Tregim nga Kozma Gjergji
Në kolektivin tonë, tashmë të dominuar nga mosha e mesme dhe e disave drejt pensionit, erdhi për të punuar një djalosh rreth të njëzetë e gjashtave.
Qysh përpara mbërritjes së tij na qe bërë e njohur se ishte një nga rrugaçët e pandreqshëm të qytetit, që nuk i pati zënë vend bytha në asnjë ndërmarrje, sherrxhi sa dhe me veten kacafytej e nuk e donte hiç punën, rregullin, ligjin… Shkurt, një i molepsur nga veset më të këqia dhe ndikimet e huaja borgjeze.
Reagimet tona paraprake qenë nga më të ndryshmet. Disa, të mërzitur e lodhur nga monotonia dhe moçali i përditshmërisë, ardhjen e tij e shikonin si një erë pranverore që do sillte gjallëri e përtëritje, të tjerëve u dukej se tani e tutje do t'u duhej të bënin edhe zdrukun për t'ia ndrequr gdhënjtë, kurse eprorët e ndienin si një telash shtesë krahas atyre për mosrealizimin e planit.
Shtrënguam duart me të dhe i uruam mirëseardhjen e punën e mbarë. Buzëqeshi përmbajtur. Kishte një trup të gjatë e pamje mashkullore tërheqëse. Nga veshja, basetat dhe flokët e gjatë dukej i dhënë pas modës e modernes.
E shoqërova për në fjetore. I tregova krevatin, komodinën e dollapin që i përkisnin. Më tej e njoha dhe me mencën e mjediset e punës. E sigurova që s'do t'i mungonte mbështetja jonë dhe se bashkërisht me ne do t'ja dilte me sukses.
Pashë që e kishte përgatitur veten për të përballuar çdo vështirësi. Motoristi B. tek e shikonte me simpati më tha se ky djalë qenka si artist Hollivudi dhe te ne s'do e kish të lehtë ta luante rolin.
Pusi ynë i shpimit për naftë gjendej në një kodër të veshur me ullinj e vreshta të kooperativës bujqësore "Rruga e mirëqënies". Punonim këtu prej gati një viti e pas gjashtë - shtatë muajsh parashikohej ta përfundonim detyrën.
Që të nesërmen në mengjes djaloshi ja filloi me pastrimin e mbetjeve, gropës së argjilës dhe plotësimin e çdo lloji kërkese e nevoje të të tjerve. Këtë punë ne e konsideronim nga më të bezdisshmen dhe të lodhshme. Por për çudin e të gjithëve ai ia doli për bukuri.
Me atë përkushtim, shkathtësi, disiplinë e sjellje korrekte po tregonte një identitet krejt të ndryshëm nga ai që na ishte bërë i ditur para ardhjes së tij. S'thonë kotë: Më mirë të të dalë syri sesa nami!
Ashtu vijoi edhe në ditët e javët e ardhshme. Në asnjë rast nuk ia lejojë vetes t'iu bënte bisht vështirësive. Edhe në të tillë mjedisi, ku puna e rëndë të shtypte e nëpërkëmbte ai ishte ndryshe. Dinte ta ruante lirinë, pavarësinë, dinjitetin, kurse ne qem të mbaruar, të stamposur keq, kopje të njëri-tjetrit, thjesht vegla të atij mekanizmi stërmadh që përbënte pusin. Ndjeheshim njësoj si ata demat e vënë nën zgjedhë e kularë.
Në vazhdim kuptuam që djaloshi e kish eksploruar mirë me sy tërë mjedisin përrreth e fshatrat, sepse nisi të frekuentonte fshehtas blloqet e qershive, pastaj ato të pjeshkëve, bostaneve…
Sillte fruta dhe në kapanon e na i ofronte bujarisht edhe neve. Nuk ia pranonim kurrsesi. Kishim frikë. Atij i pëlqente shumë fshati e njerëzit e tij. Hyri shpejtë në lidhje me mjaftë prej tyre.
Nuk shkoi gjatë e ia rrëmbeu zemrën një bukurosheje. Dalldisi me të sa e sa net. E palloi. Pastaj u pa me një tjetër e prapë dhe me një tjetër… Tip Don Zhuani. E kishim zili, por bënim parimorin se gjoja nuk na pëlqente ajo sjellje.
Për ta nxitur të krijonte ndonjë lidhje serioze, mjeshtër Biku i tha, se qe me shumë fat që me këtë të fundit kishte gjetur tamam një alamet vajze.
-Ke plotësisht të drejt i dashur mjeshtër, është me të vërtetë alamet p.çke! -ia miratoi i kënaqur.
Gjuhë tipike prej rrugaçi, por tingëllonte gati normale në mjedisin tonë punëtor e krejtësisht mashkullor.
Vjedhjet dhe dashuriçkat e tija morën dhenë. Qenë sinjalizuar edhe autoritetet e pusit, të cilët të alarmuar organizuan mbledhje inkuizicioni për ta gozhduar si Krishtin. Kanë qenë shfaqet më zbavitëse e të këndëshme që kemi përjetuar, ku personazhet kryesorë që luanin ishin djaloshi, përgjegjësi i pusit, sekretari i organizatës-bazë të partisë dhe kryetari i asaj profesionale.
-Pa ngrehu, - iu drejtua përgjegjësi në dialektin e vet, - ngrehu e na jep një çik llogori
konkretikisht si ke guxuar të vesh dorë në pronën kooperativiste dhe i ke mashtruar ato çupat e pafajshme?!… Kemi informacione të bollshme nga vëllezërit kooperativistë…
Djaloshit nuk i lëvizte një qime, si i thonë fjalës. Kishte një kurajë të pashoqe dhe oratori mahnitëse. Kundërsulmi i tij qe fantastik. Si dukej e dinte, që një herë do të gjendej në të tillë situate, prandaj për t'u mbrojtur kishte arritur të zbulonte tërë bëmat e tyre, të cilat askush nga ne s'do guxonte kurrë tua përmëndte. Me një gjuhë të hidhur, ironike e tallëse iu përgjigj:
-I kam bërë ato për të forcuar aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë koopertiviste. Ti, - i drejtoi gishtin përgjegjësit të pusit, - je nga kontributorët më të mëdhenj në këtë drejtim. Ke dhënë e jep me kuintalë karburante e lëndë drusore të ndërmarrjes dhe ke marrë e merr për vete shqerra e shelegë të kooperativës….
U ndezën gjakrat. Ia quajtën shpifje të rëndë dhe e kanosën. Në mbështetje të përgjegjësit djaloshit iu vërsul sekretari i partisë.
-Jep hesap për veten tënde njëherë… Me atë sjellje prej rrugaçi e huligani na ke fëlliqur të tërëve, i ke pëshurrur virtytet e larta të klasës punëtore… Morali yt është nepërkë e helmët borgjeze, që ti po e çon ta ngrejë strofkën edhe në fshatin socialist…
Menjëherë djaloshi ia ktheu guximshëm :
-Unë nuk pranoi të marrë këshilla e moral nga një i pamoralshëm, nga një kurorëshkelës, siç je ti, me një fëmijë jashtë martese…
Situata u tendos keq. Ishte hera e parë që eprorët sfidoheshin ashtu…
Në mbrojtje të sekretarit u ngrit dhe sulmoi kryetari i organizatës profesionale.
- Pse nuk bën autokritikë të thellë kokulur dhe të propozosh për veten dënimin më të rëndë për tërë ato maskarallëqe që ke bërë, po na vërvitesh degë më degë?... Je veç një kukudh mashtrues, një shpifës dhe hajdut ordiner që meriton burgun…
Për ta poshtëruar e sterrosur sa më tepër ai e goditi dhe në një anë tjetër :
-Kemi të dhëna të sigurta që je tmerrësisht problematik edhe në familjen tënde. Grindavec skizofrenik! Sillesh harbutërisht e me agresivitet shtazarak me babain që të ka bërë kokën sa edhe fqinjët tromaksen. Përse? Për ç'shkak? Për ç'poshtërsi? Hajt thuajna, thuajna… që të dimë dhe ne ç'të bëjmë me ty. Ka plot forma edukuese deri te ajo e internimit…
Po si s'pate një çikëz zor e gjynah që i gënjeve aq dinakërisht e pabesisht ato të shkreta vajza?!… Ehë?… Si?… Unë edhe dyzet çupa të kisha dhe kurrën e kurrës, as në mënd nuk do e shkoja të të jepja ty ndonjërën…
Djaloshi reagoi flakë për flakë :
-Edhe unë helm do pija nëse më detyronin të merrja ndonjë nga bijat e tua.
-Leri këto, palo djalë… Nuk të shkojnë me ne… Hajt, hajde… na trego pse sillesh ashtu kafshërisht me tët'at?…. Apo s'ke surrat, sepse je fajtor?… .
-Të falenderoi jashtëzakonisht që më mësove abetaren për mardhënien me prindërit… Nuk bën dot lart duke nxjerrë nga goja tërë ato mutra…
-More maskara, s'ta mban të na thuash pse e trajton babain si kriminel dhe flet këtu vetëm karllëqe e kërriçllëqe…
Habitshëm djaloshi, si ta kishte goditur befas ndonjë gjë e rëndë, bëri pozën e njeriut të zën në hall të madh. Si i kapur shumë ngushtë në gabim mërmëriti:
-Po si e ç'të t'u them?… Nuk ma nxë goja…. Hëhëëë!… Ai…
Drejtuesit të bindur se me siguri do ishte ky shkaktari, u ngrefosën e zunë t'ia tërhiqnin fortë lakun e presionit që të rrëfehej.
Mua dhe të tjerve që i kishim shtrënguar dorën djaloshit për kurajon e zgjuarsinë, po na vinte mjaftë keq për kthesën e papritur të situatës dhe s'dëshironim kurrsesi që ta humbiste këtë betejë të shkëlqyer me ata.
Ngurrimi e refuzimi i vendosur i tij për të shpjeguar arsyet e sherreve të egra me të atin i bëri kureshtarë të gjithë, sa i shtyu t'i kërkonin ndihmë usta Demirit ta bindte. E dinin që e dëgjonte, sepse vazhdimisht e kishte përkrahur e mbrojtur.
Mos e mbani gjithnjë nën breshërinë e kritikave, ndërhynte shpesh ai dhe këshillonte si më i moshuar: Edhe hekuri nga rrahja e nxehja e tepërt skuqet, holloet dhe këputet. Njeriu është si nëntoka. Nuk përbëhet vetëm nga argjil e shkëmb, ka dhe shtresën me minerale të ndritshme e shumë të çmuara.
Ky djalë, vijonte ustai, është krejtësisht si i gjyshi, me të cilin kam punuar e ishim miq. Qe punëtor e bujar i madh, por ama, dhe ai, nuk i donte fortë rregullat. Pinte e paguante edhe për fshatarët që gjendeshin në klubin e fshatit. I pëlqente të vidhte në pemëtoret e kooperativës. Mirëpo për të nuk ankohej askush. Kur e diktonin ai menjëherë niste të fliste rusisht me zë të lartë. Rojet e pandehnin për rus dhe largoheshin nga frika se mos bëheshin shkaktarë të prishjes së mardhënieve me Bashkimin Sovjetik.
Me ndërhyrjen e usta Demirit djaloshi u thye e filloi të tregonte arsyen e vërtetë të sherreve me të atin.
-Gërrindemi e konfliktohemi vazhdimisht seeee… Hë, ç'më ka bërë ai!… Eh… -shfrynte me një mllef e urrejtje të brendshëme.
-Po thuaje të shkretën se na plase, thuaje de…, - i ndërhynë të gjithë në një zë nga padurimi.
-Ja, po ua them, -pohoi duke rimarrë kurajën.- Bëj sherre të mëdha me babain se ai… se ai më ka qirë mamanë!…
Askush nuk e priste këtë përgjigje. Mbetëm një moment si të goditur, pastaj pasuan të qeshura e zhurmë. Mbledhja u mbyll pa ndonjë vendim.
Mbas atyre të vërtetave tepër të hidhura e tronditëse që djaloshi denoncoi publikisht për autoritetet, vetëkuptohej që edhe prej këtej do të largohej, ashtu siç kishte bërë në ndërmarrjet e mëparshme. Por atij aq i bënte, se tek e fundit ç'do humbiste?
Në një nga ditët në vazhdim ndodhi diçka e jashtëzakonshme që e përmbysi gjithçka. Nga ujëmbledhësi, pak më poshtë pusit, që vendasit e quanin bunar, befas dëgjuam britma të llahtarshme dhe thirrje "Ndihmë… . Ndihmë… ".
Vrapuam rrëmbimthi dhe u gjendëm përballë një skene tmerri: Dy adoleshent i kishte rrëmbyer thellësia e po rrezikonin të mbyteshin. Njerëzit klithnin e bërtisnin dhe nuk i ndihmonin dot se s'dinin not. U zgjatnin ndonjë shkop a kallam, por ata ishin larg. Qenë minuta fatale e të lemerishme.
Mrekullisht, kur askush s'e priste, dikush, si ta kish dërguar me urgjencë vetë Zoti, kërceu fluturimthi me gjithë rrobat dhe ra pranë tyre. I kapi rrufeshëm, i tërhoqi e ngriti lart dhe me manovrime herkuliane arriti t'i nxirrte në breg. Një çlirim i patregueshëm nga ankthi dhe gëzim i pa masë.
Cili, cili qe vall ky Shpëtimtar i madh?! Nuk iu besonim syve. Ishte pikërisht ai, djaloshi i njohur me emrin Rrugaçi. Rrobat e lagura ngjitur pas trupit i tregonin format muskulore. Në sytë e të gjithëve figura e tij qe shndërruar në një monument të gjallë i veshur me shkëlqim hyjnor dhe madhështinë e aktit heroik.
Njerëzit të ngazëllyer e mbulonin me falënderime e i shprehnin mirënjohjen më të thellë. Banorët e fshatrave të adoleshentëve të shpëtuar e shpallën Mik dhe Hero.
Gjesti i lartë i tij i çarmatosi krejt edhe drejtuesit e pusit dhe bëri të ndryshonin qëndrimin. Kishte të drejtë usta Demiri kur thoshte: "Njeriu është si nëntoka. Nuk përbëhet vetëm nga argjil e shkëmb, por ka dhe shtresën me minerale të ndritshme e tepër të çmuara."
I fortërespekruari z.Vasil Klironomi! Ju falenderoj për angazhimin e përhershëm. Duke iu çmuar si krijues të talentuar e të ditur i besoi shumë shijes e gjykimit tuaj tejet të rafinuar, të pavarur e mosndikuar nga ndjenja zbukuruese që jo rrallë depërton midis miqsh. Më ka bërë përshtypje dashamirësia e çiltërsia juaj (entuziazmoheni për krijimin e arritur të kolegut si të ishte i juaji) , cilësi e një shpirti fisnik që e gjen vetëm tek artistët e mirëfillt. Jam mahnitur në një rast: Për një nga tregimet tuaja, më duket z.Faruk, jepte një gjykim të goditur, por falënderimi prej jush ishte i veçant e mbresëlënës: "Komenti juaj z.Myrtaj është më i bukur se tregimi im… ". …
Tregimi Rrugaci, i mikut tim te nderuar te rinise, me befasoi per thjeshtesine,
humorin dhe bukurine e narracionit. Per vertetesine, qe njeriu eshte nje qenie
e nderlikuar, ku mpleksen me njera tjetren ligesia me miresine dhe ne momente
teper te veshtira jetesore, shpalos shpirtin e vertete te florinjte.
Urime Komi dhe suksese te tjera.
Me shume respekt
Myslim Maska
Vasil Klironomi: Të faleminderit Kozma për intonacionet e një kohe që shkoi dhe që e jetuam.. Unë do ta mbroja tregimin me atë thënien e çmuar të usta Demirit:“Nuk përbëhet vetëm nga argjil e shkëmb, por ka dhe shtresën me minerale të ndritshme e tepër të çmuara."Urime.
Vasil Klironomi