top of page

Sandrine Davin (Francë): Të ndash poezitë me të rinjtë është një pasurim dhe sfidë


Irma Kurti: Intervistë me poeten Sandrine Davin (Francë)

 

Të ndash poezitë me të rinjtë është një pasurim dhe sfidë

 

Sandrine Davin ka lindur më 15 dhjetor 1975 në Grenoble (Francë), ku ajo ende banon. Autore e poezisë bashkëkohore e frymëzuar nga tanka, ajo ka botuar 18 përmbledhje me poezi, e fundit prej të cilave titullohet "A nos ouvriers" në TheBookEdition. Punimet e saj studiohen nga klasat e shkollës fillore dhe të mesme ku punon Sandrine. Ajo ka kënaqësinë të ndajë poezi me të rinjtë dhe t'i inkurajojë ata të shkruajnë... Është gjithashtu e diplomuar në Société des Poètes Français për poezinë "Letër nga një ushtar".

Cila ishte qasja juaj ndaj botës së letërsisë?

Qasja ime ndaj letërsisë dhe më saktë ndaj poezisë filloi që në fëmijërinë time të hershme. Në fakt, rreth moshës 12-vjeçare e shkruaja ditarin tim në poezi. Me kalimin e kohës vazhdova t'i përkushtohem edhe më shumë të shkruarit...

Sa orë në ditë i kushtoni të shkruarit?

Nuk epërcaktoj sasinë e të shkruarit me orë, por me çaste të të shkruarit. Unë nuk ulem të shkruaj sepse mbaj gjithmonë një fletore me vete dhe fjalët e mia shkruhen në letër në çdo kohë të ditës apo të natës.

Ju keni botuar 18 përmbledhje me poezi. Me cilën ndiheni më e lidhur?

Po, kam botuar 18 libra me poezi dhe të gjitha janë të veçantë për mua, sepse i përkasin çasteve të ndryshme të jetës sime. Megjithatë, ka një fill që i lidh: lidhja e fortë që kam pasur me gjyshin tim dhe që reziston ende me gjithë kohën që kalon... Dua të përmend se vepra e fundit "A nos ouvriers" është ajo që mendoj se mund të bëjë për vete shumë njerëz.

Cila është tematika e poezive tuaja?

Irma Kurti: Intervistë me poeten Sandrine Davin (Francë)

Nuk kam një temë specifike, por siç e thashë më parë veprat e mia përshkohen nga një lejtmotiv. Lidhja me gjyshërit, rrënjët e mia, toka, bota e punës... Poezitë e mia frymëzohen nga haiku dhe tanka, poezi japoneze, të shkurtra dhe të drejtpërdrejta.

Cilat janë sfidat me të cilat jëni përballur në rrugëtimin letrar?

Një nga sfidat që i vura vetes ishte që një ditë do t'i botoja poezitë e mia me një shtëpi botuese "të vërtetë"! Kjo ndodhi, me shtëpinë botuese Kainfristanaise për librin tim “Là ou le soleil se fane” dhe Z4 Édition për përmbledhjen me poezi të shkruarnë bashkëpunim me James Lilley “Verrous”. Unë jam e lumtur për këtë, por më pëlqen edhe vetë-botimi dhe shumë nga veprat e mia janë të vetë-botuara.

Mund të na thoni diçka për përvojën e ndarjes së poezive tuaja me të rinjtë?

Kam një bashkëpunim të mrekullueshëm me një mësuese të gjuhës frënge në një shkollë të mesme në Grenoble (Francë), nxënësit e së cilës studiojnë librat e mi me poezi. Më pas unë ndërhyj në klasë për t’i diskutuar ato. Më pëlqen të shoh shprehjen në fytyrat e fëmijëve që ndonjëherë zbulojnë poezi, që nuk janë klasike, të cilat ata i studiojnë në shkollë. Është një pasurim dhe një sfidë t’i bësh studentët të shkruajnë apo lexojnë poezi!

Poezia duket se është harruar në shoqërinë e sotme. A është e vërtetë kjo?

Poezia nuk harrohet, por përmbledhjet poetike nuk shiten ose shiten pak, kjo është e sigurt!

Çfarë interesash të tjera keni përveç të shkruarit?

Përveç të shkruarit, unë luaj tenis dhe më pëlqejnë shumë shëtitjet në pyll, të jem pranë natyrës dhe rrënjëve të mia...

Cila do të ishte këshilla juaj për autorët e rinj?

Do të doja t'i këshilloja autorët aspirantë, siç bëj me fëmijët dhe studentët që takoj, të kenë besim tek vetja, të guxojnë dhe të ecin përpara! Mos kini frikë nga gjykimi dhe, mbi të gjitha, jini dhe qëndroni gjithmonë vetvetja!

INTERVISTOI: IRMA KURTI

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page