top of page

SAHITI që"mësoi" toskërisht...


SAHIT SAHITAJ

Përparim Hysi



E mbaj mend mirë. Ka qenë viti shkollor 1957-1958 dhe,ndërsa po vazhdoja vitin e tretë në shkollën pedagogjike"LUIGJ GURAKUQI" në Elbasan, befas u shtuan në klasë dhe tre kosovarë. Këta qenë arratisur,në rrugë e pa rrugë,dhe, pasi ishin " staxhionuar" paksa në qendrën X..., u vendosën në klasën tonë. Dhe veç klasës edhe në konvikt. Qenë më të rritur se sa ne dhe,veç moshës, tregonin dhe me trup goxha të mëdhenj. Dalloheshin për atë shqipen që flisnin dhe ne,ngaqë mosha jonë i priste drutë shkurt, mezi e mbanim të qeshurit:sidomos,kur duhet t'i përgjigjeshin ndonjë pyetjeje,të shtruar aty për aty nga profesorët tanë. Sado që trajtoheshin me interes të veçantë nga profesorët (ndoshta kishte ndonjë porosi nga lart,ku ta dish?), që të tre nuk para i përgjigjeshin,si duhej këtij interesimi. Por ne jo vetëm u mësuam me këto gjëra,por e justifikonim se ja "... vijnë nga KOSOVA dhe kanë mangësi,se çfarë shkolle bëhej atje,aq më tepër kur sundonte TITO".

* * * SAHITI e kish qejf letërsinë dhe jo vetëm lexonte,por qe i drejtpërdrejtë. Nga kjo anë,SAHITI qe i qashtër si fëmijë. Nuk dinte të fshihte gjë dhe muk priste për të treguar si"ç'ka barku, i tregon bardhaku",por copë ashtu siç e ndiente. Më kujtohet,veç tjerash, në një problem racionaleje që SAHITI i tha profesorit:- Bëj prognozën që nuk jam i aftë me e zgjidh këtë problem!!! Natyrshëm, nuk e mbajtëm të qeshurit, por SAHITI, kur thonë, i kishte shkuar"gurit për të cofur".Ose qe ngritur në dërrasë dhe,përsëri, në racionale. Ne po të gatshëm për ta"ndihmuar", po ku të linte SAHITI? - Si,thuaj,ti ore?- bërtiti. Nuk mbante më ujë pilafi. Eh,SAHIT! SAHIT DREJTËSIA!!!! Kurrë as SAHITI dhe asnjë prej atyre"kosovarëve" nuk u bë problem për ndonjë akt indisiplinimi apo për ndonjë shqetësim tjetër. SAHITI ishte gati 5-vjeç më i madh nga ne, të tjerët, por,si të gjithë, i urtë, i disiplinuar dhe, nga kjo anë,qe si nuse e bukur. Talentin në letërsi SAHITI e tregonte,sidomos, në hartimet. Profesori ynë aq i ditur ( kish përkthyer nga italishtja), i miri BESIM QORRI,e lexonte hartimin e SAHITIT para klasës. Dhe SAHITI,po ai. As krekosej dhe as mbahej me të madh. Qenë si qenë me mësimet,por që të tre,ata e morën maturën. SAHITIN e emëruan mësues në fshatrat e FIERIT nga jam dhe unë.Kishim ngrënë bukë bashkë dhe,ngaqë ishte jabanxhi,kur e takova,e mora në shtëpinë time në fshat. Sado mësues në të njëjtin rreth,qemë larg nga njëri- tjetri,pothuaj nja 50 km. Sado që takoheshim rrallë,gjenim ndonjë cep dhe veç tregonimi seç ndodhte me kolektivin ku punonim. Dhe kishte qyfyre shumë. Këto"qyfyre" më detyruan që të shkruaj për të.

* * * Në shkollën ku jepte mësim SAHITI,drejtor shkolle qe një bashkëshoku ynë i klasës. I klasës,po se po, por dhe në konvikt qemë në një dhomë. Jeta në konvikt të bën tip social dhe jo vetëm kaq, por shoku i dhomës të bëhet gati vëlla. Por ja që nuk ndodhi kështu me SAHITIN dhe drejtorin e tij. Drejtori qe bërë komunist dhe,ngaqë kish pirë"drogën e partisë" tek SAHITI,këtë të"arratisurin nga KOSOVA" shikonte "armikun në pontencë" dhe ia ktheu punën ish-shokut në terror e stres. SAHITI, sado i durueshëm, një ditë prej ditësh shpërtheu. Jo vetëm shpërtheu, por ashtu qashtër,pa iu dridhur qerpiku, në mes kolektivit dhe, kur sapo kish mbaruar viti shkollor dhe do ndaheshin se fillonin pushimet e verës, deklaroi:- Drejtor,- foli SAHITI,-"këshiilat e tua për të mësuar toskërisht", i vura vath në vesh! Kolektivi u bë sy e veshë dhe drejtori:- Pa,hë ta dëgjojmë atë toskërishten tënde!

- Të tëmë mu në vërë,drejtor!- buçiti SAHITI. Dhe,ndërsa kolektivi gajasi,drejtori u skuq sikur ta kishe vënë mbi prush.


Epilog SAHITI u rikthye në KOSOVË dhe,nëpër titrat e televizionit,xhëku lakohej si teknik zëri në Televizionin e Prishtinës. Por lidhjet,mes nesh,qenë këputur. Jam befasuar kur në iboksin tim,SAHIT SAHITI më njoftonte se do vnte në TIRANË dhe e lamë që të takoheshim tek "Taivani". 60-vjet kishim pa u parë dhe,si do "rinjiheshim" me njëri-tjetrin?SHkova tek "Taivani" dhe i mora "flokëtbiondë" me radhë:- Më falni, mos jinl SAHIT SAHITAJ nga Prishtina? I matja "drutë" me kohën"kur SAHITI mësoi toskërisht" dhe atëherë ish me flokët biondë. Ai që të kërkon, të gjen,- thonë në Elbasan.E gjeta, po a e dini si qe? Me kokën zero, të rruar me brisk dhe i moshuar (tani është 83-vjeç a më shumë).Kish një "republikë me fëmijë"( më duket 9 fëmijë ) dhe kish ardhur se një nga djemtë atë ditë mbronte disteracionin pranë Universitetit në TIRANË. Veç pimë nga një kafe,se e kish kohën të kufizuar dhe,për ta bërë pak më të gjatë takimin me të,shkrova veç një pasazh nga jeta e tij.I uroj të bëhet 100-vjeç dhe"toskërisht" po i them:-Qoftë i bardhë viti 2021,or miku im zëmërbardhë dhe fisnik!


Tiranë, 5 janar 2021

40 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page