top of page

SARANDA, PERLA E VIRGJËR.


Mentor Serjani


"...Era e Onhezmit tënd të lashtë,

Gjiri yt i ngrohtë; Dyzet shënjtorët në Gjashtë,...)


(Lexo më shumë në fund të shkrimit)

Në Sarandë kam shkuar qysh fëmijë, natyrisht i shoqëruar me prindër. Shtëpia e parë ku kam ndënjur ka qënë ajo e Remzi Matos, me avlli dhe portë te hekurt. Dajko Remziu (kushëri I parë i nënës sonë, bërë një vëlla e një motër), nga Fterra, që atëherë nuk dëgjonte mirë nga veshët, për shkak të moshës, më ka mbetur në mendje si njeri i sertë, me rregulla strikte. Atje, tek rrinim, unë si fëmijë, seç bëra një «prapësi», të cilën tani nuk e mbaj mënd. Ai më foli kaq ashpër, më bërtiti kaq fort,sikur unë të isha i madh dhe s'duhet ta bëja atë veprim. Thëllëza ishte një grua e urtë, e dashur e buzagaze. Me të flisje e komunikoje sikur të ishte nëna jote, ose të njohur prej kohësh. Ishte «zonjë» grua,-siç thotë populli. Shtëpia e dyte ishte e Axhem Meçes dhe Merifasë, kushërirës sonë të parë, vajzës së hallë Gjylos nga Tatëzati, e cila për ne ishte edhe hotel edhe restorant, kështu ishin kushtet atëherë. Mikpritës të mëdhenj dhe shumë te respektuar. Si Axhemi edhe Merifaja, si gjithë të tjerët e kishin nga një huq. Pjesë e këtyre udhëtimeve ishin edhe mjetet e udhëtimit, si Posta e Vlorës,autobuzi-zis i Çaç Llacit Piqeras-Sarandë, e Borshit dhe ajo e Çorrajit. Një rrugë e mundimshme, gjithë kthesa e pluhur, era e keqe e benzinës, që shumë herë na bënte përdekij, na bënte për të vjellë. Rruga e ngushtë bënte që çdo makinë të ecte mbrapsht,deri sa të gjëndej një vend më i gjerë, për të kaluar maqina përballë. Por pavarësisht nga këto vështirësi, ne udhëtonim, sepse ishim të gëzuar që do të venim në qytet. Këtë vajtje e quanim gjë të madhe,sepse qyteti, jo vetëm nga pamja që nuk afrohej gjëkundi me fshatin, por edhe mjedisi, njerëzit institucionet ishin krejt ndryshe të pakrahasueshme, «si nata me ditën». Në qytet, përveç halleve e probleme që kishim nëpër zyrat e shtetit, do të prisnim edhe biletën, do hanim drekën në restorant, do shijonim bukën panine, do hanim akullore, do pinim aranxhatë, si një «luks» i madh për ne. Hoteli i vjetër kishte poshtë edhe mëngjezoren, kam shkuar me babanë dhe mamanë atje, sipas rastit. Gjelltore te tjera ishin restaurant «Bistrica». Gjellëtorja vetësherbim, tek axhensia, menxa e NSHN-së,Bar Lulishtja, Shtëpia e Oficerave e më në fund Turizmi, si dhe «Taverna» poshtë kafe «Leningradit», (më pas «Riviera»). Turizmi i ri dhe i vjetër ishin të shtrënjta për një fshatar që paguhej me «dite pune» ose «mëditje»… Festat e fundvitit…Krishtlindjet…Pragu i Vitit të Ri… Qetësi absolute!... Një ndjesi e këndshme që ky qytet i jep me shumicë kujtdo, si banorëve të përhershëm dhe sidomos vizitorëve.


Papritur më vjen frymëzimi djaloshar dhe aty për aty,thur vargjet e mëposhtme, plot emocione:

Ti, Saranda ime, je vetë bukuria,

Ti,qyteti im, je shpirti dhe ndjesia,

Ti, je ajri, frymëmarrja,dashuria,

Ti, je magjike, ekzotike,

E papërsëritshme, biblike

Era e Onhezmit tënd të lekzotik

Gjiri yt i ngrohtë; Dyzet shënjtorët në Gjashtë,

Si ky gji dhe kjo orë e ngrohtë,

S'e gjen gjëkundi, në asnjë vend në botë,

Butrinti dhe Dea, një kurorë bukurie,

Kalaja e Lëkurësit roje e kësaj Virgjërie,

O perlë natyre, e mrekullueshme, ngaherë,

Të përulem, o e bukura ime,Rivierë,

Je në mëndjen e zemrën time sa të rroj,

Edhe në botën e përtejme, do të të kujtoj…



52 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page