top of page

RRITI POETË DHE POEZINË LUSHNJARE


FASLLI HALITI QË RRITI POETË DHE POEZINË LUSHNJARE

BAJAME HOXHA-ÇELIKU, Bruksel.


Me të drejtë do ta quaja poetin Faslli Haliti të pavdekshëm në poezi, në jetë, dhe në shoqëri. Poetin me zemër bujare, të cilin, e dënuan në diktaturë jo pak por dhjetë vjet me punë të detyruar në bujqësi, për poemën e famshme “Dielli dhe rrëkerat ”.

Në ditët e demokracisë të sapo shkelur në lëndinat e blerta që kishin nisur të thanin gjethet, e në zemrat mbarë shqiptare, artistët, poetët, gazetarët e letrarë ngado anembanë vendit u gjendën të gatshëm për t’ia çuar në vend dinjitetin poetit. Me shpejtësi gazetat, shtypi i kohës, patën një fazë evolucioni kulturor e demokratik, për t’i rritur vlerat dhe krenarinë çdo ditë e më tepër potit tonë përparimtar e të pamposhtur. Demokracia në vendin e shkelur keqas nga thundra e egër e komunizmit, dhe pse ishte brishtë, nuk e la pas dore poetin e goditur nga diktatura. Ajo i dha vendin e merituar, dhe dua të theksoj se: pikërisht do të ishte kjo poemë që e uli në ato vite të vrara, që e dënoi në diktaturë, pikërisht do të ishte po ajo poemë që do ta ngrinte në piedestal. E bëri të madh, të lavdishëm, e të pavdekshëm poetin tonë sypatrembur të Myzeqesë. Jo vetëm poema “dielli dhe rrëkerat”, por edhe poezia “Njeriu me Kobure”, ”Djali i Sekretarit” do të ishin dy poezi proverbiale që ngritën tallazet e detit Adriatik, të detit Jon e më tutje akoma, dhe uji mbërriti mbi nivelin e parashikuar nga lart poshtë. Dhe ky tallaz edhe pse i vunë shumë prita, me forcën vullkanike të pashpjegueshme mundi të kapërcente dete e oqeane. Qe vargu i tij eksploziv që vuri në lëvizje të gjithë shtypin e kohës, gazeta e revista, njerëz me influencë, si brenda vendit, dhe jashtë nëpër shtetet më të mëdha, me demokraci të madhe, atje ku urrente më shumë sistemi, si në Paris, Amerikë, Angli e gjetkë. Emri i poetit do bëhej legjendë, do të bënte jehonën dhe betejën më të madhe.

Le të kthehemi prapa atje ku është zanafilla e një portreti, e një piktori të ri myzeqar, e një artisti, e një poeti që rriti dhe kultivojë poezinë lushnjare e më gjerë me poetë të të gjithë moshave. Ai shtriu krahët me trimëri, e përqafoi çdo talent të ri jo vetëm të qytetit, por dhe të fshatrave thellë, deri në kampet e përqendrimit, siç ishte, Savra e Pluku, të cilët përbënin rrezik të madh për të ardhmen e një poeti si ai.


Faslli Haliti, rriti në penë poetesha e poetë të talentuar që sot janë të njohur në saj të ndihmës dhe këmbënguljes së tij prej mësuesi, prej artisti me zemër të madhe e të dëlirë; duke ua tharë në gjirin e tij poezitë e lagura nga shiu; kur ata me fletore nëpër duar vraponin drejt redaktorit artdashës që me poezitë e tyre nën sqetull, ai do të vraponte për t’i bërë të njohur me anën e gazetave e revistave të kohës. Kështu vite me radhë, deri atëherë, kur nga një xhelozi e çmendur, nga vetë patriotët lushnjarë më 1972, dënohet poezia e tij, por, bashkë me poezinë, dënuan poetin e një qyteti, vranë poezinë e tij, e vranë dhe poetin për dhjetë vjetër rresht, duke e larguar nga profesioni, nga nxënësit, nga poetët që i kishte rritur vetë duke u kultivuar poezitë e tyre natë dhe ditë. Edhe qielli rrodhi në lot atë vit që u dënua poeti, yjet humbën shkëlqimin, rinia humbi shpresën. Dhe vitet ecnin, ecnin nën një tutelë, nën një diktaturë të hekurt që me siguri, asnjë nga poetët në zë nuk ishte më i qetë. Ngado psherëtima, asnjë nuk lëvronte më poezinë e dashurisë ashtu siç i fliste zemra; nuk mund të shkruante dot asnjë satirë apo të bënte një kritikë sado të vogël nëpërmjet vargut, sepse çdo gjë u zbeh, mori ngjyrën gri e ftohtë. Ndoshta poetëve qielli u dukej gjithnjë se rrinte i mbuluar nga re të zeza, ku u tkurrej pena, muza nuk fliste më. Frymëzimi imponohej, buza e poetit ngrinte në mes të verës me penën e pushtuar nga një frikë fantazmagorike, që me siguri të zhdukte sa hap e mbyll sytë.

Çuditërisht, poetin tonë, edhe pas erës së ngrohtë të demokracisë, shumë miq të tij që ai u rriti poezinë, që i deshi me çiltërsi e me zemër të hapur, apo me zemër në dorë, që kishin diskutuar së bashku në paqe e në ditët kur ai mori jehonë, u munduan t’i japin vlerësimin maksimal, pikërisht në ditët e para të demokracisë. Poezisë së Artistit, të poetit të shquar, që nuk e përkulën dot ordhitë, dhe as vetë poetin nuk e kishin mposhtur e thyer dot ortekët, i dhanë një ri ngritje, një nderim të madh. Pra, poetin dhe përkthyesin Faslli Haliti, demokracia e gjeti me dashamirë të shumtë në numër me ambicien për ta bërë monument. Pra, njeriun e artit e të kulturës, e gjeti demokracia me simpatizantë të shumtë në të gjithë rruzullin, me vlera të pa tjetërsuara dhe ky do të mbetet poeti e madh lushnjar. Por, për ta vrarë këtë penë të artë njëherë e përgjithmonë, duhej të vritej më parë e gjithë poezia shqiptare, e cila i ka rrënjët në popull e që ka ekzistuar me shekuj nëpër këngët tona popullore. Një popull mund të harroj gjithçka por historinë e vetë, dhe poetët e vërtetë nuk i harron, e nuk do t’i vrasë më kurrë!

-Alo, alo, alo-nga të gjitha kontinentet dëgjoheshin zëra të ndryshëm femrash e meshkujsh, djem e vajza që e përshëndesnin, e kërkonin, e nderonin, ngado, shqiptarë e të huaj. Sepse pena e tij e artë kishte cikur majat, për deri sa kishte male kishte edhe maja, por jo maja të zotave të lashtë, por maja poetësh të vargmalit të letërsisë shqipe. Me largimin nga jeta të poetit kolos, them se poezia lushnjare do të pësojë hendeqe, krizë, ndoshta dhe humbje të mëdha cilësie, dhe mungesë talentesh. A thua ngriu vargu dhe nuk do të rebelohet më?! Faslli Haliti mbetet gjiganti që rriti e që do të rriste në vazhdimësi poezinë Lushnjare, dhe do të mbetej themeluesi i saj.


Bajame hoxha-Çeliku


KUR PENËN TË VRANË

poetit Faslli Haliti



Kur penën të vranë në ato vite

Ti heshte prof, por kryet nuk e ule,

Vargu yt mori flatra yjesh.

Ndër dete oqeane, oshtinë tallazet.

Gjiganti nuk heshti

Nuk u gjunjëzua, nuk u thye por,

Trokiti në çdo portë,

Në çdo zemër,

Ngado e kudo

Në çdo cep të kulturës,

Të një demokracie të madhe!

Eh, Rrëketë u kthyen në amshim prof!

Pastaj, morën formën e trëndafilit

E një gonxheje

Që do të çelte më vonë

Në lulëzim të plotë.

Në çdo portë.


Së fundi do ta mbyllja:


Çdo krijues në Lushnjë

E çdo poet i ri

Do të ketë nëpër vargje

Do të ketë pak Faslli!


Me nderim të thellë,

Bajame hoxha-Çeliku, Bruksel.

32 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page