
Nga Sakip Cami
Këtë libër me kujtime autorja e re që sprovon vehten për herë të parë ja kushton gjyshes së saj Nexhmie Cami Rama.
Libri vjen nën redaktimin e Prof Shpëtim Camit dhe nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “GEER”.
Kur lexova librin me kujtime të Rosela Jakut Kodrës “Gjurmët e gjyshes në zemrën time” u emocionova shumë. Kujtimet e saj ngjasonin me kujtimet e mija për gjyshen Pemë, me kujtimet e Loretës për gjyshen Razie, me kujtimet e Redit për gjyshe Nazen. Ne që jemi rritur me gjyshe e ndiejmë forcën dhe emocionin e këtij libri, por jo vetëm ne. Ky është ngjasimi sepse dashuria e gjyshes për mbesën dhe nipin është hyjnore, sa e përgjithshme aq dhe e veçantë.
⁃ I ëmbë zëri i gjyshes/kur ngjarje më tregon/e lehtë dora e saja/kur ëmbël më ledhaton/….Kjo këngë e Agim Krajkës, kënduar nga Vaçe Zela më ka shoqëruar edhe mua gjithmonë.
⁃ Më ka shoqëruar edhe ninulla e gjyshes time, nëna Nexhit siç i thirrja unë, shkruan autorja.
⁃ A ka këngë më të bukur në botë se sa ninulla e nënave ???
Fëmijëria ime me gjyshen ishte një periudhë e shkurtër, por e mbushur me kujtime të çmuara. Kështu e nis Rosela librin e saj me kujtime për gjyshen.
…Për mua ishte gjithmonë ajo që mbante shtëpinë të ngrohtë dhe zemrën të hapur. Deri në moshën pesëvjeçare timen, ajo ishte pranë meje çdo ditë. Një prani e ngrohtë dhe e sigurtë që më përkëdhelte me dashurinë e saj të pamasë.
Kur ajo u largua për në Greqi në vitin 2001 për të punuar e jetuar me gjyshin, ndjeva mungesën e saj, ndjeva një boshllëk të madh. Por as largësia nuk na ndau. Pothuajse çdo ditë flisnim në telefon, dhe zëri i saj ishte si një urë që na lidhte, duke më dhënë gjithmon ndjesinë se ajo ishte aty, me mua. Nuk na munguan asnjëherë as kartolinat me urimet e fundvitit që gjyshja dhe gjyshi na dërgonin çdo vit. Kartolinat e tyre ishin si një përqafim nga larg, dhe çdo fundvit mbushnin shtëpinë tonë me ngrohtësi dhe gëzim.
Gjithashtu, dhuratat që na dërgonin nga Greqia ishin një moment i veçantë. Mbaj mënd emocionin dhe padurimin kur prisnim ato çanta të mbushura me dashuri. Sa here që hapim një dhuratë, ndiheshim sikur ajo ishte pranë nesh.
Kur isha në shkollë fillore, gjyshi dhe gjyshja më sillnin nga Greqia mjete shkolle që ishin ndryshe nga çdo gjë tjeter që kisha pare. Çanta, kuleta, lapsa, fletore dhe ngjyra – gjithçka ishte kaq e bukur dhe e veçantë. Nuk mund ta harroj krenarinë që ndjeja kur shkoja në shkollë me ato gjëra. Ndoshta isha fëmija me mjetet më të bukura në klasë, dhe të gjitha ato dhurata ishin një kujtesë e dashurisë së pakushtëzuar të gjyshërve për mua.
Megjithëse takimet tona ishin të rralla pas ikjes në Greqi, çdo here që ajo vinte në Shqipëri, përjetonim momente të paharrueshme.Ajo na përqafonte fort dhe na rrëfente për gjithcka që kishte bërë ndërkohë. Ato vite që kaloi atje, ishin vite të vështira për të, të mbushura me sakrifica, lodhje dhe përpjekje të pafundme për të siguruar gjithçka që kishin nevojë. Gjyshja gjithmonë thoshte se e gjithë puna dhe lodhja e saj ia vlente. Kjo e bënte edhe më të veçantë dhe më të shtrenjtë dashurinë time për të.
Kur unë isha rreth gjashtëmbëdhjet - shtatëmbëdhjet vjeç, gjyshi dhe gjyshja u kthyen përfundimisht në Shqipëri. Jeta jonë ndryshoj sërisht. Ishte sikur një pjesë e munguar e familjes sonë më në fund të ishte rikthyer. E gjeta veten gjithnjë e më shpesh në shtëpinë e tyre. Ajo shtëpi ishte si një strehë e sigurt dhe një vend që mbushte shpirtin tim me ngrohtësi. Ndihesha më e qetë dhe më e përmbushur pran gjyshes, e cila vazhdonte të më përkëdhelte me dashurinë dhe kujdesin e saj. Prindërit e mi shpesh më thoshin: “Duket sikur shtëpia jonë nuk është më shtëpia jote!” Dhe ndoshta kishin të drejtë, sepse zemra ime ndodhej gjithmonë pran gjyshes dhe gjyshit.
Gjyshja u bë shoqja ime më e mire, një dëgjuese e palodhur dhe një këshilluese që gjithmon kishte përgjigjen e duhur. Ajo dinte gjithçka për mua, madje edhe ato që nuk ia tregoja mamit, motrës apo shoqeve të mia. Mes nesh nuk kishte sekrete, vetëm besim të ndërsjelltë dhe dashuri të pakushtëzuar. Çdo bisedë me të më bënte të ndihem e lehtësuar dhe e kuptuar, ishte një mësim i ri, një fjalë e ngrohtë ose një premtim që gjithcka do të shkonte mire.
E mbaj mënd si tani, netët kur qëndroja me të dhe më tregonte histori nga rinia e saj. Ajo më fliste për kohët e vështira, për sakrificat që kishte bërë për familjen dhe për kënaqësin që gjente në gjithcka që bënte për ne. Tregimet e saj ishin plot ngjyra dhe mësime, dhe shpesh përfundonin me një këshillë të urtë: “Mbaje mënd, zemra e nënës, jeta është e vështirë, por nëse punon fort dhe respekton veten, do të arrish gjithçka.”
E paharruar aroma e gatimeve të saj
Kuzhina e gjyshes ishte një botë më vete, plot dashuri dhe shije të papërsëritshme. I jepte shumë rëndësi çdo vakti të ditës, dhe tavolina e saj ishte gjithmonë plot me shumëllojshmëri të mrekullueshme. Kujtoj ende aromën e gatimeve të saj që përhapej në të gjithë shtëpinë dhe tërhiqte këdo drejt tavolinës.
Omletat që bënte ishin të veçanta, asnjëherë nuk i kam provuar të njëjtat. Kekët e saj ishin një mrekulli më vete, me shije unike që i bënin të paharrueshëm.
Byrekët e holluar me dorë, petullat e buta dhe të shijshëme, tavat e ndryshme në furrë, e reçelat që përgatiste me aq dashuri. Sallata e frutave që e përgatiste përdit ishin pjesë e çdo vakti. Pastaj vinin ëmbëlsirat e saj, të cilat ishin thjeshtë të pakrahasueshme: qumështori i butë, ashurja e ëmbël, syltjashi me aromë kanellë, dhe shumë të tjera që vetëm ajo dinte t’i përgatiste me një shije kaq të veçantë. Dhe mbi të gjitha, një nga traditat që nuk harrohet dhe që do të na mungojë gjithmonë, ishte atmosfera e veçantë kur vinte Dita e Verës. Gjyshja gjthmonë përgatiste vezët e ngjyrosura plot ngjyra të bukura, veroret që i thurte me shumë kujdes dhe kulaçin e shijshëm me një monedhë brënda. Të gjithë prisnim me padurim të shijonim kulaçin dhe të gjenim monedhën, një simbol i fatit dhe lumturisë që ajo na uronte. Ishte një ritual që e përsëriste çdo vit dhe që mbushte shtëpinë me gëzim dhe traditë. Sa herë shkoja për të qëndruar te shtëpia e tyre, gjyshja gjithmonë më pyeste: “Çfarë ke qejf të të gatuaj?” Dhe pa përjashtim, përgatiste gjithmonë ato që unë pëlqeja më shumë. Duart e saj të arta dhe dashuria që fuste në çdo gatim e bënin çdo ushqim një kënaqësi të veçantë. Disa nga këto receta dhe sekrete të kuzhinës m’i mësoi edhe mua. Sot, përpiqem t’i ndjek, por e di që shijen e duarve të saj nuk do ta arrij dot kurrë. Do të doja shumë që të isha po aq e zonja në kuzhinë sa ajo, sepse gjyshja ime ishte një mjeshtre e vërtet e gatimit, njësoj siç ishte përçuese edhe e dashurisë dhe përkujdesjes.

Çdo moment me gjyshen time ishte një kujtim i bukur, një copëz lumturie e ruajtur në zemrën time. Me të nuk kishte momente të trishtuara, vetëm gëzim, dashuri dhe ngrohtësi. Gjyshja kishte një aftësi të rrallë për të bërë çdo ditë të veçantë, qoftë edhe me gjërat më të vogla. Më kujtohet se sa shumë qeshnim bashkë. Bisedat tona ishin të pafundme, nga gjërat më të thjeshta të përditshme deri tek këshillat e saj të urta për jetën. Mund ti tregoja gjithçka, dhe ajo më dëgjonte me kujdes, pa më gjykuar kurrë. Ishte personi im i pare për çdo gëzim dhe për çdo shqetësim.
Pushimet që kalonim së bashku ishin nga më të bukurat. Mbaj mënd sa shumë më lumturonte thjesht fakti që e kisha pranë. Kujtoj me mall udhëtimet tona të vogla, shëtitjet, kafet që dilnim shpesh së bashku, pazaret e përbashkëta.
Një ndër kujtimet më të bukura dhe të paharrueshme është koha kur ata jetonin në Greqi, dhe un shkoja së bashku me motrën time për pushimet verore. Dy muaj që kalonim atje ishin gjithmonë magjikë, të mbushura me gëzim dhe aventura të pafundme. Ishin verat më të bukura të jetës sime, të cilat kujtoj me mall dhe nostalgji. Çdo ditë kishte një ritëm të veçantë. Dilnim të gjithë së bashku, shkonim në plazh dhe shijonim ujin e kristaltë, vizitonim qytetin dhe eksploronim rrugicat e tij. Më kujtohet gjallëria e atyre ditëve, qeshjet, bisedat dhe momentet e vogla që i bënin të mëdha kujtimet tona.
Gjatë udhëtimeve tona, makina jonë nuk ishte thjesht një mjet transporti, por një vend i mbushur me biseda të gjata, të qeshura dhe këngë. Gjyshja gjithmon përgatiste ushqim për rrugën, duke mos ardhur kurrë duarbosh. Më kujtohen gjithashtu kafet buzë detit me të dhe gjyshin, ishin çaste qetësie dhe lumturie të pastër. Festat ishin gjithmon të mbushura me dashurinë e tyre. Për 8 Marsin, çdo vit e surprizoja me një buqetë lulesh dhe me një kartolinë, dhe së bashku me mamin dhe motrën dilnim për drekë. Ditëlindjet e saj, të miat dhe të gjithë familjarëve, ishin gjithmonë një aryse për t’u mbledhur bashkë. Ata nuk mungonin kurrë në asnjë festë apo sebep familjar. Një tjetër çast lumturie që dua të kujtoj është një nga udhëtimet që bëmë së bashku me gjyshen, gjyshin, tezen dhe gocën e tezes. Kësaj here shkuam në Itali, Gjermani dhe Hollandë. Ishin ditë të paharrueshme dhe të mbushura me lumturi. Shëtitëm çdo vend dhe rrugicë të atyre vëndeve, duke shijuar bukurinë dhe magjinë e tyre. Pimë kafe së bashku, hëngrëm dreka të shijshme dhe eksporuam dyqane të ndryshme. Çdo moment ishte një kënaqësi më vete. Qeshëm pafund dhe u argëtuam sikur nuk kishte të nesërme. Ato ditë mbetën ndër kujtimet më të bukura dhe argëtuese për të gjithë ne.
Këshilltarja më e mirë për jetën
Një ndër momentet më të bukura, jo vetëm për mua, por edhe për gjyshen dhe gjyshin, ishte koha kur u martova dhe nisa një jetë të re me bashkëshortin tim. Lumturia e tyre nuk kishte kufi kur mësuan se shtëpia ime do të ishte pranë shtëpis së tyre. “E shikoni sa fort ju dua dhe më doni? Fati im ishte shkruar që unë të jetoja pranë jush!”, u thashë me entuziazëm. Ata qeshën, më përqafuan fort dhe ndjeva se nuk kishte gjë më të bukur se të isha pranë tyre çdo ditë.
Kjo afërsi e forcoi edhe më shumë marrëdhënien tonë, duke na bërë të pandashëm. Nuk kishte ditë që të mos takoheshim, që të mos ndanim një kafe së bashku apo një bisedë të ngrohtë. Çdo mëngjes, para se të fillonim ditën, uleshim dhe pinim kafen bashkë, duke biseduar për gjithçka, duke qeshur dhe duke ndarë mendime. Nuk ishte thjeshtë një rutinë, ishte një moment i shenjtë, një ritëm i ditës që na mbante të lidhur edhe më fort. Por ajo nuk mjaftohej vetëm me kaq. Vinte shpesh në shtëpinë time për të më ndihmuar me gjithcka që kisha nevojë. Ajo nuk e njihte fjalën “lodhje”, përkundrazi gjithmon kërkonte të bënte diçka për mua. Po ashtu, unë shkoja shpesh në shtëpinë e saj, duke e ndihmuar, duke kaluar kohë me të dhe duke u kujdesur që të mos i mungonte asgjë. Nuk kishte ditë që të mos ishim bashkë. Ato ishin vite të mbushura me dashuri, me kujdes të ndërsjelltë dhe me momente të bukura që do t’i ruaj në zemër përgjithmonë. Ky ishte një nga bekimet më të mëdha të jetës sime, të jem pran gjyshes dhe gjyshit tim, të ndaj çdo ditë me ta, dhe të shijoj lumturinë e thjeshtë të të pasurit pranë njerëzit që doja më shume në botë.
Dhe sigurisht, kujtimi më i çmuar dhe më i ndjerë për të ishte kur unë linda dhe u bëra nënë për here të parë. Për gjyshen, kjo ishte një nga gëzimet më të mëdha të jetës së saj. Ajo e priti me emocione të papërshkrueshme ardhjen e djalit tim në jetë. Që nga momenti i pare, ajo u bë jo vetëm stërgjyshe e përkushtuar, por edhe një strehë e sigurt për djalin tim. Çdo ditë që ajo kalonte me djalin tim ishte një dhuratë. Ajo e ushqente, e vinte në gjumë, i këndonte ninulla dhe e mbante në krahët e saj me gjithë dashurinë e botës. Ishte e mrekullueshme ta shihja se si për të, ky vogëlsh ishte një burim i pashtershëm lumturie dhe force. Në sytë e saj lexoja krenarinë dhe gëzimin sa here që shihte djalin tim duke qeshur apo duke hedhur hapat e tij të pare. Për të, ai ishte një dritë e re në familje, një arsye më shumë për të buzëqeshur dhe për të vazhduar përpara, edhe kur vitet po rëndonin mbi supet e saj. Ishte lumturia e saj më e madhe dhe kjo lidhje e tyre ishte një nga gjërat më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë. Kujdesi i saj për të ishte i pafund, dhe meraku i saj më i madh ishte gjithmon ai. Nuk kishte ditë që të mos më thoshte: “Aman, shiko djalin! Si është djali? Kujdes djalin!” Ishte gjthmonë me mëndjen tek ai. Djali dhe gjyshja krijuan një lidhje kaq të fortë. Unë shkoja çdo ditë tek shtëpia e tyre për të kaluar kohë me ta, dhe djalin e merrja gjithmonë me vete. Sa here që ngjiteshim shkallëve të pallatit, ai thërriste me dashuri: “Nëna Nexhi, Gjyshi Veti” dhe mezi priste ti shikonte. Ajo e priste gjithmonë me krahë hapur, me një buzëqeshje më të sinqert që mund të ekzistonte. Në sytë e saj shihja lumturinë absolute kur luante me të, kur e mbante në prehër dhe kur i tregonte përralla. Ai e donte aq shumë, sa kur e pyesja: “Kë do më shumë, nënën apo gjyshin?”, ai përgjigjejme sinqeritetin më të ëmbël: “Nënën…pak më shumë!” Ishte një dashuri e pastër, një lidhje e pakrahasueshme mes një fëmije dhe një stërgjysheje që i fali gjithçka nga vetja. Gjyshja nuk ishte vetëm një burim dashurie, por edhe një njeri duarartë. Unë kam kaq shum kujtime të bukura nga gjërat që ajo qepte dhe qëndiste me dorë për mua dhe për djalin tim. Trikot, paliçetat, kapuç dhe papuçet e leshit, të gjitha të punuara me përkujdesje dhe dashuri të pakufishme. Sa here që e shikoja duke punuar me dorë, duke thurur me aq përkushtim dhe duke zgjedhur me kujdes çdo fije peri, e dija që ajo nuk po qepte vetëm rroba, ajo po krijonte kujtime, po na linte një pjesë të shpirtit të saj.
Një nga momentet më të bukura dhe më të rëndësishme që mbyll kapitullin e kujtimeve tona të lumtura me gjyshen, është udhëtimi ynë i fundit së bashku. Ishte gushti i vitit 2024, dhe vendosëm të bënim një udhëtim familjar në Voskopojë, Korçë dhe Pogradec. Gjyshja kishte shumë dëshirë të shkonte në ato vënde, pasi kishin kaluar shumë vite të tëra që nga vizita e saj e fundit.Shkuam të gjithë së bashku, unë mami, djali, gjyshi dhe gjyshja. Ishte një udhëtim i veçantë, plot emocione dhe gëzim. Vizituam çdo vënd, ecëm në çdo rrugicë të atyre qyteteve të bukura, duke shijuar atmosferën e tyre të qetë dhe magjike. Nga mëngjesi deri në dark, gjithcka ishte e mbushur me momente të ngrohta familjare. Mëngjeset i kalonim në ato kafenetë tradicionale, ku gjyshja shijonte një filxhan kafeje me një buzëqeshje të qetë në fytyrë. Dreka e darka ishin plot me shije të veçanta dhe biseda të këndshme. Nuk munguan as fotografitë, bëmë pafund foto për të fiksuar çdo moment të atyre ditëve të mrekullueshme. Ishte një udhëtim që i dhuroi gjyshes shumë gëzim dhe që për ne mbeti si një kujtim i çmuar. Në ato dy ditë, ajo ishte plot energji dhe lumturi, duke shijuar çdo çast sikur të ishte një nga aventurat tona të dikurshme. Nuk e dinim atëherë se ky do të ishte udhëtimi ynë i fundit së bashku, por e di me siguri që ajo e shijoj me gjithë zemër. Dhe unë do ta ruaj atë kujtim gjithmonë si një nga më të bukurit e jetës sime.
Sot, mungesa e saj ndihet thellë në çdo detaj të jetës sime. Ende e ndjej praninë e saj në kujtime, në shijet e ushqimeve që më mësoi, në këshillat e saj të urta që më udhëheqin çdo dite. Do të doja të mund ta përqafoja edhe një herë, të kaloja edhe një ditë me të, të ndaja edhe një vakt të gatuar nga duart e saj të arta. Por ndonëse nuk është fizikisht, ajo do të jetojë gjithmonë në zemrën time, në çdo kujtim, moment lumturie që më ka dhuruar.
“Mëso, bëhu e zonja e vetes!”
Kjo ishte një nga këshillat e saj më të shpeshta. Ajo i jepte shumë rëndësi shkollimit dhe punës. Më tregonte për mundimet e saj, për sakrificat që kishte bërë për të pasur një jetë më të mirë dhe më thoshte gjithmonë: “Mos u mbështet tek askush, puno, lufto dhe fito me forcat e tua. Njeriu që di dhe punon, nuk ka frikë nga asgje.”
“Gjithmonë bëj të mirën!”- Gjyshja më mësoi se e mira nuk humbet kurrë, edhe kur nuk te kthehet menjëherë. Ajo ishte një grua që ndihmonte gjithkënd pa pritur asgjë në këmbim.”Zemra e mirë është pasuria më e madhe që mund të kesh në jetë,”më thoshte shpesh.
“Mos u anko, përballo gjithçka me forcë dhe buzëqeshje!”- Edhe kur ishte e sëmurë, edhe kur lodhja e viteve rëndonte mbi të, ajo nuk u ankua kurrë. “Jeta është sfidë, por ti nuk duhet të dorëzohesh. Përballoje me forcë dhe mos e humb kurrë buzëqeshjen,” më këshillonte gjithmonë.
“Familja është gjithcka!”- Ajo më mësoi se sado e madhe të jetë jeta, sado larg të shkosh, sado e suksesshme të bëhesh, familja është dhe do të mbetet gjithmonë streha më e ngrohtë. Ajo jetonte për familjen, për ne, dhe kjo ishte një nga mësimet më të çmuara që më dha.
“Jeto çdo moment dhe shijoje jetën!” - Ndonëse kishte kaluar shumë sfida, gjyshja dinte ta shijonte jetën. Ajo më mësoi të mos e harroj kurrë rëndësinë e momenteve të bukura, të mos e lë jetën të më kalojë pa e vlerësuar çdo ditë që më është dhuruar.
“Kujdesu për veten, mos e lër pas dore!”- Një këshillë që më përsëriste shpesh ishte që të kujdesesha për veten, për shëndetin, për paraqitjen dhe për mirëqënien time. “Gruaja duhet ta mbajë veten gjithmonë te pastër, të rregullt dhe të kujdesur, sepse nëse nuk kujdesesh për veten tënde, nuk mund të kujdesesh siç duhet për të tjerët,” më thoshte me dashuri.
“Je e zonja dhe e shkathët, si unë!”
Një nga gjërat që i pëlqente më së shumti tek unë ishte fakti që isha e zonja, e shkathët dhe e aftë për gjithçka. E gjithmonë më thoshte me krenari: “Për këtë më ke ngjarë mua!” Kjo më bënte të ndihesha mirë, sepse ajo ishte modeli im i forcës dhe përkushtimit.
“Duhet të mësosh të jesh më e qetë”- Një nga gjërat që ajo dëshironte që unë ta përmirësoja ishte mënyra se si reagoja në situata të ndryshme. E dinte që nxehem shpejt dhe shpesh tonaliteti im bëhej më i lartë seç duhej. “Me qetësi, me butësi dhe pak diplomaci, gjithmonë del e nderuar në çdo situatë,” më thoshte. Ajo kishte një mënyrë te veçantë për të komunikuar, e qetë, e urtë, dhe gjithmonë e zgjuar në fjalë. Donte që dhe unë ta mësoja këtë aftësi.
“Pastërtia dhe rregulli janë gjysma e punës!”-
Një punë e bërë me rregull dhe pastërti është gjysma e suksesit,” më thoshte, duke më mësuar çdo detaj për mirëmbajtjen e shtëpisë dhe gatimin e shijshëm.
Këto nuk ishin thjesht fjalë, por udhëzime për jetën, mësime që do të më shoqërojnë gjithmonë. Zëri i saj, këshillat e saj dhe shëmbulli saj do të mbeten të paharrueshme. Ajo jo vetëm më tregoi si të eci përpara, por më mësoi edhe si të jem një njeri i mirë, e drejtë dhe me vlera. Dhe për këtë, do t’i jem mirënjohëse gjithmonë.
Ti përgatitim fëmijët për jetën me vlerat më të mira familjare dhe shoqërore
Gjyshja ime ishte dhe do të mbetet gjithmon pjesë e pandashme e jetës sime. Çdo fjalë, çdo këshillë dhe çdo moment që ndamë bashkë janë të ngulitura thellë në zemrën time.
Mungesa e saj ndihet në çdo hap, por kujtimet e saj janë një ngushëllim i madh. Çdo herë që ndjej nevojën për të, e di që ajo është ende me mua – në zemrën time, në fjalët e saj të mençura dhe në dashurinë që na ka lënë pas.
Ky libër është për të, por edhe për ne – për të ruajtur kujtimet e saj të paharrueshme dhe për të kujtuar gjithmonë se sa me fat ishim që e kishim në jetën tonë. Ajo ishte dhe mbetet një dritë e pashuar që na ndriçon jetën.
Faleminderit, gjyshja ime, që ishe gjithçka për mua, për ne.
Kështu e mbyll librin autorja Rosela Jaku Kodra.
Ky libër i thjeshtë, i shkurtër , mbushur me ndjesi e kujtime reale është edhe një thirrje për kohën që jetojmë:”O njerëz, bota nuk është interneti dhe virtualiteti, bota është realiteti që jetojmë.”
Kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit është detyra njerëzore më e rëndësishme, është kambanë alarmi për shoqërinë e sotme.
Familja me të tre brezat e saj është baza e jetës.
Comments