top of page

SAPO KALON URËN E BUNËS NË SHKODËR




Për mua që kam kaluar fëmijërinë atje, dua të besoj se asnjë qytet tjetër nuk e ka magjinë e Shkodrës. Mrekullia e natyrës, njerëzit dhe kultura e atij qyteti janë në një harmoni të pashoqe. Mali, kodra, fusha, lumenjtë, liqeni, ato rrugicat e oborreve me mure guri dhe ajo kalaja që flet aq shumë me heshtjen e saj madhështore, apo e folura aq e ëmbël, mikpritja e përzemërt dhe ato këngët që të gudulisin shpirtin, pa folur për të shkuarën e saj historike dhe personalitetet legjendare që kanë dalë nga gjiri i saj, janë mëse të mjaftueshme për të tërhequr vizitorë si nga të katër anët e vendit, ashtu edhe turistë të huaj. Me një grup shokësh, shkojmë shpesh atje, ku më kënaqin edhe ndryshimet që janë bërë. Pasi shëtisim në atë pedonalen e bukur apo takojmë miq a të njohur, me të cilët pimë ndonjë kafe në ato lokalet e reja, shkojmë në Shirokë për të drekuar. Tava e krapit dhe njalat e pjekura në tjegull janë gatimet tradicionale që shijojnë aq shumë me ndonjë gotë vere. Vetë Shiroka është rregulluar më së miri dhe rruga deri në Zogaj edhe pse disi e ngushtë për makinat, përsëri ka romantikën e vet. Thonë se do ta zgjerojnë së shpejti dhe ky është lajm i mirë. Ulesh në lokal, ku i gjithë pesoneli të pret me buzëqeshje dhe gatishmëri për të të shërbyer dhe kënaqur. Por mbi të gjitha, atje është ajo paqja që vjen ashtu si pa kuptuar nga liqeni, mat`anë të cilit të duket se të përshëndesin malet hijerënda. Pasi kalon nja dy a tri orë të këndshme, largohesh prej andej me bindjen se do të kthehesh përsëri. Por e gjithë kjo, ka diçka që nuk shkon. Sapo kalon urën e re dhe merr djathtas për Shirokë, të shfaqet si në hyrje, si në dalje, një pamje trishtuese. Aty, ndofta prej shekujsh ndodhen barakat mjerane të disa romëve, ku kuptohet lehtësisht se skamja është ulur këmbëkryq. Nga rruga ku luajnë, disa fëmijë zhelanë të zgjasin dorën. Të prishet humori kur mendon se ti po shkon të hash e të pish dhe dikush lyp. Merr rugën për në qytetin tënd, por ajo pamje e zymtë nuk të ndahet nga mendja. Dhe thua me vete: këtu vinë politikanë, deputetë e pushtetarë dhe e shohin këtë realitet, por si nuk kujtohen të ndryshojnë diçka. Ndofta qeveria lart, ndofta vetë Bashkia, po ta vlerësojnë këtë pamje si një njollë që nuk i bën nder qytetit të kulturës, duhet të gjejnë mundësinë e rregullimit të situatës duke ndërtuar diku shtëpi për këta hallexhinj për t`i sistemuar atje dhe ta lirojnë atë mjedis ku kalojnë qindra e mijra vizitorë në ditë. Dhe jo vetëm për ata që venë atje për t`u relaksuar, por së pari për vetë banorët të cilët janë njerëz si të gjithë ne, dhe kanë gjithë të drejtën e Zotit të jetojnë dhe gëzojnë si ne. Po synojmë të shkojmë drejt Evropës, dreqi e mori! Dhe atje asgjë nuk ka ndryshuar qysh kur ishte gjallë Migjeni. Ajo kafshata e mjerimit që kishte parë ai, akoma nuk është kapërdirë edhe pse ka kaluar gati një shekull.

10 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page