
HYRJE
Nga Bashkim Saliasi
Shpesh herë qëndroj dhe hedh vështrimin nga e kaluara. Mendimet më trazohen duke më çuar hera-herës në periudhën e fëmijërisë, moshën e rinisë dhe vitet e punës për kohën që kalova në fshatin e lindjes, Dobrushë.
Në mendje më vijnë çaste gëzimi e hidhërimi që tani janë mbyllur si një libër, që kërkon një mendje të freskët për t’i shfletuar dhe hedhur në letër kujtimet e rinisë dhe jetës në fshatin e lindjes.
Ardhka një ditë që ngjarjet e jetës nga e shkuara përzihen e ngatërrohen në mjegullnajën e përhimtë të kohës.
Sapo kujtoj një episod të jetës, pa kaluar shumë kohë më shfaqet një ngjarje tjetër e duke u çapitur së bashku me shoqen e jetës, Xharijen në kodrat plot diell të Linëzës me ajër të pastër kujtimet më çojnë tutje në vitet e rinisë.
Ato ikin dhe nuk kthehen kurrë, por ua lënë rrugën të hapur kujtimeve , që vijnë vetvetiu sikundër gjejnë rrugën zogjtë shtegtar që kthehen në pranverën e ardhshme në vendlindjen e prindërve të tyre.
Kështu më ndodh edhe mua, Zylfos, djalit të tretë të familjes së Meleqi Zylfo Saliasit, që linda dhe u rrita në fshatin Dobrushë të rrethit Skrapar.
Nëse do kisha mbajtur shënime të rregullta, apo një ditar të thjeshtë, sot nuk do ndjenja vështirësi, por do t`i shfletoja dhe do t`i kujtoja me nostalgji e përmallim të gjitha ngjarjet e jetës sime.
Këto dhe shumë ngjarje të tjera po i tregoja vëllait tim, Bashkimit, i cili mori përsipër që “fletët e librit tim të jetës” t’i shpalos mbi bazën e kujtimeve të mia për t’i hedhur në një libër të shkruar.
Së bashku me Bashkimin, dhe time shoqe, Xharijen, shfletuam të gjitha albumet e fotografive që kam ruajtur ndër vite.
Shfletimi i tyre më solli në memorje ngjarje dhe data të cilat u hapën si një faqe libri, i cili kishte mbetur i mbyllur për një kohë të gjatë.
Kam lindur në kohë lufte. Shtëpia jonë, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore u dogj nga ushtria gjermane. Në mbarim të luftës, me fitoren e Partisë Komuniste, u rindërtuan të gjitha shtëpitë e djegura. Edhe shtëpitë tona dhe të Hysni Dyrmishit u ndërtuan me kujdesin e Partisë në fshatin Dobrushë.
Ustallarët që ndërtuan shtëpitë tona ishin nga fshati Panariti i Korçës. Babai mua më mbante pas ngado që shkonte. Unë gëzoja emrin e gjyshit dhe isha njëri nga fëmijët më të përviligjuar të tij.
Kujtimet e mia janë të thjeshta, ashtu siç i kam përjetuar gjatë jetës sime dhe tani që po i rrëfej dua që nipërit dhe mbesat e mija të dinë diçka nga përvoja e jetës së gjyshit të tyre, Zylfos.
Ajo që dua të mbetet në kujtesën e nipërve dhe mbesave të mia është që të mësojnë dhe ta përcjellin në breza se gjyshi tyre, Zylfua, lindi , u rrit dhe krijojë familje në fshatin Dobrushë të rrethit Skrapar, fshat në perëndim të malit të shenjtë, Tomorr.
Sa herë, kur bie e ngrihem nga gjumi, mendja ime më shkon te mali i shenjtë Tomorr, Bregu i Veshtit, Arat tona në Mbollë, Kryza, Bregu i Veliut, Bregu i Erës, Selishtat, Gropa e madhe, Ara e Miminit, Varri i Janit, Stanet, Dushku, Sotobardha, Raduli, Çesmatiku, Rrasa etj...
Kur përfytyroj fëmijërinë më dalin parasysh gjyshe Slimja, baba Metiku, babai ynë Meleqi, nëna jonë Nokja, kushërinjtë e parë djemtë e Metikos, Njaziu dhe Sinani, kushërinjtë tanë Gjençi dhe Haxhiu, komshinjtë Tefiku, fëmijët dhe bashkëshortet e tyre. Në mendje më vijnë vitet e para, kur së bashku me motrat e mia punonim në pronat e babait dhe, më pas, me ngritjen e kooperativës bujqësore, punët në brigadat që punonin kolektiv.
Kujtimet nuk rreshtin kurrë. Shumë nga bashkëfshatarët tanë braktisën fshatin dhe u larguan me punë në qytetet e ndryshme të Shqipërisë.
Fillimishtë u larguan disa familje nga lagja Dyrmish: Selimi, Avniu, Qamili, Myrtua, Zaloja etj., për të ardhur në vitet e mëvonshme kur u largua Pajua, Hamzua etj. Kujtimet nuk rreshtin kur shikoj fotot e ushtrisë më vijnë në mendje qendrat e zjarrit, shokët dhe komandantët, që pata gjatë kohës që kreva shërbimin ushtarak në Grehot të Gjirokastrës dhe në qytetin e Tepelenës pranë shtabit të brigadës. Lirimin nga ushtria, fejesën, dasmën, aksionin në hekurudhën Rrogozhinë-Fier bashkë me Xharijen dhe punën që bënim natën dhe ditën për të elektrifikuar fshatin tonë hera-herës më shfaqen si vegime.
Në kujtesën time vijnë si rrjedha e lumenjëve dasmat dhe gostitë që kemi kaluar së bashku me prindërit dhe miqtë tanë.
Pa harruar vitet 1968 e vitet 1977 – 1978, kur në familjen e xhaxha Metikos dhe tonën ndodhën fatëkeqësitë e vdekjes së njerzve tanë të dashur, fillimisht e Metikos, më pas e Njaziut dhe prindërve tanë Naimesë dhe Meleqit.
Ruaj edhe sot dhe kësaj dite shamin e duarve të nënës sonë, Naimes si një kujtim i veçantë për mua.
S’më hiqen nga mendja sakrificat e babait dhe të nënës sonë, Meleqit e Naimes që me shumë mund e sakrifica na rritën e madhuan ne, tetë fëmijët e tyre.
E ditët, muajit, vitet ikin tutje dhe hera-herës kujtesa ime ngacmohet nga ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyshme në kujtesën time.
Nuk kam si të harroj përpjekjet e familjes sonë, që të ingranoheshim dhe të ecnim me hapin e kohës. Ngjarje e veçantë për ne ishte ndërtimi i dhomave me tavan, që bëri babai ynë me Beshirin, djalin e kunatit të madh Faikut në vitet ’60 dhe më pas ndezja e llampës elektrike, blerja e radjos dhe më vonë e televizorit bardhë e zi pas elektrifikimit të fshatit tonë.
Futja e ujit të pijshëm në familjet tona, përdorimi i hekurit, dushit dhe sigurimi i enëve të guzhinës, ngjarje që kanë lënë gjurmë në kujtesën time.
Hera-herës më trazojnë ca ndjenja e emocione dhe malli që më sjell fëmijëria dhe vitet e shkollës fillore.
Në përgjithësi të gjitha shtëpitë në Dobrushë ndërtoheshin me gur të skalitur dhe mbuloheshin me rrasa guri të zi. Për qereste përdorej lënda e drurit të lisit, plepit, ilqes etj., që sigurohej nga pyjet që qarkonin fshatin tonë.
Nuk kam si të harroj vjeshtën e begatë dhe dimrin e ashpër që kalonim në fshatin tonë. Rezervat dimërore dhe drutë e dimrit i siguronim që në vjeshtën e parë.
Dobusha kishte më shumë se 85-90 shtëpi. Burrat e vjetër në përgjithësi visheshin me rroba shajaku, pantallona qillota dhe pallto leshi.
Më të rinjtë përdornin për veshje dimërore rrobat e stofit apo dokut. Burrat e vjetër mbanin në kokë qylaf të zi, që ngjasonte me kapelet ushtarake, kurse më të rinjtë përdornin kapele stofi me strehë.
Në përgjithësi burrat e vjetër mbanin orë xhepi me qestek, që i varnin në xhamadanët e tyre, kurse pas viteve ’60-’70 të rinjtë filluan të mbanin orë të markës sovjetike, kurse pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, përdornin orë të markës kineze.
Grat e fshatit tonë visheshin bukur. Ato më të vjetrat mbanin në kokë çember, kurse të rejat shami koke. Gratë para se të bëheshim koperativë, qendronin në shtëpi, por pas kolektivizimit dhe ato dolën në ara bashkë me burrat.
Në përgjithësi familjarët e fshatit tonë bënin shumë kujdes për higjenën dhe pastrtinë. Muret e avllisë në ditën e festës së Sulltan Novruzit lyheshin me gëlqere dhe në oborret e shtëpis mbillnin lloje-lloje tërndafilash dhe bimë të tjera zbukuruse si menekshe, lule patate, karafila, borzilok etj.
Një kujdes të veçantë familjarët tregonin për dhomën e miqve. Ajo qëndronte gjithmonë e shtruar me qylyma, që përgatiteshin nga gratë e familjes në mënyrë artizanale me vegë dhe pasi çoheshin në dëstil në Mullirin e Ferrës i përdornin për shtroje të përditshme.
Dhomat e miqve anash rrethoheshin nga jastëkë të mbushur me lesh, kurse mbi qylyma shtroheshin shilte të punuara nga gratë më të vjetra. Më pas nga vitet ’68 e tu filluan të përdoren nimat, që përgatiteshin nga vet familjarët me rripa komerdareje dhe të mbushura me një lloj bari, që rritet në malin e Ramijes të quajtur çipec.
Në përgjithësi, të gjitha dhomat ishin të pajisura me oxhak dhe pas viteve ’70 kur hyri soba me dru oxhakët përsëri nuk u prishën, por u ruajtën për ditët e ftohta të dimrit.
Kudo në fshat, deri në vitin 1975, ndihej armoma e bagtive. Pas vitit ’75 bagtitë e imta u dorëzuan dhe fshati ynë qe me fat që nuk arriti të dorëzojë edhe lopët.
S’kam si të heq nga mendja prishjen e sistemit dhe largimin nga fshati për në Tiranë. Me shumë mund e sakrifica dhe me ndihmën e motrës sonë Jemines, mora truallin ku kam ndërtuar shtëpinë ku jetoj sot.
Në fshatin e lindjes, lash gjithë pasurinë dhe tokën që përfitova me ligjinë 7501, në dushkë 8 dylym, në Arën e Miminit 1.5 dylym, në Kryz 1.5 dylym, në Shëmill 12 dylym dhe 400 m katrore truall shtëpie. Pronat që përfitova janë me tapi të rregullt dhe ia kam kaluar djalit të vogël, Genit.
Po si mund të harroj ecejaket e fëmijve të mi për të emigruar në Greqi. Fillimisht rrugën e kurbetit e ndërmori Arjani, pasi mbaroi provimet e shkollës dhe, më pas, Fitimi, kur u lirua nga ushtria. Në vitin 1998 iku Geni dhe, më pas, në vitin 1999, iku Dritani.
E kaluara e largët më afronë gjithnjë e më pranë bashkëmoshatarët e mi, ngjarje dhe mbresa të shumta që ngacmojnë pa ndërprerje kujtesën time dhe më thërrasin: -Hë, po më kujton edhe mua pak...
Comentários