top of page

Rreth romanit “HOME’’ të Ardian-Kristian Kyçyku


ARISTOKRATI I FJALËS Së çuditshmE


Rreth romanit “HOME’’ të Ardian-Kristian Kyçyku


Romani “Home” Çkena është një bukuri e vajtueshme, pikëlluese dhe një realitet, që ka një qendër shikimi të çuditshëm.

Fuqia e fjalës e Pr. Akademikut Ardian Kristian Kyçyku na bënë të jetojmë në një kohë jo normale, që lexohet si histori e mërgimtarëve, si lëvizje të personazheve, që kryqëzohen mes ndjenjave të fuqishme, ku ndeshen e çuditshmja me realen, fjala brilante me absurdin estetik, bota e madhe shpirtërore me vrojtimet e tejdukshme të mendimit të shtrira në kohë sipas raportit trekëndor, dje, sot, nesër.

Përmes tablove të shumta plotë ngjyrime të pleksura deri në rrënjë me elementë të botës mistike autori na çon në jetën e padukshme mes ngjyrimeve dhe artikulimeve mistikë, që s’është veçse një bashkësi jetësh të mirëpranuara dhe që të ndjellin kënaqësi deri në joshje, por edhe copëza jete, pak si të frikshme si pasojë e efektit të (realizmit magjik ), të thurura me mitologjinë ballkanikanase në veçanti.

Autori i romanit ‘’HOME’’ ka dhunti të jashtëzakonshme letrare, me të cilën vetëm ai “mund të lëviz dhe malet...”

Pr.A.Kyçyku e zhyt gjithë romanin e tij në qiejt e metaforës dhe nëpër lëndinat e figurave letrare, ku toka e askujt është toka jonë dhe qiejt u përkasin vetëm personazheve të Home Çken-ës. Këta lloj personazhe, me në krye Home Çken-ën shpikin rrëfenjëza sa të çuditshme, aq dhe të botëkuptueshme dhe që mban brenda vetes fatkeqësi mbi fatin e tij, por edhe lumturi që i përkasin ëndrrave.

Nuk besoj, ta njohë njeri tjetër botën reale dhe atë jo- reale, ashtu siç kemi fatin ne (gjatë leximit të romanit) ta njohim nga dinakëria e ngjarjeve dhe të pranojmë se, në botë ndodhin gjëra që beson vetëm Home Çkena (i nënkupton A , Kyçyku).

Njerëzit e librit, personazhet e tij po mundohem t’i përfytyroj dhe t’i shoqëroj me entuziazëm në bazë të atyre të vërtetave, të asaj autopsie mbi personazhet të shpirtit të tyre të dukshëm dhe të padukshëm.

Gjatë gjithë kohës që lexova dhe rilexova romanin e A . Kyçykut unë, jetova duke thithur aromën e shpirtit, kënaqësinë e gjesteve dhe tingujve “dalë nga qepallat e neonta, nga qeniet më të shtrenjta, që i pat lënë gjallë jeta e skalitur duke zbritur drejtë kryeqytetit me kokat që u gumëzhinin si oda, ku hanin drekë të vdekur dhe të gjallë ‘’.( pjesë e cituar nga romani.)

Në të gjithë romanin bie në sy, dallohet dhe je nën pushtetin e fjalës dhe të funksionit të saj. E lidhur kjo në rrafshin historiko-shoqëror, ku autori ka një konceptim bashkëkohësie shqiptare në rrjedhat e ngjarjeve dhe në karakteret e personazheve, veç e veç, pasi gjithë relievi i romanit ka funksionet e veçanta të fjalës dhe forcës meditive të ndryshme, në kohë dhe hapësirë.

Mjeti më i shëndetshëm, për mos u tharë lëçitja e romanit në fjalë është “çmenduria e përfytyrimeve poetike në fuqi të tretë dhe në të pestë me ndjenja të koklavitura, të mbjella nga gjuha shumë e pasur letrare, që na ngop me të qeshurën, si një lëng drite, ku u mundova të gjej një dëshmi, një vegim, a një shpikje për jetën “.(faqe 68)

Mbrapa perdeve të mendimeve të Home Çkena, në dialogun me Shefin e Dheut, fshihet një filozofi sa njerëzore dhe e pastër, aq dhe e derdhur si monument, që duhen mendje të përgatitura ta përtypin në mënyrë të shëndetshme.(faqe 72)

Autori si personazh aktiv potencial, i kalon kufijtë e normales drejt tërbimit estetik dhe trilleve të pathëna e si pasojë dhe rrjedhojë të tipave të tillë të pashmangshëm ( neve lexuesve) dhe mua na lindin një varg pyetjesh, që zor se një lexues i sërës mesatare do ja dilte t’u jepte përgjigje estetike dhe morale të të kuptuarit të jetës, që personazhet e romanit kanë hedhur mbi veten e tyre:

Së pari: Çfarë përfaqëson fotografia dhe dëshmitë e tejdukshme të Home Çkena në jetën e romanit në fjalë?

Së dyti:

Personazhet e dubluar si , Martina, Shefi i Dheut, apo Kulla dhe Suzi dhe në veçanti vetë Home Çkena janë gjaku dhe shpirtrat tona nëpër vite, nëpër hapësirat e kohës të koklavitura me ngjyrime dhe vlera e kundra vlera të pa tjetërsueshme?

Dhe së fundi: Çfarë ndodhi dhe po ndodh në jetën tonë këtej dhe andej nëpër botë, si po e jetojmë ne këtë realitet, dhe pse e mbylli jetën e tij Home Çkena tragjikisht, vetë ai, a mund të harrohet?!

Ai është sot e gjithë jetën shqiptari i lindur në djepin e pushkës për të qenë i lirë, që duhet të përballet me realitetin, me mendimet dhe ciklonet e fuqishme të jetës.

Çdo lexues është i detyruar gjatë leximit të romanit të përballet dhe të vërë në punë gjithë vlerat intelektuale për të asimiluar atë sofër me format e arsyeve dhe kontrasteve për të gjurmuar realitetin e të tre qosheve të ngrehinës së romanit.

Autori i romanit “HOME” ka një vizion, një ndërthurje, një arkitekturë shumë specifike dhe të veçantë në zhbirimin e ngrehinës fatlume, të kujtesës, të tragjikes dhe asaj estetiko-morale dhe shumëllojshmërinë e dukurive të jetës së Home Çkena dhe në tërësi të romanit të tij.

Por do të doja të shtoja se gjatë rrjedhës së romanit ka çaste, që ndjen dhe pak sforcim në të lexuar…

Jo të gjithë lexuesit janë të mirëformuar, personazhet janë tepër kompleks dhe hermetik, ku dallimi me ata reale behet i vështire. Kjo e vendos romanin ne dritën e krijimtarisë moderne dhe komunikimi ështe tejet filozofik e i koduar.


Vjeshtë 2008 –Athinë

NGA ARQILE V GJATA


15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page