Xhemal Billa
Drejtuesi që e gdhendi emrin e tij në zemrat e njerëzve
Nuk besoj që të ketë njeri që ka jetuar e punuar në qytetin industrial të Laçit në vitet 70-80 që të mos e ketë njohur dhe vlerësuar Xhemal Billën, drejtorin e Kombinatit të Drurit dhe kryetarin e Bashkimeve Profesionale të qytetit.
Xhemal Billa u lind në fshatin Vilë të Kukësit, krahina e Lumës më 10 tetor 1937.
Ishte 7 vjeç kur dëgjonte krismat e armëve të luftës antifashiste, krisma e pamje që do ta rrisnin para kohe e do ta bënin një njeri me zemër të madhe.
Shkollën 7 vjeçare e kreu në fshatin e lindjes, shkollë që u hap fill pas mbarimit të luftës.
Këtu dhe në këtë kohë , në moshën 14 vjeçare, përfundojnë ëndrrat dhe kujtimet e vendlindjes për Xhemalin.
Ishin nandë fëmijë, varfëri e skajshme, resurse natyrore të pamjaftueshme për të jetuar, kushte këto që e detyruan Xhemalin së bashku me vëllain e madh Aliun të emigronin në kantjeret e ndëtimit të vendit, ku kishte punë me një pagë më të madhe se në fshat, barraka për t’u strehuar, krevatë dërrase marinari për të fjetur, mensë për të ngrënë e një radioartopolant për të dëgjuar lajme e muzikë.
Kantjeri i parë ishte Ndërmarrja Rruga-Ura e Burrelit ku qëndroi rreth 7 vjet së bashku me shërbimin ushtarak.
Në vitin 1958 së bashku me Aliun punësohen në fermën e sapokrijuar të Thumanës. Puna e tyre ishte për t’u admiruar. Fjalëpakë e punëtorë shembullorë që fituan besimin e drejtuesve të ndëtmarrjes.
Në vitin 1965 qendra e Ndërmarrjes Bujqësore transferohet në Mamurras. Në shtabin e kësaj ndërmarrjeje bën pjesë edhe Xhemal Billa, i cili drejtonte organizatën e Bashkimeve Profesionale dhe ishte shquar si masovik dhe drejtues i mirë prodhimi.
Me krijimin e qytetit industrial të Laçit, transferohet në Kombnatin e Drurit të këtij qyteti, ku kryen me përgjegjësi të lartë shumë detyra deri në atë të drejtorit.
Komunikimi i sinqertë dhe vëllazëror me vartësit e punonjësit ishte arma e suksesit të tij. Ai nuk dinte të bërtiste e të krekosej sepse e konsideronte vehten njërin prej tyre.
Krahas punës kryen edhe shkollën e mesme ekonomike pa shkëputje nga puna.
Kështu atij ju besuan shumë sektorë prodhimi për t’i drejtuar.
Si veprimtar dhe drejtues i mirë i organizatës së Bashkimeve Profesionale, organizatë që mbronte të drejtat e punëtorëve, Xhemali dërgohet edhe në Shkollën e Bashkimeve Profesionale në Durrës, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera.
Ishte i martuar me Shahije Billën (Zogun), teknike ndërtimi në profesion, por që shquhej si sportiste e trajnere e qitjes me ekipin e Kastriotit të Krujës, ekip që stërvitej në poligonin e Laçit.
Xhemali dhe Shahija patën dy fëmijë, një vajzë, Mimozën dhe një djalë, Ardin.
Ngarkesa e madhe në punë me orare të zgjatura, lodhja fizike, ushqimi orar e pa orar e dëmtuan pa masë shëndetin e tij.
Nga një infarkt në zemër ndahet nga jeta më 21 korrik 1988 në moshën 51 vjeçare.
Nuk mbeti njeri pa marrë pjesë në varrimin e tij për të shprehur respektin dhe mirënjohjen për njeriun e mirë Xhemal Billa. pjesë në varrimin e tij për të shprehur respektin dhe mirënjohjen për njeriun e mirë Xhemal Billa.
Comments