SA E DESHE TI ATDHEUN, AQ DO TË TË DOJË EDHE ATDHEU TY!


Adem Zaplluzha


GJOKË DABAJ


Pushofsh në përjetësi, o shok i dashur, Adem zaplluzha!.. Por ti s’duhej të kishe ikur! Ti duhej të kishe ndenjur edhe pak, të paktën sa t’i bëje 300 libra me poezi, 300 himne për Shqipërinë! Për krejt Shqipërinë!

Librat e tu me poezi janë himne! Poezitë e tua janë pagjumësi! Ti nuk fjete kurrë! Ty, kurrë nuk të zuri gjumi, për Kombin, për Kosovën, për Prizrenin!

...A thua do të mund t’i them edhe dy fjalë, pa m’u zënë fyti nga lotët?!

Ishim të rinj atëherë kur u njohëm. Ecnim lehtas mbi pllakat e lëmuara të Shatërvanit. Nuk donim t’i shqetësonim shpirtrat e të parëvet tanë.

Por nxënësit e Bogosllovisë i kishin hapat të rëndë. Përkuleshin kalldrëmet nën këpucët e tyre priftërore pravosllave dhe ne ia kishim frikën Shtëpisë së Lidhjes, se mos na e shembnin një ditë.

…Tani, ti do të na flasësh permes vargjevet!

Adem! Bëre mirë që shkrove poezi. Bëre mirë që s’i kalove kot ditët, muajt, vitet. Panteoni ynë u pasurua me vargun tënd, me figurshmërinë tënde poetike të mrekullueshme dhe unë e di fort mirë që s’do të kemi kurrë më një poet si ti.

Poetë të tjerë të mëdhenj, edhe më të mëdhenj, do të kemi, siç kishim edhe më parë, por si ti, me mënyrën tënde të ligjërimit, do të jesh vetëm ti, i papërsëritshmi Adem Zaplluzha!

...Kur shqiptarët të vijnë në Prizren, ashtu siç pyesin për Bogdanin, ashtu siç pyesin për Gjeçovin, ku e ka truporen, ku e ka varrin, do të pyesin edhe për ty. Ashtu siç pyesin dhe do të pyesin për të pavdekshmin Zahir Pajaziti dhe për të pavdekshmin Astrit Dehari.

Sepse, sa e deshe ti atdheun, aq do të të dojë edhe ty Atdheu!

Nga Republika e Shqipërisë, më 9 nëntor 2020 Gjokë Dabaj

31 views

Shkrimet e fundit