top of page

RUBIKON I PAKALUESHËM


Pozaet Qose

-Erdhi makina e hekurave. Stufa të vjetra, lavatriçe, susta krevati, tepsi që s’i përdorni- dëgjohet zëri i zvargur i folësit, i regjistruar në CD Asllan Çerjepi e dëgjon duke thithur cigaren. Po deputetë fosile, a merrni?- dëgjohet nga një ballkon një zë i ngjirur -Mbaji për vete, o shoku im,-ia kthen shoferi.-Ata nuk i hyjnë në punë as dreqit. Asllani i ka të gjitha rrangullinat e shtëpisë të vjetra, ndaj edhe mund ta heqë ndonjërën. Po kë se? Se te gjitha i kujtojnë nga një copez jetë. Stufën e ka blerë kur i lindi djali. Lavatriçen, kur i lindi vajza. Ato e kanë ngrënë qëkur të ustait, por ai s’e merr dot guximin t’i heqë nga shtëpia, se i duket sikur do i boshohet shpirti mga mungesa e tyre. I duhen para sa kurrë më parë. Dy muaj nuk ka bërë xhap të shkojë te barraka e vogël, ku mbush çakmakë, rregullon çadra, bën çelësa kyçash, ndreq bishta syzash e punë të tjera të këtij lloji, me te cilat mban jetën. Karantinë hesapi. Se nga na paska dalë një qen virusi, që i paskan vënë dhe një emër të bukur,”Koronë” e paskan quajtur, i cili i ka dhënë lelenë dynjasë, ia ka ndryshuar robit rrjedhën e deritanishme të jetës, e ka mbyllur brenda njerëzinë, si miun në çark e s’e lë të ngrejë kokë. Po paratë i duhen, se, sepse ajo “paga e luftës” nuk i mbyll dot brimat e gardhit të tij të handakosur I shkrep në kokë hedhë short se cilën do të nxjerrë nga shtëpia. I shkruan emrat e tyre nëpër copëra letrash dhe i hedh deri afër tavanit. I lë të bien si flokë të bukur dëbore dhe zgjat dorën e merr njërën prej tyre. Lavatriçja. Del në sheshpushimin e shkallëve që të ngjisin në katin e tretë, ku ndodhet hyrja e tij e vogël 1+1. i thërret shoferit të ndalojë e të ngjitet deri aty se ka një rrangull që do ta shesë. Shoferi ndalon makinën dhe zbret duke përplasur fort derën e saj. Me sa duket, ajo nuk mbyllet ndryshe, përveçse me një gëzhdau shurdhuese. Ngjitet duke gufuar dhe i zgjat grushtin Asllanit. -S’ka me dorë, robo. Vdiq dora. Na e bëri këtë nder Karavirusi,- e mbyll fjalën ai, duke zëvendësuar fjalën “Koronavirus” me “Karavirus”, sikur të shfryjë gjithë mllefin kundër tij, me këtë stilemë të pavetëdijëshme. Hyjnë brenda. Asllani i afrohet lavatriçes dhe e sheh sikur është e gjallë. Po për të e gjallë është dhe kjo s’ka pikën e dyshimit. I thotë me kokë shoferit të hekurave se kjo është plaçka që duhet të marrë. -Sa do?- i thotë shoferi. -Sa e çmon ti?- ia pret Asllani. -Këto ne nuk i marrim më shumë se 100,- kërkon t’i vëjë kapak pazarit ai. -Shto dhe 50. -Jo, jo, punë që s’bëhet. Ja po ngrihem dhe 15. -Dhe 10 të tjera dhe e mbyllim. -Qoftë e bërë!- i japin fund të dy. Shoferi nxjerr celularin, të lajmërojë tjetrin, që qëndron në makinë. Formon numrin dhe , sapo bëhet gati ta nisë thirrjen, Asllani e prek lehte te bërryli. -Ë?- e pyet ai me zë dhe me pamjen e fytyrës. -Lere, mos e lodh. Ndërrova mendje. -Pse, s’të pëlqen pazari? Po ne bashkë e kopsitëm këtë punë. -Jo, jo, nuk është punë pazari. Më i mirë se është nuk bëhet, por e lëmë këtë punë. U bëra pishman. Burri i hekurave habitet dhe zemërohet njëkohësisht. I tund kokën në një mënyrë të tillë, sikur do t’i thotë; Ej, mendjepjerdhur, nuk kam aq kohë unë, sa ta humbas pa pikë leverdie .S’t’I kam borxh këta filma! Asllani ngre supet, sikur do t’i kërkojë ta falur. Nxjerr një dyqindlekësh dhe ia zgjat, duke i thënë të pijë një birrë. Tjetri e merr dhe zbret shkallët, pa mundur të kuptojë pse ky tyç ia drodhi në kthesë. korrik, ’20.

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page