
RRUGËTIM...
Monopati rrepirë tani bëhet më i ngushtë
Dihas me zor e kacavirrem në të përpjetë
S’më lë rehat edhe ky diell që më ndjek
Është lodhur dhe ai,në të tatëpjetën zbret
Kur të arrij tek ca shkembinj të thepisur
Ai, atëhere do të më lë e do të përendojë
Porosinë do t’ia lë një engjelli që më pret
Të më marrë në krah e prapë të rrugëtoj
Rrezet e diellit një mengjes seç më ulen
Në një fushë, të mbjellë e të korr grurë
T’ia çoj zotit bukën e bekuar për darkë
Pasi ta gatuaj në drekë e ta pjek në furrë
PEIZAZH MENGJESI NË FSHAT
Mengjesi i buhavitur po lan fytyrën në çezmën e fshatit
Dielli derdh gjithë dritën, indiferente, aspak të ngrohtë
Sokakët shkundin nga supet lagështinë e nxirë të natës
Një gushëkuq po dridhe mbi dardhën plakë: Sa ftohtë!
Bajamja hap sytë e tund krahët që të çmpihet sado pak
Bletët nxjerrin syrin te dera e shohin se mos iku bryma
Vetëm vesa lumturohet mes mijëra ngjyrash të argjenda
Kollitet lehtë kopshti im, nga azma sa nuk i zihet fryma
PULA E PANDERSHME E KOMSHIUT
Një ditë,
U zunë keq komshinjtë e mi
Sherr të madh benë
Zemërimi nga goja nxirrte shkumë të bardhë.
Nuk priten,
Ngriten armët,
Njeri lopatën,
Tjetri cfurkun.
Pula mekatare kish kaluar zonën e ndaluar
E na paska takuar gjelin e komshiut
Tani me lot në sy
U fut në mes:
-Më kryqëzoni mua
Ju jini të pafajshëm-
Gijotinë e ngriten shpejt
Aty te gardhi
E cfurku e lopata ranë mbi të...
Kurban e bënë,
Pulën e pandershme..
MEDITIM PRANË DETIT
Një yll sonte shuajti etjen në buzët e detit
U dehen valet e puthen gushen e qytetit
I malluar i ndjek e lutem të më sulen me furi
T"ua rrembej yllin e ta var ti,si dhuratë në gji
Dhe unë të kem ku te falem në tempullin e ri
Në qiellin e pëllumbave.ku ndrit nje tjetër yllësi
NË STACIONIN E TRENIT...
Sonte kam ankthin shok,i them në vesh heshtjes, hesht!
I lutem flladit të mos luaj me gjethet e urta në vreshtë
I them hënës të ndalë hiret e fantazisë me dritën e saj
Të ulen e të çlodhen edhe yjet pak mbi mal,atje,në majë.
Pres trokëllimën e trenit, të hingëllijë si kali që nga larg
Të shoh befas në shkallët e vagonit dy sandalë të bardhë
Të luaj flladi me flokët e saj,heshtjen ta mbys në përqafime
Po çudi me yjet e henën, sa shumë zili i kanë puthjes sime..
RIGON DHEMBJA SI VESË
Mes luleve që buzëqeshin në oborrin tim
Një trendafil të bardhë simpatizova shumë
Ai si manar më vinte shpesh edhe në gjumë
E psherëtija unë: Ah, i bukuri trëndafili im.
Bëhesha xheloz kur e përqafonte një flutur
Paçka se trendafilat e tjerë më shihnin me inat
Hutohesha që dorën time me ndrojtje ta zgjat
T’i kërkoja pak aromë me përulësi duke e lutur
Një ditë s’priti me buzëgaz t’i them mirëmengjes
Natën, aty në errësirë, një dorë e kish rrëmbyer
Dora, nga një gjemb i ngelur në të, me gjak lyer
E dhembja pikë-pikë më rigon në shpirt, si vesë.
Comentários