shohim sa blemë,çfarë blemë e sa lekë harxhuam. Pasi kemi paguar shumën që na kanë kërkuar, gjithë rrugën deri në shtëpi e kalojmë duke bërë llogaritë po hiç që hiç. Si i bëhet? Mbylle dhe mos e zgjat! Je bërë shumë llafazan, - i thashë vetes. E di qeveria këtë punë. Dakord, po desha ta di dhe unë një çikë nëse ka mundësi.

Dua një shëndetësi që të më shërbejë, jo që t’i shërbejë. Dua një mjek që të kujdeset për shëndetin tim dhe të fëmjëve të mi, - ka në fakt në vendin tonë edhe të tillë por po bëhen gjithmonë e më të rrallë edhe për shkak të emigrimit, - jo një mjek që kërkon të bëjë pushime në vende ekzotike dhe të shkollojë fëmijët në shkolla prestigjioze jashtë vendit me lekët e mia. Nëse më shëron, sipas traditës sonë të mirë, po ja bëj hallall një peshqesh por nuk mund t’ ia bëj kurrsesi hallall faturën që më pret edhe duke e ditur se i kam ditët e numëruara. Për 43 vjet punë që kam bërë, i kam derdhur ca lekë në formën e sigurimeve shëndetësore. Ku janë lekët e mia?! E di. Nuk mjaftojnë. As mjekut nuk i mjafton rroga dhe në fakt duhet të paguhet më shumë. Por as mua nuk më mjafton pensioni. Duhet të më japin më shumë.

Dua një qeveri që ta vlerësojë shkollimin dhe jo ta përqeshë atë sipas parimit: sa më pak i shkolluar, drejt e në krye të vendit. Nuk mund ta paguash si brigadiere, një vajzë që ka mbaruar shkollën për inxhiniere. Se pastaj vazat e tjera nuk do të donin kurrë të bëheshin inxhiniere. Nuk mund të emërosh si drejtor shkolle mësuesin më të paaftë të shkollës, thjesht se është njeri i partisë, se pastaj dihet si do të shkojnë punët në shkollë. Pa le pa le pastaj kur një të paaftë të tillë e vë në krye të Drejtorisë arsimore apo të Ministrisë së arsimit!

Dua një qeveri lokale që të kujdeset seriozisht për jetën tonë se për atë e paguajmë dhe jo të na nëpërkëmbë pa pikë mëshire. Pasi na e nxijnë jetën gjithë ditën me  pluhurin që s’ka të sosur, me koshat e plehrave që kutërbojnë erë peshku dhe perimesh të kalbura mu në mes të trotuarit, nuk na lënë të flemë as natën. Deri në ora 12 nuk mund të flesh kurrsesi se mesi i natës është ora kur mileti feston ditëlindjet, me fishekzjarre që hidhen nga të gjithë ballkonet sikur të vinte çdo natë Viti i Ri. Pastaj nisin punën betonierat. Natën. Gjithmonë natën. Ngjitur me dritaren ku fle. Dhe ec e fli po deshe! Po ku të shkosh xhanëm?! Paskemi qenë punëtorë të paparë ne shqiptarët! Nuk na del dita dhe punojmë edhe natën. Shumë mirë. Po unë kur të fle?! Natën që e ka pushim betoniera, poshtë dritares na sajdisin me muzikë tollova çunat e lagjes, të cilët pasi kanë kthyer ndonë gotë e tymosur ndonjë gjë, vijnë e i qajnë hallet poshtë dritareve tona, deri afër mëngjesit. Policia kalon andej dhe sikur të mos mjaftonte muzika tollova, ndez dhe ajo sirenat dhe të mjerët fëmijë që hidhen përpjetë nga krevati. Ruajna Zot! Dhe pastaj thonë përse ikin njerëzit?! Po rri po deshe! Dhe mos e hap gojën! Shko në protestat që thërret partia, merr lekët e furgonit që të ka transportuar bashkë me lekët për bukë e aofte dhe lumturohu! Pastaj merr thesin e miellit dhe lekët për votat dhe vazhdo të lumturohesh deri në fund të jetës! Unë nuk e dua një të tillë lumturi. Dhe do të vazhdoj të revoltohem. Natyrisht sipas mënyrës sime.

35 views2 comments

2 comentarios


I dashur Sefulla,

I ke bërë shkëlqyeshëm "rezonancën magnetike" realitetit aq trishtues në Tiranë nën qeverisjen e dy pjellave të ligësisë - Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Por tiranasit e kanë kurrizin të fortë, durojnë, ashtu si rusët nën çizmen e Putinit. Para ca vitesh, Rama me Veliajn e shtrenjtuan çmimin e ujit 40%, por populli kurrizshtruar i Tiranës s'u bë i gjallë të reagonte,

Aleksej Cvjetkov (1947-2022), poet, prozator, eseist, kritik, përkthyes rus, doktor i filozofisë. Që prej vitit 1975 ka jetuar në emigracion:

Në një reagim për gjendjen ku e ka katandisur Rusinë Putini, ai shkruan:

“A është e munduir vallë t’i vihet fre kësaj çmendurie? Që ta merrni vesh, unë nuk jam përkrahës i Gandit. Sipas meje, dhuna duhet ndaluar me dhunë”.

Ka…

Me gusta
Invitado
27 jul
Contestando a

Shumë faleminderit që shpenzoni nga koha juaj e çmuar për të lexuar shkrimet e mia, i dashur Profesor Eshrefi. E vlerësoj shumë opinionin tuaj.

Ju jam shumë mirënjohës.

Sefullai

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page