
Kaq shpesh pse rrugëtoj në kohën e vjetër, Po malli pse më bren për shokët e mi? S'e di, më duket se shkoj në planet tjetër, Pa dhe magjia më bën djalë të ri.
Pse kanunet thyej si vullkan rrebel, Po zakonet e reja pse i braktis? Pas vjeshtës, përpara pranvera më del, Pa në pjerrina rrugëtimin e nis.
Si një djep lëkundet shpirti i poetit, Zot, pse e bëre të brishtë kësisoj? Dhe në ëndërr i ndien dallgët e detit, Kaq përjetues , do mund gjatë të rroj?
Nuk di pse doket dhe huqet e reja, Më duken relike të botës së lashtë, Heraherës, kur në qiell shkrep rrufeja, Dua t'i djeg , sikur të ishin kashtë!
Pak rrëmujë kish ahere në qytet, Ani, ne shkonim shpesh në pyll e në mal, Kur tani , pyll e mal kanë mbetur shkret, U arratisën ujk, dhelpër e çakall.
Nëkot i kërkoj, mëkot pyes : ku shkuan? Për ne, " të butët", s'ka vend më në qytet, Shtetarët " modernë" i sollën...Guxuan I ulën nëpër karrike, në Pushtet.
Nuk them dot më shumë miku im i vjetër, Ndaj më merr malli të vi te ju, te ti, Nis rijetoj në kujtime kohën tjetër, Pa kur përmendem, mërzitem përsëri.
Asgjë nuk ngjan këtu me kohën e vjetër, Është mëkat të kërkosh Eden të ri, Ndaj rrugëtoj për te Edeni tjetër, Që ne e ndërtuam me aq dashuri.
Po Zoti më dëgjoi dhe fatin ma dha, Na mblodhi rreth Iskrës si një yllësi: - Rijetoni sërish pranverën- na tha, -Agimin e vjetër në një muzg të ri!
Fjalët më shterën miqtë e mi të vjetër, Pak ditë do jetoj me atë agim, Dikur do kërkoj me ngulm kohën tjetër, Malli do nis shpirtin n'atë rrugëtim.
Pajtim Xhelo, 29 shtator 2019
תגובות