top of page

Sakip Cami: Roli i ushtarakëve...


80 vjetori i clirimit

 

Roli i ushtarakëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare

 

Nga Sakip  Cami

 

Tabllo e LANÇ arrin deri aty sa lufta fragmentohet në familje, fise e emra të përveçshëm që dikur dhe kurrë asnjëherë nuk  kanë patur rol në këtë luftë, por njerëz me para, pushtet dhe me dije të mbrapshta dinë mirë të bëjnë një gjë, shtrembërimin e historisë.

Dhe ndodh që në sheshe qytetesh të vendosen figura të dyshimta historike dhe akoma më keq figura që kanë lyer duart me gjakun e shqiptarëve. Nën mburojën e luftës kundër komunistëve, të ashtuquajturit antikomunistë, por asnjëherë të vetme nacionalistë, të apasionuar pas karrikes së pushtetit dhe parasë së pamerituar kanë arritur që tu puthin dorë pushtuesve dhe të marrin detyra e ofiqe shtetërore të pamerituara.

A mund të quhen pushtetarë  proshqiptarë ata që lejuan dhe organizuan masakrën e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë? A duhet tu ngrihen buste njerëzve të tillë që vranë popullin e vet?

Disa arrijnë deri aty sa thonë se do të ishte mirë të mos ishim çliruar, të kishim ndenjur nën Itali apo Gjermani. Mediokriteti arrin deri aty sa që duke mos njohur ligjet e luftës dhe të paqes  pas luftës nuk e dinë se duke u rreshtuar me humbësit e një lufte, automatikisht ke humbur gjithçka, integritetin territorial, pasurinë kombëtare, dinjitetin kombëtar etj.

Lidershipi ushtarak i kësaj periudhe në kushtet e zhvillimeve të kohës paraqiti vlera të mëdha e të padiskutueshme organizative.

Nën drejtimin e tij Ushtria Antifashiste Nacionalçlirimtare kreu me qindra luftime dhe shumë operacione kundër pushtuesve në interes të çlirimit të vendit, ajo ishte ushtria më e suksesshme në historinë ushtarake shqiptare të pas vitit 1912.

Ky është  një fakt tjetër shumë domethënës që është shtrembëruar me qëllim të caktuar.

Është mohuar roli i ushtarakëve të përgatitur dhe të shkolluar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

Ata erdhën nga akademitë ushtarake të Italisë dhe të Austrisë ku studionin, për t’i dalë zot Shqipërisë, për ta çliruar vendin e tyre dhe askush deri më sot nuk e ka evidentuar rolin e tyre vendimtar në këtë luftë. Disa studiuan në Shkollën Ushtarake të Shqipërisë dhe me pushtimin fashist braktisën punën në ushtrinë e qeverisë  kuislinge dhe dolën në mal në rreshtat e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Një numër prej këtyre oficerësh, duke qenë atdhetarë në mendime dhe në shpirt, iu bashkuan Luftës Antifashiste, në krahun e alternativës nacionalçlirimtare, pikërisht formacioneve të UNÇ-së. Ata, duke qenë ushtarak profesionistë, shihnin dhe vlerësonin tek këto organizime ushtarake, mënyrat dhe formacionet e nevojshme, të vetme dhe efikase për të luftuar pushtuesit e huaj të Shqipërisë.

Këto motive lëvizëse kishin bërë që, qysh me krijimin e formacioneve të parë, të vogla, të nivelit taktik, siç qenë çetat apo batalionet sulmuese nacionaliste e më pas partizane, një numër jo i vogël, oficerë të tillë të bashkoheshin dhe shumë shpejt të viheshin në krye të tyre,  në komandim.

Komandant i Shtabit të Përgjithshëm ka qenë Spiro Moisiu, një ushtarak karriere me akademi ushtarake.

Festohet 17 nëntori i vitit 1944 si ditë e çlirimit të kryeqytetit shqiptar, Tiranës, por askush nuk e thotë se planin për çlirimin e Tiranës e hartoi komandanti i Korparmatës së Parë dhe zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm Dali Ndreu, një ushtarak  karriere, kuadër ushtarak  artilerie i përgatitur në Akadaminë Ushtarake të kohës së Zogut.

Tahir Kadare, zëvendëskomandant i Br. I Sulmuese, komandant i Brigadës VI S, Komandant i Divizionit II S, Komandant i Korparmatës II S, deri në zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm ishte një ushtarak karriere i përgatitur në shkollën ushtarake shqiptare.

Ushtarakët që drejtuan faktikisht operacionin e dimrit 1943-1944 dhe operacionin e qershorit 1944 si dhe betejat më të rëndësishme të luftës si lufta 20 ditore për çlirimin e Tiranës etj., ishin ushtarakë të mirëfilltë të përgatitur dhe patriotë deri në flijim për çështjen kombëtare. Ata janë të shumtë. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse luftën ku varej fati i mjërave shqiptarëve nuk mund ta drejtonin çobenët pa njohuri ushtarake, qofshin këta patriotët më të mëdhenj që mund të egzistojnë.

Këtë ushtarakë erdhën nga Italia pasi braktisën akademitë ushtarake dhe u rreshtuan në frontin e luftës duke marrë detyrat dhe përgjegjësitë, gradat ushtarake hap pas hapi, ushtarakë të tillë, që më vonë do të persekutoheshin nga regjimi komunist si Hamit Keçi, Skënder Malindi, Todi Naço, Kadri Hoxha etj.

Në Dibër kanë drejtuar luftime, ushtarakë të shquar dibranë si Dali Ndreu, Esat Ndreu, Gafur Korça, Ahmet Cami etj. Në njësi të tjera kanë shërbyer ushtarakët Siri Strazimiri, Mahmut Agolli, etj.

Unë, nuk do të mohoja kurrë rolin e familjeve të mëdha shqiptare patriote që vunë gjithçka në funksion të luftës, por ky rol do të minimizohej deri në zhdukje pa pjesëmarrjen dhe rolin e ushtarakëve drejtues.

Unë nuk do të mohoja kurrë edhe rolin e politikanëve dhe partive politike shqiptare gjatë luftës, por kurrë nuk do të pranoja mohimin që u bënë ata ushtarakëve që drejtuan konkretisht operacionet luftarake, mohim që shkoi deri në burgosjen dhe zhdukjen fizike të tyre.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page