RRUGA “JUSTIN GODARD” NË VLORË
Nga Luan Çipi
Rruga e Vlorës, “Justin Godard”,
Shtruar si me gur’ të artë.
Andej erdhën Fitimtarët,
Kombit faqet ia zbardhën.
Is Boletinin e patë?
Gurakuqin e kish pranë,
Vrionë, Begoll e Dematë,
Trima pa fund e pa anë!
Ju dritare kanatë hapur,
Tregoni se ç’kini parë:
Burra azganë të çartur,
Kuqezinjtë, fitimtar.
Madhështor duket Lef Nosi,
Dom Nikoll Kaçor, flokgjati,
Merlika, Qazim Kokoshi,
Medi Frashëri dhe Mitati.
Festën e bëjnë më të ndjerë
Këngët labe e mirditore,
Vallja çame, vler’ mbi vlerë
Dhe shakatë me kripë vlore.
Sheshi Flamurit gjëmonte,
Festë e madhe e Pavarësisë,
Shqipëria po gëzonte,
Ditët e lumtura të lirisë.
Ishte 28 Nëntor,
Ngjarje e madhe për Shqiptarë,
Objektivi sipëror:
Një bashkim për mos t’u ndarë,
Si dikur me Skënderebeun,
Lidhur besë a bes’ në Lezhë,
Të shpëtonin mëmëdheun
Me guxim, besim e shpresë.
Te kjo rrugë e shenjtëruar
Rendën vrap majë kali,
Atdhetarët më të shquar,
Printe Ismail Qemali!
10 Tetor 2021
留言