S’të premtova
Nga Vaso Papaj
S’të premtova mëngjese me diell
Në një dimër pa fund.
As net të purpurta,
Që atëherë s’gjendeshin kërkund.
S’të premtova as agime të përgjumur
Në kështjella përmbi retë.
As dashuri të gurta,
Me pabesi ushqyer, nga besa vet.
S’të premtova parajsë tokësore
Rrethuar me ferr, pa purgator.
As lumturi false me ngjyra.
Ku dhjetori të ngjante qershor.
S’të premtova plazhe, yje hotelesh
Mbrëmje rrethuar me gota.
As vila, kopshte kotelesh,
Që askush s’u trokiste tek porta.
Ti e di: vetëm një gjë të premtova,
Sido të ishte: dimër, pranverë,
Edhe në mbrëmjet e pagoja,
Në zemrën tënde të strukesha përherë.
Comentários