top of page

Sami Frashëri dhe akademikët e dështuar të Tiranës




Më 1 qershor, dijetari ynë i madh Sami Frashëri kishte 172 vjetorin e lindjes. Familja Frashëri i dha kombit shqiptar politikanin e madh Abdyl Frashëri, si dhe poetin e përmasave kombëtare Naim Frashëri. Të tre këta vëllezër janë shpirti dhe zemra e asaj epoke të madhe në historinë e Shqipërisë që njihet si Rilindja Kombëtare, të cilët krahas patriotëve të tjerë formuan ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe i përgatitën ata për betejat e ardhshme për Liri dhe Pavarësi. Të tre këta vëllezër kontribuan në fusha të ndryshme dhe mund të merren si themeluesit e fushave përkatëse ku ata kontribuan. Politikani Abdyl Frashëri është shembulli më i mirë se si duhet të sakrifikojë politikani për Atdheun deri në vetmohim. Naimi është poeti i parë shqiptar me përmasa kombëtare, kurse Samiu dijetari i parë që mund të themi se hodhi themelet e një Akademie për shqiptarët.

Arti merret në kontekstin historik dhe vlerësimi bëhet mbi parimet estetike të asaj periudhe, kurse shkenca është një proces debatesh dhe vlerësimesh që mund të vazhdojë gjatë gjithë jetës së autorit, por edhe më pas, për të mbrritur tek e vërteta. Kështu, nëse veprën e Naim Frashërit do ta vlerësojmë mbi parimet estetike të kohës, veprën e Sami Frashërit do ta vlerësojmë mbi kriterin e së vërtetës. Për të arritur te e vërteta kalohet në një proces debati dhe vlerësimi dhe përfundimi arrihet mbi dëshmi dhe prova. Kështu mund të gjykojmë për tezën e Sami Frashëri për prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve.

“Më të vjetërtë prindërt tanë bota i quajnë Pelasgë, fjal’ e mbeturë nga prindret tanë më të pastajmë, të cilëtë quaninë më të parët’ e tyre Plak a Pleq.” (Sami Frashëri – Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë, kapitulli 1, Pelasgëtë)

Ky është përfundim i një shkencëtari që, në kohën e vet, ishte nga më të shquarit edhe brenda vetë perandorisë osmane. Pyetja shtrohet: ka patur apo jo të drejtë Sami Frashëri në përfundimin e tij si shkencëtar se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve? Për këtë le t`i referohemi edhe mënyrës se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë e rrëzoi tezën e tij pellazgjike duke krijuar një tezë të re, se shqiptarët nuk janë pasardhës të pellazgëve, por të ilirëve.

Sami Frashëri, ky dijetar i përmasave evropiane, me themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duhet të ishte midis figurave të shquara shqiptare që kanë dhënë kontribute të çmuara. Po të shkosh në godinën e Akademisë së Shkencave (sallën e takimeve dhe korridoret) do të gjesh statujën e themeluesit të kësaj akademie dhe një dyzinë të tjerësh që ishin bashkëthemeluesit e tij, sikur kjo Akademi të ishte pronë e tyre vetiake dhe gjithçka fillonte me veten e tyre. Të hysh në sallën e Akademisë së Shkencave i gjalli dhe statuja (pse jo dhe portretet) dyzojnë njëri-tjetrin. Ky është mjerimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këtë garë të shpërfytyruar të akademikëve tanë që ta përjetësojnë veten sa janë gjallë, nuk ka vend për vlerësime të tjera, qoftë edhe për dijetarët e Rilindjes sonë Kombëtare.

Nisur nga kjo tezë gjysmake për origjinën e shqiptarëve, u injorua çdo kontribut i mëparshëm akademik, sidomos në fushë të Albanologjisë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë u modelua në modelin politik që fshiu çdo arritje të mëparshme. Edhe zelli i akademikëve të rinj shqiptarë nuk qëndronte më poshtë se ai politik. Të injorosh kontributin e Sami Frashërit në rrafshin albanologjik dhe të ngresh një tjetër tezë pa u debatuar më parë teza e tij, tregon se ky institucion vetëm emrin ka patur Akademi, në fakt ka funksionuar si një institucion i nomeklaturës komuniste.

Problemi nuk qëndron vetëm me ata që e themeluan Akademinë në vitin 1972, por sidomos për ata që e zotërojnë atë sot, që vegjetojnë pa bërë asgjë, por përsëritin dhe ripërsëritin tezën antishkencore të viteve 60-70 se jemi pasardhës të ilirëve duke lënë në harresë strëgjyshërit tanë të moçëm që bota e qytetëruar dhe dijetari ynë i përmasave evropiane i quante pellazge?

Po çfarë bëtë ju zotërinj që mbani emrin akademik? Ju e përzutë Sami Frashërin nga tempulli që mban emrin Akademi dhe i përndoqët të gjithë ata që besonin te teza e tij.

Institucionet tona shkencore duke pranuar pa asnjë mbështetje shkencore tezën se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me pellazgët, u lanë dorë të lirë institucioneve politike dhe shkencore të Athinës që këtë pasuri shpirtërore dhe materiale ta përvetësojnë duke i ndryshuar identitetin nga pellazge në helene. Ndryshimi i identitetit të kësaj kulture ka bërë që të rrudhet e të tjetërsohet identiteti i një kulture tjetër që lidhet me shqiptarët.

E vërteta e ardhjes së popujve në gadishullin ku banojmë jepet qartas nga Sami Frashëri, përfundim që ai e ka nxjerrë nga një njohje e thellë dhe e gjithanshme e autorëve të antikitetit:

“Më pastaj erth një komp i vogëlë, q’ithoshmë Helen a Grek, e zu vënt në Greqi nëpër nisit të Pellgut Egje e nëpër anët të detit rrotull, duke përzënëPelasgëtë andej a duke përzierë me ta.” Sami Frashëri – Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë, kapitulli 1, Pelasgëtë

Akademia e Shkencave të Shqipërisë e ka përmbysur tezën e Sami Frashërit: duke pranuar se Ilirët erdhën në këto troje në periudhën e Hekurit, që do të thotë gati 1000 vjet pas ardhjes së helenëve. Duke pranuar se jemi pasardhës të ilirëve dhe pellazgët janë popullsi parailire, pa lidhje etnike me ilirët, në të vërtetë dorëzuan para Athinës dhe opinionit shkencor Epirin që është njohur si pellazg bashkë me kryeqendrën e saj që njihet botërisht si Dodona pellazge. Logjika është e thjeshtë: përderisa nuk e njeh Dodonën si produkt pellazgo-iliro-shqiptar, sepse Dodona dhe Epiri kanë qenë, janë dhe do të mbeten troje shqiptare, nga mungesa e interesimit të institucioneve shkencore shqiptare, dikush tjetër do të interesohej dhe do ta quante si vazhdimësi pellazgo-helene. Një logjikë absurde ka bërë që Epirit t`i ndryshohej identiteti dhe që shovinistët e Akademisë së Athinës ta pretendojnë Epirin si tokë të Helladës.

Tezat me gjysmë të vërteta jo vetëm që nuk janë shkencore, por edhe të rrezikshme, sepse gjysmën tjetër e plotëson kundërshtari. Kështu teza pellazgo-ilire e origjinës së shqiptarëve, duke u pranuar vetëm gjysma: ajo ilire, bëri që grekët të plotësojë gjysmën tjetër duke e quajtur helene periudhën pellazgjike dhe duke përvetësuar jo vetëm historinë, por kërkojnë edhe territorin mbi të cilin kanë banuar pellazgët, pra Epirin.

Kështu, Akademia e Athinës, del para opinionit publik dhe atij shkencor me një vepër antishkencore: “Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek”, Athinë 1997.

Kundër këtij libri prof. Kristo Frashëri, shkroi artikullin “Shtrembërime të historisë së Epirit nga Akademia e Athinës” botuar tek “Gazeta Shqiptare” datë 07/08/2011, i cili vë në dukje se disa botime gjoja shkencore nuk janë gjë tjetër veçse lakmi nacionaliste të fqinjit tonë jugor ndaj viseve shqiptare.

Kristo Frashëri: “Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480 faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me titull “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997. Botimi i përmendur, që tani kemi në tryezë, ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme nga tri pikëpamje – trajton nga pikëpamja kohore në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë 4000 vjetëve; e dyta, në të kanë marrë pjesë autorë ndoshta më të shquarit e historiografisë greke të ditëve tona; e treta, nga pikëpamja e përgjegjësisë shkencore, politike e morale mban vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga emri që mban, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e Greqisë”.

Dhe më tej profesor Kristo Frashëri vazhdon: “Ne kemi pritur që me dobësitë e kësaj periudhe të merren historianët shqiptarë të specializuar në problemet e historisë së lashtë të Epirit. Arsyeja përse ata heshtin është puna e tyre”.

Pyetja shtrohet: pse vazhdojnë akoma të heshtin institucionet tona shkencore? Përgjigjia e kësaj pyetje mund të themi se mbetet enigmë, se si institucionet e shtetit shqiptar dhe në këtë rast Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet të fliste, sepse është institucion që i shërben shtetit shqiptar dhe për të folur e debatuar paguhet nga taksat e shtetit shqiptar. Të heshtësh do të thosh ta pranosh. Dhe më tej del një pyetje akoma më e vështirë për t`iu përgjigjur. A mos vallë Akademia e Shkencave ka rënë pa dashje në ndonjë kurth shovinistësh? Dhe nëse ka ndodhur kështu, përsëri është përgjegjësia jonë për ta nxjerrë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga humnera ku ka rënë, sepse zot të vendit dhe të historisë sonë jemi ne shqiptarët dhe jo ca të ashtuquajtur që mbajnë spaleta akademiku.

Sami Frashëri, madhështia e të cilit sa vjen e lartësohet, na ka dhënë një mësim të mirë në fushë të diturisë për të vërtetën e shpallur prej tij se ne shqiptarët jemi populli më i vjetër i Evropës. Këtë të vërtetë, fqinjët tanë, madje dhe disa shtete evropiane, na kanë luftuar duke na përgjysmuar përmasën historike të indentitetit tonë. Në këtë grackë ka rënë edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë që në vitet e themelimit të saj duke lënë jashtë historisë së popullit tonë përmasën historike që emërtohet pellazgjike dhe që është shtylla e identitetit tonë kombëtar.

Shteti shqiptar u krijoi të gjitha kushtet. Të aftëve, por edhe të besuarve të tij, u vuri spaletën e akademikut. I nisi nëpër botë nëpër kongrese dhe konferenca shkencore. Po këta të paaftë, në vend që t`u përcillnin këtyre organizimeve shkencore përmasën reale të identitetit tonë kombëtar që ishte në zanafillë të qytetërimit evropian, tërhiqeshin dhe vinin të çarmatosur, si një ushtri e thyer pas beteje. Nëqoftëse do të përjashtojmë debatin Çabej-Bonfate, gjithë të tjerat kanë qenë një dështim. Pas këtyre ballafaqimeve shkencore, librat e këtyre akademikëve të Tiranës janë gati identike me ato teza që na kanë servirur ustallarët evropianë që kishin marrë pjesë në ndarjen dhe copëtimin e trojeve shqiptare.

Shembulli i Sami Frashërit na mëson se, kur individi ka përgatitjen e nevojshme shkencore, i përballon denjësisht dashakeqësit që nga rrafshi politik kanë zbritur dhe në atë shkencor. E vërteta ndodhet brenda realitetit historik, ndaj duhet ta njohësh atë plotësisht për të arritur në përfundime shkencore. Institucionet shkencore nuk mund të shpikin realitete që nuk ekzistojnë, se sajesa të tilla vdesin ende pa lindur, siç janë sajesat binjake të lindura në institucionet e quajtura Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave Albanologjike. Ky vit, do të jetë viti i dijetarit Sami Frashëri, sepse të vërtetat e tij i kanë përqafuar shqiptarët e të gjitha trojeve.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page