Rreth librit “Intimët”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 31, 2020
- 6 min read

SHPENDI TOPOLLAJ
ELONA ZHANA, FROJDI DHE DASHURIA SOT
(Rreth librit “Intimët”)
Kemi lindur për dashurinë dhe vetëm me anën e saj njohim njëri - tjetrin
Uiljam Platt
Libri që sapo e lëshova nga dora quhet “Intimët” dhe ka dalë në dritë nga ShB “OM” Prishtinë këtë vit. E ka shkruar një grua që prej vitesh jeton e punon në Belgjikë. Quhet Elona Zhana dhe e ka librin e saj të gjashtë. Nisi të botojë poezi (Përtej Unit) nga viti 2002. Kaq mjafton, pasi s`më durohet se më vjen të thërras me të madhe: “Të lumtë Elona! Na ke dhënë një vepër letrare mjaft të bukur”. E di se dikush do të thotë: “Po ky ç`pati?” Por jam i sigurt se edhe ai dikushi kur ta lexojë, do të më japë plotësisht të drejtë. Tema me të cilën kjo autore merret këtu është e njohur qysh kur njeriu nisi të shkruajë. Bëhet fjalë për dashurinë, pra marrëdhëniet djalë - vajzë a burrë - grua, quajeni si të doni. Nuk besoj se mund të gjendet një poet a shkrimtar që nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj ndjenje që ndofta pas ushqimit është më e rëndësishmja në jetën shoqërore. Për të mos thënë, se është ajo më e madhërishmja që e zbukuron këtë jetë. Por edhe pse kaq e rrahur, përsëri lexuesit asnjëherë nuk u lodhën a mërzitën duke lexuar librat e pafund që janë shkruar për të. Është shkruar vërtetë kaq shumë, por askush nuk ja ka nxjerrë fundin. Edhe definicionet që kanë dhënë kokat e mëdha, nuk e kanë përcaktuar në mënyrë shterruese atë. Nisur edhe nga praktika, ata kanë formuluar lloj - lloj teorishë, gjersa erdhi puna e te Zigmund Frojdi (1856 - 1939), babai i psikoanalizës. Pati përkrahës dhe kundërshtarë, por të gjithë janë në një mendje se ndikimi i tij në botën intelektuale dhe atë letraro - artistike ka qenë dhe mbetet i jashtëzakonshëm. Dhe nën ndikimin e tij, Elona Zhana e ka sendërtuar librin e saj që kryesisht përmban pesëdhjetë e - maile të shkëmbyera mes dy të dashuruarve, por që janë larguar nga njëri - tjetri. Janë larguar, por jo aqsa të mos japin e marrin mes tyre me mundësitë që të jep teknologjia moderne. Se moderne, nuk është vetëm celulari, por edhe mentalitetet e kohës, botëkuptimi i vetë shoqërisë, të cilat kanë evoluar dhe janë përshtaur sipas zhvillimit historiko - ekonomike. Gjyshët tanë asqë mund ta përfytyronin se ku do të shkonte emancipimi. Edhe unë mbaj mend se kur shihnin ndonjë çift të dashuruarish që takoheshin në ndonjë qosh rruge, qysh nga ballkoni, do dilte dikush që t`i hidhte ndonjë kovë me ujë e t`i bënte qull. Edhe njerëz se Erich Segali mendonin se këto marrëdhënie duhet të ishin sa të sinqerta e serioze aq edhe korrekte. Ja sesi thosh ai: “Dashuri do të thotë se nuk do të nevojitet kurrë të thuash më fal”. Po fatkeqsisht, të tillët sa vjen e po rrallohen. Aty flirtojnë, aty dashurojnë, aty tradhtojnë, aty debatojnë, aty zemërohen, aty zihen e bashkohen përsëri. Pra, kanë shumë arsye që t`i thonë njëri - tjetrit “Më fal!” Dhe Elona e di mirë këtë, ndaj dhe duke u mbështetur tek ajo që na la Frojdi, përpiqet dhe ja del më së miri, t`i trajtojë këto marrëdhënie. Ana dhe Iliri, janë dy personazhet kryesore të cilët janë të zgjuar dhe të kulturuar. Autorja i ka vënë ata përballë njëri - tjetrit, por ata edhe pse shpesh replikojnë, kanë mbetur përsëri, më shumë të bashkuar sesa të ndarë. Kuptohet që ato që ata shkruajnë, janë mendime dhe formulime të shkrimtares, e cila ka gjetur një mënyrë mjaf elegante (një mënyrë të shkruari që gati beson se je para veprës së Kadaresë), me fraza plot llogjikë dhe elokuencë, ku përplasjet dhe kundërshtitë e bëjnë atë akoma më interesante. Ndihesh mirë kur sheh sesi komunikojnë ata, si arsyetojnë me një llogjikë sa të ftohtë aq edhe të zjarrtë. E bënin këtë se ndiheshin intimë. Lexuesi i do ata, i dhimbsen dhe sikur nuk i besohet se ata kanë arritur deri këtu për shkak tradhtie. Nuk është e mundur të ndodhë kjo, se s`ka kuptim që qysh në dashuri të ndihen të velur nga monotonia. Ka folur e dashura e Çehovit për mërzinë edhe pse i kishte të gjitha, burrin nëpunës, fëminë, vilën. Kurse Iliri si shpejt ka arritur në bindjen se monotonia e të bukurës është diktatura e saj. Ndaj dhe ai që e lexon librin, gjithmonë e më shumë krijon përshtypjen se “tradhtia” e tij fillestare që çoi në prishje, afrimi me skandinaven Inge dhe më pas koketimet e Anës me Agronin a simpatia e saj për ndonjë tjetër, janë më shumë një artific, pra sajesa të zhdërvjellta të autores në funksion të thurrjes së idesë kryesore, pra mesazheve që ajo do të japë. Ata i përkëdhelen shoqi - shoqit dhe asnjëherë nuk urrehen. Të vjen edhe për të qeshur kur ai i dretohet asaj me fjalët “Ish zemra jote”. Tamam si te filmi i Çaplinit, kur ai gjen në tavolinë një copë letër ku e dashura i shkruante “Unë po shkoj me një tjetër. Ish e jotja përgjithmonë”. Vetë Ana i thotë Ilirit: “Historia jonë zemër, ishte shumë e lumtur për t`u vetëvrarë”. Ka një fjalë të urtë: “jeta ndan ata që duhen”. Edhe ky është një rast i tillë. Ndaj dhe lexuesi është gati t`i drejtohet autores me lutjen që t`i bashkojë ata. Dhe ajo sikur e dëgjon këtë thirrje. Del nga e - mailet dhe i shvendos ngjarjet në Manhatan, në një kapitull më vete, atë të fundit. Aty në një kafene, ata bashkohen. Ajo, ashtu si padashje ngrihet nga tavolina dhe i afrohet atij dhe atë e deh era e lëkurës së saj, dhe parfumi i pandryshuar. Se “Ajo kishte mbetur vajza me shije për gjërat e qarta, por që zotëronte gjer në perfeksion artin e paqartësisë”. Ishte penduar Iliri, kur për ta bërë xheloze, i shkruante asaj se Inge i mori krahun, sikur aty do të gjente gralin e shenjtë, se teksa fliste, zëri i saj sikur do të zgjonte Londrën nga gjumi dhe shikimi i saj ndriçonte çdo kënd ku kalonim. Vetë Ana asnjëherë nuk kishte harruar se gjithmonë kishte menduar se Iliri ishte orbitimi i pamëshirshëm brenda mureve të kujtesës së saj. Po ku kishin konsistuar dialogjet e tyre, përveç tezës që tirrte Iliri se kur s`i kuptoi gratë Frojdi, ç`mbeti për ne të tjerët? Kryesisht ata diskutonin për shndërrimin e dashurisë në miqësi e anasjelltas, pra riciklimin e saj. Në e - mailet e tyre thirret të dëshmojë edhe Rene Dekarti, me teorinë e tij të trupit dhe shpirtit. Ana thotë se për t`i dalluar këto dy nocione duhen dy fjalorë, kurse për devijimet nga detyrimet bashkëshortore, ajo sheh, të paktën në vendin tonë, dy standarde dhe jep shembuj për këtë. Kurse Iliri arsyeton me të drejtë se Frojdi ka mbetur në vendnumëro, kurse gratë kanë ndryshuar. Edhe gratë shqiptare pas hapjes në Evropë dhe nëpër botë, ndryshuan. Tani ato takojnë kë duan dhe rehatohen kafeneve, pa pasur frikë se mos u hedh ndokush, ndonjë kovë me ujë të ftohtë në kokë. Pavarësisht ndeshjes së opinioneve, Ana e ka deklaruar me kohë se ti Ilir je njeriu më i rëndësishëm për mua. Ashtu sikurse në fund shpërthen edhe ai: se diku larg meje frymon një person, akzistenca e të cilës e bën Botën më të madhe, hapësirën më të gjerë e ajrin më të lehtë. Në pamje të parë, kjo mbyllje duket disi naive. Por nuk është kështu, pasi i ka dhënë këtë happy end autorja që të jetë e lirshme në strukturimin e mendimeve që shtjellon. Dhe mendimet e saj plot kulturë e kalojnë këtë në plan të dytë, pavarësisht se ky bashkim do të ishte dhe dëshira e vetë lexuesve. Rëndësi ka që pyetjet që lindin e marrin përgjigjen. Elona shkruan moralisht pastër. Ajo, duke rrezikuar një dashuri, ka gjetur mënyrën sesi ta himnizojë atë. Se jeta i ka këto. Natyra njerëzore është e çuditshme. Njeriu, burrë a grua qoftë do ta admirojë pa tjetër të bukurën, por ka ca rregulla të gjithëpranuara, të cilat do t`i respektosh, nëqoftë se s`do që të thërresësh Frojdin të të gjykojë. Se histori tradhtish e pabesish kanë ndodhur shumë e shumë shekuj para tij, për të mos thënë qysh nga mitologjia, ku edhe vetë Zeusi e tradhtonte gruan e tij besnike Herën, çka ishte edhe shkaku i grindjeve të përhershme mes tyre. Ky libër, sikur të kujton se “Dashuria reciproke ndërmjet njerëzve - sikurse thosh Leon Tolstoi - është ligji themelor i jetës njerëzore”.
Urime Shpendi. Nje shkrim shume i bukur dhe analize gati shkencore, veç letrare. Nuk kam pare asnje shkrim tendin me pare, qe te jesh kaq i elektrizuar ndaj nje roman. Ndoshta eshte tema moderne apo loja artistike dhe kurthet e shkrimtares qe ujudis nje lidhje dashurore. Nuk e di, por te besoj se libri eshte shume i bukur, sepse e thua ti, qe je shkrimtar i mbi 60-librave, mes tyre shume kritike letrare, historike, pse jo edhe temave te dashurise te humbur, te tradhetuar, apo te fituar.