Shkruan Viron Kona
Biri i Sërmnovës, nderi i Gostivarit, mbi 50 vjet në “luftë” me penë për çështjen kombëtare
Sapo ka dalë nga shtypi libri “Mallëngjime mërgimtare” (Ese dhe poezi) shkruar nga poeti dhe leksikografi i mirënjohur Sadulla Zendeli - Daja. Libri përmban një krijimtari të pasur dhe cilësore, në prozë e poezi, por dhe ide, mendime dhe ndjenja atdhetare të poetit, leksikografit dhe atdhetarit të shquar nga Gostivari, i cili prej mëse 50 vjetësh jeton në Suedi.
Ndonëse lexuesi është i njohur me emrin dhe veprën e z. Zendeli, nëpërmjet këtij artikulli po e rikujtojmë edhe një herë veprën e tij të shquara në dobi të gjuhës shqipe dhe mësimit të saj, artit dhe kulturës, por veçanërisht personalitetit të tij si një leksikograf i shquar, autor i më shumë se 5 fjalorëve shqip - suedisht dhe suedisht - shqip, por dhe i veprave të larmishme poetike dhe në prozë, ku shfaqet një mendje e artë e mbushur plot e përplotë me dashuri për kulturën, gjuhën shqipe, traditat dhe artin, për atdheun, vendlindjen e tij Gostivarin dhe të gjitha trojet shqiptare.
Bashkëkombësit e duan shumë
Sadulla Zendeli - Daja ka lindur në Sërmnovë të Gostivarit më 3 qershor 1935. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në Vrapçisht të Gostivarit. Gjimnazin (dega e ekonomisë) e filloi në Gostivar dhe e vazhdoi në Strumicë - shkollë, profesionale për drejtor kooperative. Kreu, gjithashtu, edhe shkollën politike njëvjeçare në Shkup. Në vendlindje ka punuar drejtor kooperative dhe llogaritar financier në Sipërmarrjen e Hekurudhës, Shkup, dega në Gostivar. Si intelektual me ide përparimtare, Daja që herrët nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvënë në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm komunist në ish Jugosllavi. Aktiviteti i tij u bë halë në sy të regjimit të asaj periudhe famëkeqe rankoviçiane, i cili nisi ta përndjekë këtë atdhetar të shquar.
Më 28 nëntor 1966 Sadulla Zendeli-Daja u detyrua të mërgojë në Suedi. Aty, ai gjeti besimin tek ëndrra e tij për arsim e kulturë, mbështetjen për lirinë e shumëkërkuar të bashkëkombësve të tij shqiptarë. Fillimisht kreu kursin paraprak të gjuhës suedeze e, në vazhdim, arriti të diplomohej për shkencat filozofike në Universitetin e Upsallës, njëri ndër universitetet e njohura të botës. Studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes, dega e Albanologjisë, duke pasur shef të katedrës albanologjike profesorin e shquar Thoma Kaçorri. Më pas kreu shkollën e lartë të bibliotekave në qytetin Borås dhe punoi shef i bibliotekave të shkollave në qytetin Nybro të Suedisë. Gjatë asaj periudhe u angazhua për hapjen e shkollës shqipe dhe, që nga 5 marsi i vitit 1975 nisi të punojë arsimtar i gjuhës shqipe në qytetin Nybro.
S.Z. Daja do të ishte ndër të parët mësues të gjuhës amtare në Skandinavi, në këtë vend me liri dhe demokraci si rrallë tjetër vend në botë. Ndoqi rrugën e mësuesisë, duke pasur si lajtmotiv në radhë të parë arsimimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të ardhur në Suedi për mbijetesë dhe për një jetë më të mirë. Daja hapi shkollën e parë shqipe edhe në qytetet suedeze Emmaboda, fillimisht me 5 nxënës dhe në Kalmar me 10 nxënës. Në Nybro, përveç shkollës shqipe, me bashkatdhetarët, formuan shoqatën e parë shqiptare me emrin “Ilirida”. Kuptimplotë është fakti se në ishullin Ëland, ku Daja banon, ka hapur restorantin me emrin “Shqiponja”, në ballë të të cilit janë vendosur dukshëm dy flamuj: njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës. Shqiponja u qëndron të dyve mbi krye, shqiponja e lirisë.
Me veprimtarinë e gjerë atdhetare dhe krijuese Sadulla Zendeli-Daja ka fituar respektin e mërgimtarëve shqiptarë në gadishullin skandinav. Ai nderohet dhe respektohet prej tyre për mbështetjen dhe ndihmën e madhe vëllazërore e të pakursyer. Gojëtaria e tij e mençur dhe e zjarrtë duartrokitet në tubime të mërgimtarëve shqiptarë dhe mirëpritësve suedezë, teksa vendlindja e ka vlerësuar me rastin e 80 vjetorit të lindjes me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Gostivarit. Është realiste në vlerësimin e saj poetik për S. Z. Dajën, poetja e njohur shqiptare në Suedi, Zyrafete Manaj, e cila shkruan: “Paqja fle në fjalët e tij. Daja është zemra e atdheut dhe djepi i Iliridës së lashtë që për besë, bashkëkombësit e duan shumë.”
Fjalorë dhe vepra letrare e publicistike
Sadulla Zendeli-Daja ka një krijimtari të pasur leksikografike, publicistike, letrare dhe artistike, ku spikat puna e madhe këmbëngulëse për hartimin e fjalorëve shqip - suedisht dhe suedisht - shqip. Nga kjo krijimtari e gjerë, përmendim: Fjalori i parë suedisht-shqip,17000 fjalë (Suedi, 1994), Fjalori i dytë suedisht-shqip, 28.500 fjalë (Suedi 2004), Përkthimi i Fjalorit për fëmijë katërgjuhësh shqip-anglisht-italisht-suedisht nga autorja Meri Toçi (versioni shqip-suedisht nga Sdulla Zendeli-Daja) “Toena”, Tiranë, 2011, Gramatika e gjuhës shqipe për klasën e parë deri në klasën e nëntë, Fletore pune: Gjuha jonë (që nga parashkollorët deri në klasën e tretë), “Toena”, Tiranë 1999, Përkthim në gjuhën suedeze i librit për fëmijë “Skënderbeu” të autorit Fatmir Toçi.
Në vitin 2014, Sadulla Zendeli- Daja botoi Fjalorin shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, vepër madhore për shkollën dhe bibliotekën, Botimet “Toena”, Tiranë, 2014. Ky fjalor, është përuruar në Panairin e librit 2014, në Tiranë, në Gostivar, në qytetet Nybro dhe Malmë të Suedisë etj. Fjalori i pestë, suedisht-shqip me 10.000 fjalë, është i pari i këtij lloji, që u jepet në dorë nxënësve të shkollës 9-vjeçare dhe të mesme, që të mësojnë në këtë gjuhë. Ky fjalor është botuar në Shqipëri nga Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë, 2018.
S. Z. Daja ka botuar gjithashtu librat: “Ditari i dhimbjeve”, Botimet “Toena”, Tiranë 2011, “Ditari i kujtimeve të paharruara”, Botimet “Toena”, Tiranë 2013 dhe Amanda Edit, Bukuresht 2013, “Moj e dashura Arbëri!”, Botimet “Toena”, Tiranë, 2014, “Gostivari në zemrën time”, Botimet “Toena”, Tiranë 2014, ”Rizgjimi i Arbërisë”, Botimet “Toena”, Tiranë, 2015, “Kur kam atdheun, kam gjithçka”, Botimet “Toena”, Tiranë 2016, “Dëgjoni zemrën time”, Botimet “Toena”, Tiranë 2017, “Shekulli i pajtimit”, Botimet “Toena”, Tiranë, 2018, “Mallëngjime mërgimtare”, Botimet “West print”, Tiranë, 2020 etj. Ndër shkrimet publicistike të botuara veçojmë: Katalogu i librave në gjuhën shqipe dhe gjuhëve tjera ballkanike në bibliotekat suedeze (nga viti 1948 deri më 1973), publikim intern Nr. 142 (Shkolla e Lartë Bibliotekare në Borås); Punimi me titull: “Historia e shqiptarëve nga viti 600 p. e. deri më 1973”, (publikim intern në bibliotekën e shkollës Åkrahäll Nybro 1975), ku spikatin: “Vjeshta e përgjakur”, “Gurra e Shën Milit”, “Drejt Gostivarit”, “Tmerri i Vardarit”, “Ditë mortore për shqiptarët”, etj. Shumica e këtyre shkrimeve janë botuar edhe në revistën “Besa”, ku Sadulla Zendeli-Daja ishte njëri prej redaktorëve të saj.
Tempulli i dritës i Sadulla Zendeli-Dajës
Jeta dhe veprimtaria e Sadulla Zendelit-Dajës është plot ndodhi mbresëlënëse, të cilat kur i lexon apo i dëgjon, të mbeten aq thellë në kujtesë, saqë edhe të duash nuk i harron dot. Daja vendosi të jetonte në ishullin Ëland në detin Baltik. Një ishull i mrekullueshëm, ku të çon një ndër urat më të gjata në Evropë. E, pikërisht në këtë ishull, ku edhe mbreti i Suedisë ka rezidencën e tij verore, ku ndodhet një kështjellë madhështore e kohëve të vjetra, ku ngrihet monumenti simbol i Birgitës, në këtë ishull të Veriut të largët, Daja ngriti shtëpinë dhe “tempullin” e tij.
Studioja e këtij tempulli, prodhon pareshtur literaturë shkencore dhe leksikografike, letrare dhe publicistike. Ai është një tempull i dijes dhe i kulturës, është tempull i dritës rrezatuese, tempull i atdhetarizmit dhe shqiptarizmit. Rruga e jetës së Dajës, është e shkrirë, e përgjithësuar me rrugën e qindra mijëra shqiptarëve në shekuj, në dekada e vite. Ai është shndërruar në simbol të qëndresës, të rezistencës, të betejave të vazhdueshme për jetë e liri. Ky njeri i urtë dhe paqësor, tërë jetën ka shpërndarë mes njerëzve ngrohtësi dhe dituri, ka dashur dhe ka respektuar më të mirën dhe më të dobishmen, ka treguar dhembshurinë e prindit për këdo, ka sakrifikuar përherë nga vetja, duke merituar vazhdimisht respektin dhe dashurinë e mijëra njerëzve. Shpirtbukur dhe dritë përhapës, Sadulla Zendeli-Daja vazhdon të botojë pareshtur dhe me intensitet vepra mbresëlënëse leksikografike, atdhetare, publicistike e letrare, duke i shërbyer të sotmes dhe të ardhmes. Studioja e atij tempulli, do bënte “xheloz” çdo institucion akademik, sepse atje, një njeri i vetëm me emrin e ndritur Sadulla Zendeli-Daja, si një projektor i fuqishëm, prodhon pareshtur dhe pandërprerë dritë, dije dhe frymëzim në shërbim të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë trojeve shqiptare.
Mos je shqiptar, o vëlla?
“Mallëngjime mërgimtare”, botim i shtëpisë botuese “West print”, nis me një artikull të plotë nga profesori i mirënjohur Bardhosh Gaçe, i cili që në hyrje e përkufizon ”Sadulla Zendeli-Dajën, si një rilindës të kohëve moderne”, duke shpalosur portretin dhe veprën e tij si leksikograf, poet dhe atdhetar i shquar. Gaçe, ndër të tjera vlerëson: “Në personin e Sadulla Zendeli – Dajës, pleksen intelektualizmi, patriotizmi, poeti, mësuesi, leksikografi, humanisti, atdhetari dhe njeriu bashkëkohorë, cilësi dhe atribute të rralla, të mishëruara në një njeri të vetëm”.
Pjesa e parë e këtij libri: ”Mërgata, mërgimi dhe mërgimtari”, përmban një sërë artikujsh dhe ese të autorit, ku ai shpreh ndjenjat, mendimet dhe mesazhet e tij. Ai pikëzon: “Mërgimtari është një përgjithësi e përgjysmuar: me trupin në mërgim, me shpirt e zemër në atdhe”. Por, duke shpalosur karakterin e fortë të shqiptarit dhe dashurinë e tij për mëmëdheun, Zendeli veçon se nga këta shqiptarë që kanë emigruar për shkaqe të ndryshme, shpesh herë janë krijuar grupe të organizuara në shoqata social-kulturore, me dëshirën për t`i shërbyer njëri - tjetrit, vlerave, gjuhës shqipe, traditave kombëtare dhe atdheut. Interesant shfaqet në libër vendimi i Sadulla Zendelit për emigrim qysh në vitin 1966. ”Punoja, - thotë ai, - si llogaritar i financave në Sipërmarrjen e Hekurudhës Shkup, dega në Gostivar. Isha anëtar i partisë komuniste, delegat i komunës, delegat në komitet të partisë. Pozitat i kisha goxha të mëdha. Por kush na pyeste neve? Ishim vetëm në numër, sepse vendimet i merrnin ata. T’ju them të vërtetën, kur e përmend këtë aktivitet më duket se akoma kam dhimbje në shputat e duarve, duke duartrokitur dhe brohoritur: Rroftë regjimi! Rroftë komunizmi! Rroftë udhëheqja e Shkupit dhe e Beogradit! Rroftë... dreqi me dreqërit e tjerë!... Kur zgjohesha në mëngjes për të shkuar në punë, para banesës sime rrinin 10-15 shqiptarë që pritnin për t’i ndihmuar, duke u shkruar lutje se do ta shisnin kalin, lopën, gomarin, ndonjë gjel a pulë, që e sillnin nga fshati 20-50 km., për t’i shitur në tregun e Gostivarit për një kafshatë buke! Në dilemën e bashkëpunimit me pushtuesit sllavë dhe me dilemën e largimit, kjo e fundit do të ishte zgjidhja. Zgjodha më të mirën e së keqes. Emigrova. Përse vallë? Sepse ndryshe duhej të bëhesha hafije e vëllezërve të mi, të atyre që mbanin plis të bardhë, të atyre që e donin flamurin shqiptar, të atyre që këndonin e vallëzonin valle shqiptare, të të burgosurve që për faj kishin dashurinë për Shqipërinë dhe trojet tona të shkëputura nga shteti amë, të mësuesve, mjekëve etj. E këtë nuk mundesha ta bëj, prandaj zgjodha të keqen më të vogël, duke u shpërngulur nga vendi im i dashur, nga ai vend ku çuditërisht gurët që m`i vrisnin këmbët e zbathura , më dukeshin të butë bash sikur po ecja në barin e njomë të vendlindjes sime të dashur! Vendosa të largohem kudoqoftë, në Mars, në Hënë, në ferr, vetëm e vetëm që të shpëtoj nga shtetet sllave! Fati më ndihmoi që të ma zbuste këtë dhimbje, duke më dërguar në Suedinë nordike..”. Në vazhdim autori shpalos jetën e vetë, vështirësitë e integrimit, shkollimin në një ndër universitetet më të njohura të botës, në atë të Uppsalës. Ai na emocionon kur shkruan dhe rrëfen: “Ditën e parë, në qytetin Universitar Uppsala, shkova në një stacion të autobusëve urbanë. Shoferi ish një djalosh i ri. Më dukej i huaj, flokë zi dhe i pashëm. Me mikrofon lajmëronte udhëtarët për stacionin që vjen: “Lajmëroi sistastation Gamla Uppsala”, në suedisht, anglisht dhe “stacioni i fundit Upsala e vjetër”, tha djaloshi shqip. O Zot, thashë. Flokët e kokës m’u ngritën përpjetë. Emocionet nuk po i kontrolloja dot. Sa nuk fillova të qajë mes pasagjerëve suedezë, të cilët me siguri do të më dërgonin në spitalin e të çmendurve Ulleråkessjukhus! Nuk zbrita nga asnjë stacion dhe shkova deri në stacion të fundit. Askush nuk mund ta kuptojë këtë situatë, duke shpjeguar me të shkruar se përveç meje nuk ka shkencë që mund t`i hedhë në letër këto emocione. Ndoshta ka qenë një çast që ka ndikuar, që unë të besoj në fatin tim. Kur u ndal autobusi, djaloshi më tha në suedisht:
-Ku po shkoni zotëri? Ky është stacioni i fundit.
E shikova.
-Mos je shqiptar, o vëlla, - i thashë.
-O, po unë jam shqiptar, po ju si jeni, ku shkoni, a keni nevojë për ndihmë? - më tha.
Sytë m’u mbushën me lot! Shkuam në qendër të qytetit Uppsala. E pyeta djaloshin pse i informon udhëtarët edhe shqip? Kemi të drejtë nga sipërmarrja të lajmërojmë në suedisht, anglisht dhe një gjuhë që ne e dimë, ose gjuhë amtare, gjuhën shqipe e kam sjellë nga vendlindja ime, nga Strajoni i Gostivarit. “-Jam krenar për gjuhën time dhe e hapi gjoksin duke thënë: Kjo është gjuha ime e trashëguar nga të parët tanë me flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare me emblemën e Skënderbeut”.
Djaloshi kishte emigruar nga një fshat i malësisë së Strajonit të Gostivarit...
27 vjet me radhë mësues i gjuhës shqipe në Suedi
“Takimi i parë me Suedinë ishte edhe takimi e sinjali se ëndrra ime për arsim dhe liria e popullit do të zbatohet. Ky ishte një vrull atdhedashurie nga dita e parë në trojet e bukura të Skandinavisë. Që ditën që kam dalë nga Universiteti i Uppsalës kam shijuar lirinë, rendin, urtësinë në këtë shtet mikpritës. I thashë vetes: Kjo ishte drita ime në mjegull, t’i ndihmoj popullit dhe mërgatës shqiptare, dhe ky vend më frymëzoi! Kur hyn në shpirtin suedez thellë, të japin forcë, fuqi, ide, optimizëm, jetë, gjallëri. Nëse hyn në shpirtin suedez gjen gjëra shumë të mira. Kemi edhe ne shqiptarët gjëra shumë të mira, dhe këtu bëhet pikëtakimi”.
Dhe, në vazhdim, lexuesi mëson se ëndrra e nisur nga ky atdhetar ka marrë formë dhe është bërë realitet. Ai duke mësuar me vullnet dhe këmbëngulje të veçantë gjuhën suedeze, duke qenë njohës i gjuhës shqipe, ia arriti të përgatisë 5 fjalorë shqip - suedisht dhe suedisht - shqip. Janë fjalorë madhorë e cilësorë, fjalorë të vlerësuar nga akademikë, profesorë dhe intelektualë të shquar shqiptarë dhe suedezë, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në kulturën dhe gjuhësinë e të dy vendeve mike, Suedisë dhe Shqipërisë.
Kontributet e këtij njeriu janë të mëdha, madje të jashtëzakonshme, veçanërisht në çeljen e shkollave shqipe në Suedi. Sadulla Zendeli - Daja ishte i pari që çeli shkollat shqipe në qytetet Nybro, Emmaboda dhe Kalmar, duke dhënë dhe vetë mësim në Nybro për 27 vjet me radhë. Kur u çel shkolla e parë shqipe në Suedi, S. Z. Daja shkruan: “Atë ditë, kur filluam mësimin në gjuhën shqipe, bashkë me nxënësit erdhën edhe prindërit. Disa qanin fshehurazi, që të mos i shihnin fëmijët. Ishte një atmosferë entuziazte dhe prekëse...Kurse, po atë ditë, Adil Zhuta theri demin me rastin e hapjes së shkollës shqipe në Nybro...
Si atdhetarë i shquar, Sadulla Zendeli - Daja mobilizoi bashkëkombësit shqiptarë, që të bashkoheshin në shoqata shqiptare dhe të përballonin kështu presionin e shoqatave dhe organizimeve serbe, sllave maqedonase, të cilat edhe atje në emigrim, ishin masha të zgjatura e të mprehta, me gjemba, të pushtetit kriminal serbë, që edhe atje donte të mbante të shypur shqiptarët dhe ndjenjat e tyre atdhetare.
Kështu, Sadulla Zendeli - Daja është ndër të parët që krijuan shoqatat shqiptare, tashmë të njohura “Ilirida” dhe më pas “Kosova” në Suedi, që mbështeti gjerësisht shqiptarët, që sqaroi tek autoritetet suedeze vendin dhe rolin e tyre, dritësoi emrin shqiptar, gjuhën dhe kulturën, sqaroi kthjellësisht se shqiptarët janë një popull i lashtë me vlera të shumanëshme dhe kontribute, jo vetëm atdhetare, por edhe europiane, me heroin Gjergj Kastrioti - Skënderbeun, i cili me fuqinë dhe mençurinë e tij si një strateg i madh ushtarak, arriti të ndalte vërshimin e papërmbajtur osman drejt Europës.
Ishin këto dhe të tjera vlera, që bashkëkombësit e zgjodhën Sadulla Zendeli - Dajën kryetar të Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi.
Do të arrijë t’i shkruajë edhe pesë fjalorë të tjerë...
Kontributi i Sadulla Zendeli – Dajës si krijues, intelektual dhe qytetar, ka qenë dhe është jo thjesht një stoli, por një vlerë e jashtëzakonshme në dobi të kombit. “Tani, - thotë ky atdhetar i shquar, - kam mbushur 85 vjet të plota dhe i them vetes: ”Nuk kam drojë se do të vdes! Gjuhës shqipe dhe suedeze shumë pak i ndihmova! Fatmirësisht që kaq gjatë jetova, nuk më tremb pleqëria dhe jam ende me shëndet të mirë, që të arrij të shkruaj edhe 5 fjalorë të tjerë, sepse, ashtu më tha edhe mjeku suedez kur flisja në kllapi gjatë një operacioni: “Zgjohu Gjelbërim Zendeli Daja! Ti do të shkruash edhe 10 fjalorë për shqiptarët dhe suedezët!” (Vakna-Gjelbërim Zendeli! Dukommerattskriva 10 lexikontill!) I kam shkruar pesë, më kanë mbetur edhe pesë. Shpresoj dhe besoj se do të arrijë t’i shkruajë edhe pesë fjalorë të tjerë...
Bijtë e nënës, mos e lëshoni njëri-tjetrin!
Pjesa e dytë e librit titullohet:”Për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë”(Histori, kujtime, artikuj).
Në këtë pjesë, spikatin artikujt plot tharm atdhetarie, ku autori nënvizon se “Shqiptarët nuk kanë pranuar t’i përulen asnjëherë agresorëve dhe pushtuesve, por kanë ngritur përballë tyre murin e hekurt të qëndresës, rezistencës dhe luftës së vazhdueshme, duke përballuar kështu stuhitë e egra të kohëve, sulmet e pandërprera të hordhive të çmendura ushtarake policore të Serbisë barbare dhe çetnikëve të Maqedonisë komuniste, të cilat kanë dashur ta mbajnë kombin shqiptar të nënshtruar, ta asimilojnë, t’i shuajnë gjuhën, kulturën, traditat e çmuara e të vyera, që janë dhe do të jenë kurdoherë të palëkundura sepse mbështeten në rrënjët e tokës së lashtë pellazge-ilire-shqiptare”. Në vijim, ai shpalos disa artikuj si dhe nxit e frymëzon përpjekjet shqiptare për identitet kombëtar, për prejardhjen ilire dhe gjuhën shqipe, duke përmendur këtu me respekt dhe nderim të thellë plejadën e mendimtarëve të vjetër të kulturës sonë kombëtare: Pal Engjëllin me ”Formulën e pagëzimit”(1462), Gjon Buzukun dhe “Mesharin”, Barletin dhe ”Historinë e Skënderbeut”, Pjetër Budin dhe “Pasqyrën e rrëfimit”, Frang Bardhin dhe “Apologjinë e Skënderbeut”, Pjetër Bogdanin dhe “Çetën e profetëve” dhe plot vepra të tjera të këtyre mendimtarëve apo të tjerëve si ata, që sakrifikuan dhe u përkushtuan për gjuhën dhe kulturën e vjetër shqipe...
Libri alternohet me ese të bukura, të cilat si për ta çlodhur disi lexuesin, i japin atij informacionin real të gjendjes dhe jetës së shqiptarëve, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, në kohën e sllavizmit - komunist, kur popullësia shqiptare trajtohej kafshërisht dhe në mënyrën më mizore. ”Ne, - shkruan Zendeli, - ishim asgjë për ata ushtarë që mezi prisnin të shfrenin mbi ne dufin e tyre shtazarak”. Dhe, në vazhdim ai përshkruan një skenë që e kujton dhe vetë nga fëmijëria e tij, kur të shtypur dhe të përndjekur nga ushtarët sllav–maqedonas: Një grumbull i madh njerëzish, gra, burra, të moshuar, fëmijë, ecnin duke brohoritur: “Na lironi urën!” Disa u kthyhen mbrapa në drejtim të fshatrave të tyre, andej nga kishin ardhur. Papritmas njëri nga rojet gjuajti me mitraloz drejt popullatës shqiptare, duke vrarë dhe plagosur shumë syresh, si të gjuante mbi një trumbë me zogj të pambrojtur...Ata që u vranë dhe u plagosën nga pushkët e rojeve i hodhën në ujin e turbullt të Vardarit...Njëra nga nënat shqiptare bërtiti: ”Vëllezër, më mirë të mbytemi në ujin tonë, se sa të na e marrë shpirtin pushka e shkinisë!”. U kapëm dorë më dorë me njëri-tjetrin. Nëna Kadë, na shtrëngoi fort për duarsh mua dhe Xhonin dhe na tha: ”Bijtë e nënës, ose do të dalim gjallë që të katërt, ose do të mbytemi në lumë. Mos e lëshoni njëri-tjetrin.” (Shkëputur nga pjesa: “Tmerri i Vardarit” shkruar nga S.Z.Daja) viti 2019.
Kur kanë kaluar dekada nga ajo kohë që Sadulla Zendeli - Daja kontribuoi për ngritjen e shoqatave shqiptare “Ilirida” dhe “Kosova” në Suedi, ai tashmë i moshuar u drejtohet atyre me një letër të ngrohtë përgëzuese, nxitëse për vazhdimin e shqiptarizmit, për ruajtjen e gjuhës shqipe, por dhe të kulturës dhe të traditave të vyera të kombit shqiptar. Interesant dhe intrigues është në këtë pjesë artikulli: “O Plevnë, e shkreta Plevnë!”, ku autori shfaq kulturën dhe dijet e tij për historinë dhe luftërat kundër Perandorisë Osmane dhe çlirimin e popujve, por, që, edhe aty u pleksen disa herë interesat e fuqive të mëdha, të cilat, duke abuzuar gjoja se donin të çlironin popujt nga osmanët, përpiqeshin t`i gllabëronin ata për vete. Kështu bënin sllavët, rusët dhe veçanërisht serbët, të cilët, duke gllabëruar tokat shqiptare, kryenin krime nga më çnjerëzoret mbi popullësinë e pafajshme dhe mbi rezistencën atdhetare shqiptare. Dhe, duke evokuar të kaluarën e lashtë dhe të lavdishme iliro-arbërore-shqiptare, Zendeli citon fjalët e shenjta të At Gjergj Fishtës se: “Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët kishin kryer ciklin dymijëvjeçar të qytetërimit të lashtë”.
I papërkulur
Pjesa e tretë e librit, e titulluar ”Me shpirt e zemër flasin poetët”, pasqyron dhjetëra poezi të ndjera dhe me theks patriotik dhe atdhetar të autorit, por, gjen aty dhe poezi me tema sociale, politike, ashtu dhe me tema të ndjeshme poetike, ku Zendeli rrëfen përjetime reale për jetën, për idetë e përparuara, për prindërit dhe për vajzën që dashuron. Ngjall kërshëri teksti i hyrjes së këtyre poezive, ku autori nënvizon: “Asgjë nuk është më e pasur, më e bukur dhe më e këndshme se sa poezia. Ajo është një dhuratë e shenjtë që krijon miq dhe famë, por jo edhe para!... Motivet lirike që defilojnë në poezitë e mia janë: atdheu, mali, drita, heshtja, malli, gjumi, vera, hëna dielli, yjet, dashuria, vetmia etj.. Poeti, - shkruan ai, - është një shqiponjë që vjen dhe ikën...”
Poezitë e këtij vëllim janë tërheqëse, me përmbajtje të thellë, me figuracion të pasur poetik, ku metaforat e fuqishme rrezatojnë shpirtin e ndjerë dhe të zjarrtë të Sadulla Zendelit. Mjafton të kujtojnë disa prej titujve të tyre: ”Poeti me flatra fluturon”, “Poeti, vendi dhe dashuria”, “Brengat e njeriut”, “O vëllezër shqiptarë dhe mërgimtarë”, “Vuaj dhe vdes për ty”, “O bre burrë bjeri tumpanit”, nga e cila po shkëputim vargjet: “Bjeri bre burrë tupanit,/Deri kur lëkura të çirret,/Pastaj shko ti në amshim,/Kënga është shpirti im…”Kurse te poezia “Qumështi i jetës”, autori e lëmon dhe e ngre poezinë në nivele filozofike, duke u shprehur me një figuracion brilant, ku pemët, dhe valët e detit nëpërmjet metaforës së përdorur, fitojnë cilësi dhe “vetëdije” si të ishin njerëz, ato “i mbajnë krahët e ngritur/Dhe kërkojnë bekimin e qiellit”,/ kurse “Valët vijnë e shkojnë,/ Duke e prurë shpirtin e detit.” Një peizazh po aq i prekshëm, njëherazi dhe filozofik, është edhe poezia “U zgjuan fjalët”, ku stilistika poetike dhe figuracioni që zgjedh autori, shkojnë natyrshëm në vendin e tyre, teksa lexuesi mbetet i stepur nga bukuria e vargut: “U zgjuan fjalët nga gjumi,/Pranë librarisë,/Ku bënin gjumë librat./ Disa autorë vallëzonin,/Mbi lëndinat e shpresave,/Në vendlindjen e fjalëve”. Shpirti i poetit është i ndjeshëm, për atë, çdo gjallesë e natyrës është e dashur, e sidomos kur ajo bëhet pjesëtare e shtëpisë, siç është rasti i Çunit, maces së shtëpisë, që rrojti me poetin dhe me familjen e tij: “Rreth 24 vjet rrinte afër meje,/Në karrigen e tij ulur më shikonte,/Kur lexoja me zë më dëgjonte,/Kur shkruaja ia kriste gjumit./Çuni vdiq më 12 Dhjetor 2018./Në karrige e kam fotografinë,/Më duket se ka shkuar ndokund,/Por do të kthehet në shtëpinë e tij!”.
Kështu vijojnë poezitë “Deti ynë i bekuar”, “Pranvera lulet na dhuroi”. Kurse te poezia “Kujtime mërgimtare”, ndjenjat e autorit shpërthejnë: “Lexoj, kujtoj dhe qaj,/Me sy të skuqur,/Për vendin tim të ndarë,/Në pesë shtete shpërndarë.” Te “Vajza të lazdëruara” Zendeli përshkruan me nota të bukura poetike lindjen dhe shpërthimin e dashurisë: Kalojnë jetën,/ Siç kalojnë gjethet,/Nga pranvera në verë,/Duke pikur në vjeshtë,/Kur piqet e ëmbëlsohet,/Lëngu i rrushit në vreshtë,/Me afsh e me zjarr në gji,/Dhe me tufa trëndafilash,/Të mbledhura në lëndina,/ E me vargje dashurie,/Që trokasin mbi kodrina,/Vrapojnë nga porta në portë,/Për ta shijuar jetën e natyrën,/ Më të bukur në botë”. Te poezitë e këtij autori, takon vargje të atillë, që të mbeten thellë në mendje dhe që pëcjellin te lexuesi shpirtin e pasur plot jetë dhe shprehje dashurore: “Eja ta gëzojmë edhe shpatin,/Sepse unë të dua më shumë,/Se dielli kur ndriçon fshatin”. Është origjinale dhe plot ndjenjë dhe mall eseja “Xhamadani”, ku S.Z. Daja rrëfen dashurinë për prindërit dhe sidomos për nënën e tij të dashur. Ai xhamadan i nënës, i zgjon atij mall dhe ai e dëshiron dhe e mban gjithnjë të veshur, sepse i duket sikur ka pranë prindërit e dashur, babanë që e la të vogël dhe nënën e shtrenjtë, që iu thanë sytë për djalin që mbeti atje larg në mërgim dhe që për atdhetarizëm, serbët nuk e lejonin të kthehej në mëmëdhe, madje as kur ajo vdiq, ata nuk e lejuan Sadullanë të vinte në atdhe dhe të hidhte një grusht dhe`...Spiunët serbë, gëlonin atë ditë në varreza si fantazma me veladon të zi, duke kërkuar mes procesionit mortor edhe atdhetarin Zendeli...
Në vazhdim, vargjet poetike pikojnë dashuri e dhembje: Dhe mos harro, o bir:/Kur të vish, pyet për mua,/Do të thonë se ku jam.../Do më gjesh nën këmbët e malit,/Të tretur prej mallit..,/Aty do të gjesh edhe një gur pa emër,/Nën atë gur, do të dëgjosh rënkimin tim,/Nga dhimbja për ty, biri im!” Kështu, vargjet e dhembshura, prekëse e plot ndjenjë, harmonizohen hijshëm me dashurinë dhe mallin e protagonistit për prindërit, për fshatin e tij të dashur Sërmnovën, për atdheun. Kudo dhe kurdoherë, figura e tij, përballë vështirësive dhe pengesave, ngrihet e lartësohet fuqishëm, si një lis i drejtë e i papërkulur, që sheh gjithnjë qiellin e kaltër dhe diellin jetëdhënës.
Ti o Dajë, o lulja e Sharrit!
Është po aq intersantë fakti se Sadulla Zendeli - Daja, ky atdhetar i shquar, është banori më i shpeshtë, madje i përhershëm i panaireve të librit në Tiranë. Ai ka marrë pjesë në të gjithë panairet e librit, ka munguar vetëm një herë kur do të operohej në Suedi, por, edhe atëherë, me mendje dhe me zemër ai ishte atje te panairi, te librat, te shkronjat dhe gjuha e bukur shqipe. S`ka asnjë shqiptar tjetër, as në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare dhe në botë, që të ketë marrë pjesë në të gjithë panairet e librit të zhvilluara në Tiranë. Kurdoherë, ky njeri me zemër të artë dhe të bukur, ka qenë atje i pranishëm edhe me veprat e tij, me libra, poezi dhe prozë dhe me fjalorët tashmë të njohur. Siç thotë me të drejtë albanologu i njohur dhe Miku i Madh i Shqiptarëve, suedezi Ullmar Qvick (Kvik): “Vepra e Dajës do të rrojë në dobi të shqiptarëve, kudo ku ndodhen. Nderi i tij dhe nami i mirë do të ruhen në historinë e kulturës shqipe.”
Pjesa e katërt e librit “Mallëngjime mërgimtare” titullohet: “Artikuj dhe libra të botuara nga Sadulla Zendeli - Daja”. Kjo pjesë çelet me artikullin “Një shkrim që duhet vazhdimisht të përsëritet”, të cilin, autori ua kushton heroizmit dhe vdekjes së Jusuf Gërvallës me të vëllanë Bardhoshin dhe bashkë idealistin Kadri Zekën, që u vranë nga dora katile e sigurimit ish jugosllav më 17 Janar 1982 në Gjermani, në rrethinë të Shtutgartit. Zendeli shkruan me zjarr: “Emrat e tyre janë të pavdekshëm në zemrat e çdo shqiptari dhe të pashlyeshëm mbeten për jetë të jetës në faqet e historisë sonë të lavdishme”. Pjesa vazhdon me artikujt: “Shpëtimi kombëtar”, “Liria shqiptare varet nga vet shqiptarët”, por ka edhe ese të tilla: ”Për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë”, ”Besimi katolik, ortodoks dhe mysliman”, ”Mita, rryshfeti apo korrupsioni”, “Për të huajt në vend të huaj”. ”Një jetë aktive në shërbim të kombit”, “Për kulturën shqiptare në Suedi”, “Sadulla Zendeli - Daja për shoqatën shqiptare: “Papa Klementi XI Albani”, Suedi”, “Mëma është e shenjtë ajo nuk harrohet asnjëherë”, “Të gjithë, në një gjuhë e një flamur”. Sikurse, është informues dhe mesazhdhënës artikulli “Pak fjalë për historinë e fjalorëve të gjuhës shqipe”. Kjo pjesë mbyllet me një krijim brilant të rapsodit të njohur dhe të paharruar shqiptar Agim Gashi, i cili i ka kushtuar Sadulla Zendeli-Dajës një këngë me ndjenjë dhe me mesazhe të mëdha, e cila mbyllet me strofën: “Ti o Dajë, o lulja e Sharrit,/O stërnip i Xhemë Gostivarit,/ Besë, burrni e njerëzi n’jetë,/Na i le ti amanet;/Emri yt na është mirësia,/Me ty krenohet Shqiptaria, o hej!”
Biri i Sërmnovës, nderi i Gostivarit,
mbi 50 vjet në “luftë” me penë për çështjen kombëtare
Pjesa e pestë e librit, shpalos fillimisht një ekspoze të kohës dhe të mjedisit ku u përurua libri “Shekulli i pajtimit” i Sadulla Zendeli – Dajës, fjalët që u mbajtën atje nga botuesit, pjesëmarrësit dhe diskutuesit e shumtë, të cilët folën me pasion dhe me dashuri për vlerat e rralla të veprave të këtij personaliteti të shquar të kulturës dhe leksikografisë shqiptare. Ishin origjinale tema të tilla: “Sadulla Zendeli - Daja, leksikograf, poet dhe mëmëdhetar i kohëve moderne”, poezia “I ngjashëm me stuhitë”, e krijuar dhe e recituar aty në sallë nga Liljana Kona, mes të cilës veçojmë vargjet: “Malli të djeg për vendlindjen Sërmnovë,/Ku çdo plis dheu, pemë dhe lule është flori,/Ku çdo burim uji, shteg dhe çdo fije bari,/Të ngjallin në shpirt ëndrra dhe dashuri./Vjen tek ne kurdoherë me vepra të vyera,/Si Dhaskal Thodri me shkronja n`Shqipëri,/Je përherë i nderuar, kryemësues i shqipes,/Ndaj të duan të gjithë, të rritur dhe fëmijë./Me njerëz si ty, jeta bëhet më e bukur,/Na jep krenari, me vepra na frymëzon,/Të urojmë jetë të gjatë, Sadulla Zendeli,/Ëndrra të realizuara sot e përgjithmonë!”
Mbresëlënëse është edhe eseja e mbajtur nga Bujar Poçari: “Ta kurorëzojmë e ta pagëzojmë këtë shekull ”Shekull i pajtimit”, ku autori nënëvizon se “Sadulla Zendeli i Suedisë, bir i Sërmnovës, nderi i Gostivarit - 50 vjet në luftë për çështjen kombëtare”. Po aq fuqishëm tingëllon dhe fjala e poetes, stilistes dhe atdhetares Emine S. Hoti, ardhur nga Norvegjia: ”Kombi ynë i bukur dhe i lashtë e kërkon lirinë si shqiponja”. Gjithashtu dhe fjala e prozatorit Bashkim Saliasi: ”Zgalemi, Sadulla Zendeli - Daja” etj. Po aq i bukur është dhe montazhi me fotografi të pjesëmarrësve në përurimin e librit të Sadulla Zendeli - Dajës “Shekulli i pajtimit”.
Pjesa e gjashtë e këtij libri, ka në përmbajtjen e saj artikuj kushtuar Sadulla Zendeli- Dajës nga gazetarë e studiues: Baki Imeri, poet, përkthyes, eseist dhe publicist shqiptar në Rumani, i cili shkruan artikullin “Lokomotiva letrare e mërgatës shqiptare”, që mbyllet me urimin: “Qoftë e bekuar edhe kjo vepër e re e gostivarliut tonë, që jeton dhe vepron në trojet e mërgatës shqiptare!” Vazhdon artikulli i gazetarit shqiptar Fran Gjoka ”Nderim për leksikografin, poetin dhe atdhetarin S. Z. Daja”, eseja “Daja” shkruar nga shkrimtari i njohur Andon Andoni. Në mbyllje të këtij libri botohen dhe dy mesazhe të përzgjedhur nga vet autori: “Vera, sa më e vjetër, shijon më shumë” dhe “Vepra, që i flasin së ardhmes”, e që ia dërgon Sadulla Zendeli - Dajës, shkrimtari Viron Kona, njëherazi recensent i librit, pasi është njohur me projektin e librit ”Mallëngjime mërgimtare”.
Duhet të pohojmë se librat dhe ajo bibliotekë e plotë e krijuar nga Sadulla Zendeli - Daja, fjalorët, - të parët, por edhe veprat e shumta në poezi e prozë, kontributi i tij në hapjen e së parës shkollë shqipe në Suedi, sikurse dhe mesazhet, fjalimet dhe korrespondenca atdhetare, janë një pasuri e jashtëzakonshme librore e shpirtërore, të cilën ai e ka ushqyer përherë me përkushtim dhe dashuri në vite. Tashmë ajo krijimtari është e arkivuar në biblioteka publike e personale, apo në duar të lexuesve, teksa një gjë është më se e sigurtë: ajo do të jetë me përdorim gjithëkohor, sepse krijimtaria e Sadulla Zendeli - Dajës është gjithnjë një qiri i ndezur, që shkrihet për dashurinë për njerëzit, për kombin, për lirinë dhe të vërtetën.
Kommentare