REXHEP SHAHU
(Fragment nga libri)
Rrahman Zeqiraj një burrë trup imtë, i qeshur gjithmonë, gazmor, me humor e inteligjencë, me sy të vegjël që shkëndijojnë si xixëlloja e thellë pas asaj drite sikur fshehin tisin e një trishtimi të lehtë e të hollë vështirë të shikueshëm, ka ditur gjithmonë se në betejen e ujit me zjarrin përherë fiton uji pasi ai e shuan zjarrin dhe nuk merr flakë, uji nuk ndizet nga zjarri.
Ai gjithmonë ka patur maturinë e duhur, qetësinë dhe ka ecë pa u ndalë asnjëherë në jetë. Thënë sipas një fjale të mençur, në jetë ai nuk udhëtoi shpejt por fluturoi e fluturon ngadalë.
Vitet bëjnë punën e tyre dhe njeriu ndalet të shohë veten. Rrahmani është nga ata njerëz që e sheh veten në pasqyrë dhe pasqyra nuk thehet vetiu e as Rrahmani vetë nuk e then pasqyrën, nuk e detyron vetja e tij ta thejë pasqyrën, nuk është i papranueshëm për pasqyrën. Kjo është një fitore e madhe për njeriun që në moshë madhore nuk e vjell veten, në moshën e urtësisë e maturisë nuk e vjell veten, nuk është i shëmtuar, nuk e ka bërë jetën shëmtueshëm sa mos me e durue veten e me thye pasqyrën.
Është shumë problem për njeriun që në moshën madhore ti vijë turp nga vetja, të mos mund të rrijë drejt nga përkuljet e gjata në jetë.
Nuk është produkt përkuljesh në jetë Rrahman Zeqiraj, nuk u kërrus e as mbeti i kërrusur nga përgjërimet e lutjet.
Rrahmani ndjehet mirë se nuk e ka kaluar jetën duke u përkulë që të mbetet i përkulur, i kërrusur, që përkulja t’i bëhet zakon, mënyrë jetese.
Ka njerëz që e kalojnë jetën duke u përkulë, duke u përgjërue, duke u servilosë dhe në një moment të caktuar të jetës, kur u zë vetja në mur e nuk kanë nga shkojnë, u vjen turp prej përkuljes së tyre.
Rrahmani nuk u ikën njerzve dhe ky është fat, kjo është mirësi.
Ka njerëz fatkeqë që gjithë jeten rendin t’u ikin njerzve, t’i ikin vetës. Rrahmani është në paqe me veten për këtë gjë.
Rrahmani ka ditë e ka mundë të rrijë vertikal në jetë, thotë miku im Kadri Bala, ish nxënës i Rrahmanit në gjimnazin e Suharekës.
Në këto radhë kujtimesh të thjeshta, të brishta njerzore, ne nuk mund as duam të matemi me heronjtë plot plagë, me Gjergj Elez Alitë, me Mic Sokolat, Jakup Ferrat etj., etj., heroj që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot në Kosovë. Ne me ata heroj jemi rritë, e do të rriten brezat e ardhshëm.
Në rastin tonë në këtë libër me kujtime e rrëfenja modeste ne synojmë të japim një hero tjetër, të pabujë, të pa zhurmë, pa nam e nishan, të thjeshtë sa thjeshtësia, të thjeshtë sa ne e si ne të gjithë, të urtë si ne të gjithë, trim sa ne të gjithë, të ditur sa ne të gjithë.
Synojmë të japim mësuesin, portretin e një mësuesi shqiptar të mëse gjysmë shekulli, të bindur se herojtë e herojve të jetës shqiptare në Kosovë janë nënat e mësuesit.
Heroi ynë ka çfarë rrezaton për ne, ka çfarë na mëson ne: luftën e përditshme për jetën e dinjitetshme, për të qenë krenar me veten, për të mos u mundë nga deshpërimi e deshtimi, për të qenë hero i fëmijëve të tij.
Një hero që merr pjesë në luftë, në një betejë, që zgjat sa një a dy a tre beteja, kthehet dhe jeton në familje, në shoqëri, por nuk jeton me jehonën e betejave të tij, ai duhet te jetojnë përditë jetën, të rrisë fëmijët, t’i edukojë, t’i frymëzojë dhe këto janë beteja të përditshme që duhen fituar, janë shumë të vështira, më të vështira se beteja disa orëshe përballë armikut që e sheh me armë që vjellin zjarr kundër teje.
Betejat e përditshme të prindit për ta rritë fëmijën, për ta trashëguar jetën, për të ndërtuar themele të shëndosha jete janë misione të vështira që duhen realizuar.
Për të tilla beteja e misione bëhet fjalë në këto radhë kujtimesh të thjeshta e të brishta njerzore.
Njeriu lind, rritet e mplaket dhe kur shkon në stacionet e fundit të jetës para se të hypë në trenin e fundit pa kthim, sheh jetën si në film. Sekuencat që i sheh më shumë në filmin e jetes së tij njeriu janë sekuenca, pamje apo çaste që kanë të bëjnë me fëmijërinë kur babai ngre hopa në krahë fëmijën, kur e merr kaluç, kur e merr diku dhe i tregon botën pa fjalë.
Një prind i tillë, një mësues i tillë është misionar dhe ne për të tillë misionari bëjmë fjalë në këto radhë kujtimesh modeste.
Në faqet e këtij libri modest do të mësojmë se nuk ka krenari më të madhe njerzore se sa krenaria e prindit për fëmijën, e babait për vajzën. Nuk ka në jetë shpërblim e përmendore më të madhe që ngrihet për një prind, për një baba, se sa rritja e shëndetshme dhe e dinjitetshme e fëmijëve, se sa sukseset e fëmijëve. Është patriotizëm e atdhetarizëm i shëndetshëm rritja e fëmijëve të suksesshëm, të denjë, fëmijëve që i japin emër e nder atdheut, Kosovës, gjuhës e kulturës shqiptare.
Ne jemi mësuar të duartrokasim kampionët, por kemi lënë gjithmonë pas dore kampionin e çdo fëmije, udhërrëfyesin e çdo fëmije, frymëzuesin e çdo fëmije, shpatullat e sigurta të babait, të prindit ku vënë këmbët fëmijët për të startuar me sukses në jetë. Heroin e fëmijëve e kemi kërkuar larg, në ekranin e televizionit, të kinemasë, duke mos e vu re heroin prind, baba, nënë, vëlla, motër, heroin baba që le mangut kafshatën e tij për fëmijën, heroin baba e nënë që luftojnë e ëndërrojnë që fëmijët t’ua kalojnë, fëmijët të bëhen edhe ata që ëndërruan e s’u bënë dot vetë.
E kemi lënë gjithmonë anash, të nënvlerësuar prindin hero, model të fëmijëve. Nëse një baba është model për fëmijët e tij, ajo është madhështore, nuk ka planet më të madh se sa fëmija. Babai hero nuk aktron, ai është hero.
Shpesh njerëz të shquar, ose të zakonshëm, kur pyetën për heroin e tyre, për frymëzuesin modelin, ata përmendin prindërit, babain, nënën.
Baballarët janë ata që ndërtojnë botën, që ngrenë e mbajnë çatinë e botës, që e mbajnë të mos bjerë e të na zërë brenda, nënat janë drita që ndriçojnë në shtëpi, në jetë.
Baballarët janë ata që na mësojnë të jetojmë edhe kur nuk kemi të hamë, na mësojnë të mos vdesim, na mësojnë krenarinë, dinjitetin, na mësojnë të jetojmë në mungesa e të rritemi.
Dy artiste të sukseshshme në arenën ndërkombëtare Lendita dhe Blerta Zeqiraj janë dy vajzat e mësuesit Rrahman Zeqiraj, kineaste, regjizore që i kanë shkruar emrat tek njerzit e famshëm të kinematografisë e filmit, që janë ndër eksponentet e njohura shqiptare që e bëjnë më të bukur e të dinjitetshme pasaportën shqiptare.
A nuk është patriotizëm të lindësh e rrisësh fëmijë të denjë me të cilët krenohet jo vetëm familja por edhe atdheu, që i japin emër e famë jo vetëm familjes por i japin nder e krenari edhe atdheut.
Nëse flasim për një patriotizëm të matshëm, social, konkret, të prekshëm, kështu është, e nëse flasim për patriotizëm në tela çiftelie është diçka tjetër.
Rrahman Zeqiraj në këtë aspekt është patriot i nderuar sepse dy vajzat e tij Lendita Zeqiraj dhe Blerta Zeqiraj janë aktualisht përsonalitete me zë e emër në botë në fushën e filmit, kinematogafisë e regjizurës. Janë dy motrat shqiptare nga Kosova që kanë fituar dhjetra trofe ndërkombëtare e janë nominuar në qindra festivale filmi.
Comments