Nga deti e buzëdeti pulëbardhat kishin kohë që nuk dukeshin më në atë qyteti bregdetar. Ndoshta ishin larguar pa kthim diku larg ku kishin gjetur ushqim të bollshëm, ndoshta ishin kredhur në ujë dhe ishin kthyer në peshq.
Pallatet qenkshin ngritur si dhëmb përbindëshi në gjirin e rrethuar nga lartësitë e maleve që zbrisnin rrezikshëm rrëzë qytetit. Një pulëbardhë e vetmuar, nuk dihet nga dhe si erdhi, u fut mes pallateve që ndaheshin nga njëri-tjetri sa të hapje krahët, sa me një të hedhur kapërceje nga një ballkon në tjetrin.
Dritani dhe Tana kishin shkuar për pushime në apartamentin e blerë nga Dritani, një tregtar i ri (ose bizesmen siç quhej në kohët modern). Kishin mbi një vit që bashkëjetonin. Ajo vazhdonte rregullisht studimet për elektronik teorike. Dashuria u dukej si një sferë e shndritshme lumturie, kurse sfera e biznesit dhe e elektronikës larg si toka me qiellin. Kishin vendosur që dasmën ta bënin sa të përfundonte Tana studimet. Të nesërmen e ardhjes, pasi ishin kthyer nga plazhi dhe po bëheshin gati për të zbritur në restorant, ra zilia e celularit të Dritanit. Ai e hapi. Zuri të dëgjonte folësin. Tana po vështronte se ai po skuqej i tëri në fytyrë, pastaj ngriti zërin, bërtiti sa kishte në kokë, shau sa mundi dhe e flaku celularin mbi krevat. Tana, që kishte mbetur gojëmbyllur e tronditur iu duk tjetër njeri.Për një grimëherë ai e mblodhi veten, i vuri duart mbi supet e saj. I tha qetësisht me sa mundi: - Mos u shqetëso. Më duhet të nisem që tash…të ndaj disa llogari financiare. Do të kthehem shpejt. Më prit.
Kaluan tri ditë…
Dritani nuk po kthehej. Vetmia dhe frika po e mbysnin Tanën si një tym i verdhë. I dukej sikur dhoma po e mbyste. I binte numrit të telefonit të Dritanit…As një përgjigje. Një mendje i thoshte: “Do të nisem!” Një tjetër këmbëngulte: “Jo, ai më tha prit.” Pulëbardha vinte e qëndronte te parvazi i ballkonit. Në mëngjes Tana i hidhte për të ngrënë fara për pëllumba që i kishte gjetur në dollap. Dhe Tanës i dukej se nga sytë e dritshëm të pulëbardhës buronte mirënjohje.
Çdo çast deti ndryshonte ngjyrime. Sikur e ndillte, por vajzës nuk i shkohej vetëm në plazh. Dyshimi brerës, se mos Dritanit i kishte ndodhur diçka e keqe, e bënte t’i dilte gjumi natën e trembur. Dilte në ballkon. Deti i errët i dukej i zi. Veç disa drita shkëndijonin nga larg tek-tuk nga anijet e peshkimit.
Nënën e merte në telefon fshehurazi babait.
-Hë, si ia çon me Dritanin? – e pyeste ajo. – Kujdes se mos mbetesh shtatzanë, se je dhe pa celebrim dhe dashuri mortja avullon si vesa mbi trëndafil dhe tretet si shkuma e detit.
-Po jo moj mama, t’u ngjitën në gojë këto fjalë. Ti ke mbetur të varka e Noes.
Tana sillte ndër mend fjalët e Dritanit se biznesi po i ecte mire, se do ta çonte në Paris, te ujëvarat e Amerikës, te piramidat e Egjiptit, do t’i blente…
Në mbrëmje, ashtue ulur në kolltuk përpara televizorit, Tana po lexonte një roman të Kadaresë. Por ishte kaq e shpërqendruar dhe turbulluar sa, herë hidhte sytë nga ekrani, herë nga faqet e librit. Befas nga ekrani dëgjoi emrin dhe mbiemrin e Dritan Lumës. Flaku librin dhe i nguli sytë ekranit e llahtarisur. Folësja po vazhdonte me zërin e saj pa shprehje: “…Policia hamëndson se kemi të bëjmë me larje hesapesh mes konkuretësh. Dritan Lura nuk ka qenë me precedent penal. Kufoma e tij…” Dhe një foto me fytyrën e qeshur të Dritanit u shfaq në ekran. Tana ngriu sikur t’i kishin hedhur një kazan me ujë të ftohtë. Zemra nisi t’i rrihte me tërbim dhe gulshet po i mernin frymën; rrëkeja e lotëve po i qullte gjoksin. U ngrit e ra kruspull mbi krevat. Nuk mendonte asgjë, nuk përfytyronte asgjë veç fytyrës së qeshur të Dritanit në foton e televizorit. Pas pak ra zilja e celularit. Ajo u përmend e tromaksur. Pa e parë fare se kush e kishte thirrur e mbylli celularin dhe u shtri përmbys në krevat. Nënkresa ia kishte thithur helmin e lotëve.
Në orën gjashtë pa çerek të pasditës trokitja e kujdesshme në derë sikur e zgjoi Tanën nga mendimet e zymta e të çoroditura. U ngrit nga krevati dhe vështroi përmes syrit të derës. Recepsionisti i hotelit, një burrë me mustaqe të holla e mjekër të zbardhur dhe kravatë të zezë.
-Jam recepsionisti, Pavllua, - dëgjoi ajo zërin e tij. – Kam një porosi për ty.
Ajo ngurroi për një grimëherë, pastaj e hapi derën. Dy burra me maska u turrën brenda, e përplasën mbi krevat, i mbyllën gojën me ngjitëse dhe ndërsa njëri prej tyre ia mbante krahët mbrama, tjetri i nguli në qafë një gjilpërë...
Piloti i hidroplanit po priste pranë një moli të vogël me dërrasa nja pesë kilometra në jug të qytetit, aty ku kodra prej shtufi binte pjertas pak metra nga buza e detit. Dy veta nga banda e trafikantëve e zbritën Tanën nga sedilet e pjesës pasme të veturës dhe e morrën zvarr nëpër rërë. Ajo ishte ende nën efektin e inxheksionit me somnifere që i kishin bërë.
-Ndize shpejt motorin! – i thirri njëri nga të bandës. Hyn në ujë deri në gjunjë dhe vajzën e hodhën brenda si thes me rërë. Dy burrat që e kishin grabitur Tanën ishin dorasit që vranë tridhjet e një vjeçarin Dritan Lura.
...Tana e ndieu se po përmendej. Nëpër trubullirën e trurit, ashtu e shtrirë me fustanin trëndafiltë të shkapërderdhur mes kofshëve, në med dy ndënjseve të hidroplanit, dëgjoi zhurmën monotone të motorit.
Një zë i trashë: - Me këtë bukuroshe do të zëmë para të majme. Po kujdes, kujdes fytyrën e saj, tha shefi.
Zëri tjetër i hollë çjerrës: - Po, po do ta ëmbëlsojmë ne mirë e mirë, pastaj do ta hedhim në rrugë për të gjuajtur klientë.
Këto fjalë e drithëruan Tanën; tmeri e zemërimi e pushtoi të tërën. Po priti e priti. “Ç’të bëj? – i ziente koka. Me sytë gjysmë të mbyllur shihte këmbët e mëdha të burrave me atlete dhe me pantallonet e tyre të lagura... “Ç’të bëj?” U mblodh si sustë dhe u hodh si shqiponjë mbi kokën e pilotit. Gishtrinjtë e saj u futën thellë si dy thika në sytë e tij, dhe mes ulërimave të atyre tri burrave, avioni për disa sekonda u zhduk në thellësi të detit...
Në agimin e nesërm Tana çau ujit, doli mbi valët, hapi krahët dhe fluturoi drejt atdheut. Kaloi detin e malet mes erës e reve dhe arriti mbi qytetin e saj.
Mbi një re të purpurt i doli përpara hyjesha Afërditë.
Ajo i tha me zë këngëzues: - Ti do të mbetesh në jetë të jetëve kështu e bukur si ke qenë, si ke qenë, si ke qenë! E di për ku je nisur. Unë do të të vesh si ishje para se të të rrëmbenin dhe do të shkosh të përshëndetësh prindërit në ëndrrat e tyre. Pastaj udha jote të çon te i dashuri i zemrës tënde në botën e ëndrrave. Qofsh e bekuar nga unë!
Dhe ashtu siç u shfaq, ashtu u zhduk hyjnesha e dashurisë në hapësirat pa fund të fantazisë njerëzore.
Comments