Duke lexuar librin historiko-biografik të bashkëautorëve Dr.Saimir Shatku dhe Qatip Mara
Nga Halil Rama
“Mjeshtër i madh”
Plejadës së burrave të shquar që bënë emër në historinë e kryeqytetit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të kaluar i përkasin edhe patriotët nga Dibra e Madhe: Izet Shatku-Dibra (ish prefekt i Tiranës 1927-1928), Faik Shtaku, ish Ministër i Drejtësisë në qeverinë e fundit mbretërore të kryesuar nga Koço Kotta, Shefki Shatku, ish komnandat i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Mbretërore nga tetori 1931, si dhe disa emra të shquar të këtij fisi emërndritur.
Pikërisht, për kontributin e këtyre burrave të shquar, bashkëautorët Dr.Saimir Shatku dhe Qatip Mara, pas një punë të mirëfilltë studimore dhe mbi burime arkivore shumë bindëse shkruan dhe botuan librin historiko-biografik “Atdhetarët Shatku”.
Procesi i hartimit, përgatitjes, sistemit dhe botimit të një libri, nuk është një punë e lehtë dhe aq më tepër e kuptueshme për këdo, por në këtë libër, katalizatori kryesor u bë rëndësia ndihmëse dhe historike e vlerave dhe figurave kombëtare, në krijimin, zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit Shqiptar dhe institucioneve tona.
Konkretisht, libri është i ndarë në pesë kapituj, tema dhe nënkapituj, i paisur me një bibliografi të pasur botimesh të cilat fillojnë nga periodikët e kohës, antikuarët dhe revistat e viteve 1919-1944; Dokumente arkivor nga fondi i arkivit të shtetit me nr. 803, 804 dhe nga fondi jetëshkrimor i disa personaliteteve në këtë botim, si dhe qindra e mijëra dokumente të tjera shteruese e bibliografike retrosprektive të kohës, janë një burim i rëndësishëm për këtë libër.
BURIME TË FONDIT ARKIVOR E ATIJ FAMILJAR
I një rëndësie të veçantë është përdorimi gjithashtu si pjesë e studimit, materiale dhe dorëshkrimet e fondit të arkivit familjar si dhe ditaret e tyre.
Një kontribut të veçantë në lidhje me pasurimin e informacionit në botim, kanë dhe fondet e fotografive nga fonoteka Marubi, Shkodër, arkivi fotografik, Insituti Lucce, Romë, foto-studio Ristani, Tiranë, foto Dajti si dhe foto Sport.
Periudha e studimit mbi trungun genetik të familjes Shatku, fillon që me datimin e tyre në qytetin e Dibrës së madhe në vitin 1671, pra para 350 vitesh, si pjesë e sanxhakut të Manastirit e duke përfshire rrugëtimin historik të rrjedhës së kohës, dhe depërtimin e tyre në Tiranë pas eksodit masiv të shtatorit të 1913.
Në libër përshkruhet me vlerësime dhe mirënjohje roli dhe kontributi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Zyber Hallulli, i cili sëbashku me familjet e tjera të pasura të Tiranës si, Bargjini, Kërçiku, Vorpsi, Karapici, Bakalli, Fagu, dolën dhe pritën kolonat e para të eksodit masiv të genocidit sllavo-serb të 1913.
Më pas, në libër, bëhet një detajim më i gjerë i fëmijërisë, arsimimit, edukimit kulturor e shoqëror, studimeve shkencor dhe deri në funksionet dhe detyrat politiko-juridike, të disa prej figurave më eminete të kësaj familje.
Pjesë e rëndësishme e librit, janë veprimtaritë dhe kompetencat që ato kanë ushtruar nga periudha e viteve 1916 deri më 1939, si guvernator rajoni në, Çall, Allasonjë, Manastir e Gramsh, prefekt i disa qyteteve, si Durrës, Berat, Elbasan, Tiranë, Deputet i Dibrës, Tiranës dhe Elbasanit, Ministër i Punëve Botore, i Ekonomisë Kombëtare, si dhe Drejtor i Përgjithshëm i Reformës Agrare dhe Zyrës së Emigracionit, Ministër i Arsmit Kombëtar dhe i Drejtësisë dhe Komandat i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, ndërsa periudha më me trysni e kohës, ishte ajo e dëbimit dhe urbanizimit të tyre, pas vitit 1947.
LIBËR QË PASURON LETËRSINË TONË DOKUMENTARE
Padyshim që botimi i këtij libri që pasuron dukshëm letërsinë tonë dokumentare është meritë e shtëpisë botuese “M&B me administraor z. Bujar Karoshi. Gjithsessi në promovimin që u bë këtij libri në sallën e madhe të Presidentit të Republikës në kuadrin e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet, autori Saimir Shatku vlerësoi rolin e redakorit shkencor z. Remzi Zeqja, dhe redaktorin letrar znj. Lumturi Prizreni, recezentin e librit, z.Tofik Jegeni, si dhe z.Gazmend Bakiu për parathënien e librit dhe pasthënësin e tij z. Bujar Kapexhiu.
Falenderim dhe mirënjohje shkon gjithashtu për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit, bibliotekën Kombëtare, Insitutin e Historisë, Insitutin e Monumenteve të kulturës, fonotekën Marubi, si dhe arkivin historik të insitutit Lucce, Romë për fotografitë e tyre.
NGAZËLLIM DHE NGUTJE E BRENDSHME PËR TË HEDHUR
DRITË MBI AKTIVITETIN PATRIOTIK TE PERSONALITETEVE TË TILLA
Duke lexuar këtë libër, përjetimet janë të shumta dhe historia e dyerve dhe fiseve më në zë, që e kanë mbartur atdheun si një peng dashurie të përjetshme, në udhëkryqe kohësh dhe epokash, duket se konvergon në një pikë: në shpirtin e sakrificës, që i ka udhëhequr dhe motivuar në shekuj këto familje të mëdha fisnikësh, për të bërë shumë më tepër se detyra ndaj familjarëve, derës, fisit, farefisit dhe trevës së tyre. Duke u bërë modele të sjelljes atdhetare e dinjitozë të kohës që i lindi dhe i ushqeu me pasionin e etshëm të Lirisë... Madje siç shkruan Gazmend Bakiu “Mjeshtër i Madh” në parathëmine “…kur merr në dorë një libër si ky, që autorët Dr. Saimir Shatku dhe Qatip Mara po i japin lexuesit, ndjen një ngazëllim të brendshëm dhe një ngutje të brendshme e të beftë, për të hedhur diçka në letër.
Impresioni i parë, kur kthen faqen e fundit të librit, është ballafaqimi me njohuritë tona, për kohën kur bëhet fjalë në këtë histori dhe përtej kësaj, fakti kokëfortë se sa të vërteta kanë mbetur në hije për dyert dhe familjet më fisnike të kombit, në një kohë të pakohë”..
Libri “Atdhetarët Shatku” i autorëve, Saimir Shatku dhe historianit Qatip Mara, një libër i shkruar me përgjegjësi krijuese dhe realizëm, për njërën nga familjet më me kontribut në historinë e Dibrës së Madhe.
Libri paraqet një sagë të lavdishme përpjekjesh dhe sfidash atdhetare, të burrave më në zë të fisit Shatku, që në përballje me vetveten, për të tejkaluar unin e tyre dhe rrethin e interesave të ngushta, ngrihen në lartësinë e vizioneve kombëtare. Bëhen pjesë e udhës së vështirë, plot kthesa të rrezikshme dhe honesh, ku është vërtitur koha e shqiptarëve, në një nga periudhat më dramatike të historisë sonë, kur kërcënoheshim nga lakmia shovene, nga njëra anë, dhe nga dritëshkurtësia e orekseve të kolltukofagëve, nga ana tjetër.
Evidentimi i vlerave morale, njerëzore, diturore të pinjollëve të derës Shatku, Izet Shatkut, Faik Shatkut, Shefki Shatkut etj, nxjerrja në pah e qëndresës së tyre përballë lakmisë, dredhisë dhe korrupsionit administrativ, që edhe atëherë, si dhe sot, ka qenë më se i pranishëm në jetën politike dhe administrative shqiptare, jepet nga autorët me një kolorit të gjerë dhe të detajar ngjyrash emocionale.
Ky libër është një ftesë për të reflektuar mbi ndalesat dhe vakumet historike. Për të parë përtej fasadave të servirura nga kohë dhe shoqëri të devijuara qëllimshëm në udhëkryqe epokash të trishta, siç ishte epoka ku ne kaluam në gjysmëshekullin absurd.
תגובות