top of page

Sa për aq





Një biçikletë, një rrugë, një bli... Kishte ditë që mendja i kishte ikur në një vend larg saj. Kishte bindjen (bindje pa mendje ishte), se orët e pasdites i kalonte duke imagjinuar gjëra njerëzish, nga ato që zor se ndodhin me të vërtetë. Ajo reshti së ëndërruari me sytë hapur deri në momentin që e mbyti mërzia dhe mundimi i peshës. Kishte një jetë të tërë që i ngrinte duart dhe s'i kapte imazhet e përfytyruara. Duart e saj po u dorëzoheshin rrudhave, edhe buzët po lëshoheshin. Boll e kishin mbajtur veten lart. Do të donte t'i zinte vendin muzgut të ligështuar të mendjes, por ç'pushtet mund të kishte ajo mbi natyrën?! Vajza e dikurshme, ajo domethënë, nuk e ruante dot të drejtën për të zgjedhur dhe për të qenë pafundësisht e re. U gjend në dëshirën e vet si vegimi i personazhit kryesor. Asgjë e re nuk ndodhte. Mendja erdhi, tani ishte më e qetë se ajo, gjakftohtësia mund ta çonte në disa të vërteta të kuptueshme. Ajo ishte e fortë, këpuste me dhëmbë ca fije nervore. Ruante për vete dhe shmangte për vete, kjo ishte e fshehta e saj. Mendja nuk kishte frymë që t'i zihej, ajo heshtte, kjo e bënte më të besueshme. Asnjë biçikletë, asnjë rrugë, as bli... Ai kishte dite që kishte humbur. Kishte gjasa që mund ta kujtonte ndonjëherë, siç ndodh rëndom me njerëzit. Nuk ëndërronte më me sy hapur, madje shtrihej dhe, nëpër ëndrra flinte. Buzët, duart e sytë i lante me ujë çezme, pa e vrarë mendjen se ç'ndikim kishte uji i ngrohtë. Për ç'natyrë e pushtet të humbiste kohën duke vrarë mendjen?! Pafundësia ishte përfund çdo moshe. Të gjitha të vjetra ishin, sa bota. As përfytyrimi i një fëmije të fshehur në gjymtyrë të plakura nuk e zgjonin. E la mendjen të qetë dhe emocionet nuk është se nuk i kontrollonte dot më. Ruante dhe shmangte për vete, nuk fshihte më asgjë. Nuk i zihej fryma, i merrej. Dhe një muzg tjetër në një ndenjëse të butë, mjaftueshëm do ishte. Thuhej se nuk u takuan kurrë, pa ndonjë shkak.

50 views1 comment

1 Comment


Fahri Dahri
Fahri Dahri
Oct 25, 2020

Dakort. Mengjeset e jetëve njerëzore janë të fresketa, gjithë optimizem, krenari, të japin energji dhe.... pavdekesi. Mesditet japin energji aktive, debate, vështirësi, intriga, pabesi, por edhe zgjuarsi, vullnet, pjekuri, aftësi, shkëputje dhe ndarje nga mengjeset deri në afër mesdite, ndryshim thelbësor në siperfaqe dhe ne brendi. Mbremja erreson nëse mengjeset dhe sidomos mesdita nuk janë manaxhuar drejt. Mbremja është si të thuash: "korr, ato që janë mbjelle para mbremjes".

Mesdita është mbreteria, kush arrin ta kuptojë dhe vepron drejt, pret një mbremje pa andrralla. Së fundi çdo mesdite është e bukur, e shendetshme, por kujdes nga mendjemadhesia, krenaria, vetkenaqesia dhe mosperfillja.

Kështu e kuptova shkrimin "Sa për aq".

Fahri Dahri 25/10/2020

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page