SA I BUKUR ËSHTË


Vullnet Mato

O ZOT, SA I BUKUR ËSHTË KY DJALË!

Tregim

O zot, o zot, sa i bukur është ky djalë! thoshte Emineja me vete, teksa ndërronte njërën pas tjetrës pecetat e lagura mbi shpinën e tij të shpuar tejpërtej nga plumbi. O zot, sikur të kisha fat një burrë si ky… Djaloshi i plagosur rëndë kishte një fytyrë të butë, me mjekër të prushëritur përfund faqeve. Sytë e mëdhenj i mbante gjithë kohën mbyllur nga jermi i zjarrmisë nën flokët drudha-drudha, me një shkëlqim të zi, si të korbit. Emineja e kishte gjetur përmbys, atë mbrëmjeje në fundin e arës së misrit, teksa ishte duke mbledhur lopët. I plagosuri kishte mbetur aty, fill pas luftimit midis disa partizanëve shqiptarë, që donin të depërtonin në fshatin e tyre buzë kufirit dhe nacionalistëve kosovarë, që përpiqeshin të pengonin hyrjen e komunistëve në ato anë. Djaloshi i përgjakur merrte frymë me zor dhe rënkonte sikur po jepte shpirt. Eminesë i erdhi aq keq, sa iu duk sikur po i këputej zemra brenda kraharorit. E ndihmoi të ngrihej, derisa e shtriu përmbys mbi kurrizin e lopës. Dhe sapo arriti në shtëpi, e futi në bodrum bashkë me nënën e saj. -Ku, ku, moj loçka eme, ça ke me ndigjue prej Xhelës, që e ke pru ke shpia këtë burrë të huej! - i tha nana Rabie, me merak të madh për sherrin e pritshëm të babait. -A thue, s’kena me ia mbush mendjen, se ishte gjynah nga zoti, me e lanë të vdiste në fund të arës sonë, kur ishte ende gjallë!… -Vallahi, s’di çka me thanë, po Xhela ka me u tërbue për këtë burrë, që ia kena fut në shpi!… Ndërsa nanë Rabia shkoi të bënte gati ndonjë ushqim të lehtë për të plagosurin, Eminesë i ra ndërmend, se sot kishte mbushur plot njëzet vjeç. Dhe askush në shtëpi nuk ishte kujtuar për të festuar ditëlindjen e saj. Njerëzit e kishin mendjen vetëm te lufta. Djaloshi i plagosur rën