top of page

S’keni parë gjë akoooma…


Vaso Papaj

S’keni parë gjë akoooma… (poemë)

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo… I kam parë të gjtha, që kur linda: Borën në Tiranë, mbi kangjelet, Në rrugën Mbretërore. Atë ditë rëndonte ftohtësia dimërore Mbi degëzat e thara të mimozave. Doktorin italian që më mbajti në krahë për së pari. E vrau muzika që prodhonte gryka e mitralozave. E ç’muzikë !? Me zë të lartë njoftonte çuditërisht Fitorjen e fitorjeve. Nënën, më të bukurën në botë, Me fjalët e saj si rreze drite, që më sillnin shikimin. I pashë ata që u binin me kondakë bam- bam portave. Prangosnin njerëz në gjumë. I kujtonin copa trungjesh të thatë, që i rrëmben me vrunduj dallgësh pakthim një lumë. Ishin shumë. I kam parë vetë. Ishin shumë. Po edhe puthjet e prindëve i kam parë. Pashë dashurinë për herë të parë Dhe kam ndjerë lumturi që erdha në jetë prej tyre Në atë dhomë të vetme bodrum.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo… I kam parë të gjitha, që fëmijë: Kam parë anijet që sollën ndihma nga perëndimi. Thërrime mbetën, tranzit, në veri, tek fqinji. Dhe ndërrimin e gjuhëve, herë “motra”, herë “mike” E kam parë, Nga turqisht, greqisht, serbisht, etj, etj, gjer rusisht… Vetëm gjuhën e urtë të nënës, rrallë, shumë rrallë denjësisht… Ndërrimin e flamujve... Në çdo xhep, gati, nga një. Mësuesen e fillores që na dhuronte dashuri. Shkollën qytetëse aq të dashur, që s’është më Dhe bukën me triska, tollonët që na solli ajo liri. Kam parë gëzimin e kalamajve, Kur sosi e para hekurudhë. Këngën e vullnetarëve në Port. I kam jetuar refugjatët ardhur në atdhe nga jugu, Të vrarë, të djegur e të uritur nga një mort. E prapë e prapë, Miliona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën Dhe zemra më rrahu tërë kohën fort-fort.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo… I kam parë të gjitha, edhe në rini: Luftën ndaj fëmijëve, se dikur një gjysh kishin pasanik. Kokën, në atë botë, petritave të luftës Me dyshimin, se kishin vënë kokën e njëshit në rrezik. I pashë, si i thyen kryqet, si i hodhën minaretë… Si Zotin e bënë nul, se zotër donin të ishin vetë. Pastaj, luftën me veten gjersa vetja u kalbëzua Dhe është akoma në qivur. (Të bëjmë sikur…, të bëjmë sikur…) Filozofia e maskës që një ditë të vë me shpatulla në mur. I kam parë të gjitha, Ç’të shoh më!? S’mjafton koha t’i numëroj një nga një. Kam parë katapulte nga stalla e lopëve në Ministri, Gjersa vendit zemra i pushoi. Nga padia u bë fli. Të rinj të burgosur në miniera dhe lypës fatlumë në pleqëri. Fatlumë, se mijëra të tjerëve Otranto iu bë fushëmort, Aq sa ndonjëherë arrita të besoj gabimisht, se jeta ishte short. E prapë e prapë, Miliona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën Dhe zemra më rrahu tërë kohën fort-fort.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, joo0… I kam parë të gjitha, i shoh edhe sot: Mushkonjën kthyer në avion, po dhe avionin në mushkonjë. E kam parë dhe jam pleqëruar me zgavrën e ullirit mijëvjeçar. Me atë që në gjuhën tonë e quajnë zgërbonjë. E kishin dënuar me vdekje ullirin, në gijotinë. Luftën e kish fituar betoni, me në krye babëzinë. Kam parë politikanë dhe s’dua t’i shohë më. I mbytën ekranet duke dhënë mend edhe pse janë gdhë. Janë shtuar lypsarët, sa nuk i dalloj dot, Më kanë zënë sytë. E kur i prek , më ziet dhe një fjalë e vetme në fyt. Brenda natës kapen dhjetra peshq të vegjël me miell E po atë natë lind nga hiçi dhe një bos më shumë, Që thotë hapur, pa drojë: Për këtë qytet, dielli jam unë… Zot, ndihmomë ta dua atdheun edhe kështu, Edhe pse ato që kam parë janë pafund, S’mbarojnë këtu. Bëje të marrë frymë, hapja atë aortë! E prapë, e prapë, Miliona brava s’arritën të ma burgosnin zemrën. Ajo më rreh akoma dhe nesër do më rrahë edhe më fort.

S’keni parë gjë akoooma…

Jo, jooo… I kam parë të gjitha, s’dua të shoh më. Dua ndryshe ta bëj, ndryshe, çdo gjë.

 
 
 

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page