SAZET E DELVINËS


Ideal Serjani

SAZET E DELVINËS


Delvina u zgjua në çdo rrugicë me gërneta e "bibizane"- Jeronim de Rada.

Kupe Mehmeti e Bajram Halili kërcenin në tavolinë me gotën e ujit mbi kokë. Kush nuk i ka dëgjuar sazet e Delvinës dhe nuk ështe mahnitur. Kush nuk është joshur nga tingujt e ëmbël nga ritmet e shtruara sa melankolike, po aq dhe dominuese nga zëri magjepsës i instrumentistëve delvinjotë që ishin dhe këngëtarë, që e kishin zërin po aq magjik sa edhe instrumentet e tyre.Sazet e Delvinës janë shumë të hershme. Në këtë shkrim nuk kemi ndërmend të bëjmë të plotë historikun e tyre dhe të analizojmë nga pozicioni i studiuesit të artit popullor dhe të instrumentistëve popullorë. Klarineta, violina, defi, lahuta etj. etj. janë të përhapura në të gjithë Epirin. Por sazet e Delvinës përbëjnë formacionin instrumental dhe vokal më autentik, më të përkryer dhe më kompakt. Këtu në Delvinë, edhe sot e kësaj dite, tradita e hershme e mjeshtërve nuk ka humbur, por lulëzon në shtratin e saj të hershëm. Nuk mund të mos kujtojmë se Delvina, Gjirokastra dhe Janina ishin sanxhaqe dhe pashallëqe në kohën e Perandorisë Osmane. Por sidomos Delvina ka njohur një zhvillim ekonomik të madh në ato kohra. Sidomos pazar i Delvinës ka qenë më i fuqishëm në këtë trevë.

Kësisoj nuk mund të mos lulëzonte edhe folklori, e veçanërisht edhe kënga popullore qytetare delvinjote, e cila nuk mund të ndahet nga sazet. Në shekullin që kaloi dhe në vitet që do të vijnë, kreu i sazeve të Delvinës ka qenë dhe do të mbetet klarinetisti i shquar Tuli Bajrami. Ky është i paarritshëm. Sipas delvinjotëve, në frekuencën e Radio- Tiranës, ndhodhen mbi 40 këngë e valle të këtij klarinetisti dhe të tjerëve që erdhën pas tij. Në gjurmët e mjeshtrit të madh eci më pas Myfit Iljazi dhe pas tij Qamil Musta, ose Cika, siç i thonë delvinjotët. Por në të njëjta nivele qëndron edhe Ferik Musta ose Baçi, siç njihet në Jug. Elmaz Bajo, nga më të vjetrit në Delvinë thotë se me ç'mbaj mend unë, që kur kam lindur, më 1927, Dule Mehmeti ka qënë klarinetisti më i vjetër në Delvinë dhe se atëherë sazet ishin në lulëzim të plotë. Nezir Shena, Vexhi Ymeri, e Ilmi Qilimi pohojnë se, ditën kur u shpall pavarësia në Delvinë, ishin katër palë saze. Sipas një dokumenti historik, thotë Vexhiu në vitin 1420 në Delvinë ishin 48 familje myslimane dhe 310 kristiane, kurse në vitin 1580 kishte 490 familje myslimane dhe 310 kristiane. Por tradita e sazeve nuk u asimilua nga pushtuesi. Sazet e Delvinës janë po aq të vjetra sa edhe Epiri. Në kujtesën e delvinjotëve janë të rrënjosura thellë figurat e Meto Tares(def), Hekuran Muharremit (lahutë), Mete Shahinit (violinë), Hasan Dinos (violinist i vjetër), Ramadan Neimit (në festivalin e 1951 me Tulin, në Tiranë-me def), Veli Majkos (violinist), etj. etj.


Sazet e Tulit të Delvinës

Por, ndërsa instrumentistët që përmendëm më lart, ishin edhe këngëtarë, vallë cilët qenë valltarët e tyre që aq bukur sa interpretojnë dhe i këndonin instrumentistët dhe këngëtarët, vallë kush i kërcente aq bukur si i interpretonin ata? Sigurisht që valltarët! Dhe krahas sazeve magjike të rralla në Shqipëri e në Ballkan janë edhe valltarët, të cilët ishin të tillë vetëm kur kërcenin nën tingujt,zërat dhe ritmet fantastike të sazeve të Delvinës. Përsëri Vexhi Ymeri, Ilmi Qilimi, Nezir Shena, veçanërisht Elmaz Bajo, Lufti Neimi, Islam Neimi, por edhe delvinjotë të tjerë si Neim Shameti. Nezir Shameti, Idriz Shameti, Kalo Baburi, Ramiz Beqiri, por edhe më gjerë në Rrezomë,në Bregdet,Vurg e Dropull të flasin për valltarët e talentuar pas sazeve. Duhet përmendur Kupe Mehmeti, Bajram Halili që kërcenin nën tingujt e sazeve me gotë në majë të kokës, pa u derdhur asnjë pik. Raste origjinale shqiptare, veçanërisht delvinjote të papërsëritshme. Artisti dhe kompozitori i mirënjohur delvinjot Limoz Dizdari ka thënë: "Mësimet e para për muzikë i kam marrë nga sazexhinjtë e Delvinës". Në kompleksin e të gjitha palëve të sazeve të Delvinës nuk mund të mos lëmë pa përmendur edhe Thoma Kumbuli nga Llaka. Por sazet e Delvinës nuk ishin të mbyllura vetëm në Delvinë. Në dasma,në Bajram, në Pashkë, në festat kombëtare, ato ishin në mes të të gjitha fshatrave, atje në Mexhliz, në hije në mesin e rrapit. Më kujtohet në fshatin tim, në Sasaj. Duhet të ketë qënë dita e Bajramit të Vogël apo, Kurban Bajramit. Filluan Sazet. Rreth e rrotull ndodheshin shumë burra të vjetër që tani nuk jetojnë më si: Lulo Boci(Xhaferri), Remzi Serjani, Mitat Kallulli, Imer Kallulli, Shefqet Bashari,Divit Kallulli, Fuat Ahmati, Karahmen Qejvani, Durro Çeli, Hasan Dauti, Xhaferr Ahmati, Himet Haxhiu, Muharrem Haxhiu, Braho Duka, Jonuz Duka, Ali Duka, Meto Duka, Zubi Qejvani, Xhafer Memi, (njohur me emrin Babloku), Rakip Memi, Xhemil Memi, Xhevit Ahmati e të tjerë. Shumë nga këta ishin valltarë,këngëtarë, por edhe bejtexhinj të talentuar. Filluan sazet një melodi të shtruar nën hijen e Mënit të Bardhë. Por,befas Lulua, i apasionuar mjaft mbas melodive pastorale, u lutet sazeve të marrin një kaba të shtruar, "Kur zbresin dhentë për ujë" (në korita). Sazet iu përgjigjën me një kompozim të mahnitshëm duke i sjellë nga malet, plakut të malluar, zilet e këmborët e stanit. Atëherë, plaku duke fluturuar në ekstazë, pandehu se kish stanin përpara dhe bërtiti: "Cap...cap...Trrrr!

Eee...Eh! Atëherë desh u ça klarineta, desh u këputën telat e violinës, nën thikat horizontale të harkut, desh u ça lëkura e defit, desh shpërtheu flaka,gjokset e artistëve popullorë. Dhe pas një pushimi, gëzuar bajramin, raki, bakllava, mish të pjekur. Urime, lavde zotit etj. Dhe kjo jo vetëm në Sasaj,por në të gjithë prefekturën e Gjirokastrës në atë kohë. Duhet pranuar se sazet kanë qënë faktorë kryesorë në bashkëpunimin e popullit, ruajtjen e traditave dhe forcimin e miqësisë si midis shqiptarëve, ashtu edhe mes këtyre dhe minoritarëve. Vallja më e spikatur e sazeve të traditës së Delvinës është padyshim "Vallja dyshe delvinjote" e Tuli Bajramit, e cila ka një ëmbëlsi të veçantë me ritme minore dhe maxhore. Por kështu; Vallja dyshe e Dropullit;Minushi;Pogonisho; Këndojnë gjashtë bilbila; Delvinë e zezë Delvinë. Delvina dhe Çamëria, (që nuk jepnin djemtë ushtarë në kohën turke), Do marr çiften do dal për gjah; Tanë moj Tanë; Dallëndyshe, vogël-o; Unaza margaritar; Hodha një lule në ferrë, Pa ndalo;Bejke e bardhë; Shqipëri me lezete; e deri tek këngët më të reja si: Bistrica; Leshverdha; Delvinë e bardha Delvinë; Fustankuqja kadife dhe kënga dhe shoqërimi i saj në orkestër " Moj raki moj bukuroshe", nderuar me çmim në festivalin e Beratit 1995,shënojnë dhe garantojnë shtratin e vjetër të traditës dhe vazhdimësinë në origjinë e mentalitetin e tyre të sazeve të famshme të Delvinës. Në një vështrim të thjeshtë sazet e Delvinës kanë një diapazon të gjerë shtrirjeje dhe përfaqësojnë,ruajnë e përcjellin, karakteristikat e polifonisë së Labërisë, Çamërisë e minoritetit. Formacioni orkestral ndërtohet mbi bazën e polifonisë. Kështu klarineta përfaqëson marrësin dhe defi mban ritmin. Krahas me sazet në Delvinë, po lulëzon edhe një grup lab i Delvinës, i cili përbën një shkrim më vete. Luan Sejdini, drejtor i shkollës "A.Sheme" Sarandë dhe Myrteza Leka si udhëheqës artistik të sazeve e grupeve polifonike, kanë bërë një punë të lavdërueshme, duke rikthyer përfundimisht traditën.

Si përfundim sazet e Delvinës janë të veçanta në Shqipëri. Ato ruajnë trashëgiminë, fizionominë e delvinjotit e qytetit të Delvinës, e traditave dhe zakoneve të Delvinës, të kulturës dhe qytetarisë, së kësaj qendre të fuqishme të Jugut, që i ka dhënë aq shumë çështjes kombëtare, me pushkë dhe me penë. Është detyrë e muzikologëve, historianëve dhe kritikëve delvinjotë, në radhë të parë, të hartojnë monografi për veçoritë e fushave të zhvillimit të Delvinës, por ashtu edhe për sazet e Delvinës, instrumentistëve, këngëtarëve dhe valltarëve të tyre, popullit të Delvinës që i mëkoi me qumështin e këngës, valles dhe të nacionalizmit.

#Ideal #Serjani

-2001-

0 views

Shkrimet e fundit