Dekoratori i plakur

Updated: Apr 5


Edmond Llaçi

Sa herë do të merrja rrugën për nga puna e tij do të qeshja nën zë, pasi e dija se çfarë më priste aty.

Si gjithmonë në qoftë se ishte duke punuar, do të lënte mjetet e punës për të më dhënë dorën. Nuk është njeri i keq. Hyn në tipat “e leshtë “ siç i thonë andej nga zona jonë.

   Në qoftë se vazhdimi i bisedës do të drejtohej nga ai, në artikulimin e fjalës ose më saktë të ligjëratës  nuk do të mungonte as edhe një prejse, pikëprejse, kllapa, thonjëza e kush i mban mend përveç atij të gjitha ato shenja pikësimi. Dhe për të plotësuar të gjithë atë kohë që kishte në dispozicion, ku në të shumtën e rasteve e kishte vet në dorë, do të gërmonte deri në imtësitë më të pakapshme të ngjarjes që tregonte ose komentonte, duke vënë në lëvizje të gjithë trupin e tij. Duhej ta lëje të mbaronte dhe më pas të nisje të flisje, pasi edhe ai pothuajse e respektonte këtë veprim.

    Në çastet e para të dëgjimit të tjetrit ishte i vëmendshëm. Dalëngadalë, duke të dëgjuar dhe pa e kuptuar as ai vetë do të fillonte  të merrej me pëllëmbët e duarve të tij. Duke i vendosur ato përballë njëra tjetrës, dhe puthitur mollëzat e të dhjetë gishtrinjve me njeri-tjetrin, do të ndiqte linjat e të gjithë atyre “vëllezërve siamezë” për të parë deri ku shkonte ngjajshmëria e tyre. Me gishtrinjtë të puthitur kokë më kokë, do t’i lëvizte të dyja duart për të parë edhe më thellë atë ngjajshmëri të madhe  që u kishte dhënë Zoti.

    Në ato çaste vëmëndjen nuk e kishte më nga unë. Aty tek niste të ndjente formën e gishtrinjve, sikur të kishte arritur të prodhonte me to një lloj energjie biologjike, tek i prekte një nga një, duke provuar njëlloj ndjenje mistike me shfaqjen e kësaj “energjie”. Pyetjes time për t’i kërkuar mendimin, i përgjigjej sikur nuk ishte aty: Si e the. Pa përsërite edhe njëherë. Buzëqeshja shvejkiane më çarmatoste. Naiviteti i tij sikur më thoshte: Duhet të ma thuash edhe njëherë që ta kuptoj. Për ta shkëputur nga ajo që po jetonte në ato çaste, i thoshja se duhej t’i numëronte edhe njëherë gishtrinjtë, pasi mund t’i mungonte ndonjë prej tyre. Rrëmbimthi do t’i shkëpuste duart dhe do t’i kalonte mbrapa si për t’i fshehur nga diçka e frikshme. Si i zënë në faj do të më dhuronte disa buzëqeshje të shpejta.

     Nuk dua të futem në kundërshtitë, shijet dhe konceptet e kundërta ku herë pas here na bënin të flisnim me zë të lartë, por do të vazhdoj të tregoj  këtë shfaqje të pavetëdijshme të karakterit, që më nxiste të zhbiroja thellë qenies së tij.

     Gjatë kohës që flisja, i ndiqja me vëmendje lëvizjet e duarve. Sendet e ndryshme të ndodhura mbi tavolinën e punës do t’i zhvendoste, e vendoste në vende e pozicione të tilla, duke krijuar figura gjeometrike, simetrira të ndryshme të konfiguruara në ato çaste përbrenda trurit të tij. Duhej t’i shikonte nga pozicione të ndryshme ato figura për të vendosur nëse do t’i lënte në idenë e parë. Duke bërë humor, përbrenda asaj që po e kënaqte në ato momente, ja lëvizja ato pjesëza të atij pazëlli që jetonte përbrenda tij, duke i thënë se kështu mund të dukej më mirë. Prapë, duke më buzëqeshur do të fshehte duart mbrapa.

     Në jetë kishte realizuar me dhjetra makete si dekorator. Kishte qenë i kërkuar sidomos për maketet e muzeumeve. Edhe në muzeun kombëtar e patën thirrur dikur. Gjithmonë dukej sikur ndërtonte në miniaturë skena të ngjarjeve nga më të ndryshmet. Edhe pse butafori, ato i jepnin atij ndjesinë e të lëvizurit lirshëm brënda tyre. Shtesa e një kthese rruge, vendosja e një porte me qemer, shpesh i nxiste fantazinë që historisë t’i jepte një drejtim të ri, për ta shmangur nga fatalizmat. Edhe pas kaq kohësh duart e tij ndërtonin në ajër skena të lira, ashtu siç do të donte të kishin ecur gjërat. Duhej t’i tërhiqje vëmendjen për ta kthyer tek e tashmja. I zënë në befasi gjithmonë shpikte një sebep me bashkëbiseduesin.

     Edhe kur shkonim për kafe, gjatë gjithë kohës që nuk fliste do të merrej me tavllën e paketën e duhanit  e me çfardo objekti tjetër që ndodhej aty mbi tavoline. Në çastet kur i kërkohej fjala ose dëshironte, do të fliste pasi të bindej se tavlla, më të shumët e rasteve, në kuadratet e stampuara mbi suprinën plastike, do të qe në pozicionin e duhur. Duke ndjerë se shikimi im nuk i ndahej veprimeve që ai kryente, duke i përplasur duart lehtë me njera tjetrën sikur i pastronte nga diçka, do t’i shkëpuste prej andej.

     Kur kam kohë, shkoj shpesh nga ai pasi ndjehem këndshëm.


19 views1 comment

Shkrimet e fundit