Kam filluar të harroj ca si shpesh. Qesh me veten e them se do të harroja dhe kokën diku nëse nuk do t’a kisha të ngjitur me qafën. Merre me mend, mbaj shënime për të mos harruar shënimet!
Po nxitoj të lë të shkruara ato që më kanë ndodhur e kam bërë në jetë, jo se kam bërë hatanë e kam thyer kazmën në punë, por se duket kam qënë i paisur me diçka që shumëkush e kërkon e nuk e gjen, me zarën e fatit, shpesh rënë për mirë, pasi disa herë në fëmijëri rënë për keq.
Do të hedh në letër të vërtetat e mia, ashtu si i di unë, për gjëra që kam bërë mirë a keq, sepse jo çdo gjë që nis për mirë del mirë.
Jetojmë, shpesh dhe nxitimthi, shohim ëndrra, pikturojmë me ngjyra. Pse e bëjmë? Se duam një jetë më të mirë. Ato që nuk i kemi i shohim në ëndërr, artisti i hedh në telajo, poeti në vargje. Me aq ngjyra sa gjen brenda vetes.
Në fshatin tim dielli çdo mëngjez shkrepte në Galinë e njëherësh me të fekste fytyra e tim eti. Nuk e shquaja qartë nga rrezet e diellit, po e dija që çdo ditë ishte aty për mua. Prej tij kisha vetëm emrin, bashkëmoshatarët e tjerë baballarët i kishin prej vërteti në shtëpi. Ai imi fekste sa lindte dita, si e kisha parë natën në ëndërr.
Polena ime ishte e vogël, me 13 shtëpi afër e afër, askush nuk kërkonte nuse në fshat se ndiheshin si kushërinj. Të gjithë bluanin në të njëjtin mulli. Kush teshtinte në Polenë shëndet thoshin në Kalanjasin ngjitur, lagur nga i njëjti përrua.
Në Polenë kam parë ëndrra fantastike symbyllur e syhapur, sikur kaloja tre klasa njëherësh në një vit, nga që nuk më pritej t’i mësoja sa më shpejt ato që nuk dija, sikur merrja tri fletë lavdërimi në një vit, të zbukuruara me kallëza gruri, sikur gjinkallat pëllcisnin së kënduari e jo prej vapës, sikur Gjysmagjeli i përrallës bënte vërtet vezë të arta e jo glasa, si bënin gjelat gjumashë të fshatit që kapardiseshin kot e këndonin në mes të ditës.
Ëndërr do të thotë të kesh gjithçka edhe pa patur asgjë.
Kur rritesh sheh se bota është ajo që është, jo ashtu si doje të ishte. Tërë gardhe , leqe e mure; nuk bën të përplasesh njëherësh gjithandej, duhet të gjesh rrugën të ecësh me sa më pak humbje, pa mbajtur anë. Të jesh me të drejtën nuk është anësi, je në rrugën e duhur. Ki durim e prit edhe nëse lodhesh duke pritur, po mos shkel mbi veten tënde. Dinjiteti është te secili, nëse e do. Askujt nuk mund t’i marrësh diçka nëse nuk do t’a japë.
Nuk e kam patur të lehtë rrugëtimin tim, po them me bindje se ka qënë më i bukur se ëndërrat që kam parë, se ka qënë i vërtetë, vuajtjet më kanë argasur lëkurën, dhimbjet e humbjeve i kam ndjerë, nga gjunjët e vrarë e plagët ka rrjedhur gjak e jo ujë. Disa prej tyre kanë lënë vragë e të tjera ende nuk janë mbyllur.
Por kam patur edhe çaste të mrekullueshme lumturie, me pika vërtet, po prandaj quhet lumturi, se është me pakicë, si kokrrizat e arit ,e konsumohet në doza të vogla, si ilaç.
Gjyshja ime, që na ushqente si zogj me fara të zjera kungulli, edhe nëna ime, me nga njëmijë halle secila, edhe për ëndërrat thoshin “nuk janë të gjitha për ne, bir! Shumica janë për zengjinë!”. Kjo do të thosh se nëse sheh shumë gjëra afër, mos zgjat dorën t’i marrësh , se nuk janë për ty.
Por them se rastësitë e ajo zara e fatit kanë qënë ca si shpesh në anën time. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që lapsi i gazetarit, që mësova si t’a përdor, tej Polenës, do të më njihte me gjithë Shqipërinë, në të katër anët e horizontit, do të më njihte me personazhe të vërtetë, prej mishi e gjaku, jo thjesht krijesa fantazish.
Mësova se të dish të shkruash do të thotë të dish të duash.
Një ditë do të më duhej të merresha me probleme të menaxhimit të kulturës e të artit, do të kisha nderin të njihja e të punoja me artistë të fjalës së shkruar, të filmit, të artit skenik, të muzikës, të telajos, restaurues monumentesh. Se një ditë do të kisha mik e do të pija kafe me autorin e Gjysmagjelit që bënte vezë të arta prej përralle e se ai i kishte rrënjët në Zaloshnjë, tre orë larg në këmbë nga Polena ime!
Një ditë tjetër do të isha unë e jo dikush tjetër në krye të Rtsh, në të vetmin e më të madhin institucion të këtij lloji në vend . Në një kohë lëvizjesh tektonike, përmbysjeje të sistemit zara e fatit të hedh në qëndër të ciklonit, në një provë si pritë, që nuk do të zgjidhje t’a kishe në jetë. Në kohë të tilla “ngrysesh piperkë e gdhihesh patëllxhane”. Të zë frika t’a mendosh, çfarë sillte çasti nuk kishte sjellë java e muaji. Duhet të vendosje, pa qënë i sigurt në bëje mirë a keq? Jo thjesht për vete.
Rasti a zara e fatit më vuri mua para kësaj prove.
Kam shumë ngjarje, personazhe, karaktere, që nuk mund t’i harroj. Janë pjesë e jetës time, tej ëndrrës së fëmijërisë. Janë mundimet e gëzimet e mia, e vërteta ime është jeta ime.
Duhet të vrapoj , edhe pse kam problem me këmbët. Duhet t’i shkruaj, të lë dëshminë time për të bërat e të pathënat, për ato që di, për ato që kam parë e për ato që që kam bërë e si i kam bërë
Në jetë nuk kam patur pika plani, nga ato që nuk i realizon kurrë, nuk kam mbajtur ditar, nuk saktësoj data e rend kronologjik, nuk kam arkiv me shkresa të protokolluara, nuk citoj bibliografi. Nuk di e nuk dua të bëj shkencë, as letërsi.
Do të shkruaj për gjëra që kam bërë me dashuri, për njerëz që kam patur në krah, që i kam dashur e i dua. Do të them gjithçka që nuk e kam thënë deri tani.
Gjërat e mira që nuk harrohen duan njëfarë stazhi për të kuptuar pse nuk harrohen, si verës i duhet vjetërsia për t’u bërë verë e mirë
Të duash do të thotë të ndjesh mungesën e atyre që do . Ato që ke dashur e do e nuk thuhen, - nuk quhen!
( Nga cikli në proces i kujtimeve )
Comments