top of page

“Saga…” e Shefqet Mekos si një hymn për lirinë dhe dinjitetin njerëzor


Arben Çejku: “Saga…” e Shefqet Mekos si një hymn për lirinë dhe dinjitetin njerëzor


Pak kohë më parë lexova dorëshkrimin e romanit, “Saga përtej Atlantikut” të shkrimtarit Shefqet Meko. Libri tani sapo ka dalë në qarkullim dhe, për koinçidencë, bashkë me të, rrugëve të atdheut po qarkullon edhe vetë autori, i sapoardhur nga SHBA pas 10 vitesh mungesë! Duket sikur Xhelo Lakrori, personazhi kryesor i romanit e “bindi” Shefqetin që të vijë në Tiranë. Apo Shefqeti e solli Xhelon si “pararojën” e vizitës së tij? Nuk ka më bukur se kur autori dhe personazhi kryesor i romanit “shoqërojnë” njëri-tjetrin kudo ku hyjnë e dalin. Miqtë dhe shokët e dikurshëm i gëzohen një takimi apo kafeje me Shefqetin, po aq sa bëhen kureshtarë të njohin sa më parë edhe “krijesën” e tij më të re, Xhelo Lakrorin dhe sagën e tij shqiptaro – amerikane. Në fund të fundit, Shefqeti do të rikthehet në Amerikë, kurse Xhelo Lakrori do të mbetet këtu mes nesh si një mesazh dhe amanet nga shkrimtari. (Autorët shkojnë e vijnë – veprat mbesin!). Shefqeti, si shumë emigrantë të tjerë, mes përditshmëisë së tyre në vendet ku jetojnë dhe atdheut që u mungon, me sytë e mendjes dhe të zemrës, çdo ditë ndërtojnë nga një urë që i mban gjallë. Secili në mënyrën e tij! Ata që bëjnë libra, siç bën Meko, e bëjnë urën më të fortë, më të dukshme dhe më të përjetshme. Romani “Saga përtej Atlantikut” si dhe përmbledhja me tregime “I tillë jam”, janë dy vepra shumë të rëndësishme letrare, të cilat e tejkalojnë gjeografinë shpirtërore të autorit të tyre, duke u shndërruar në vlera të artit tonë kombëtar.

Të dyja këto vepra, janë përgatitur dhe botuar nën përkujdesjen e jashtëzakonshme të një miku e shkrimtari të talentuar, zotit Ahmet Prençi. Përmbledhja me tregime “I tillë jam”, më erdhi në dorë pak para se ajo të mbrrinte në SHBA tek autori. Shumica e tregimeve ishin ribotim i publikimeve të bëra në vitet ’80 të shekullit të kaluar dhe, përveç vlerës artistike, ato më sillnin para syve histori, ngjarje, personazhe, përjetime, meditime dhe realitete të një kohe të kaluar, pjesë e së cilës, në një mënyrë ose tjetër kam qenë edhe unë.


Shefqetin e kam njohur si koleg gazetar pas viteve ’90 dhe më bëri përshtypje stili lakonik dhe gdhendja mjeshtrore e personazheve në tregimet e tij të shkurtra. Pasi kam mbaruar së lexuari tregimet e tij, mësova se ai nuk kishte provuar prozën e gjatë, me përjashtim të ndonjë sprove të lënë përgjysmë. Tashmë Shefqeti kishte rënë në “gjumë letrar” dhe prej më shumë se 20 vitesh ai nuk kishte shkruar dhe botuar asgjë. Përmbledhja me tregime e botuar me nxitjen dhe përkujdesjen e zotit Prençi, më shumë dukej si epilogu i një karriere letrare të lënë në mes, sesa prologu i një fillimi të ri letrar. Por ata që janë shkrimtarë, ata që e kanë talentin brenda vetes, kurrë nuk e dinë se kur do të “vdesin” artistikisht! Shefqet Meko, me romanin e tij të ri, tregoi se talenti nuk vdes kurrë, se ai ringrihet si Sfinksi! Nxitja miqësore dhe inkurajimi që ka patur nga Ahmeti janë njëra anë e medaljes, ndërsa vullkani i një talenti të mbushur plot me dije dhe eksperienca të jashtëzakonshme personale, janë ana tjetër e saj. Të dyja së bashku “ringjallën” Shefqetin si shkrimtar, siç thotë edhe ai vetë këto ditë.

Ashtu si 20 vite më parë, kur i “hyri në këmbë” detit të emigracionit dhe i arriti qëllimet e tij personale e familjare, edhe tani, kur i “hyri në këmbë” detit të prozës së gjatë, Shefqeti ja doli me sukses të shkruajë një roman me vlera. Kjo, pikë së pari tregon fuqinë e një karakteri fisnik dhe mençurinë e një intelektuali mendjehapur, i cili përvojat e tij jetësore, i kthen në dritë shprese për të tjerët që vijnë pas tij. I bindur se “Saga përtej Atlantikut”, është një histori ku mund të gjejnë veten mijëra emigrantë shqiptaro-amerikanë, Shefqeti kujdeset që nëpërmjet krijimit të tij letrar, të konvergojë fatet e shumë e shumë njerëzve, por mbi të gjitha të nxjerrë në pah mesazhet e duhura për sot e për nesër. Ndaj mund të them se, “Saga…” është një vepër letrare gjithëpërfshirëse, të cilën do të kishte dëshirë ta shkruante çdo emigrant, që lufton përditë për ardhmërinë e tij, duke mbajtur këmbët gjithnjë në tabanin e historisë dhe vlerave të kombit nga vjen.

Historia e Xhelo Lakrorit, mund të duket si monografi personale e autorit. Ky është kurthi ku mund të bjerë një lexues sipërfaqësor; e vërteta është se personazhi kryesor e tejkalon disa herë atë që mund të konsiderohet si “autobiografia” e Shefqet Mekos. Në profilin e Xhelos, secili e gjen veten nga pak, sepse ai është simboli i qytetarit të lirë amerikan, i cili ende nuk është shkëputur plotësisht nga vargonjtë e një bote tjetër. Ai është simboli i qytetarit që zbaton ligjin, por që mentaliteti i tij ende bunkerizohet nga tentakulat e mentalitetit të së kaluarës.

Në qendër të romanit, pra, është Xhelo Lakrori, shqiptaro – amerikani, që punon për të ardhmen e tij amerikane, pa u shkëputur plotësisht nga reminishencat, formimi dhe sjellja e tij si “njeri i ri” së kaluarës socialiste. Edhe pse nuk është çliruar plotësisht nga e kaluara e tij, ajo gjithësesi, nuk e pengon dot atë që të ecë përpara. Xhelo i realizon objektivat e veta, sepse e ndihmon sistemi ne vendin ku jeton. Hija e së kaluarës thjeshtë i tërheq vëmendjen, mendimet, i merr kohë në ripërtypje ngjarjesh e fenomenesh, e cyt që të paralelizojë momente të së përditshmes, por nuk ka fuqinë e stërkëmbshit për ta penguar. Xhelo ka forcë për të tejkaluar jo vetëm të kaluarën, por edhe vetveten. Ai ka kuptuar vlerat e vetes falë lirisë që gëzon në vendin ku jeton! Ai në këtë vepër himnizon lirinë individuale! Sipas autorit, kjo është baza fundamentale e dinjitetit njerëzor. Pa lirinë individuale të garantuar dhe funksikonale, çdo gjë tjetër është fallsitet dhe tallje.


Në këtë roman, duket sikur Xhelo Lakrori pëson disa metamorfoza (siç edhe është ilustruar në kopertinën e romanit me një nga punimet e mia) të vullnetshme dhe të pavullnetshme. Këto “metamorfoza”, në fakt janë imazhe të një përqasjeje të Xhelos me botën që e rrethon dhe në çdo hap që bën ai për “akomodim”, ndodh që transformohet në mënyrë të pavullnetshme. Në fund të romanit kuptojmë se Xhelo, është letra e lakmuesit, që tregon me besnikëri një realitet amerkian, që nuk është vetëm bardh ose vetëm zi, por një realitet që ka të gjitha ngjyrat e veta dhe që ndryshon çdo ditë bashkë me njerëzit që jetojnë aty. Liria individuale, shenjtëria e pronës, barazia para ligjit, respekti për kombet dhe kulturat e ndryshme, sipërmarrja, shancet e barabarta, përfaqësimi dhe vota e lirë etj, janë përparësi të Amerikës, por Xhelo na thotë se këto vlera mund të rrezikohen nga individë dhe grupe individësh, të cilët vënë në qendër të veprimtarisë së tyre interesat personale, duke dëmtuar karakterin dhe moralin. I tillë është, p.sh, një nga personazhet e rëndësishme të romanit, Miç Miller, një milioner që ja ka me hile jo vetëm Xhelos por edhe shtetit të tij. Në sytë e Xhelo Lakrorit, ai ngjan gjithnjë e më shumë me një nga ato drejtuesit e firmave piramidale në Shqipërinë e vitit 1997, që u bënë gjëmën mijëra qytetarëve të pafajshëm. Piramida që ngre Miç, sigurisht që është më e stërholluar, por në thelb ajo sjell të njëjtat pasoja.

Në këtë libër, Meko rithekson se për lirinë, dinjitetin dhe pronën punohet çdo ditë dhe se njeriu duhet të jetë vigjilentë kurdoherë për të ruajtur atë që ka më të shtrenjta; jetën, lirinë, pronën, familjen.

Në kohët kur shoqëria jonë vazhdon të jetë tejet e politizuar, shkrimtari Shefqet Meko, me shembullin e Xhelo Lakrorit, sjell një mesazh të thjeshtë e të dobishëm; ta duam politikën, ta kuptojmë politikën, por të mos politizohemi deri në thua, aq sa të harrojmë detyrat tona bazë, aq sa të harrojmë vetë familjet tona! Edhe Xhelo Lakrori ra viktimë e politizimit të tij në një moment të caktuar, kur nuk kuptoi rolin dhe vendin që ai realisht zinte në shoqëri.

Duke mos zbuluar para lexuesit shumë surpriza dhe elementë të tjerë që e bëjnë këtë roman unik në përmbajtjen dhe stilin e tij, dua të shënoj këtu se “Saga përtej Atlantikut”, vjen gjithashtu si një risi letrare për kohën tonë.

Ky roman, së bashku me “Metamorfoza e një Kryeqyteti” të Ylljet Aliçkës, “Dëmtuar gjatë rrugës” të Besnik Mustafajt dhe ndonjë tjetër, pasuron fondin e prozës moderne të shkruar në stilin e satirës dhe sarkazmës. Duhet shumë eksperiencë letrare dhe një mprehje shumë e hollë e lapsit krijues për të shkruar vepra të tilla, ku satirizmi mban gjallë frymën dhe ritmin e romanit. Besoj se Meko e ka kaluar këtë sprovë me sukses dhe ai duhet të vazhdojë në këtë lëmi për ta përsosur më tej këtë stil të veçantë krijues. Edhe pse ky është romani i parë i botuar i Shefqet Mekos, niveli i tij tregon për një pjekuri të lartë artistike të autorit. Unë e inkurajoj shkrimtarin Shefqet Meko që, pavarësisht angazhimeve të përditshme të jetës amerikane, të vijojë krijimtarinë e tij letrare që të sjellë para lexuesit sa më parë romanin e radhës. Nëse miku i tij, shkrimtari dhe poeti i talentuarAhmet Prençi, e shkundi dhe e motivoi për të shkruar këtë roman, vetë “Saga përtej Atlantikut”, tani është më shumë se motivim, për të mos e ndërprerë krijimtarinë. Rikthimi në Tiranë pas 10 vitesh i Shefqet Mekos, ngjason me rikthimin e tij në fushën e letërsisë pas 20 vitesh! Në rastin e Shefqetit, rikthimi shpirtëror (ardhja në atdhe) dhe letrarë (romani) kanë ushqyer njëri – tjetrin!


76 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page