top of page

RREZIKON PAQEN NË KOSOVË


ORKESTRIMI I DHUNËS NGA BEOGRADI RREZIKON PAQEN NË KOSOVË


Nga Bashkim HISARI

Zv/Kryeredaktor i gazetës “VETERANI”



Në Kosovë, gjatë luftës në vitet 1998-1999, forcat serbe kryen masakra masive me prapavijë gjenocidale, duke vrarë e dhunuar dhjetëra mijëra civilë, zhdukën me forcë mijëra të tjerë, shkatërruan pasurinë e shqiptarëve, shtëpi, shkolla, biblioteka, institucione kulturore, fetare etj.

Për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit kosovar, 24 vite në parë, NATO filloi luftën dhe bombardimet ajrore kundër forcave serbe. Pas fushatës ajrore të NATO-s që zgjati 78 ditë, forcat serbe kapitulluan. U shpall pavarësia kurse Gjykata Ndërkombëtare në Hagë dha opinionin këshillëdhënës se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sovranitetin dhe integritetin e Kosovës e njohën 110 shtete. U fitua lufta por nuk u sigurua paqja. Shumë prej serbëve që kryen krime më të tëmerrshme kundër shqiptarëve të pafajshëm, nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Ata janë në liri dhe kanë ndikim në politikën shoviniste serbe ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

Para 24 viteve, në kohën kur shqiptarët po përjetonin terror nga forcat ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, të cilat ishin egërsuar edhe më shumë pas fillimit të intervenimit ushtarak të NATO-s, më 27 mars 1999, kriminelët serbë e dogjën objektin historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me një ekskavator dhe kamion, punëtorët e pastrimit të qytetit i pastruan gërmadhat në hapsirën ku më parë qëndronte madhështor Muzeu i Lidhjes, duke e shndërruar atë në lulishte që nuk e knaqte syrin e askujt. Aktualisht, në hyrje të Muzeut është vendosur mbishkrimi “Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878”. Askund nuk shkruan se Muzeu ka qenë i rrafshuar me tokën dhe se rreth 200 dokumente dhe eksponata të njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare janë djegur nga forcat serbe dhe nga serboçetnikët e lagjes “Podkalaja” (Nënkalaja) të Prizrenit, emrat e të cilëve janë të njohur. Kriminelët e këtij akti barbar janë në liri.


Tre Policë të pafajshëm shqiptarë të kidnapuar në territor të Kasovës, edhe pas thirrjes së ndërkombëtarëve për lirim, Serbia i mban në burg dhe i keqëtrajton.

Pas 24 viteve, strukturat ilegale kriminale dhe bandat e regjimit të Partisë Progresive Serbe, vazhdojnë të ushtrojnë dhunë agresive, krijojnë tensione dhe situata të rrezikshme në aspektin e sigurisë që po degradohen deri në rrezikim të jetës së qytetarëve, pjestarëve të policisë dhe trupave të misionit paqëruajtës - KFOR-it në Kosovë. Tensionet në Veri të Kosovës po orkestrohen nga Beogradi. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, me politikën e tij hegjemoniste etnonacionaliste, “të gjithë serbët në një shtet”, po i keqëpërdor serbët e Kosovës. Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, dhjetë deputet të Listës Serbe u tërhoqën nga Kuvendi i Kosovës dhe veprojnë eksluzivisht sipas instruksioneve të institucioneve të Serbisë. Suspendimi i drejtorit rajonal të policisë në Veri, për shkak të mosrespektimit të vendimeve komanduese, shërbeu si arsye për më se 500 pjesëtarë të policisë së Kosovës nga radhët e komuniteti serb të zhveshin uniformat e policisë. Gjyqtarë e prokurorë u tërhoqen nga shërbimi dhe katër kryetarë të komunave dhanë dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, u gjet mënyra për t’i mbajtur zgjedhjet lokale. Në katër komuna me shumicë serbe, u organizuan zgjedhjet të cilat me urdhërin e Beogradit, serbët i bojkotuan por nuk arritën t’i ndalojnë ato. Në zgjedhje, shqiptarët dolën fitues kurse serbët u rebeluan, protestuan dhe i bllokuan rrugët duke ngritur barikada.

Pa u koordinuar dhe pa i marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në tri komuna në Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, vendosi kryetarë të rinj shqiptarë që në përputhje me ligjin ishin legal por që nuk u njohën nga shumica serbe. Ekstremistët serbë, të maskuar, që adhurojnë kriminelin Sllobodan Millosheviq dhe presidentin Vuçiq (për të cilin gazeta amerikane “Neë York Times” shkroi se ka lidhje të ngushta me njerëzit e krimit), vazhduan protestat me akte të dhunshme, duke hedhur mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bomba, mjete eksplozive, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e mediave, dhe sulmuan ushtarët e KFOR-it të cilët në mënyrë të paanshme ruajnë paqen dhe sigurinë për qytetarët e të gjitha etnive në Kosovë. Rreth 30 ushtarë të KFOR-it, disa pjestarë të Policisë së Kosovës dhe gazetarë, po ashtu mbetën të lënduar gjatë përleshjeve me protestuesit serbë që kërkonin largimin e kryetarëve të zgjedhur dhe të forcave speciale të PK.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Policia e Kosovës nuk do të largohet nga këto komuna, derisa në atë pjesë ka grupe kriminale dhe se vetëm sundimi i ligjit garanton paqen. Sipas tij, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që me këmbëngulje e kërkojnë serbët, mund e duhet të diskutohet në takime të ndryshme por, “kushtetueshmëria e Kosovës nuk e duron Asociacion një etnik. Për normalizim të marrëdhënieve dhe paqe afatgjate nevojitet njohja reciproke në qendër dhe jo Asociacioni në qendër”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Presidenti autokrat i Serbisë Vuçiq, vazhdon të mbështet bojkotin e serbëve, bashkëpunon me rebelët dhe forcat klandestine të sigurisë të dërguara nga Beogradi në Veri të Kosovës. Duke u bazuar në marrëveshjet e arritura më parë, lëshon ultimatume për themelimin e Asociacionit. Ambiciet e tij janë që Asociacioni të ketë një nivel të veçantë qeverisjeje në Kosovë, të ketë lidhje të drejtëpërdrejtë me Serbinë dhe vendimet të miratohen nga autoritetet në qeverinë e Serbisë.

Bisedimet e fundit të ndara të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Zhosep Borell me Kurtin dhe Vuçiqin, nuk ndikuan ndjeshëm në situatën në terren. Efekti i bisedimeve në Bruksel, tani për tani nuk është i dukshëm, megjithëse janë dhënë disa gjysmë premtime dhe nëse llogaritet edhe kërkesa e Borrellit për lirimin e menjëhershëm të tre policëve shqiptarë.

Tensionet në Veri të Kosovës po vazhdojnë. Nuk ka marrëveshje për uljen e tyre për të rivendosur dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Prishtina dhe Beogradi e dinë se çfarë duhet të bëjnë për të qetësuar situatën në Veri të Kosovës. si dhe pasojat nëse refuzojnë, megjithatë, të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për tensionet aktuale. Kurti thotë se ato u ngritën në Veri të Kosovës për shkak të veprimtarisë së “milicisë fashiste” të nxitur nga Vuçiq. Ndërkaq Serbia akuzon autoritetet kosovare për "përpjekje për të pushtuar Veriun me qëllim të dëbimit të serbëve". BE njofton se të dyja palët do ti bartin pasojat nëse nuk ndërmarrin hapa të menjëhershëm për qetësimin e tensioneve.

Megjithatë, edhe BE u gjend në një situatë të shpëtojë marrëveshjen që një muaj më parë e quajti historike. Në atë kohë thuhej se “menaxhimi i krizës” po kalonte në fazën e normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjes. Goditja e madhe për BE-në ishte sjellja e Serbisë, presidenti i së cilës Vuçiq tha se ai nuk kishte “nënshkruar asgjë dhe nuk kishte rënë dakord për asnjë marrëveshje” dhe se nuk kishte ndërmend t`i zbatonte disa pjesë të marrëveshjes.

Situata aktuale në veri të Kosovës po kërcënon paqen dhe përpjekjet e ndërkombëtarëve për stabilizim dhe siguri në rajon. Ekziston rreziku për një përplasje të armatosur mes grupeve që operojnë në Veri dhe forcave të sigurisë. Ditë më parë, njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, në një veturë me targa të Beogradit, kanë zbuluar një sasi të madhe të armatimit, mjeteve shpërthyese, municione të ndryshme, granatahedhës dore, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma me logon e organizatës “Brigada e Veriut”, formacionit ilegal “Mbrojtja Civile” dhe njësive ruse. Institucionet e Kosovës vlersuan se me të gjitha këto mjete, serbët në Veri kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Në të njejtën kohë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviq, tha më 23 qershor se i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të ndërmarrë masa urgjente për të mbrojtur popullatën serbe në Kosovë, dhe kërcëni se “Ushtria e Serbisë, nëse merr urdhër nga komandanti suprem, do kryejë të gjitha detyrat e saj në tërësi në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë”.

Tani situata në Kosovë është në prag të sanksioneve. Kurti po punon për të riparuar marrëdhëniet me aleatët dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët politikë strategjikë - SHBA dhe BE. Tensionet në Veri të Kosovës nuk mund të vazhdojnë sepse do të kërcënojnë seriozisht pozitën e Kosovës. Duhet të ketë një përparim për të dalë nga kjo fazë e krizës. Autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë aftësinë dhe qetësinë edhe pas të gjitha përvojave të dhimbshme me regjimin e Beogradit.

Më në fund "Serbia qiellore" mund të zbriste në tokë. Të organizoj një shoqëri më të mirë, të vlerësoj me arsye realitetin në Kosovë, pa orekse hegjemoniste dhe urrejtje ndaj çdo gjëje shqiptare. Për të gjetur mënyrë për deeskalimin e tensioneve, kthimit në dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, duhet të pengohen në veprime aktorët e konfliktit dhe të së keqes. Përndryshe, njerëzit e pafajshëm në Veri do të detyrohen të jetojnë me policë e ushtarë të KFOR-it, me pajisje të plota ushtarake, tanke, transporter të blinduar sepse, kriza në Kosovë ka potencial të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe të bëhet “fuqi baruti” që do rrezikonte tërë rajonin e Ballkanit Perendimor.

151 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page