Hasan M. Shahinaj. Shkruan:
RRUGËTIM NË POEZINË, SOCIALE-ATDHETARE DHE SATIRIKE
TË KADRI TARELLIT
(Recension)
Sapo mbarova së lexuari me vëmendjen kureshtare, vëllimin poetik “Koha në vargje”, të mikut dhe kolegut tim z. Kadri Tarelli, mësues e drejtues shkolle, tashmë edhe shkrimtar e studiues. Madje, thënë sinqerisht, që në krye të herës të kësaj analize, ndjeva kënaqësi të vërtetë ideoemocionale gati të paramenduar. Kjo për faktin, sepse e kam ndjekur vazhdimisht penën e tij të palodhur, qysh nga vitet 90-ta, të shekullit të kaluar, kryesisht në publicistikën pedagogjike, herë-herë në prozën e shkurtër.
Kurse tashmë, thënë po aq surprizueshëm edhe në gjininë e vështirë të plotsuksesshëm në gjininë magjike të poezisë. Dhe, më kryesorja është, siç pohon vetë poet Tarelli, kjo muzë frymëzimi, ka trokitur në derë vërtet vonë. Jam i bindur, se me siguri do të ketë fjetur si një mikrovullkan i fashitur në vetëdijen e tij krijuese të pandërprerë.
Duke dashur të jem sa më i vërtetë dhe i përmbledhur në këtë recension timin, pohoj zëplot e me miradije shpirti, se: vëllimi poetik “Koha në Vargje”, në të 59 poezitë e tia të vargëzuara thjesht, qartazi, me frymëzim të bukur, realizohet lajtmotivi social-atdhetar e njëherësh sarkastik i poetit Kadri, i dhënë përmes spektrit ylberian të të shtatë ngjyrave të mundshme poetiko-mediative e përshkruese, dalë po aq kujdesshëm nga laboratori i mirëfilltë “bio”, i krijuesit tonë.
M’u bë zemra mal se, boshti gravital i socialo-atdhetar, që përshkon tërë librin, e justifikon penën e aftë të krijuesit Tarelli. Nisur nga fjalët brilante të kritikut të madh Bjelinski: “Njeriu që nuk i përket atdheut të vet, nuk i përket as njerëzimit mbarë”, autori ynë Kadri Tarelli, meriton notën më të lartë, (sipas meje). në gjuhën arsimore, për zbatimin e motivit të atdhedashurisë së spikatur e të pakufishme, që na përcjell vëllimi në fjalë, gati në 70% të 59 poezive. Gjithashtu, këto poezi të skalitura e të përveçme, kanë frymëzim mbarë kombëtare, sepse u përkushtohen meritueshëm dhe fatmirësisht edhe dy bijave të denja të Atdheut-mëmë: Dardanisë martire dhe Çamërisë fisnike-heroike.
Ja disa nga pikat kyçe të përveçmërisë së vëllimit poetik “Koha në vargje”:
1
Thuajse, të gjitha poezitë thuren me kujdes e mjeshtërisht, pa sforcim e hallakatje fjalëmanije-deklarative, apo plagjariteti, (siç ndodh rëndom te plot të tjerë), me një ideshmëri të lakmuar, të qartë, guximtare, kur secila na del si rrjedhojë e zbërthimit të detajit-fokus, të gjetur me durim e marifet, më saktë, ku synon të arrijë autori, falë vargëzimit qysh nga kredoja vetjake e poezisë së parë apeluese, “Vendosa, po bëhem poet”, e deri në mbylljen e librit me poezinë postulat, “Dua të prehem”. Një hark udhëtimi, i cili, si të thuash e qetëson përkohësisht poetin e pafjetur, me dëshirat e vazhdimësisë, ngaqë kërkon ngulazi të prehet e të preket gjashtë herë, përmes vargjeve, veçse: “Në faqe libri e shkrim gazete,/ ku flas për ju (lexuesit), dhe rrëfej për vete!”.
E përgëzoj poetin: Është mesazh vazhde, që dukshëm sfidon moshë e pengesa, përfshi edhe brezin e tretë, (në fakt brezin e vërtetë…), sepse dashuria sublime për jetën dhe sidomos kryedashurinë-poezi, meritojnë të lëvrohen pafundësisht nga çdo njeri, gjini, racë, moshë e hapësirë banimi, ku në fakt ekzistojmë, (Sa pak!), përkohësisht. Veçse është një hark kohor, të cilin poetikisht e absolutisht, s’e ka arritur akoma në formën shteruese, as poezia homerike, as orientale apo dantealigeriane! ……..
2
Modeli i parapëlqyer i thurjes së poezisë, është padyshim vargu tradicional me tri llojet e rimave të njohura tashmë, të cilat zbërthejnë dukshëm motivin e ideshmërisë së synuar nga autori, i cili njëherësh është në fakt kryesori synim, ngaqë poezinë skematike dhe pa bosht graviteti ideor, s’e do askush, tashmë siç pranohet, as dje, as sot dhe as mot. Këtu autori përdor një fjalor tabani, të zgjedhur siç e do poezia, ardhur natyrshëm pa mish të huaj, (pra të fjalës së panevojshme, të huazuar, kinse për t’u dukur më modern, në vend të gjegjes së kulluar e tingëlluese, safi shqipe). Dhe, më bindësja në këtë mes, sot e gjithë ditën, në vëllimin poetik në fjalë, duke justifikuar edhe titullin, sipas meje, është: ajo mbështetja fort me të dy këmbët e poetit, në tabanin brilant gjithnjë të pasur, të pashtershëm të folklorit kombëtar.
Përveçmëria cilësore këtu, të bie në sy menjëherë përmes atij folklorit tejet të pasur korçaro-devollit, i cili i jep dorë të lirshme poetit, si rrjedhojë e vendlindjes nga buron. Po ashtu më gëzon mua personalisht, sepse qëndron i palëkundur, si një nxënës besnik i vargëzimit “Dritorian”, në opusin tashmë të lakmuar kombëtarisht të Agollit të madh, gjithëkohor, pikë referimi, cilësor, epitetues, të përveçëm dhe origjinal në këtë stil vargëzues.
3
Sharmin e vërtetë, vëllimi prej 59 poezish ritmike, e japin poezitë e gjetura e të mirërealizuara baladike, të cilat i kam grupuar e fiksuar gjatë rileximit, e po aq shijuar këndshëm për mesazhet që na përcjellin mirëfilli. Psh, riktheu, të lutem, o lexues, tek baladat: “Kënga e bilbilit”, “Baladë”, “Trëndafili mbushur me gjemba”, “Veç një orë bëhu poete”, “Vivra je vullkan!”, “Mos e thyej vargun, poet!”, “Nuk bëhesh i madh”, (Baladë me nëntekst alegorike), “Drini i bardhë, Drini i zi”, “Një vend për Aleksandër Moisiun”, “Një urim me kripë deti”, “Manaferra nuk ka faj”, dhe “Dashuria thotë të dua”, kësisoj, pra rilexojini dhe, me siguri do më jepni të drejtë.
Po ashtu, krahas veçantisë specifike të baladave në fjalë, poeti Tarelli përdor mjaft mirë, jo vetëm për hir të rimës e ritmit e muzikalitetit të poezisë, madje më fort si një tingëllim bukurzanie gjuhësore, rasat kallëzore të emrave, duke “mënjanuar” germën (n), duke e zëvendësuar me (ë-në), e cila të mbush gjuhësisht fort e fort kraharorin. Psh. Krahaso, nëse kujton domethënien e fjalëve leksikore: zjarr(ë), në vend të zjarrin, varr(ë) - (gropë, po edhe plagë në gegërisht), mall(ë), djal(ë), qëndrestar(ë), mërgimtar(ë), mbar(ë), thesar(ë), truthar(ë), tradhtar(ë), etj etj.
Kjo risi, në dukje e lehtë, na kujton mirëfilli poezinë e madhe të traditës rilindase naimjane, çajupiane, deradiane, serembiane, gavriliane, etj, kryesisht toske, deri tek ajo Agolliane dritësuese.
4
Meqënse autor Trelli ka shumë poezi kushtuar Dardanisë martire, ku ai origjinalisht shprehet edhe si mik i kahershëm në ato vise të moçme ilirike, plus diasporës nëpër Europë, deri në Skandinavi. Këtu ai ecën nëpër trevat shqipfolëse, duke na kujtuar admirueshëm edhe pararendësit krijues të vendlindjes së vet juglindore, sikurse famozët: Asdreni, Kuteli, Poradeci, të cilët i janë dedikuar gjallërisht Kosovës (Dardanisë), me poezi e prozë dhe refleksione apologjike, cilësore në kohë e hapësirë.
Këtu, autor Tarelli, në vargëzim e sipër, shpesh përdor germën (n), nazale të gegërishtes së butë, e cila ka efektet e veta të larta, kur na mbush gjokset tona krenarisht me emrat tipik jetësorë: nanë, Dardani, Shqipni, ban mahi, trimni, burrni, za, zanë, kanë, gjanë, dhanë, lamë, kamba, kufini, hyjni, etj, etj.
5
Mjeti stilistikor, ose “rrobja”, që vesh hijshëm vargëzimi në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, është metafora në tri variantet e saj: folja, emër, mbiemër, këtë të fundit zakonisht e quajmë cilësor ose epitet, ose metaforë mbiemërore. Ndërkohë, poeti përdor krahasimin, pak me kursimin e kripës, që “gjella poetike”, të na shijojë sa më mirë dhe më gjatë, ndërsa në thelb ka për zemër alegorinë tipike, të cilën lipset ta zbulosh hollë-hollë, si nëntekst, pa harruar antitezën, ironinë, me qëllim për të fshikulluar dukshëm, pa doreza “Pseudo-modernitetin” fallco, shfaqur si rrodhe artificiale në hapësirë dhe kohë. Kjo e ndeshur në mjaft poezi të goditura, me motivin aktual, social dhe qytetërues të përditshmërisë sonë plagjare, (kopjuese), vegjetuese, bajate, sipërfaqësore, kënetore…., e kështu me sira, duke vrarë kohën fare kot, me sytë e hirtë nga qielli, apo duke pritur nga diaspora jonë gjenetike, e cila pa kursim na ka ndihmuar maksimalisht ne dembelëve, që nuk po zemë mend e vend, as nga hosteni shigjetues satirik nolian, konician, fishtian, e migjenian, por në këtë rast edhe Tarellian!
Origjinaliteti tregohet te poeti, gjatë vargëzimit, duke përdorur mjeshtërisht anaforat, dmth tingujt e njëjtë fillestarë ose fundorë të vargjeve, duke u dhen poezive, veçmas atyre baladike dhe erotike, muzikalitetin e ëmbël, të pranueshëm, të pëlqyer. Psh, ai përdor tinguj themelorë (a), (b), (ë), (rë), etj, etj, ashtu sikurse i papërsëritshëm Fan Noli i madh me elegjitë e veta, poetiko-politike, sikurse bie fjala: “O Bajram bajrak i gjallë,/ more nam me gjak në ballë!”, ose “Trim, tribun i vegjëlisë, tmerr panik i mizorisë!”. Kësisoj, bie fjala, e përsëris: shih faqe 78, të vëllimit poetik të autorit tonë Kadri Tarelli, ku ai vargëzon përmes anaforash, (tinguj homogjenë ose rrokjeve), psh. në poezinë sarkastike “Bota prish Pazar”, duke rreshtuar fjalët e rrokjet fundore të vargjeve, (pazarë, përçarë, hanxharë, t’i marrë, ose: ndër shqiptarë, këtë farë, duke sharë, për të vrarë), të cilët domosdoshmërisht na kujtojnë përherë edhe kryemesazhin naimjan, pra të apostullit të shqiptarizmës: (O shqiptarë, të zëmë udhën e mbarë!”.
6
Risi e këtij vëllimi poetik, është edhe shoqërimi i motivuar i të gjitha poezive, një nga një, me ato sentenca referuese të autorëve të shquar në çdo krye faqe, gjë që kjo u shkon përshtat, sikurse peri-gëzofit, jo vetëm motiveve shtytëse të çdo vjershe si strumbullarin e tyre, por edhe kryesorja si mjet orientimi i mesazheve përcjellëse ideore për çdo lexues: për sot e për mot.
Nga ana tjetër, si një vello e vërtetë nusërie tradicionale shqiptare, u përshtaten këto sentenca-postulate të mirëgjetura, veçanërisht të poezive të tipit rrëfenjë në vargje, fabul, fjalë-urta në vargje, alegoritë të tipit nëntekstual ajzbergian, të cilat gjithsesi të fusin enkas nëpër meditime shpirtërore, mendore e praktike sipas rastit, për të përqafuar, a kritikuar jetën shqiptare në vijueshmëri, me gjithë atavizmat e trashëguara, prapambetës e demode, por edhe “Modernizmat” plagjare, bajate, të majmunërisë-komerciale të sotme, të shpërfaqura kuturu, pa sens (drejtim), aq brendiboshe. Psh, rikujto vëmendshëm poezitë tipike ironike: “Faqeziu”, “Fjala e thënë dhe fjala e dhënë”, “Nuk bëhesh i madh”, “Një vend për Alëksandër Moisiun”, sidomos në strofën e 9-të, të saj. Shkëpus tre vargje:
………………….
Për mua durrsakun, nuk u gjet një vend!?
Ata nga larg ardhur, në qytetin tim.
Unë famëmadhi, mbeta si jetim?…….
Për të vazhduar më tej: “Nusja, vjehrra dhe mullixhiu”, “Veç një orë bëhu poete”, “Kokë boshi”, “Fjala e pagdhendur”, “I padituri”, “I pazoti”, “Në kafe për llafe”, “Kush e mbolli këtë farë”, “Na mbinë paritë”, etj…., për të kulmuar tek “Femra moderne”, me sentencat shpotitëse e përmbyllëse për këtë cikël interesant e të përveçëm të vëllimit poetik ”Koha në vargje”. Psh: “….Kur fjalën nuk peshon,/…. Nga mjek bëhesh kasap!”, ose: ….Fjala e pagdhendur më ngjason me një gur,/ që nuk shtron as kalldrëm, as ndërton mur!,/ fjala e pagdhendur si ferra në ugar,/ të gris, të çjerr dhe s’bën as për zjarr!/ …. Eh sa vuan poeti për fjalën e zgjedhur,/ porsi bleta ndër lule, për nektarin mbledhur!…..”.
7
E fundit. Duke përshëndetur dhe përgëzuar autorin e talentuar Kadri Tarelli, për këtë libër të parë poetik, i cili më siguri matematike, kërkon vazhdimësi e binjakëzim me libra pasues. Brenda dashamirësisë sime të hapur e të sinqertë, pa mëdyshje dua me mirëkuptim të kihet parasysh në të ardhmen, që të mos çalojë “nga veshët”, puna e kujdesshme korrektonjëse gjuhësore-letrare, sepse kanë shpëtuar mospërdorimet tek-tuk të apostrofit, (ë-së) fundorë të pa theksuar, disa trajtave foljore, fjalës së përngjitur e të përbërë, e cila shkruhet njësh e jo e ndaras, psh- i pagdhendur, i paditur, …. (rr-së). në fjalët përkatëse sipas nevojës, nyjeve të përparme, (i, e, të, së), pa prishur rimën, si edhe ndonjë shkujdesje për shenjat e pikësimit. Psh. vihet ?! në shprehjet habitore, pyetëse apo enfatike dhe jo (!?), etj, etj, gjëra që zbehin pak shkëlqimin e vargut figurativ, plot ind dhe nerv të autorit, pa anashkaluar edhe ca shmangie kompjuterike të pavëmendshme e të paevitueshme.
Megjithatë, e përsëris plot entuziazëm të dukshëm e të paanshëm në këtë recension modest: Vëllimi i parë poetik “Koha në vargje”, i z. Kadri Tarelli, është plot ideshmëri vlerashumë, duke shpresuar plotësisht në aftësitë krijuese të poetit, për prurje të reja në lëmin e poezisë, si zhanri elitar letrar i përbotshëm.
Gjithashtu ky libër poetik sfidon meritueshëm plot të tjerë të kësaj natyre, që s’ecin me galop, por çalojnë rrugës.
Nga ana tjetër, ky libër krenarisht është i denjë për audiencë përuruese në Klubin tonë të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, të Dardanisë dhe diasporës atdhetare e kudo……
Urime dhe suksese!
Hasan M. Shahinaj
Shkrimtar, analist dhe publicist
Durrës. Vjeshta e tretë . 2022.
Merita Kuci
Urime penes prof.Hasani, Kendveshtrim i nje qasjeje qe dhuron libri veç te tjerash...
Kadri Tarelli
Mirenjohje portalit "Fjala e lire", ne Londer, personalisht edhe drejtuesit te saj Fatmir Terziu, që e publikoi kete shkrim- analize te shkrimtarit, publicistit dhe analistit letrar z. Hazan Shahinaj, koleg mesues dhe drejtues shkollash, tashme edhe pene e njohur ne letrat shqipe, dhe anetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artisteve të Durrësit. E vleresoj kete shkrim sa te ngrohte aq edhe nxites per krijime me te mira, duke shmangur edhe disa gabime dhe mos kujdesje per drejtshkrimin e fjales shqipe. Falemindeirt!
Fatmir Uruci
Te lumte Penda Zoti Hasan. E paske qare . Krahas recesionit te librit te ti ,ti paske " recesionuar" dhe karakterin dhe vlerat e Profesor Kadriut.
Mirenjohje dhe falenderim autorit Hasan M. Shahinaj, shkrimtar, analist dhe publicist, qe pati kenaqesine, (sipas tij), njekohesisht edhe miresine e durimin per te bere nje analize sa gjuhesore aq edhe letrare-poetike, qe per hir te se vertetes, rralle e kam ndeshur te të tjere krijues. Dobia e njerezve te tille, me njohuri te thella gjuhesore e redaktuese, eshte shume ei dobishem, duhet thene i domosdoshem, si pasuri ne letrat shqipe.