Dy krisma në mesnatë
Një prurje interesante e Marenglen Rrapit në zhanrin e romanit policor
Nga Sakip Cami
Juristi, hetuesi, prokurori dhe avokati Marenglen Rrapi vjen para lexuesit shqiptar me :”Dy krisma në mesnatë” duke mospretenduar shkrimtarin dhe romancierin e letërsisë së të gjithve, por duke pretenduar të tërheqë vëmendjen e asaj pjese të lexuesit që adhuron letërsinë policore, dedektive, investigative dhe mbi të gjitha ku triumfon drejtësia mbi padrejtësinë.
Shkrimtari dhe studiuesi Shpendi Topollaj, shkruesi i parathënies së librit thekson se autori Marenglen Rrapi të ngjet me hetuesin belg Herkul Poiroti te libri “Zbulimi i një vrasjeje misterioze”.
Krimet kanë ngjyrë të zezë dhe kanë shoqëruar të gjitha rendet shoqërore.
Pavarësisht se ky libër e merr temën nga regjimi totalitar i para vitit 1990, shoqëria njerëzore duke qenë e pozicionuar kundër krimit, i cili e gërryen atë, është e interesuar për drejtësi, shtet ligjor dhe shtet të së drejtës, për sa më shumë prokurorë e gjyqtarë të ndershëm e të përgatitur, që e luftojnë krimin dhe kriminelët e çdo rangu.
Në aspektin profesional juridik dhe policesk ky libër është një manual tekniko-shkencor për çdo oficer të policisë gjyqësore. Autori i përshkuan me detaje ngjarjet dhe rradhën e hetimit që nga njoftimi për ngjarjen, përgatitja e grupit hetimor, udhëtimi, shkuarja me shpejtësi në vendin e ngjarjes, kqyerja e vendit të ngjarjes, fotografimi, ruajtja e vendit të ngjarjes, kthimi përsëri në të gdhirë te vendi i ngjarjres, rikqyerja meqenëse gjatë natës mund të kishte shpëtuar ndonjë provë siç ishte plumbi i ngulur në një dërrasë të gardhit të shtëpisë, pyetja e dëshmitarëve, pistat e mundëshme të kësaj vrasjeje në mesnatë etj.
Në aspektin social libri trajton fenomenin e hakmarrjes, vrasjeve për motive të dobëta, që megjithë presionin e regjimit komunist për pajtim, vrasësi e ruan në mëndje për 12 vjet me rradhë urrejtjen
ndaj personit që i ka prekur nderin dhe sapo gjen mundësinë për ta vrarë nuk heziton duke e përgatitur infrastrukturën dhe mënyrën e veprimit me përsosmëri.
Nga ana tjetër paraqitet përgatitja dhe përkushtimi maksimal i trupës gjyqsore dhe policore që hap pas hapi i shkojnë hetimit deri në fund, deri në vënien para drejtësisë të autorëve të krimit.
Të bie në sy bashkëpunimi institucional prokurori-polici që nga prokuror Besniku deri te Murati, punëtori i policisë së zonës, bashkëpunim që çon në suksesin e çështjes hetimore dhe ndëshkimin e fajtorëve. Një lexues i vëmendshëm e kupton se autori ka qenë pikërisht shefi i grupit hetimor.
Në libër del edhe forca e pushtetit të drejtësisë dhe lexuesi me intuitën e tij krahasuese e kupton ndërhyrjen e pushtetit politik dje dhe sot.
Para vitit 1990, ishin sekretarët e parë të partisë shtet që urdhëronin e miratonin arrestimet, tani indirekt me telefonata deri kërcënuese politikanët ndërhynë në sistemin gjyqsor e hetimor.
Ngjarjet që trajtohen në roman janë të vërteta, të ndodhura realisht.
Autori i qëndron besnikërisht edhe dialektit të të folmes gegnishte, pikërisht të asaj zone malore, në dialogjet gjatë seancave hetimore.
Letërsia e bazuar mbi ngjarje të vërteta është shumë tërheqëse, pa zbukurime e përshkrime të gjata, nuk e lodh lexuesin, ndonëse e mban të mbërthyer me orë të tëra. Kështu ndodh edhe me librin “Dy krisma në mesnatë” që është një arritje e autorit dhe e letërsisë investigative.
Comments