Rrugë e gjerë, e shtruar, e drejtë, Pa kthesa e hone, e humnera, Nisesh i qetë, ngadalë a me të shpejtë, Në vjeshtë, në dimër a në pranvera.
E s'ndalesh, s'ulesh, s'lodhesh kurrë Asfaltit të shtruar nga të tjerë breza, E ti pandeh se shpejt u bëre burrë, Jetës që s'të ndezi i thua: E ndeza!
A, jo, jo, kurrë, kurrë s'është udhë, Por një lodhje e kotë që të venit, Në ballë s'të rrudhoset asnjë rrudhë, As shputat e këmbëve kurrë s'i përzhit.
S'e dua, jo, këtë rrugë pa kthesa, hone, Pa ferra, driza, shkrepa të mprehtë, Ndryshe pas hijes do të lihja si kone, Një copë krodhe mund ta fitoja lehtë.
S'e dua këtë rrugë, fituar pa mundime, Pa më hyrë asnjë gjemb në këmbë, Dua ca shtigje të ashpra nën gjëmime, Me gjoks t'i çaj e t'i kafshoj me dhëmbë.
Comments