Sabit RRUSTEMI
SECILA STINË ËSHTË E ETUR PËR TY …
( cikël me poezi )
SA TË AGOJË NJË TJETËR MËNGJES
Hapësirave të djegura të qenies sime
nxito ngadal
Rastësisht në ma prekësh ndonjë plagë
mos thuaj më fal
flladite me një puhizë flokësh e ec
se dhimbjet pastaj shpërndahen mal më mal
Psherëtimat humbi diku ecejakeve
mbi gjithë atë prush të gjallë po shkele
mos ofshajë se më le pa gjumë
Ti tashmë e di
zjarrin e një ofshame s'e shuan asnjë lum
Si flutur e njomë përkthelmë
buzë ditës së re të kësaj nate të vonë
po deshe
gjeje ndonjë pjesë që t'pëlqen
ndalu e pusho
Po t'u rënduan qepallat
mbështetu në cilëndo pjesë timen
fli nëpër ëndrra të mia me dashuri
fli
Fli
e rri në mua sa të agojë një tjetër mëngjes
që brenda shpirtit tënd përjetshëm të mbes
PA ATË STINË QË SYSH KE NDRY
Kur s' të shoh
të ndjej
aq thellë sa pushtohem i tëri prej teje
A ti e gjallë s' ndjehesh
Strukur diku
në një cep të jetës sime vështron
Vargjet m'i lidh nyje
përmes heshtjes sate
tej vetes sime i kodon
E unë sillem mbështillem
ulem ngritem
hapësirën e vetmisë duarsh s'e zë dot
Të çajë nëpër mjegull
pa ty s' frymoj
Si nuk e jep një shenjë a një zë
më pret mua
mungesën
a tjetërkë
Boshësia e kësaj mesnate vallëzon pa pra
Pa atë stinë të blertë që sysh ke ndry
nuk rrihet më
PARASTINËS SË BARDHË
Nëpër pika të imta shiu
rigon syve të shkruar dita që ikën
me etjen tonë të pa shuar
Na gjenë të ftohur udhëve pritjeve
mbështjellë me dhera të tharë
të ngrirë e shkrirë stinëve
Të mëparshmet s’janë më
e pangopshmja kohë i zhbiu
bashkë me ato fryte jete
Trungje të zhveshura mbetëm
para stinës së bardhë
Ardhja jote shprush nëpër dej
gacat e një zjarri mbledh
Rigo e mos prajë
derisa të njomen majat e rrënjëve
thellësive të paprekshme
aty ku drita jote i jep jetë një sythi të ri
Secila stinë është e etur për ty
njësoj si unë
MUNGESA JOTE NUK TROKIT TE UNË
Pak kohë ka mbetur për t'u nisur
andej prej nga nuk kthehemi
më
Ato që m'u deshën tashmë i mbylla
të tjerat që s'i mora me vete
janë shpërndarë gjithandej stinëve
Në shenjë proteste heshtin
e unë
me mallin tënd fshehur diku bebëzave
jetoj kohën që ikën pa ty
me fjalët që tresin e përzjarrjen deri në hi
po ndjenjat ende s' njohin kufi
Dita ime e pritshme
kur të shpërgjumesh ëndrrash
zgjohu e dil nën qiellin gri
rimbushi dejt me dashuri
kthjellu e shih
Mungesa jote
asnjëherë nuk trokit te unë
sall vetja ime te Ti
ËNDRRA TË PAEPURA MBETËM
Na grishi një çast
një zjarr ndjenjash na mbërtheu
As gishtave të vegjël s'na kurseu
deri në xixë na shterri
ngjyrë e pashlyer hiri
S'e dinim në jemi ëndërr
përgjumur hapëruam drejt një planeti
që ende s'e gjetëm
Hapësirave të paprekura endjesh u tretëm
të dergjur pritjesh nëpër rrathë vetmie
anëve të pashijuara të dashurisë
Sot e asaj dite
ëndrra të paepura mbetëm
mes qepallash
MJALTINAVE TË ZEMRËS SATE
Ti nuk luan prej fjalës
mësa ai guri i moçëm prej vendit
E di ku të kam dhe kjo më mjafton
Një jetë do të pres për të të shijuar
qoftë dhe për një ditë të vetme
a një çast
Ai çast i rrallë që duket si ëndërr
është i pashmangshëm
Stallaktitët e stallakmitët qenieve tona
do të puqen një ditë
në një pikë kohore
Kurdo që kjo të ndodh
nëpër çdo pore të trupit tënd
lule do t’mbjell
Mbrëmeve e mëngjeseve
prej buzëve të mia do t’i ujis
e dheun me këto duar do ta shprush
tërë jetën e lume
atë jetë që veç ëndrrave e jetojmë
Për shpirtin tim të rilindur
mjaltinave të zemrës sate
dashurinë e munguar do ta shijoj
VETËM TË PAMUNDURËN MOS MA KËRKO
Ndeza dritën
për ta dëbuar natën që nuk të solli
e këtë vetmi që gati më heshti
Fjalët Tua që më munguan
nëpër variante të ndryshme po i lexoj
duke ruajtur thellë syve të mi
atë portret ëndrre që s'po kthehet
E dashur
tash e tutje të shoh sall përmes zemrës
e të ndjej përmes shpirtit
Ti u bëre krejtë e pa qenë
pas një mal fjalësh që u murosën
e rrënjë lëshuan thellë në mua
Rri e qetë tash po munde
nëpër furtunat e ndjenjave tê mia
vetëm të pamundurën mos ma kërko
Do të doja
oh sa do të doja
po hiç nuk di qysh me t' harrue
Shënime për autorin
Sabit Rrustemi u lind më 3 prill 1959 në fshatin Terzijaj të Karadakut ( Gjilan ).
Shkollën fillore e të mesme e kreu pjesërisht në vendlindje, Zhegër si dhe në Gjilan, ndërsa studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, për letërsi dhe gjuhë shqipe ( 1987)
Nga viti 1977 e këndej është i pranishëm në letrat shqipe,përmes poezisë, prozës dhe shkrimeve publicistike.
Në vitin 1981 u burgos dhe u dënua për një tregim që ishte shkruar dy vite para demonstratave të atij viti, por që botimi i tij koincidoi me ngjarjet.
Pas një ndalim botimi prej nëntë vitesh, në verën e vitit 1990 i botohet libri i parë me poezzi,KU I LA LISAT ERA.
Nga viti 1990 – 2021, botoi afro njëzet vëllime me poezi, tri vëllime me tregime dhe po aq me tregime popullore nga Karadaku dhe një prozë dokumentare.
Por, libri poetik prej 12 vëllimesh, HYJNORJA IME JE TI, realisht është kryevepra e tij e jetës.
Është i përkthyer në disa gjuhë të huaja, i përzgjedhur në disa antologji të njohura.
Dy nga librat e tij kanë fituar Çmime vjetore në nivel të Kosovës ( 2013, 2014 ) si dhe mes viteve 1979 – 2020, është fitues i dhjetëra konkurseve për poezi e prozë, në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Shqipëri.
Mes viteve 1990 – 2014 ka qenë pjesë e jetës publike përmes LDK-së dhe institucioneve të Kosovës.
Pas këtij viti i kthehet tërësisht letërsisë dhe familjes së tij.
Aktualisht, udhëheq asociacionin alternativ të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubin “Beqir Musliu”, me seli në Gjilan si dhe është drejtues i Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.
Jeton me familjen e tij në Zhegër, ngjitas malit të tij të zemrës dhe frymëzimit - Çepurit , aty ku nis dhe një nga grykat më të bukura shqiptare – Gryka e Karadakut.
Nga Timo Mërkuri
Comments