top of page

Sa të gjatë e paska lënë litarin


Sa të gjatë e paska lënë litarin

Tregim nga Fatmir Terziu



Ende nuk kishte një përgjigje. Në koridorin e gjatë të „ВРХОВНИ КАСАЦИОНИ СУД“ në „Ul Savska broj 17a“ (GJYKATA E LARTË E KASACIONIT), pas gjithë atyre ditëve të gjykueshme mes Drejtësisë dhe Ligjit të Drejtë, pritja disaminutëshe për një përgjigje dukej më e gjatë. Gjithësesi Doktori i Shkencave të Historisë Ballkanike, Ervan Hioxha, ishte i qetë. Qetësia e tij kishte provokuar ngritjen e shpatullave të Tjetrit, mikut të tij të pandashëm të këtyre ditëve.

„E kam parë përgjigjen në ëndërr.“ U gjend i gatshëm Ervan, në shtysën gjegjëse të asaj ngritjeje të vrullshme enigmatike të shpatullave të shokut të tij.

„Si? Nuk e kuptoj.“ Ndërhyri menjëherë shoku i tij.

„Të kuptosh është e gjitha, të mos kuptosh do të thotë të pyesësh që të mbetesh në një dilemë tjetër. Ja kaq. Ku qëndron e pakuptueshmja. Shkurt e kam parë përgjigjen në ëndërr!“

„Pra, tani ke ndërruar fushën e shikimit të gjërave? Nuk do të kërkosh më në Histori, por në astarin e zi të natës?“

„Për mua është njësoj. Edhe Historia, edhe astari i zi i natës janë njësoj. Njësoj, fare njësoj, dhe të gjitha janë shenja. Shenja që shkruhen dhe fshihen me laps.“

„Atëherë kot qenke bërë Doktor i Shkencave të Historisë…“

„Duhej të të ndërprisja. Jo vetëm të asaj… Historisë Ballkanike, se i Historisë…, historisë është ndryshe.“

„Pra, ndryshe?“

„Po, krejt ndryshe. Ja kështu, një objekt, një cilësi, ose një ngjarje, prania, ose ndodhja e së cilës tregon praninë, ose ndodhjen e mundshme të diçkaje tjetër, është thjesht vetëm shenjë. Nuk është krim, apo jo?“

„Po mirë de, mirë. Këtë ia the edhe atij Prokurorit të famshëm të Beogradit. Apo nuk ishte kështu?“

„Ia thashë. Dhe ai më tha: „Ti shkruan emrin e dikujt mbi (mbi një letër, mbi kartë, mbi dokument, mbi këtë targë) për të identifikuar veten si personi që e bën me dashje këtë veprim, pra si shkrues, ose si dërgues i një mesazhi të koduar“.

„E, pak a shumë ashtu. E dëgjova. E dëgjova…“

„Atëherë a nuk është thjesht të thuash e kam parë këtë përgjigje që presim, në ëndërr?“

„Bëhu i durueshëm!'

„Eh, i durueshëm, i durueshëm. Na e kujtoka këtë ai, … dhe na e cilëson me Ligjin e tij të Drejtë, si një gjest, ose veprim i përdorur për të përcjellë informacion, ose një provokim.“

„Paske provokuar?“

„Kështu do të ishte po të mos kisha studiuar Semiotikë. Kështu do të ishte po të mos dija se ku përfshihet studimi i semiozës, mënyra se si funksionojnë shenjat në kuptimin semiotik.“

***

Në ato ditë me shi e me shtrëngata shiu e ujta ishte thuajse një shqetësim tjetër për Ervanin. Rrugëve të Beogradit, nga godina ku ai ishte i detyruar të qëndronte dhe asaj godine, që nuk dëshironte t'ia thoshte dhe emrin, pikat e shiut i dukeshin si shigjeta në mish. Dhe kujtonte me vete, sikurse bënte shpesh atyre ditëve. Sa emra ka fshirë ky shi në vite, ndoshta në shekuj. Dhe asgjë nuk ka mbetur në memorje kaq komplekse sa… E teksa shikonte fasada me reklama të reja e të vjetra, pankarta dhe letra të ndryshme të ngjitura mureve dhe stendave, syri i rrokte dhe fasada të vjetra ku e shkruara e shkuar dukej thjesht si një damkë. Një damkosje e zvetënuar në një maskë të padukshme. Kohërat ishin thjesht lakime me emra të shkruara dhe të shuara. Emra?!

Pastaj e shqetësonte më shumë se çdo gjë emri i tij. Ai ishte i gjykuar më shumë për emrin e tij? Përkitazi emrit ishte dhe targa e makinës. Krejt rastësisht për të. Fare rastësisht. Nuk kishte pasur asnjë qëllim. E këtë e dinte mjaft mirë. Por, ja që këtu tashmë kjo targë e makinës së tij të blerë në Perëndim, ku ai jetonte dhe punonte me familjen e tij, po bëhej një gangrenë kaq e madhe. As që i kishte shkuar në mend se për një emërtim të tillë, për një targë makine, për një shenjë që përkitazi tek një mbiemër i së shkuarës do të kishte kaq pasoja. Ndryshe, kolegëve të tij, familjes dhe të gjithë atyre që u bënë pjesë që t'i bënin dhuratë këtë „Benz Mercedes“, pas atij projekti madhor ku kishte fituar disa mijëra stërlina si shpërblim, do t'u kishte thënë prerë: „Jo, nuk e dua një shenjë të tillë në makinën që më dhuroni, nuk dua të vuaj për mbiemrin e një Tjetri.“

***

Eh, sa të gjatë e paska lënë litarin? U shfry me vete dhe ktheu kokën nga shoku i tij që dukej i padurueshëm në atë korridor të gjatë të Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Beogradit.

„The gjë?“, e pyeti ai.

„Jo. Jo. Edhe sikur të them ndonjë gjë, më duket tashmë se askush nuk më beson më. Është e kotë të flasë, por ja le të presim dhe pak…“

Në moment dera ku ishin ngulur sytë e pritjes kërcëlleu me një zhurmë tipike të ngjashme me të gjithë siluetën e zhurmave që pasonin atë korridor. Në fillim iu duk dora, pastaj një letër. Ishte pikërisht shkruesi i sallës së gjyqit që kërkoi me sy nëpër korridor dhe pastaj bëri menjëherë në drejtim të Ervianit. „Ja merreni përgjigjen. Gjyqi vendosi që të ju lërë të lirë. Targa juaj nuk është e qëllimtë. Këtë e vërteton një letër që dërgon Universiteti juaj në Londër.“

Shoku i Ervianit gati kishte ngrirë. Sytë i kishin mbetur ngulitur tek Erviani.

„Vërtet e paske parë në ëndërr përgjigjen. Vërtet…“

Erviani buzëqeshi pak dhe menjëherë i zgjati celularin e vet që të lexonte një mesazh që i kishte ardhur një natë më parë nga Londra.

„E kuptuam shqetësimin tuaj i nderuar Ervian. Ajo që po përjetoni ju atje është një shqetësim edhe për ne. Për këtë kemi kërkuar ndërhyrjen e Trupit Diplomatik. Dhe tani kemi marrë një zgjidhje. Tek mbiemri që pretendohet si provokim ka një germë më shumë, kështu që ankesa e atyre dy të dënuarve të kohës së Enver Hoxhës, si diversantë të ish Jugosllavisë, rrëzohet. Sidoqoftë targa juaj duhet ndryshuar. Dhe këtë duhet ta bënë sa më parë…Këtu në Londër nuk përbën problem, por…, por atje është Ballkan dhe atje gjithnjë e shkuara të ndjek nga pas“.

115 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page