Sëmundja dhe ushqimi i mëndjeve të uritura
- Apr 4, 2022
- 14 min read

Me BB VIP shqiparve u trokiti në derë një vizitor (vëllai i madh) i cili që para se t’u çfaqej u premtoi se do u sillte lajme të mira e të këqija, të fshehta të nëndheshme nga dhomat e ndenjes e të prapaskenave të jetës së qejfit të yjeve të Tiranës e përtej saj, se do u tregonte me hollësi mbi sherret banale të moderatorve e moderatoreve televiziv, se do u zbulonte shkaqet reale që në botën e artit kishin sjellë divorcet e mëdha, se do u jepnin informacion për marrëdhëniet e reja të një ish-i, se do u pëshpëriste mbi raportet brenda komuniteteve me deviacione sociale nga trevat brenda e jashtë shqiptare, se përfundimisht do u sillte bukë për mendjet e tyre të uritura. Nuk harroi t'u thoshte se me lojën e tyre konkuruesit do kishin mundësinë që të mbillnin farën nga e cila do t’u rritej pema e sukseseve të papara në jetë. Atmosfera filloi të ndizej, u harruan telenovelat turke që trondisnin zemrat e shikuesve, u la pas dore “Përputhen” që disa e cilësuan thjeshtë “një limonadë” e plot çfaqje të tjera që tek e fundit u kuptua se paskëshin qënë një humbje kohe. “Vëllai i madh” bëri edhe një lajmërim të veçantë: Kishte ardhur koha kur shikuesit, ata që do mësonin të fshehtat do të kishin edhe privilegjin që të bënin gjykimin mbi rrethanat sesi historitë do tregoheshin dhe sesa “ rëndë” ato do peshonin. Do të ishte një sezon ankthi e mallëngjimi mbas izolimit tejet tensionues të pandemisë. Për brezin që kish përjetuar komunizmin tingëllonte si një kohë fushate ideologjike e dekadave të sistemit totalitar që lamë pas. Një atmosferë ngazëllyese për turmat, njëlloj si koha në komunizëm kur mëngjeseve grupe njerëzish ndalonin para tabelave të emulacionit në mes të Tiranës dhe, si me bukë për mëndjet e uritura, ngopeshin me Fletë Rrufetë që para syve të tyre zbulonin “të fshehta djegëse”, që “demaskonin” dhe përgojonin në mënyrat më banale individë, meshkuj e femra, që çuditërisht për një pjesë të njerëzve përbënin modele krenarie të komuniteteve profesionale dhe shoqërore të cilave u përkisnin. Depërtimi i qëllimshëm i guaskës mbrojtëse të individit, armaturës së tij psikologjike, e linte atë të zbuluar e mendërisht të traumatizuar duke u vënë nën kontrollin e atyre që i dinin sekretet e tij”. Kjo është situata e karakterizuar në vitin 1984 të George Orvvell, ku survejimi i përhapur i "Big Brother" ishte i mjaftueshëm për të mbajtur shumicën e qytetarëve nën kontroll të ngurtë. Pyes, pse ngjiti kaq mirë BB Vip në mëndjet e shqiptarëve, veçanërisht në grupmosha të reja dhe mesatare? Për përgjigjen më ndihmuan televizionet shqiptare ku moderatorët e emisoneve në biseda emocionalisht të ngarkuara tejkaluan hapësirat e raporteve normale njerëzore duke ndërhyrë brutalisht në privatësinë e individëve të pranishëm. Për koinçidencë gjatë kohës që “Bomba mediatike” ishte në muajin e saj të fundit ndodhi që në dy televizione të ndryshme private intervistoheshin dy shqiptarë që jetonin në SHBA me histori jetësh krejt të veçanta. “Po mirë – pyesnin dy moderatorët e ABC të intervistuarin me origjinë nga Vlora, i cili ishte pjesë e ekipit që realizonte projektin e një makine elektrike Hummer EV, na e thuaj një çikë sesa e ke rrogën aty”. Mirësjellshëm, inxhinjeri e shmangu përgjigjen direkte duke lënë të kuptonte që, rroga e tij s’ishte punë e tyre. Ndërsa moderatorja tjetër në “Dritare” me një qeshje moskokëçarëse ia bëri bashkëbiseduesit pyetjen direkte: “Po mirë më thuaj sa e ke pensionin aty”. Përgjigjja ishte zhgënjyese, pension i ulët, që e bëri akoma më të sikletshme, më keqardhëse, (ua sa pak), situatën tjetrit. Të thëna këto të thëna në publik në një institucion kulture. Nga gjithë udhëtimet dhe qëndrimet në vënde të huaja, njeriu para së gjithash mëson për vendin nga ku është, po aq shumë sa edhe për atë vend që viziton.
Ndodhirat më sipër më sollën në mendje eksperiencën e dy botëve kulturalisht të ndryshme.
Pse në SHBA, në Kanada, në Hollandë, në Australi, në Francë e Angli etj, konsiderohet bezdisëse dhe jashtëzakonisht e vrazhdë të pyesësh për pagën apo për të ardhurat e njerëzve të tjerë? Çështja e pagës dhe e të ardhurave është një nga ato gjëra specifike që mbetet brenda njeriut, si përtypja e ushqimit me gojën mbyllur. Imagjinoni shprehjen e fytyrës së dikujt që qëndron përpara jush dhe i kërkoni që të përtypet me gojën hapur. Njerzit në shoqëritë individualiste nuk e bëjnë këtë dhe kjo në ato vënde është një normë kulturore. Edhe nëse dikush nuk ju gjykon për pagën tuaj, thjeshtë do t'ju gjykojë sepse po flisni për të. Shumica e miqve tuaj nuk fitojnë aq para sa ju. Diferencat e parave krijojnë distancë. Cilado qoftë paga juaj, ju tani po e veçoni veten si të ndryshëm dhe filloni të gjykoni vendimet personale të tjetrit. Mbajtja private e të ardhurave do të sigurojë që të gjithë të respektojnë vendimet e njëri-tjetrit dhe të mos gjykohen për çdo euro që shpenzojnë. Për shkak të kufijve personalë tjetri nuk ka nevojë të dijë për sa shumë apo sa pak bën dikush. Nëse i dini të ardhurat e dikujt, ju vendosni një parametër me të cilin mund të krahasoni veten. Është e vrazhdë sepse një njeriu inovativ të motivuar me kulturën e punës së ndershme ju i bëni pyetjen: “A je më i vlefshëm se unë? A je më i fuqishëm se unë?” . Në këto rrethana është shumë e lehtë që ndjenjat e xhelozisë, cmirës dhe epërsisë të fillojnë të tregojnë mungesë respekti për kufijtë personalë të tjetrit, shkaktojnë vetëm pakënaqsi dhe dufe ambiciesh, ndërkaq thashethemet plagosin dhe denigrojnë, e këto janë arsyet pse në Perëndim njerëzit i shmangin këto diskutime me çdo kusht. Njerëzit duhet të gjykohen për atë se kush janë si person, jo për atë që fitojnë, edhe pse në shumë mënyra ne gjykojmë pasurinë e një personi vetëm duke i parë ata, çfarë kanë veshur, makinën që drejtojnë dhe shtëpinë në të cilën jetojnë.
Fakt është që vetëm 20% e popullsisë së planetit me kulturë individualiste perëndimore gëzon jetën në sistem demokratik real sipas ndriçimit që erdhi nga demokracia greke Sokratike. Pjesa tjetër e globit, Lindja kolektiviste, metaforikisht do thoja se vazhdon të karakterizohet nga mentaliteti para Sokratit. Jo më kot njohësit më të thellë të koncepteve të demokracisë greke shumë më tepër sesa edhe vet grekërit e sotëm, janë në Perëndim. Çfarë është arsyeja, çfarë e bën këtë “magji” që Perëndimi, një e pesta e globit, udhëheq kulturalisht ekonomikisht dhe ushtarakisht katër të pestat e tjera? Natyra njerëzore është e njëjtë pavarësisht nga vendndodhja gjeografike, raca, feja. Të ndryshëm e bën struktura e konceptit kulturor. Sistemi i kulturës perëndimore funksionon mbi parimet e demokracisë greke që nënkupton të drejtën reale të votës për të zgjedhur. Gjithëçka tjetër që lidhet me institucionet është e ndërtuar mbi parimin se, përfshirë Presidentin e vendit, mbi të gjithë njerzit që kanë pushtet duhet të egzistojë hija e mosbesimit. Presidenti nuk mund të bëhet diktator nëse funksionon kontrolli dhe balanca e pushteteve. Eksperienca amerikane së fundmi dëshmoi që demokracia egziston dhe funksionoi.Kulturat lindore dhe perëndimore kanë një perceptim të ndryshëm të fuqisë dhe distancës së pushtetit. Kulturat lindore kanë një strukturë shumë hierarkike, ndërsa kultura perëndimore është më shumë e barazisë, sipas parimit që të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe meritojnë të drejta dhe mundësi të barabarta. Institucionet në Perëndim janë garancia e parimit të barazisë së njeriut. Më konkretisht, një “Lindore” mund të identifikohet si "nëna e X" ose "motra, kunata, gruaja e X", ndërsa një grua evropiane e amerikane mund të identifikohet më lehtë si një mjeke ose një fituese e çmimeve ndërkombëtare. Me pak fjalë vlerat që janë më të rëndësishmet në Perëndim janë shumë më pak të rëndësishme në pjesën tjetër të globit. Duke mbajtur parasysh që në shoqërinë kolektiviste të Lindjes shteti është pronar i mjeteve të prodhimit, i mjeteve të shpërndarjes dhe i mjeteve të shkëmbimit (çmimeve) atëhere Shteti përcakton statusin tuaj, shteti përcakton se çfarë pune do të keni dhe sa para ju lejohet të fitoni. Këto 32 vjet shqiptarët aspirojnë të instalojnë modelin e shoqërisë individualiste perëndimore, fatkeqësisht duke përdorur mjetet që mbajnë gjallë shoqërinë kolektiviste lindore. Pasojat janë mohimi i pronës private, shkatërrimi i institucioneve, djegia e arkivave institucionale, djegia e universiteteve si në mesjetë dhe shkatërrimi tërësor i arsimit. Një shoqëri emocionalisht në marrëzi talebaniste.Akoma sot vazhdohet që fëmijët, nipërit e mbesat e moshës mbi 18 vjeç, thërriten me emrin e prindit deputet apo xhaxhait e të tezes, zyrtarë të lartë në shtet, jo me emrin e tyre, si individë përgjegjës të plotë përpara ligjit për veprimet që bëjnë në jetën e përditëshme. Në Mbledhjet e Plenumit sipsa stilit sovjetik Enver Hoxha pasi e kish piketuar viktimën e radhës fillonte t’i bënte gjyqin duke përfshirë në gjykim qëndrimin moral të pjestarëve të familjes dhe të rrethit të afërt shoqëror, (përgjegjësia e grupit) të cilët fillonin rrëzimin me autokritikën e thelluar. Sali Berisha sipas mentalitetit sovjetik kolektivist i thërret kundërtshtarët (armiqtë) e tij Fatos Thanas Nano dhe Edvin Kristaq Rama edhe pse këta ishin në moshë madhore e nën përgjegjësi tërësisht individuale. Po ashtu në botën arabe në dokumentin indetifikues shkruhet emri i personit, emri i babës, emri i gjyshit dhe në fund mbiemri. Funksionon mentaliteti i grupit dhe për një gabim të personit përgjegjësia shtrihet edhe te grupi.
Në Amerikë askush nuk ka fajësuar dhe as përmendur me emër prindërit e ish punonjësit të NSA Edvvard Snovvden I arratisur që sot jeton si azilant politik në Rusi. Çdo investim dhe mbështetje për njeriun e vetërealizuar si Individualitet minohet dhe luftohet egërsisht nga sistemi burokratik kolektivist. Herë herë është thënë se ne shqiptarët si popull jemi akoma në fazë maturimi adoleshence. Me sa duket kanë të drejtë sepse vazhdojmë të vuajmë pasojat e kohës së njeriut ri. Ndryshimet në mentalitetin njerëzor dhe kapërcimet kulturore janë gjithandej shumë të ngadalshme. Tiranët dhe sistemi i tyre autoritarist punojnë me shumë kujdes për t'i penguar njerëzit që mendërisht të arrijnë moshën e rritur. Njeriu në moshë imature është receptiv, pranon autoritetin e detyrimin fizik nga prindërit dhe i predispozuar instiktivisht që të ndiej dashuri për ata prindër. Në këtë kontekst sistemi autoritarist është një shtrembërim i prindërimit normal. Sistemi politik autoritarist arrin që të jetë në një pozicion prindëror dominues mbi njerzit, duke i penguar ata që të maturohen si qënie sociale. Përndryshe fëmija i maturuar si individualitet pikësynon ambiciet vetërealizuese që në shumicën e rasteve krijojnë mospërputhje me paditurinë prindërore e paditurinë e rrethit të ngushtë shoqëror. Prandaj nga autoritarizmi prindëror dëgjojmë të thuhet: “kur rritet fëmija prishet shtëpia”. Kjo gjëndje imature e nivelit kulturor të shoqërisë është arsyeja pse njerëzit që jetojnë nën tirani kanë më shumë gjasa të vlerësojnë harmoninë e të kënaqurit me pak midis tyre mbi lirinë e individit, që t'i kushtojnë më shumë vëmëndje manifestimeve të jashtme të turmave sesa dallimeve të brendshme ku spikat sjellja e individualiteteve shoqërore. Kanë më shumë gjasa që emocionalisht të formojnë turma të dhunshme e tërbime kolektive të temperamentit, duke qënë më pak të aftë për të kuptuar konceptin e një dileme të rreme që i shtyn më tej në marrëzi ekstreme, ku ka shumë të ngjarë të bëhen pre e emocioneve vrastare e destruktive ("Vdekje Amerikës"). S’më duhet Amerika (Haxhi Qamili) kur kam Peqinin dhe Rogozhinën. Në tranzicion lindi profesioni i “Protestuesit Universal” që përdoret si faktor emocional destruktiv sa herë që ia kërkon makina politike e radhës. Uniformat dhe uniformiteti i turmave është një shenjë e sigurtë që njerëzit i frikësohen individualitetit.
Në Shqipëri këto vite tranzicioni këtë frymë e ka ushqyer emocionalisht dhe e ka mbajtur gjallë Politika shqiptare. Politika dhe propaganda e saj si armë e mashtrimit në masë ka qënë opiumi për turmat e ndezura emocionalisht ndërkohë që, gazetat dhe televizionet me moderatorët e tyre diabolik kanë qënë shiringat me të cilat është injektuar te njerzit.
Psikologu amerikan Jonathan Haidt sjell një analogji interesante dhe shumë të dobishme në lidhje me ndryshimin e sjelljes së individit dhe të kategorive shoqërore. Ai argumenton se mëndja e njeriut ka dy anë, njëra është ngjashëm me një elefant (ana emocionale nënndërgjegja me pafundësinë e emocioneve - 95 përqind) dhe tjetra, ajo analitike - racionale (drejtuesi-ngarësi i elefantit përmbi shpinë të tij - 5 përqind).
Drejtuesi është racional dhe për këtë arsye mund të shohë një shteg përpara, ndërsa poshtë tij Elefanti emocional ofron fuqinë për udhëtimin. I vendosur në majë të Elefantit, Ngarësi mban frenat dhe duket se është lideri. Por kontrolli i drejtuesit është i pasigurt. Sa herë që Elefanti 6 tonësh dhe drejtuesi 60 kgsh nuk bien dakord se në cilin drejtim të shkojnë Drejtuesi është ai që do të humbasë. Në këtë betejë midis Unit tonë racional dhe forcës së emocioneve shpesh është Elefanti emocional që e mposht drejtuesin racional. Si drejtues racional, ne mund të dimë se ku duam të shkojmë, por duhet ta motivojmë Elefantin duke ia influencuar emocionet.
Vet drejtuesi i elefantit bën një punë para përgatitore, studjon sjelljet më specifike dhe modelet e mëparshme, përpiqet që të zvogëloj ndryshimin në mënyrë që të mos e trembë elefantin, sigurohet që të ketë një vizion sa më të qartë për ndryshimin, sepse zakonisht ajo që duket si rezistencë shpesh është mungesa e qartësisë së drejtuesit.Duke përdorur logjikën dhe gjuhën, drejtuesi i menduar, i qëllimshëm, mund të përpunoj informacionin, bën ndryshimet e kërkuara specifike, formon shtegun duke fokusuar situatën në përshtatje me mjedisin përreth. Në këtë mënyrë kanë më shumë gjasa të qëndrojnë duke udhëtuar sëbashku nën harmoninë emocion-racionalitet drejt vendimeve e qëllimeve afatgjata. Te çdo njeri Individualiteti është një fuqi reale e natyrshme e tij, shumë, shumë e rëndësishme, zhvillimi dhe shprehja e kësaj fuqie i mundëson dikujt të marrë përsipër përgjegjësinë personale të drejtimit të hapave që hedh në jetë. Njerzit emocional priren që të bëjnë atë që po bëjnë të tjerët. Njeriu me individualitet nuk mbetet i stampuar mbas dikujt që merr inciativën të vetshpallet udhëheqës i tufës, si dashi me këmborë. Të rritesh me kalimin e viteve është e pa evitueshme, por të maturohesh, kjo është e pasigutë, thotë urtësia popullore.
Në historinë shqiptare eksodi i përmasave biblike drejt Italisë dëshmoi sesa i papërmbajtshëm ishte shpërthimi emocionues i “nisjes” drejt Perëndimit. Amoku i të “Ikurve” ishte një udhëtim në errësirë të plotë informative, ku secili bënte atë që po bënin të tjerët, pa ditur se ku dhe çfarë do të gjenin, vetëm të largoheshin nga ferri shqiptar. Mendoj se ka një dallim të rëndësishëm kategoria e emigrantëve të mëvonshëm, e atyre që e kërkonin dhe e siguronin largimin në mënyrë legale, në harmoni elefant-drejtues, duke pasur mundësinë e vendosjes në peshore të dobive ose jo të largimit. Nuk kam dyshim se ata dëshmuan qartazi atë fenomen që është vënë re te popujt e tjerë se, njerëzit më të vetërealizuar e të vetëbërë si individualitete në një shoqëri kolektiviste vetëdijshëm priren që të jenë rebelë të gatshëm për të emigruar në Perëndim, si kundërvënie ndaj shtypjes që ushtron sistemi dhe kultura kolektiviste. Jo pa arsye mes kombeve të tjerë Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Australia, të gjitha të populluara nga emigrantët, janë shoqëritë më individualiste në botë. Mendoj që udhëhiqeshin dhe udhëhiqen nga parimi se, dëshiroj të jem instrument i akteve të vullnetit tim, jo instrument i akteve të diktuara prej njerëzve të tjerë. Hapësira personale, individualiteti – si ngrënia dhe frymëmarrja – është një nga kërkesat themelore të jetës së njeriut ëndërrues. Dëshira e individit për privatësi nuk është kurrë absolute, pasi pjesëmarrja në shoqëri është një dëshirë po aq e fuqishme. Kështu, çdo individ është vazhdimisht i përfshirë në një proces përshtatjeje personale, në të cilën ai balancon dëshirën për privatësi me dëshirën për zbulimin dhe komunikimin e tij me të tjerët. Nuk ka një të tillë si shoqëri individualiste “e pastër” apo shoqëri kolektiviste “e pastër”. Njerëzimi thjesht nuk mund të funksionojë në asnjë gjendje ekstreme. Edhe një shoqëri e orientuar shumë individualiste si SHBA-ja ka elementë kolektivizmi brenda saj, ndërsa një komb kryesisht kolektivist si Kina ka elemente të individualizmit edhe brenda shoqërisë së tij.
Bashkimi i dy Gjermanive është një shembull shumë domethënës i luftës midis Unit racional dhe emocioneve njerëzore.
Prej 32 vjetësh Gjermania është e bashkuar. Identiteti gjerman ende nuk është. Trashëgimia kulturore e një historie të ndarë në kolektivizëm lindor dhe individualizëm perëndimor ka lënë shumë njerëz të ndihen si të huaj në tokën e tyre. Institucionet politike në vend janë ende duke luftuar për të shkatërruar atë që gjermanët e quajnë "Muri brënda kokës", sipas udhëheqësit të Agjencisë Federale të Gjermanisë për Edukimin Qytetar. Pas ribashkimit shumë gjermano-lindorë ndihen si qytetarë të klasit të dytë, gjë që Dr. Hans-Joachim Maaz, një psikanalist në qytetin lindor të Halle, e quan një "përvetësim kulturor". Thënë ndryshe në Lindje janë peng i mentalitetit të kulturës komuniste. Dominimi në elitat i gjermanoperëndimorëve ndihet ende si kolonializëm kulturor. Vazhdojnë të thërriten me nofkën “Lindorët” dhe ende ndihen të tjetërsuar nga shoqëria perëndimore. Ai argumenton se kjo bën që shumë në Lindje të mos i besojnë qeverisë dhe madje demokracisë. Ish kryeministri në largim i shtetit të Saksonisë, Stanislaë Tillich, në letrën para lënies së detyrës paralajmëroi kancelaren Anxhela Merkel se rajoni ishte në rrezik të binte në një "pozicion sanduiç", midis rajoneve shumë të zhvilluara të Gjermanisë perëndimore dhe Evropës Lindore të subvencionuar nga BE. Studiuesit e institucioneve qeveritare kanë konstatuar se kultura kolektiviste e mbartur nga komunizmi, dhe jo vetëm faktorët ekonomikë, inkurajojnë radikalizmin e krahut të djathtë.
Duke përdorur analogjinë e (Elefanti dhe Drejtuesi) është e qartë pse për individin dhe për grupe të mëdha shoqërore ndryshimi i mentalitetit kulturor paraqitet shumë i vështirë si proçes dhe shumë i gjatë në kohë. Por jo për shqiptarët ku brenda natës ndodhi “mrekullia” historike. Berishizmi është ilustrimi fatkeqësisht “brilant i transformimit” sa hap e mbyll sytë nga kultura lindore komuniste në kulturën antikomuniste perëndimore. Sali Berisha u ngrys komunist i pamposhtur dhe të nesërmen si me çelës “u kurdis” demokrat i pathyeshëm. Idhujtaria ndaj Berishës, ndaj Nanos dhe ndaj të tjerëve më pas, i lidhi njerëzit verbërisht rreth tyre. Drejtuesi i papërgatitur për ndryshimin, i rrëmbyer nga stuhitë emocionale mbolli kaosin shoqëror. Kaosi emocional nuk u kontrollua nga racionaliteti. Arbitrariteti dhe konfliktualiteti që zhvillohej në praktikë ekzaltonte fytyrat e turmës, të cilat nuk ishin veç një galeri fotografish që ndiqte zërin e idhulit duke shtypur thellë zërin e vet të brendshëm. Nuk thonë kot se njerëzit kanë qeverinë që sjellja e tyre e meriton. Për të zezën tonë vazhdojmë të jemi e të zgjedhim politikanët emocionalisht. Disa thonë se ne jemi njerëz me kujtesë të shkurtër. Mendoj se më shumë jemi popull shumë emocional ose më mirë iracional të mbetur në injorancën e turmave. Për fat të keq edhe disa të rinj e të reja që janë arsimuar në Perëndim duke filluar nga L. Basha e disa përreth tij nuk kanë arritur që të krijojnë individualitet. Gjithmonë janë gjëndur në rrjesht me mentalitetin emocianal të turmave. Duket që perëndimi i ka parë, siç e thotë populli. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që edukohesh në Perëndim dhe kthehesh e punon si në Lindje Në jetë janë shumë nga ata të shkolluar që zgjedhin jo të ecin përpara drejt rritjes por të bëjnë një hap prapa drejt sigurisë. Gjejnë strehën e sigurtë në turmë, nuk përbëjnë “material vizionesh për të ardhmen”. Rasti L. Basha më sjell në mend kurthin e fatit të destinuar që jeta u përgatit politikanëve autoritaristë. Thellë vetes e ndiejnë por nuk e vuajnë emocionalisht sjelljen antinjerëzore gjatë ushtrimit të pushtetit. Vetëm një merak kanë, të sugurojnë familjen pas tyre. Eleminojnë rivalët që të hapin rrugën për të zgjedhurin e tyre ku s’kanë rëndësi meritat por besnikëria ndaj familjes. Nuk kanë besim te individualitetet. Kështu u kap në çark Enver Hoxha me Ramiz Alinë pasardhës, kështu gaboi në fundin e paevitueshëm edhe Sali Berisha me Lulëzim Bashën.
Mbresëlënse janë disa skena në filmat vvestern amerikan me ngjarje të shek. 18të ku nën dritën e një kandili, në vetminë e një mbrëmjeje mes yjesh në qiell, në një hapësirë të pafund të perëndimit të largët, një kauboj emigrant nxjerr një libër nga çanta e vjetër prej lëkure dhe i përqëndruar lexon Biblën, poezi të John Milton apo Shekspirin. Ȅshtë një individ që rritet, që ushqen mëndjen dhe shtrinë horizontet e imagjinatës me forcën e fjalës së shkruar. Libri është mjeti që ushqen edukimin, që bën të mundur bashkimin e interesit të elefantit me Drejtuesin e tij. Libri nuk do ta bëjë njeriun një person më të mirë apo më të keq, një qytetar më të dobishëm apo më të dëmshëm. Leximi do nxis dialogun e mendjes me veten, do na shtyj të bëjmë pyetje, të bëjmë brenda vetes udhëtimin tonë të jetës, që siç e thotë komediani i madh italain R. Benigni: “është një udhëtim më i gjatë, më i vështirë, më inovativ dhe më i rëndësishëm se udhëtimi i Neil Armstrong në Hënë”. Idhtarët e tregut të lirë e përcaktojnë kulturën perëndimore si forma ndoshta e fundit e lirisë individuale. Politikanët shqiptarë nuk e duan kapërcimin në kulturën perëndimore sepse e drejta e votës për të zgjedhur i shkul nga pushteti dhe u heq mundësinë e korrupsionit pushtetor. Pushtetet autoritariste ndjekin një aksiomë: sa më i korruptuar pushteti aq më i prirur është që të lehtësojë mundësitë e largimit jashtë vendit të njerëzve të arsimuar e të vetkultivuar si individualitete dhe, po aq shumë të prirur janë në Perëndim për t’i përthithur këto individualitete. Në Shqipëri duke filluar me pushtetin e parë demokratik e në vazhdim historia e largimi të trurit e konfirmon këtë aksiomë. Pak kohë më parë më qëlloi të shihja një intervistë në emisionin Arnautistan. E intervistuara një gazetare që kish qënë producente e lojës “Vëllai i madh” në vitet e kaluara u pyet nga moderatori: do ua sugjeroje moshave të reja spektaklin e “Big brother”? e ajo aty për aty u përgjigj: absolutisht jo, jo nuk i ndihmon moshat e reja. Të rinjtë tanë kanë nevojë që të ndjekin spektakle ku ushqehet ndjenja e konkurencës që është në thelb të ekonomisë së tregut, të ndjekin çfaqje ku ballafaqohen e garojnë talentet në fusha të ndryshme të jetës, duhet të formohen si individë të përgjegjshëm me personalitet,etj.. Mëndjehapur ajo vlerësonte vetëkultivimin e moshave të reja nëpërmjet edukimit me konceptet e kulturës perëndimore. Njeriu dhe iniciativa e lirë sëbashku me barazine e oportuniteteve sipas meritokracisë janë motorrët që mbajnë në lëvizje të vazhdueshme ekonominë e kombeve me kulturë individualiste perëndimore.









Comments